ABARIMI
[va (kalime); zonë kufitare (rajone përtej)].
Emër që pa dyshim përdoret për një rajon në lindje të lumit Jordan dhe, më specifikisht, në lindje të Detit të Vdekur. Te Jeremia 22:20 përmendet bashkë me rajonet e Libanit dhe të Bashanit.
Në rastet e tjera që del në Bibël, ka lidhje me një vargmal. Termi «Abarim», kur u referohet «rajoneve përtej», mund të tregojë se ata që e krijuan këtë fjalë ndodheshin në perëndim të Jordanit. Ka mundësi që në fillim këtë term ta ketë përdorur Abrahami dhe të kenë vazhduar ta përdornin izraelitët kur ikën nga Egjipti.
Nga fundi i udhëtimit 40-vjeçar nëpër shkretëtirë izraelitët mbërritën në këtë territor dhe fushuan «në malet e Abarimit». (Nu 33:47, 48) Paskëtaj zbritën në rrafshinat e Moabit, që ndodhen në lindje të Jordanit, në skajin verior të Detit të Vdekur. Këtu fushuan për herë të fundit para se të kalonin lumin Jordan. Po këtu Jehovai i tha Moisiut: «Ngjitu në malin e Abarimit, në malin e Nebos, që gjendet në vendin e Moabit, përballë Jerikosë, e shih vendin e Kanaanit, që po u jap si pronë bijve të Izraelit.»—Lp 32:49; Nu 27:12
Nga kjo duket se rajoni i Abarimit, bashkë me vargmalin e tij, gjendej në pjesën veriperëndimore të territorit të Moabit. Megjithatë, ka mundësi që të shtrihej përgjatë gjithë vargut të skërkave që ngrihet buzë tërë anës lindore të Detit të Vdekur, nga veriu në jug. Sipas Numrave 21:11 dhe 33:44, izraelitët bënë një ndalesë në «Ije-Abarim», dhe konteksti tregon se ky gjendej në jug të Moabit e në skajin jugor të Detit të Vdekur. Ky vend mund të ketë qenë pika më jugore e rajonit të quajtur Abarim.—Shih IJE-ABARIMI.
Me sa duket, mali i Nebos ishte një nga malet më të lartë të Abarimit.—Shih NEBOJA nr. 3.