BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es25 f. 77-87
  • Gusht

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Gusht
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
  • Nëntema
  • E premte, 1 gusht
  • E shtunë, 2 gusht
  • E diel, 3 gusht
  • E hënë, 4 gusht
  • E martë, 5 gusht
  • E mërkurë, 6 gusht
  • E enjte, 7 gusht
  • E premte, 8 gusht
  • E shtunë, 9 gusht
  • E diel, 10 gusht
  • E hënë, 11 gusht
  • E martë, 12 gusht
  • E mërkurë, 13 gusht
  • E enjte, 14 gusht
  • E premte, 15 gusht
  • E shtunë, 16 gusht
  • E diel, 17 gusht
  • E hënë, 18 gusht
  • E martë, 19 gusht
  • E mërkurë, 20 gusht
  • E enjte, 21 gusht
  • E premte, 22 gusht
  • E shtunë, 23 gusht
  • E diel, 24 gusht
  • E hënë, 25 gusht
  • E martë, 26 gusht
  • E mërkurë, 27 gusht
  • E enjte, 28 gusht
  • E premte, 29 gusht
  • E shtunë, 30 gusht
  • E diel, 31 gusht
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
es25 f. 77-87

Gusht

E premte, 1 gusht

Hallet e të drejtit s’kanë të sosur, por Jehovai e çliron nga të gjitha.—Psal. 34:19.

Vër re dy pika të rëndësishme te psalmi i mësipërm: (1) Njerëzve të drejtë u bien halle. (2) Jehovai na çliron nga sprovat. Si na çliron Jehovai? Një mënyrë është duke na ndihmuar të kemi një pikëpamje realiste për jetën në këtë sistem. Ndonëse na premton se do të gjejmë gëzim në shërbim të tij, ai nuk na garanton një jetë pa telashe sot. (Isa. 66:14) Jehovai na nxit të përqendrohemi tek e ardhmja—te koha kur do të bëjmë atë jetë që ai dëshiron ta gëzojmë përgjithnjë. (2 Kor. 4:16-18) Ndërkohë, po na ndihmon të ecim para çdo ditë pa u dorëzuar. (Vajt. 3:22-24) Çfarë mund të mësojmë nga shembujt e adhuruesve besnikë të Jehovait në lashtësi dhe në ditët tona? Mund të hasim probleme të papritura. Por kur e lëmë veten me besim në duart e Jehovait, ai do të na mbështetë në çdo rast.—Psal. 55:22. w23.04 14-15 ¶3-4

E shtunë, 2 gusht

[Jini të] nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.—Rom. 13:1.

Mund të mësojmë nga shembulli i Jozefit dhe Marisë, që ishin gati t’u bindeshin autoriteteve më të larta edhe kur ishte e pavolitshme për ta. (Luka 2:1-6) Kur Maria ishte gati nëntë muajshe shtatzënë, bindja e saj dhe e Jozefit u vu në provë. Augusti, që qeveriste Perandorinë Romake, nxori një dekret që të regjistrohej popullsia. Jozefi dhe Maria duhej të shkonin në Betlehem, pra duhej të udhëtonin deri në 150 kilometra përmes një rajoni malor. Çfarë udhëtimi i parehatshëm, sidomos për Marinë! Si çift, ata mund të ishin në merak për sigurinë e saj dhe të foshnjës së palindur. Po sikur t’i fillonin dhimbjet e lindjes gjatë udhëtimit? Ajo mbante në bark Mesinë, të premtuarin e Jehovait. A mund të ishte ky një justifikim për të mos iu bindur qeverisë? Jozefi dhe Maria nuk lejuan ndonjë nga ato shqetësime të kthehej në justifikim për të mos iu bindur ligjit. E Jehovai e bekoi bindjen e tyre. Maria mbërriti shëndoshë e mirë në Betlehem, lindi një fëmijë të shëndetshëm, e madje ndihmoi të plotësohej një profeci e Biblës.—Mik. 5:2. w23.10 8 ¶9; 9 ¶11-12

E diel, 3 gusht

T’i japim zemër njëri-tjetrit.—Hebr. 10:25.

Po nëse edhe vetëm mendimi për të komentuar në mbledhje të fut ankth? Mund të jetë e dobishme të përgatitesh mirë. (Prov. 21:5) Sa më mirë ta njohësh materialin, aq më rehat do të ndihesh të komentosh. Gjithashtu, bëj komente të shkurtra. (Prov. 15:23; 17:27) Nëse përgjigjja që do të japësh është e shkurtër, do të kesh më pak ankth. Kur bën komente të shkurtra me fjalët e tua, tregon se je përgatitur mirë dhe se e ke kuptuar qartë materialin. Po nëse i ke ndjekur disa nga këto sugjerime, por prapë je goxha në ankth e nuk bën dot më shumë se një a dy komente? Ji i sigurt se Jehovai i vlerëson përpjekjet e tua me gjithë shpirt për të bërë atë që mundesh. (Luka 21:1-4) Të japësh më të mirën nuk do të thotë t’i ngarkosh vetes një barrë të papërballueshme. (Filip. 4:5) Përcakto çfarë mund të bësh, vër synimin ta bësh dhe lutu për një zemër të qetë. Në fillim, synimi yt mund të jetë të bësh një koment të shkurtër. w23.04 21 ¶6-8

E hënë, 4 gusht

Të veshim parzmoren . . . dhe . . . [helmetën].—1 Sel. 5:8.

Apostulli Pavël na krahason me ushtarë që janë syçelë dhe të veshur për betejë. Në kohë lufte pritet që një ushtar të jetë gati për betejë në çdo moment. Njësoj është me ne. Që të qëndrojmë gati për ditën e Jehovait, ne veshim parzmoren e besimit e të dashurisë dhe helmetën e shpresës. Parzmorja i mbronte zemrën ushtarit. Besimi dhe dashuria mbrojnë zemrën tonë të figurshme. Ato do të na ndihmojnë të vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë dhe të ndjekim Jezuin. Besimi na siguron se Jehovai do të na shpërblejë ngaqë e kërkojmë me gjithë zemër. (Hebr. 11:6) Gjithashtu na nxit t’i qëndrojmë besnikë Kreut tonë, Jezuit, edhe nëse na duhet të kalojmë vështirësi. Duke mësuar nga shembujt e sotëm të atyre që e kanë mbajtur integritetin edhe përballë përndjekjeve e problemeve ekonomike, mund t’i përballojmë me besim të fortë sprovat e jetës. Veç kësaj, mund të shmangim grackën e materializmit duke imituar ata që e kanë thjeshtuar jetën për të vënë në vend të parë Mbretërinë. w23.06 10 ¶8-9

E martë, 5 gusht

Kush shikon retë, nuk do të korrë.—Ekl. 11:4.

Vetëkontrolli është aftësia për të mbajtur nën kontroll ndjenjat dhe veprimet. Ai na duhet edhe që ta motivojmë veten për të arritur synimet tona, sidomos kur një synim është i vështirë për t’u arritur ose kur nuk ndihemi të motivuar. Mos harro se vetëkontrolli është cilësi e frytit të frymës, ndaj lutju Jehovait për frymën e shenjtë që të të ndihmojë ta zhvillosh këtë cilësi të rëndësishme. (Luka 11:13; Gal. 5:22, 23) Mos prit rrethana të përsosura. Në këtë botë, ka shumë mundësi të mos kemi kurrë rrethana ideale. Po të presim rrethana të tilla, mund të mos e arrijmë asnjëherë synimin tonë. Ndoshta nuk ndihemi të motivuar ta arrijmë një synim ngaqë na duket tepër e vështirë. Nëse është kjo arsyeja, pse të mos e ndash synimin tënd në synime më të vogla? Për shembull, nëse synon të zhvillosh një cilësi, pse të mos fillosh duke bëra gjëra të vogla për ta shfaqur? Nëse synimi yt është të lexosh gjithë Biblën, pse të mos lexosh si fillim nga pak çdo ditë? w23.05 29 ¶11-13

E mërkurë, 6 gusht

Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë.—Prov. 4:18.

Gjatë ditëve të fundit, Jehovai ka përdorur organizatën e tij që të sigurojë pareshtur ushqim besimforcues për të na ndihmuar të gjithëve të vazhdojmë të ecim në ‘Udhën e Shenjtërisë’. (Isa. 35:8; 48:17; 60:17) Kur dikush pranon të studiojë Biblën, mund të themi se nis rrugëtimin në ‘Udhën e Shenjtërisë’. Disa udhëtojnë vetëm për pak, e pastaj largohen nga kjo rrugë. Të tjerë janë të vendosur ta vazhdojnë udhëtimin derisa të arrijnë në destinacion. Cili është destinacioni? Për ata që kanë shpresë qiellore, destinacioni i ‘Udhës së Shenjtërisë’ është ‘parajsa e Perëndisë’ në qiell. (Zbul. 2:7) Për ata që kanë shpresë tokësore, destinacioni është përsosmëria në fund të 1.000 vjetëve. Nëse po ecën në këtë rrugë sot, mos e kthe kokën nga gjërat që ke lënë pas. As mos u largo prej saj, por çoje deri në fund rrugëtimin tënd në botën e re! w23.05 17 ¶15; 19 ¶16-18

E enjte, 7 gusht

Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari.—1 Gjon. 4:19.

Kur mendon për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty, zemra të nxit t’ia kushtosh jetën. (Psal. 116:12-14) Bibla e quan me të drejtë Jehovain Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe të përsosur’. (Jak. 1:17) Më e madhja ndër to është flijimi i Birit të tij, Jezuit. Çfarë dhurate e mrekullueshme është kjo! Falë shpërblesës, ti mund të kesh një miqësi të ngushtë me Jehovain. Gjithashtu, Ai të ka dhënë mundësinë të gëzosh jetën pa fund. (1 Gjon. 4:9, 10) Nga mirënjohja që të gufon në zemër për shprehjen më të madhe të dashurisë në histori—përveç gjithë bekimeve të tjera që të ka dhuruar Jehovai—dëshiron t’ia kushtosh jetën.—Ligj. 16:17; 2 Kor. 5:15. w24.03 5 ¶8

E premte, 8 gusht

Kush ecën me drejtësi, nderon thellësisht Jehovain.—Prov. 14:2.

Kur shohim sa poshtë kanë rënë normat morale të botës sot, ndihemi si Loti i drejtë. Ai «vuante shumë nga sjellja e pacipë e të ligjve», se e dinte që Ati ynë qiellor i urren veprat e liga. (2 Pjet. 2:7, 8) Ngaqë e donte dhe e nderonte thellë Perëndinë, Loti e urrente sjelljen e mbrapshtë të njerëzve përreth tij. Edhe ne rrethohemi nga njerëz që kanë pak ose aspak respekt për normat morale të Jehovait. Pavarësisht nga kjo, mund të qëndrojmë të pastër nga ana morale nëse vazhdojmë të ushqejmë dashurinë dhe nderimin e thellë për Perëndinë. Jehovai na ndihmon duke na motivuar e inkurajuar me dashuri nëpërmjet librit të Proverbave. Të gjithë ne, burra e gra, të rinj e të moshuar, mund të nxjerrim shumë dobi duke shqyrtuar këshillat e mençura që përmban ky libër. Kur e nderojmë thellësisht Jehovain, bëjmë kujdes të mos e tolerojmë sjelljen e keqe. w23.06 20 ¶1-2; 21 ¶5

E shtunë, 9 gusht

Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.—Luka 9:23.

Mbase ke hasur kundërshtime nga familja a ndoshta ke sakrifikuar disa të mira materiale për të vënë Mbretërinë në vend të parë. (Mat. 6:33) Nëse po, syrit të Jehovait nuk i ka shpëtuar asgjë që ke bërë për të. (Hebr. 6:10) Ka shumë të ngjarë ta kesh provuar sa të vërteta janë këto fjalë të Jezuit: «Nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, vëllezër, motra, nënë, baba, fëmijë ose toka për hirin tim dhe për hir të lajmit të mirë, e të mos marrë tani, në këtë kohë, 100-fish—shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë dhe toka, bashkë me përndjekje—dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.» (Mar. 10:29, 30) Vërtet, bekimet që ke marrë janë ku e ku më të mëdha se çdo sakrificë që ke bërë.—Psal. 37:4. w24.03 9 ¶5

E diel, 10 gusht

Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.—Prov. 17:17.

Kur në Jude ra një zi buke e madhe, vëllezërit në Antioki «vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë, të jepte ndihmë për vëllezërit që jetonin në Jude.» (Vep. 11:27-30) Ndonëse vëllezërit e prekur nga zia e bukës jetonin larg, kongregacioni në Antioki ishte i vendosur t’i ndihmonte. (1 Gjon. 3:17, 18) Edhe ne sot mund të tregojmë dhembshuri kur marrim vesh se bashkëbesimtarët janë prekur nga një katastrofë. Jemi gati t’u shkojmë menjëherë në ndihmë—mbase duke pyetur pleqtë nëse mund të ndihmojmë në ndonjë projekt, duke dhuruar për veprën mbarëbotërore ose duke u lutur për ata që janë prekur nga katastrofa. Vëllezërit dhe motrat mbase do të kenë nevojë t’i ndihmojmë të sigurojnë gjërat bazë. Duam që kur Mbreti ynë, Krishti Jezu, të vijë për të gjykuar njerëzit, të na gjejë duke treguar dhembshuri dhe të na ftojë ‘të trashëgojmë Mbretërinë’.—Mat. 25:34-40. w23.07 4 ¶9-10; 6 ¶12

E hënë, 11 gusht

Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.—Filip. 4:5.

Jezui imitoi Jehovain duke u treguar i arsyeshëm. Vërtet, Jezui ishte dërguar në tokë që t’u predikonte ‘deleve të humbura të shtëpisë së Izraelit’. Megjithatë, u tregua i arsyeshëm ndërsa kryente atë caktim. Në një rast, një grua joizraelite iu përgjërua t’i shëronte të bijën që ‘vuante tmerrësisht prej demonëve’. Me dhembshuri, Jezui ia plotësoi kërkesën dhe ia shëroi vajzën. (Mat. 15:21-28) Të mendojmë për një shembull tjetër. Më parë gjatë shërbimit të tij, Jezui kishte thënë: «Këdo që më mohon . . . , edhe unë do ta mohoj.» (Mat. 10:33) Por çfarë bëri Jezui kur Pjetri e mohoi tri herë, a e mohoi edhe ai? Jo. Jezui mbajti parasysh pendimin dhe besimin e Pjetrit. Pasi u ringjall, Jezui iu shfaq Pjetrit dhe ka shumë mundësi që e siguroi se e kishte falur dhe e donte akoma. (Luka 24:33, 34) Si Perëndia Jehova, ashtu edhe Jezu Krishti janë të arsyeshëm. Po ne? Jehovai pret që edhe ne të jemi të arsyeshëm. w23.07 21 ¶6-7

E martë, 12 gusht

Nuk do të ketë më vdekje.—Zbul. 21:4.

Si mund t’i sigurojmë ata që dyshojnë se premtimi i Perëndisë për Parajsën do të plotësohet? Së pari, këtë premtim e bën vetë Jehovai. Në librin e Zbulesës lexojmë: «Ai që rri ulur në fron tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’» Jehovai ka mençurinë, fuqinë dhe dëshirën që ta bëjë realitet premtimin e tij. Së dyti, ajo që ka premtuar Jehovai është kaq e sigurt se do të ndodhë, sa për Të është sikur të jetë realizuar tashmë. Ja pse thotë: «Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta. . . . U plotësuan!» Së treti, kur nis diçka, asgjë nuk mund ta ndalë Jehovain që ta çojë deri në fund, siç e thekson shprehja: «Unë jam Alfa dhe Omega.» (Zbul. 21:6) Jehovai do të provojë se Satanai është një gënjeshtar që ka dështuar. Ndaj kur dikush thotë: «Si shumë e bukur për të qenë e vërtetë», lexoji dhe shpjegoji vargjet te Zbulesa 21:5, 6. Tregoji si na ka dhënë garanci Jehovai se do ta realizojë atë që ka premtuar duke vënë, si të thuash, në fund të premtimit firmën e vet.—Isa. 65:16. w23.11 7 ¶18-19

E mërkurë, 13 gusht

Unë do të të bëj një komb të madh.—Zan. 12:2.

Jehovai ia bëri këtë premtim Abrahamit kur ai ishte 75 vjeç e nuk kishte fëmijë. A e pa Abrahami përmbushjen e atij premtimi? Jo plotësisht. Pasi kaloi lumin Eufrat dhe priti 25 vjet, Abrahami pa lindjen e birit të tij, Isakut, me anë të një mrekullie. E pasi kaluan edhe 60 vite të tjera, lindën nipërit e tij, Esau dhe Jakobi. (Hebr. 6:15) Por Abrahami nuk i pa pasardhësit e tij të bëheshin një komb i madh dhe të trashëgonin Tokën e Premtuar. Megjithatë, ai besnik gëzoi një miqësi të ngushtë me Krijuesin e tij. (Jak. 2:23) E pasi të ringjallet, sa i emocionuar do të ndihet kur të mësojë se besimi dhe durimi i tij i sollën bekime gjithë kombeve! (Zan. 22:18) Mësimi për ne? Mbase për momentin nuk e shohim plotësimin e të gjitha premtimeve të Jehovait. Gjithsesi, nëse jemi të duruar si Abrahami, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na shpërblejë tani dhe akoma më shumë në botën e re që ka premtuar.—Mar. 10:29, 30. w23.08 24 ¶14

E enjte, 14 gusht

Për aq kohë sa e kërkoi Jehovain, Perëndia i vërtetë bëri që t’i shkonte mbarë.—2 Kron. 26:5.

Kur ishte i ri, mbreti Uziah ishte i përulur. Ai mësoi «të nderonte thellësisht Perëndinë e vërtetë». E Jehovai e bekoi për pjesën më të madhe të 68 vjetëve të jetës së tij. (2 Kron. 26:1-4) Uziahu mposhti shumë kombe armike dhe forcoi sistemin mbrojtës të Jerusalemit. (2 Kron. 26:6-15) Me siguri, Uziahu ishte i kënaqur me gjithë gjërat që arriti të bënte falë ndihmës së Perëndisë. (Ekl. 3:12, 13) Mbreti Uziah ishte mësuar që të tjerët t’u bindeshin urdhrave të tij. Mos ndoshta nga kjo mendonte se mund të bënte çdo gjë që dëshironte? Një ditë, Uziahu vendosi të hynte në tempullin e Jehovait dhe me kryeneçësi u përpoq të digjte temjan në altar, gjë që nuk u lejohej mbretërve. (2 Kron. 26:16-18) Kryeprifti Azariah e qortoi, por Uziahu u xhindos. Mjerisht, Uziahu i vuri shkelmin emrit të mirë që kishte bërë si shërbëtor besnik, dhe Jehovai e dënoi duke e goditur me lebër. (2 Kron. 26:19-21) Sa ndryshe do të kishin vajtur gjërat sikur të kishte qëndruar i përulur! w23.09 10 ¶9-10

E premte, 15 gusht

Ai . . . [nuk] rrinte më me ta nga frika e përkrahësve të rrethprerjes.—Gal. 2:12.

Edhe pasi u bë i mirosur, apostullit Pjetër i duhej të luftonte me dobësitë e tij. Në vitin 36 të e.s., Pjetri ishte i pranishëm në rastin kur Korneli, një jojude i parrethprerë, u miros me frymë të shenjtë. Kjo ishte provë e qartë se «Perëndia nuk është i anshëm» dhe se jojudenjtë mund të bëheshin pjesë e kongregacionit të krishterë. (Vep. 10:34, 44, 45) Pas kësaj, Pjetri filloi të hante pa problem me jojudenjtë, gjë që s’do ta kishte bërë kurrë më parë. Megjithatë, disa të krishterë judenj mendonin se judenjtë dhe njerëzit e kombeve nuk duhej të hanin së bashku. Kur disa përkrahës të asaj ideje shkuan në Antioki, Pjetri nuk hante më me vëllezërit e tij jojudenj, ndoshta nga frika se mos ofendonte të krishterët judenj. Apostullit Pavël i ra në sy ajo hipokrizi dhe e qortoi Pjetrin para të gjithëve. (Gal. 2:13, 14) Edhe pse bëri atë gabim të rëndë, Pjetri nuk u dorëzua. w23.09 22 ¶8

E shtunë, 16 gusht

Do t’ju vërë mbi themele të forta.—1 Pjet. 5:10.

Një vetëshqyrtimi i sinqertë mund të nxjerrë në pah disa dobësi, por mos u shkurajo. «Zotëria [Jezui] është zemërmirë» dhe do të të ndihmojë të përmirësohesh. (1 Pjet. 2:3) Apostulli Pjetër na siguron: «Perëndia . . . do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj; do t’ju bëjë të patundur.» Në fillim, Pjetri ndihej i padenjë të rrinte me Birin e Perëndisë. (Luka 5:8) Por me mbështetjen e dashur të Jehovait e të Jezuit, Pjetri vazhdoi të shërbente pa u dorëzuar si dishepull i Krishtit. Kështu, Jehovai e miratoi ‘të hynte në Mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht’. (2 Pjet. 1:11) Çfarë shpërblimi! Nëse ecën para pa u dorëzuar si Pjetri dhe lejon që Jehovai të të stërvitë, edhe ti ke për të marrë shpërblimin e jetës së përhershme. Ti ‘do të korrësh frytin e besimit tënd, shpëtimin tënd’.—1 Pjet. 1:9. w23.09 31 ¶16-17

E diel, 17 gusht

Adhuroni Atë që bëri qiellin [dhe] tokën.—Zbul. 14:7.

Tabernakulli i lashtë kishte vetëm një oborr—një hapësirë të gjerë të rrethuar ku priftërinjtë kryenin detyrat e tyre. Atje ishte altari i madh prej bakri ku paraqiteshin blatimet e djegura, si edhe një legen bakri me ujë, që priftërinjtë të pastroheshin para se të kryenin shërbimin e shenjtë. (Eks. 30:17-20; 40:6-8) Sot, vëllezërit e mirosur të Krishtit në tokë shërbejnë me besnikëri në oborrin e brendshëm të tempullit të madh. Legeni i madh me ujë në oborrin e tabernakullit dhe të tempujve u kujton atyre, dhe gjithë shërbëtorëve të Perëndisë, diçka të rëndësishme: duhet të qëndrojnë të pastër nga ana morale dhe adhurimi i tyre duhet të mbetet i pandotur. Po ‘shumica a madhe’ ku e adhuron Jehovain? Apostulli Gjon pa se ata qëndrojnë «para fronit», në oborrin e jashtëm në tokë, ku «i bëjnë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij». (Zbul. 7:9, 13-15) Na gufon zemra nga mirënjohja për Jehovain që na ka dhënë mundësinë e çmuar ta adhurojmë në tempullin e tij të madh! w23.10 28 ¶15-16

E hënë, 18 gusht

Ngaqë ishte i sigurt për premtimin e Perëndisë, . . . falë besimit, mori forcë.—Rom. 4:20.

Një mënyrë si na jep forcë Jehovai është me anë të pleqve. (Isa. 32:1, 2) Prandaj, kur ndihesh në ankth, pse të mos flasësh me një plak për këtë? E kur pleqtë të ofrojnë ndihmë, pranoje ndihmën pa ngurrim e me mirënjohje. Me anë të tyre, Jehovai mund të të bëjë të fortë. Shpresa jonë e bazuar te premtimet e Biblës për të jetuar përgjithmonë ose në tokën parajsore, ose në Mbretërinë qiellore, mund të jetë burim force. (Rom. 4:3, 18, 19) Shpresa jonë na jep forcë t’u bëjmë ballë sprovave, të predikojmë lajmin e mirë dhe të kryejmë caktime të ndryshme në kongregacion. (1 Sel. 1:3) Kjo shpresë i dha forcë edhe apostullit Pavël. Kishte raste kur ai ‘u zu ngushtë’, ishte «në mëdyshje», ‘i përndjekur’, «përtokë», e madje e kishte kokën në rrezik. (2 Kor. 4:8-10) Pavli mori forcë të qëndronte duke i mbajtur sytë te shpresa e tij. (2 Kor. 4:16-18) Pavli përqendrohej tek e ardhmja që kishte para; shpresa e jetës së përhershme në qiell. Duke menduar thellë për atë shpresë, Pavli ‘përtërihej nga dita në ditë’. w23.10 15-16 ¶14-17

E martë, 19 gusht

Jehovai do t’i japë forcë popullit të tij. Jehovai do ta bekojë popullin e tij me paqe.—Psal. 29:11.

Kur lutesh, mendo nëse kjo është koha e duhur nga pikëpamja e Jehovait që të ta plotësojë kërkesën. Mbase mendojmë se lutja jonë duhet të marrë përgjigje në çast. Por Jehovai e di cili është momenti më i mirë për të na ndihmuar. (Hebr. 4:16) Kur nuk e marrim menjëherë atë që kërkojmë, mund të mendojmë se përgjigjja e Jehovait është «jo». Por në të vërtetë përgjigjja e tij mund të jetë «akoma jo». Për shembull, një vëlla i ri u lut të shërohej. Por shëndeti i tij nuk u përmirësua. Sikur Jehovai t’ia kishte hequr me mrekulli sëmundjen, Satanai mund të ngrinte akuzën se ai vëlla vazhdonte t’i shërbente Jehovait vetëm ngaqë ishte shëruar. (Jobi 1:9-11; 2:4) Veç kësaj, Jehovai tashmë e ka caktuar kohën kur do t’i shërojë të gjitha sëmundjet. (Isa. 33:24; Zbul. 21:3, 4) Derisa të vijë ajo ditë, nuk mund të presim shërime me mrekulli. Ndaj vëllai mund t’i kërkonte Jehovait t’i jepte forcën dhe paqen mendore që t’i bënte ballë sëmundjes e të vazhdonte t’i shërbente me besnikëri. w23.11 23 ¶13

E mërkurë, 20 gusht

Ai nuk vepron me ne sipas mëkateve tona e nuk na ndëshkon siç e meritojnë fajet tona.—Psal. 103:10.

Samsoni kishte bërë një gabim të rëndë. Megjithatë nuk u dorëzua. Ai kërkoi një mundësi që ta përmbushte caktimin që i kish dhënë Perëndia për të mundur filistinët. (Gjyk. 16:28-30) Samsoni iu përgjërua Jehovait: «Lërmë të hakmerrem kundër filistinëve». Perëndia i vërtetë iu përgjigj lutjes së Samsonit dhe ia ktheu fuqinë e tij të jashtëzakonshme. Si rezultat, fitorja që korri në atë rast Samsoni, ishte më e madhe se gjithë fitoret e tjera kundër filistinëve. Ndonëse po vuante pasojat e hidhura të gabimit të vet, Samsoni nuk i rreshti përpjekjet për të bërë vullnetin e Jehovait. Edhe nëse bëjmë një gabim për shkak të të cilit marrim një korrigjim ose humbim një privilegj, nuk duhet të dorëzohemi. Të mos harrojmë se Jehovai nuk dorëzohet duke na parë si të pandryshueshëm. (Psal. 103:8, 9) Pavarësisht nga gabimet tona, Jehovai prapë mund të na japë fuqi të bëjmë vullnetin e tij, siç i dha fuqi Samsonit. w23.09 6 ¶15-16

E enjte, 21 gusht

Qëndrueshmëria sjell miratimin e Perëndisë, miratimi i Perëndisë sjell shpresë.—Rom. 5:4.

Qëndrueshmëria jote sjell miratimin e Jehovait. Kjo s’do të thotë se Jehovai kënaqet kur përballesh me probleme. Ai nuk miraton sprovat; të miraton ty. Falë qëndrueshmërisë në sprova, ti gëzon miratimin e Jehovait. Çfarë bekimi i mrekullueshëm! (Psal. 5:12) Sill ndër mend se Abrahami qëndroi me besnikëri në sprova, e si rezultat gëzoi miratimin e Perëndisë. Jehovai e shihte si mikun e Tij dhe e konsideronte të drejtë. (Zan. 15:6; Rom. 4:13, 22) Kështu mund të jetë edhe me ne. Miratimi i Perëndisë nuk vjen nga sasia e punës që bëjmë në shërbim të tij a nga caktimet që kemi. Miratimi i tij vjen kur qëndrojmë me besnikëri në sprova. E pavarësisht nga mosha, rrethanat ose aftësitë tona, të gjithë mund të tregojmë qëndrueshmëri. A po qëndron besnik sot përballë një sprove? Nëse po, mos harro se Perëndia po të sheh me buzëqeshje miratimi. Kur e dimë se kemi miratimin e Perëndisë, ndihemi akoma më të sigurt se do t’i shijojmë bekimet që na ka premtuar. w23.12 11 ¶13-14

E premte, 22 gusht

Tregohu burrë.—1 Mbret. 2:2.

Një burrë i krishterë duhet të mësojë të komunikojë mirë. Kjo do të thotë t’i dëgjojë me vëmendje të tjerët dhe të përpiqet të kuptojë mendimet e ndjenjat e tyre. (Prov. 20:5) Gjithashtu mund të mësojë të lexojë tonin e zërit, shprehjet e fytyrës dhe gjestet ose pozicionin e trupit. Këtë nuk e mëson dot pa kaluar kohë me të tjerët. Nëse përdor vazhdimisht pajisjet elektronike për të komunikuar, si për shembull me anë të mesazheve ose email-eve, mund ta kesh më të vështirë të komunikosh personalisht me njerëzit. Prandaj, gjej mënyra për të biseduar ballë për ballë me njerëzit. (2 Gjon. 12) Një vëlla i pjekur duhet edhe të jetë në gjendje të sigurojë gjërat e nevojshme për veten dhe për familjen. (1 Tim. 5:8) Është mirë të mësosh aftësi që do të të ndihmojnë të gjesh një punë. (Vep. 18:2, 3; 20:34; Efes. 4:28) Fito reputacionin si dikush që punon pa u lodhur dhe që ngulmon ta çojë një punë deri në fund. Kështu do ta kesh më të lehtë të gjesh një punë dhe ta mbash. w23.12 27 ¶12-13

E shtunë, 23 gusht

Dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën.—1 Sel. 5:2.

Kur flet për ‘ditën e Jehovait’, Bibla e ka fjalën për një kohë kur Jehovai ekzekuton gjykimin mbi armiqtë dhe shpëton popullin e tij. Në të kaluarën, Jehovai ndëshkoi disa kombe. (Isa. 13:1, 6; Ezek. 13:5; Sof. 1:8) Në kohën tonë, «dita e Jehovait» do të fillojë me sulmin kundër Babilonisë së Madhe dhe do të kurorëzohet me luftën e Armagedonit. Që t’i mbijetojmë asaj «dite», duhet të përgatitemi tani. Jezui na mësoi jo vetëm që duhet të bëhemi gati për ‘shtrëngimin e madh’, por edhe që duhet ‘të rrimë gati’. (Mat. 24:21; Luka 12:40) Në letrën e parë të frymëzuar që u shkroi selanikasve, apostulli Pavël përdori disa ilustrime për t’i ndihmuar të krishterët të rrinin gati për ditën e madhe të gjykimit nga Jehovai. Pavli e dinte se dita e Jehovait nuk do të vinte në atë moment. (2 Sel. 2:1-3) Megjithatë i nxiti vëllezërit të përgatiteshin për atë ditë sikur ajo do të vinte të nesërmen. Kjo këshillë vlen edhe për ne. w23.06 8 ¶1-2

E diel, 24 gusht

Vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të palëkundur e të patundur.—1 Kor. 15:58.

Nga fundi i viteve 70, në Tokio, Japoni, u ndërtua një grataçelë 60-katëshe. Kur shihnin atë ndërtesë që spikaste në horizont, njerëzit vritnin mendjen si do t’u bënte ballë lëkundjeve të shpeshta të tërmeteve. Cili ishte sekreti i saj? Inxhinierët e kishin projektuar në mënyrë të tillë që të ishte e fortë dhe njëkohësisht aq elastike sa të përballonte lëkundjet sizmike. Shërbëtorët e Perëndisë janë si ajo grataçelë. Në ç’kuptim? Një shërbëtor i Perëndisë duhet të mbajë ekuilibrin duke qenë njëkohësisht i palëkundur dhe elastik. Kur është fjala për të përkrahur ligjet dhe standardet e Jehovait, duhet të jetë i fortë e i patundur. Ai është ‘i gatshëm të bindet’ dhe nuk bën kompromis. Në krahun tjetër, duhet të jetë ‘i arsyeshëm’, ose elastik, sa herë që është e mundur ose e nevojshme. (Jak. 3:17) Një shërbëtor i Jehovait që ka mësuar të ketë këtë pikëpamje të ekuilibruar, nuk do të shkojë në ekstrem duke qenë ose tepër strikt, ose tepër tolerant. w23.07 14 ¶1-2

E hënë, 25 gusht

Ndonëse nuk e keni parë kurrë, ju e doni atë.—1 Pjet. 1:8.

Jezui duhej të qëndronte i patundur përballë tundimeve të Satana Djallit, madje edhe përballë sulmeve të tij të hapura që të shkelte besnikërinë ndaj Perëndisë. (Mat. 4:1-11) Satanai ishte i vendosur që ta shtynte Jezuin të mëkatonte, në mënyrë që të mos ishte në gjendje të paguante shpërblesën. Jezui përballoi edhe sprova të tjera gjatë shërbimit në tokë. Armiqtë e tij e përndiqnin dhe u orvatën ta vritnin. (Luka 4:28, 29; 13:31) I duhej të duronte të metat dhe gabimet e dishepujve të tij. (Mar. 9:33, 34) Kur po e gjykonin për ta dënuar me vdekje, e torturuan dhe e tallën. Si përfundim, e ekzekutuan në një mënyrë tmerrësisht të dhimbshme dhe poshtëruese. (Hebr. 12:1-3) E pjesën e fundit të kësaj sprove u desh ta përballonte krejt vetëm, pa mbrojtjen e Jehovait. (Mat. 27:46) Është e qartë se Jezui vuajti tmerrësisht për të paguar shpërblesën. A nuk na gufon zemra nga dashuria për Jezuin kur mendojmë se u tregua i gatshëm të sakrifikonte kaq shumë për ne? w24.01 10-11 ¶7-9

E martë, 26 gusht

Kush është i nxituar, me siguri turret drejt skamjes.—Prov. 21:5.

Durimi na ndihmon në marrëdhëniet me të tjerët. Nëse jemi të duruar, do t’i dëgjojmë të tjerët me vëmendje. (Jak. 1:19) Durimi na ndihmon edhe të kemi paqe mes nesh. Ai na mbron të mos reagojmë nxitimthi e të mos themi diçka lënduese kur jemi të stresuar. Gjithashtu durimi do të na ndihmojë të mos zemërohemi shpejt kur dikush na lëndon. Në vend që të hakmerremi, ‘do të vazhdojmë të durojmë e të falim bujarisht njëri-tjetrin’. (Kolos. 3:12, 13) Durimi na ndihmon edhe të marrim vendime më të mira. Në vend që të jemi të rrëmbyer ose impulsivë, do të lëmë kohë për të bërë kërkime dhe për të peshuar mirë çfarë mundësish kemi. Për shembull, nëse po kërkojmë punë, mbase na vjen të pranojmë punën e parë që gjejmë. Mirëpo, nëse jemi të duruar, do të mendojmë mirë për ndikimin që mund të ketë te familja jonë dhe te miqësia me Jehovain. Nëse jemi të duruar, kjo mund të na ndihmojë të mos marrim një vendim të keq. w23.08 22 ¶8-9

E mërkurë, 27 gusht

Në trupin tim shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit që është në trupin tim.—Rom. 7:23.

Nëse të shkurajon lufta kundër dëshirave a prirjeve të gabuara, mendo për premtimin që i bëre Jehovait kur i kushtove jetën. Kështu do të jesh më i vendosur që të luftosh kundër tundimeve. Si? Kur ia kushtove jetën Jehovait, mohove veten. Me fjalë të tjera u the «jo» dëshirave e ambicieve personale që do ta mërzitnin Jehovain. (Mat. 16:24) Kështu, kur të hasësh një sprovë, s’do të të duhet të vrasësh mendjen se ç’të bësh. Do t’ua kesh mbyllur derën që më parë të gjitha alternativave, përveç njërës—besnikërisë ndaj Jehovait. Do të jesh plotësisht i vendosur që t’i kënaqësh zemrën Jehovait. Do të imitosh Jobin që, ndonëse hoqi sprova të tmerrshme, tha me vendosmëri: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë!»—Jobi 27:5. w24.03 9 ¶6-7

E enjte, 28 gusht

Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin, po, tërë atyre që e thërrasin me sinqeritet.—Psal. 145:18.

Jehovai, «Perëndia i dashurisë», është me ne. (2 Kor. 13:11) Ai interesohet për secilin nga ne. Jemi të bindur se ‘na rrethon dashuria e Tij besnike’. (Psal. 32:10) Sa më shumë të meditojmë si na ka treguar dashuri Jehovai, aq më real bëhet për ne dhe aq më shumë afrohemi me të. Mund t’i flasim lirshëm dhe t’i tregojmë sa nevojë kemi për dashurinë e tij. Mund t’i hapim zemrën për çdo gjë që na shqetëson, të sigurt se na kupton dhe se mezi pret të na ndihmojë. (Psal. 145:19) Ashtu siç duam të rrimë pranë një zjarri të ngrohtë në një ditë të acartë, po ashtu duam të ndiejmë ngrohtësinë e dashurisë së Jehovait. Dashuria e Jehovait është e fuqishme dhe njëkohësisht e butë. Ndaj lejoje Jehovain të të mbështjellë me dashurinë e tij të ngrohtë çdo ditë të jetës. E dashuria e tij le të na bëjë të themi me gjithë zemër: «Sa e dua Jehovain!»—Psal. 116:1. w24.01 31 ¶19-20

E premte, 29 gusht

Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd.—Gjoni 17:26.

Jezui nuk u mjaftua thjesht duke u treguar njerëzve se emri i Perëndisë është Jehova. Në fakt, ata që po mësonte Jezui, judenjtë, e dinin tashmë emrin e Perëndisë. Por ai mori iniciativën që ‘ta bënte të njohur’ Jehovain. (Gjoni 1:17, 18) Për shembull, Shkrimet Hebraike na zbulojnë se Jehovai është i mëshirshëm dhe i dhembshur. (Eks. 34:5-7) Jezui e bëri të qartë si kristali këtë të vërtetë kur tregoi ilustrimin për djalin e humbur dhe për babanë e tij. Në Bibël lexojmë se babai e vuri re të birin e penduar «kur ishte ende goxha larg», vrapoi që ta takonte, e përqafoi dhe e fali me gjithë shpirt. Sa bukur e mishëron ky baba mëshirën dhe dhembshurinë e Jehovait! (Luka 15:11-32) Jezui i ndihmoi njerëzit të kuptonin kush ishte vërtet Ati i tij. w24.02 10 ¶8-9

E shtunë, 30 gusht

T’i ngushëllojmë të tjerët . . . me po atë ngushëllim që marrim prej [Perëndisë].—2 Kor. 1:4.

Jehovai i freskon dhe i ngushëllon ata që vuajnë. Si mund të ndiejmë edhe ne dhembshuri për të tjerët e t’u japim zemër, ashtu si Jehovai? Një mënyrë është duke zhvilluar cilësi të ngrohta që na shtyjnë t’i ngushëllojmë të tjerët. Cilat janë disa nga këto cilësi? Si mund ta mbajmë ndezur atë dashuri që na motivon ‘të vazhdojmë ta ngushëllojmë njëri-tjetrin’ dita-ditës? (1 Sel. 4:18) Duhet të zhvillojmë cilësi të ngrohta si empatia, përzemërsia vëllazërore dhe zemërmirësia. (Kolos. 3:12; 1 Pjet. 3:8) Si do të na ndihmojnë këto cilësi? Kur dhembshuria dhe cilësi të tjera që lidhen me të bëhen pjesë e personalitetit tonë, zemra do të na shtyjë t’i ngushëllojmë ata që vuajnë. Siç tha Jezui, «goja flet nga bollëku i zemrës. Njeriu i mirë nxjerr gjëra të mira nga thesari i vet i mirë». (Mat. 12:34, 35) Të inkurajojmë vëllezërit e motrat që kanë nevojë është një mënyrë tepër e rëndësishme si e shprehim dashurinë për ta. w23.11 10 ¶10-11

E diel, 31 gusht

Ata që kanë gjykim të thellë do të kuptojnë.—Dan. 12:10.

Nëse duam t’i kuptojmë profecitë e Biblës, duhet të kërkojmë ndihmë. Të bëjmë një ilustrim. Imagjino sikur ke shkuar në një vend të panjohur, por me vete ke një mik që e njeh me sy mbyllur atë vend. Ai e di fiks ku ndodheni dhe ku të nxjerr çdo rrugë. S’do mend, je i kënaqur që po udhëton me atë mik! Po njësoj, Jehovai e di ku jemi në rrjedhën e kohës dhe ku do të na nxjerrë rruga jonë. Ndaj për t’i kuptuar profecitë e Biblës, duhet të kërkojmë me përulësi ndihmën e tij. (Dan. 2:28; 2 Pjet. 1:19, 20) Si çdo prind i dashur, Jehovai dëshiron që fëmijët e tij të kenë një të ardhme të lumtur. (Jer. 29:11) Por ndryshe nga prindërit njerëzorë, Jehovai mund ta parathotë të ardhmen me saktësi absolute. Ai ruajti në Fjalën e tij profeci që të na informojë për ngjarje të rëndësishme para se të ndodhin.—Isa. 46:10. w23.08 8 ¶3-4

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo