ABANAHU
Një nga dy lumenjtë e Damaskut që përmendi Naamani, komandanti i ushtrisë siriane, kur shpërfilli udhëzimet e Eliseut për t’u larë në ujërat e Jordanit që të shërohej nga lebra.—2Mb 5:12.
Përgjithësisht, mendohet se është Nahr-Barada, që e ka burimin në malet e Anti-Libanit në veriperëndim të Damaskut. Pasi rrjedh përmes maleve, ai del nga një grykë pikërisht në perëndim të Damaskut. Pastaj përshkon pjesën veriore të qytetit, ku hapet si erashkë, vadit një zonë të madhe e në fund humbet nëpër moçalet në lindje të qytetit. Nëpërmjet kanaleve e vijave të ujit, ujërat e tij vaditin fushat e pemishtet, duke krijuar një oazë të gjerë të blertë. Fare mirë mund të thuhet se Damasku ia detyron ekzistencën e vet lumit Baradë, që prej kohësh ka furnizuar me ujë sternat, puset e banjat publike të qytetit. Klasikët e quanin Lumi i Artë (Krisoroas). Pra, duket se vlerësimi i lartë i Naamanit për këtë lumë kishte baza të forta.
Te 2 Mbretërve 5:12, në vend të «Abanah» thuhet «Amana» ose «Amanah» në versionin An American Translation, si edhe në përkthimin e botuar nga The Jewish Publication Society of America, në shënimet anësore të tekstit masoretik dhe në Peshitën siriake. Te Kënga e Solomonit 4:8, shumë përkthime thonë «Amana», që mendohet se i referohet maleve të Anti-Libanit nga ku buronte lumi në fjalë. Prandaj, lumi mund të ketë marrë emrin e maleve nga zinte fill.