AMANA
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «i besueshëm; besnik; që zgjat»].
Ky emër përmendet te Kënga e Solomonit 4:8 në lidhje me Libanin dhe me malin e Hermonit. Shumica e përkthimeve thjesht transliterojnë fjalën hebraike «Amana».
Edhe pse disa mendojnë se Amana ishte një mal në veçanti, më tepër duket se ka qenë tërë vargmali i Anti-Libanit ose një pjesë e tij. Vargmalet e «Libanës» dhe të «Amananës» përmenden së bashku në mbishkrimet e monarkëve asirianë Tiglath-Pileseri III dhe Senakerib. Te 2 Mbretërve 5:12, Peshita siriake dhe Targumet aramaike quajnë «Amana» edhe lumin Abanah (Barada i sotëm). Ky lumë, më i rëndësishmi i Damaskut, buron nga pjesa jugore e maleve të Anti-Libanit, prandaj emri «Amana» mund t’i referohet ose asaj pjese të vargmalit, ose vargmalit në tërësi.
Anti-Libani është vargmali më lindor nga dy vargmalet e Libanit. Ai shtrihet paralel me vargmalin e Libanit për afro 100 km, që nga rrafshnalta e Bashanit, në lindje të Danit, deri lart në rrafshinën e madhe të Emesës, jo larg vendndodhjes së Riblahut. Mes dy vargmaleve gjendet një luginë e gjatë që quhet Koele-Siria («Siria e zgavërt») ose Beka, e cila formohet nga lumenjtë Orontes dhe Litani.—Js 11:17.
Në veri, kreshta është e ngushtë dhe ka një varg majash të larta. Masivi qendror është më i gjerë, më i lartë dhe me terren më të thyer, kurse pjesa jugore përshkohet nga lugina të gjata përrenjsh që shkojnë drejt lindjes e drejt jugut. Në lindje të kreshtës kryesore ndodhen një varg rrafshnaltash që zbresin butë deri në rrafshinat e Damaskut. Në pjesën jugore është edhe mali i Hermonit, që arrin lartësinë 2.814 m. Nga ndërtimi gjeologjik, këto male ngjajnë me vargmalin e Libanit dhe përbëhen kryesisht nga shkëmbinj gëlqerorë të përhimë me maja të rrumbullakosura e të hirta.
Në përgjithësi, majat e vargmalit të Anti-Libanit nuk mbulohen me borë, ndaj lumenjtë e përrenjtë janë të paktë. Bimësia është e varfër, por tek-tuk në shpatet e maleve sheh pyje të rralla me lisa xhuxhë e dëllinja. Cedra kanë mbetur pak. Në shpatet e poshtme ka ende vreshta, ullishta dhe pemishte, si në kohët biblike.