MËSIMI 75
Djalli vë në provë Jezuin
Pasi Jezui u pagëzua, fryma e shenjtë e drejtoi për në shkretëtirë. Ai nuk kishte ngrënë asgjë për 40 ditë dhe e mori shumë uria. Pastaj Djalli erdhi ta tundonte dhe i tha: ‘Nëse vërtet je Bir i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë.’ Por Jezui iu përgjigj duke cituar Shkrimet: ‘Është shkruar se për të jetuar nuk duhet vetëm ushqim. Duhet dëgjuar çdo fjalë që thotë Jehovai.’
Më pas, Djalli e sfidoi Jezuin: ‘Nëse vërtet je Bir i Perëndisë, hidhu nga vendi më i lartë i tempullit. Është shkruar se Perëndia do të dërgojë engjëjt e tij që të të mbajnë.’ Por Jezui përsëri përmendi Shkrimet: ‘Është shkruar se Jehovai nuk duhet vënë në provë.’
Më vonë, Satanai i tregoi Jezuit të gjitha mbretëritë e botës, pasurinë dhe lavdinë e tyre e i tha: ‘Do të t’i jap të gjitha këto mbretëri dhe lavdinë e tyre, nëse më adhuron vetëm një herë.’ Por Jezui iu përgjigj: ‘Ik tutje, Satana! Është shkruar se duhet adhuruar vetëm Jehovai.’
Kështu Djalli iku dhe engjëjt erdhën e i dhanë për të ngrënë Jezuit. Pas këtij momenti, Jezui filloi të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë. Ky ishte caktimi për të cilin u dërgua në tokë. Njerëzve u pëlqenin shumë gjërat që u mësonte Jezui dhe e ndiqnin kudo që shkonte.
«Kur gënjen, ai flet sipas natyrës së vet, ngaqë është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.»—Gjoni 8:44