PEKODI
Me sa duket, emri i një zone në afërsi të Babilonisë. Burrat e Pekodit do të ishin mes forcave ushtarake që do të ekzekutonin gjykimin e Jehovait kundër Jerusalemit jobesnik. (Ezk 23:4, 22-26) Më pas, vetë Pekodi do të shfarosej.—Jr 50:21.
Zakonisht mendohet se Pekodi është Pukudu i mbishkrimeve asiriane. Në mbishkrimin e Tiglath-Pileserit III të gjetur në Nimrud tregohet se Pekodi u përfshi në Perandorinë Asiriane dhe se ndodhej në afërsi të Elamit. (Records of the Past: Ancient Monuments of Egypt and Western Asia, nga A. Seisi, Londër, 1891, vëll. V, f. 120, 121) Pra, nëse Pekodi ishte vërtet Pukudu, atëherë duhej të ndodhej në lindje të lumit Tigër dhe në veri të vendit ku ai lumë takohej me lumin Karkeh.
Është hedhur ideja se te Jeremia 50:21, termi ‘Pekod’ (ashtu si Merataim) mund të jetë një emër poetik për Babiloninë. Vlen të përmendet se një mbishkrim i kohës së Nabukodonosorit tregon që Pukudu ishte nën sundimin e Babilonisë. Ndaj, rënia e Babilonisë para medëve dhe persëve duhet të ketë ndikuar edhe te Pekodi.