MËSIMI 9
Intonacioni
KUR përdor theksin logjik po e ndihmon auditorin ta kuptojë atë që po i thua. Ndërsa, kur përdor siç duhet larminë në volum, ritëm dhe ton, fjalimi yt mund të jetë shumë më i këndshëm për t’u dëgjuar. Veç kësaj, mund t’i tregojë auditorit tënd se si ndihesh për atë që po thua. Qëndrimi që ke ti ndaj materialit mund të ndikojë në ndjenjat që ka auditori për të. Kjo është e vërtetë edhe kur flet nga podiumi, edhe kur i flet dikujt në shërbimin në fushë.
Zëri i njeriut është një mjet i mrekullueshëm, i cili mund të prodhojë një larmi të madhe tingujsh. Kur përdoret siç duhet, ai mund t’i japë jetë një fjalimi, të prekë zemrën, të ndikojë në ndjenja dhe t’i motivojë të tjerët që të veprojnë. Megjithatë, kjo nuk arrihet thjesht duke shënuar në material vendet ku duhet të rregullosh volumin, të ndryshosh ritmin ose tonin. Intonacioni i realizuar në bazë të këtyre shënimeve do të tingëllojë artificial. Në vend që t’i japë jetë dhe gjallëri fjalimit tënd, mund ta bëjë auditorin të mos ndihet rehat. Përdorimi i duhur i intonacionit buron nga zemra.
Kur përdoret me mençuri, intonacioni nuk do ta tërheqë vëmendjen në mënyrë të papërshtatshme tek oratori. Përkundrazi, do ta ndihmojë auditorin të kapë frymën e argumentit që po trajtohet.
Rregullo volumin. Një mundësi për ta ndryshuar mënyrën si i thua fjalët është duke rregulluar volumin. Mirëpo, kjo nuk duhet të jetë një ulje-ngritje mekanike e volumit me rregullsi monotone. Një gjë e tillë do ta shtrembëronte kuptimin e asaj që po thua. Nëse e ngre volumin shumë shpesh, kjo do të linte një përshtypje të pakëndshme.
Volumi yt duhet t’i përshtatet materialit. Qoftë kur po lexon një urdhër që shpreh urgjencë, si ai që gjendet te Zbulesa 14:6, 7 ose te Zbulesa 18:4, qoftë kur po lexon fjalë që shprehin bindje të fortë, si ato te Dalja 14:13, 14, ngritja e përshtatshme e zërit është e këshillueshme. Në mënyrë të ngjashme, nëse po lexon një denoncim të fuqishëm nga Bibla, si ai te Jeremia 25:27-38, ndryshimi i volumit do të bëjë që disa shprehje të dalin më në pah se të tjerat.
Mbaj parasysh edhe synimin tënd. A dëshiron ta motivosh auditorin që të veprojë? A dëshiron që në fjalimin tënd pikat kryesore të dalin në pah? Atëherë përdorimi me maturi i volumit pak më të lartë do të të ndihmojë t’i arrish këto synime. Megjithatë, thjesht ngritja e volumit mund të ketë edhe efektin e kundërt. Si është e mundur? Ajo që po thua mund të kërkojë ngrohtësi dhe ndjenjë në vend të një volumi më të lartë. Për këtë do të flasim në mësimin 11.
Kur përdoret me aftësi dalluese, ulja e volumit mund të krijojë një ndjenjë pritjeje. Por, zakonisht, menjëherë pas kësaj kërkohet një forcë më e madhe në ton. Volumi i ulët, i shoqëruar me rritje të forcës, mund të përdoret për të shprehur ankth ose frikë. Mund të përdoret edhe për të treguar se ajo që po thuhet ka rëndësi dytësore në krahasim me kontekstin. Mirëpo, nëse volumi yt është gjithmonë i ulët, kjo mund të tregojë pasiguri ose mungesë bindjeje nga ana jote, ose mungesë interesi të vërtetë për atë që po thua. Natyrisht, tonet shumë të buta duhen përdorur me maturi.
Ndrysho ritmin. Në të folurit e përditshëm, kur shprehim mendimet tona fjalët rrjedhin vetvetiu. Kur jemi të emocionuar, kemi prirjen të flasim shpejt. Kur duam që të tjerët ta mbajnë mend me saktësi atë që themi, ritmi i të folurit tonë bëhet më i ngadaltë.
Megjithatë, janë të paktë oratorët e rinj që e ndryshojnë ritmin. Pse? Sepse i përgatitin me shumë kujdes fjalët që do të thonë. Ndoshta i shkruajnë të gjitha. Edhe pse mund të mos e mbajnë fjalimin duke u mbështetur në dorëshkrim, fjalët i kanë mësuar pothuajse përmendësh. Si rrjedhojë, çdo gjë paraqitet me një ritëm të matur paraprakisht. Një ndihmë për ta ndrequr këtë dobësi do të jetë të mësojnë të përdorin skemën kur flasin.
Mos e shto befas ritmin, ashtu si bën një mace që është duke ecur ngeshëm, por bëhet erë sapo shikon një qen. Gjithashtu, mos fol kurrë aq shpejt sa të dëmtosh shqiptimin.
Për të arritur larminë e ritmit, mos u mjafto vetëm duke e shpejtuar ose ngadalësuar të folurit në intervale të rregullta. Në vend që të ndikojë pozitivisht në paraqitjen e materialit tënd, ky lloj të foluri do të bëjë të kundërtën. Ndryshimet e ritmit duhen bërë në përputhje me atë që po thua, me emocionet që dëshiron të shprehësh dhe me synimin tënd. Paraqite fjalimin me një ritëm të arsyeshëm. Për të shprehur ngazëllim, fol më shpejt, siç do të bëje në jetën e përditshme. Kjo është e përshtatshme edhe kur paraqet pika më pak të rëndësishme ose kur tregon ngjarje, hollësitë e të cilave nuk janë thelbësore. Kjo do ta shtojë larminë dhe do të bëjë që fjalimi yt të mos duket tepër i rëndë. Nga ana tjetër, argumentet më të rëndësishme, pikat kryesore dhe pikat kulmore të fjalimit zakonisht kërkojnë një ritëm më të ngadaltë.
Ndrysho tonin. Përfytyro dikë që i bie një vegle muzikore pak a shumë për një orë. Gjatë gjithë kohës ai i bie vetëm një note, në fillim fort, pastaj lehtë, disa herë shpejt, pastaj ngadalë. Ka larmi në volum dhe në ritëm, por nëse nuk ka larmi në ton, «muzika» nuk është shumë tërheqëse. Ngjashëm, pa larmi në ton, zëri ynë nuk do të jetë i këndshëm për veshin.
Duhet thënë se ndryshimet në ton nuk kanë të njëjtin efekt në të gjitha gjuhët. Në një gjuhë të bazuar te toni, siç është gjuha kineze, ndryshimi i tonit mund të ndryshojë kuptimin e një fjale. Prapëseprapë, edhe në një gjuhë si kjo, një individ mund të bëjë diçka për t’i dhënë larmi zërit të tij. Ai mund të punojë për të përmirësuar diapazonin e zërit, ndërkohë që ruan të njëjtat nivele relative për tonet e ndryshme. Mund t’i bëjë tonet e larta më të larta dhe tonet e ulëta më të ulëta.
Edhe në ato gjuhë që nuk bazohen te toni, ndryshimet e tonit mund të përcjellin ide të ndryshme. Për shembull, ngritja e lehtë e tonit e shoqëruar me rritjen e ngjashme të volumit mund të përdoret për të theksuar fjalë a shprehje kyçe. Një ndryshim në ton mund të përdoret edhe për të treguar madhësi ose largësi. Ngritja e zërit në fund të një fjalie mund të tregojë se po bëhet një pyetje. Disa gjuhë mund të kërkojnë ulje të zërit.
Me ton më të lartë mund të shprehet ngazëllimi dhe entuziazmi. (Në gjuhët e bazuara te toni, kjo mund të kërkojë një diapazon më të gjerë të zërit.) Trishtimi dhe ankthi mund të kërkojnë ton më të ulët. (Ose, në një gjuhë të bazuar te toni, kërkojnë diapazon më të ngushtë të zërit.) Emocionet e përmendura këtu janë emocione që e ndihmojnë oratorin të prekë zemrën e dëgjuesve. Kur dëshiron t’i shprehësh ato, mos u mjafto vetëm duke i thënë fjalët. Përdore zërin në një mënyrë që tregon se edhe i ndien ato.
Hidh themelin. Pra, ku fillon intonacioni? Me zgjedhjen e materialit të fjalimit. Nëse përfshin vetëm argumentime ose vetëm nxitje, nuk do të kesh shumë mundësi për t’i dhënë larmi fjalimit tënd. Prandaj analizoje skemën dhe sigurohu që ke elementet e nevojshme për një paraqitje të gjallë dhe informative.
Supozo sikur në mes të fjalimit të të duket e nevojshme që ta bësh atë më të larmishëm, sepse po zvarritet. Ç’mund të bësh? Ndrysho natyrën e materialit. Si? Një mënyrë është që të hapësh Biblën dhe duke e ftuar auditorin të bëjë të njëjtën gjë, të lexosh një shkrim në vend që thjesht të flasësh. Ose ktheji disa pohime në pyetje, duke shtuar një pauzë për theksim. Fut një ilustrim të thjeshtë. Këto janë teknika që përdorin oratorët me përvojë. Por, pavarësisht se sa përvojë ke, ti mund të përdorësh të njëjtat ide kur përgatit materialin.
Mund të thuhet se intonacioni në fjalim është si erëzat në gatim. Nëse përdoret lloji i duhur i intonacionit dhe në masën e duhur, ai do të nxjerrë në pah plotësisht ‘shijen’ e materialit tënd dhe do ta bëjë të këndshëm për auditorin.