TIGLATH-PILESERI (III)
Mbret i fuqishëm i Asirisë (emri i të cilit shkruhet edhe Tilgath-Pilneser) dhe i pari monark asirian që përmendet me emër në Bibël. Ndonëse disa mendojnë se Tiglath-Pileseri III kishte gjak mbretëror, kurse të tjerë e konsiderojnë uzurpues të fronit, në të vërtetë origjina e tij dhe mënyra si u bë mbret nuk dihen. Gjithsesi, mbretërimi i tij shënoi një epokë riorganizimi, zgjerimi dhe fuqizimi, gjatë së cilës Perandoria Asiriane kapi majat. Mendohet se ishte monarku i parë asirian që vendosi politikën e dëbimit në masë dhe të shpërnguljes së popujve të mundur. Thuhet se vetëm në një vit u shpërngulën me forcë brendapërbrenda territorit të vendeve të pushtuara 154.000 veta. Siç duket, qëllimi i kësaj politike të egër ishte që grupet kombëtare t’i lëshonte zemra dhe të frenohej ose shtypej çfarëdo bashkëpunimi për të hequr qafe zgjedhën asiriane.
Herën e parë që përmendet në Bibël, ky mbret del me emrin «Puli». (2Mb 15:19) Gjithashtu, te 1 Kronikave 5:26 thuhet se Perëndia «zgjoi frymën e Pulit, mbretit të Asirisë, pra frymën e Tilgath-Pilneserit, mbretit të Asirisë, kështu ai i çoi në mërgim» disa fise të Izraelit. Në dokumentet e lashta jobiblike, këta dy emra përdoren për të njëjtin individ. Emri «Pulu» shfaqet në atë që quhet «Lista A e mbretërve babilonas», kurse në «Kronikën sinkronike» përmendet «Tukultiapilesharra» (Tiglath-Pileseri). (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 272, 273) Gjithashtu, vlen të thuhet se në shkrimin e mësipërm, edhe në gjuhën hebraike folja «çoi» nuk është në shumës, por në njëjës. Në përgjithësi mendohet se emri i monarkut ishte «Puli», ndërsa emrin «Tiglath-Pileser» (emri i një mbreti të famshëm asirian para tij) e mori kur hipi në fron.
Me sa duket, në fillim të mbretërimit, Tiglath-Pileseri III u përqendrua tërësisht te forcimi i kufijve në jug, lindje dhe veri të perandorisë. Mirëpo në perëndim, mbi Sirinë dhe Palestinën, shpejt u shtri hija kërcënuese e Asirisë.
Në mbishkrimet asiriane bie në sy emri i Azriaut nga Ia-ú-da-a-a (Juda), i cili përmendet në lidhje me një fushatë të Tiglath-Pileserit III në Siri. (Ancient Near Eastern Texts, f. 282, 283) Me sa duket bëhet fjalë për mbretin Azariah të Judës, që njihet më tepër si Uziahu (829-778 p.e.s.), por ka mjaft debate rreth kësaj, pasi disa mendojnë se mbretëria e vogël e Samʼalit në Siri quhej hera-herës Judë. Duket se ka fare pak gjasa që emri i një mbreti pagan të përfshinte emrin Jah (formë e shkurtuar e Jehova) dhe që ai mbret të ishte bashkëkohës i mbretit të Judës me po atë emër. Gjithsesi, Bibla nuk e përmend Tiglath-Pileserin III në lidhje me Azariahun (Uziahun), dhe dokumentet asiriane janë sakatuar keq.
Kur në Izrael mbretëronte Menahemi (rr. 790-781 p.e.s.), Tiglath-Pileseri III (Puli) u fut në Palestinë; që mbreti asirian ta kishte me sy të mirë, Menahemi i pagoi një haraç prej ‘një mijë talentash argjendi’ (6.606.000 dollarë). I kënaqur për momentin, Tiglath-Pileseri i tërhoqi forcat e tij. (2Mb 15:19, 20) Në dokumentet asiriane përmendet Me-ni-hi-im-me (Menahemi), bashkë me Rezonin (Rezinin) e Damaskut dhe Hiramin e Tirit, si haraçpagues të Tiglath-Pileserit.
Më vonë, në kohën e mbretit Akaz të Judës (761-746 p.e.s.), mbreti Pekah i Izraelit lidhi aleancë me mbretin Rezin të Damaskut dhe sulmoi Judën. (2Mb 16:5, 6; Is 7:1, 2) Edhe pse profeti Isaia e siguroi se së shpejti dy mbretëritë komplotuese do të zhdukeshin nga skena, mbreti Akaz vendosi t’i dërgonte ryshfet Tiglath-Pileserit që të shkonte ta shpëtonte. (2Mb 16:7, 8; Is 7:7-16; 8:9-13) Ja si përshkruhet në një mbishkrim asirian haraçi që pagoi Ia-u-ha-zi (Jehoahazi ose Akazi) i Judës dhe mbretër të tjerë të asaj zone: «Ar, argjend, kallaj, hekur, antimon, veshje liri me zbukurime shumëngjyrëshe, veshje (të bëra) në vend (prej) leshi të purpurt të errët . . . gjithfarë gjërash të shtrenjta, si nga deti, edhe nga kontinenti, produktet (e zgjedhura) të viseve të tyre, thesaret e mbretërve (të tyre), kuaj, mushka (të stërvitura për) zgjedhë.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 282) Në përgjigje të thirrjes së Akazit, mbreti agresor i Asirisë u vërsul kundër Izraelit, mori disa qytete në veri, pushtoi krahinat e Galaadit, Galilesë e Neftalit dhe çoi në mërgim shumë veta. (2Mb 15:29; 1Kr 5:6, 26) Damasku u sulmua e ra para ushtrisë asiriane dhe mbreti i tij Rezini u vra. Kur Tiglath-Pileseri III ishte në Damask, mbreti Akaz i Judës shkoi ta takonte, mbase për të shprehur mirënjohjen ose nënshtrimin ndaj Asirisë.—2Mb 16:9-12.
Jehovai e kishte frymëzuar Isainë të parathoshte se Ai do ta përdorte mbretin e Asirisë si ‘një brisk të marrë me qira’, që ‘të rruante’ mbretërinë e Judës. (Is 7:17, 20) Bibla nuk thotë nëse ‘brisku i marrë me qira’ ishte Tiglath-Pileseri III, të cilit Akazi i kishte dhënë ryshfet, por ama thotë se ai i shkaktoi shumë vuajtje mbretit të Judës dhe ryshfeti «s’i bëri punë fare» Akazit. (2Kr 28:20, 21) Ndoshta kjo ishte faza e parë e ‘përmbytjes’, e pushtimit të Judës nga Asiria, që përfundimisht ‘do të arrinte deri te qafa e mbretërisë’, siç ndodhi vërtet në kohën e Hezekisë.—Is 8:5-8; 2Mb 18:13, 14.
Në mbishkrimet e tij, Tiglath-Pileseri III thotë për mbretërinë veriore të Izraelit: «Ata rrëzuan mbretin e tyre Pekah (Pa-qa-ha) dhe unë vura mbret mbi ta Hoshenë (A-ú-si-ʼ). Prej tyre mora 10 talenta ari [3.853.500 dollarë] e 1.000(?) talenta argjendi [6.606.000 dollarë] si [haraç] dhe i solla në Asiri.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 284) Pra mbreti asirian e quan meritën e vet që Hoshea mori fronin e Izraelit pasi kishte kurdisur një komplot dhe kishte vrarë pararendësin e tij, Pekahun (rr. 758 p.e.s.).—2Mb 15:30.
Sipas dokumenteve të lashta asiriane, Tiglath-Pileseri III mbretëroi 18 vjet. Mirëpo nga Bibla duket se mbretërimi i tij zgjati më tepër, meqë ai përmendet që nga koha e Menahemit deri në kohën e Hoshesë. Megjithatë, Shkrimet Hebraike nuk japin të gjitha hollësitë e nevojshme për të thënë prerë se këtu dokumentet asiriane gabojnë. Kjo për disa arsye: ekziston njëfarë paqartësie se si duhen vendosur në radhën kronologjike periudhat e sundimit të mbretërve izraelitë. Veç kësaj, vlen të përmendet se periudha para kohës kur mendohet se nisi të mbretëronte Tiglath-Pileseri është pak a shumë e mjegullt në dokumentet e lashta dhe shihet si një periudhë rënieje të madhe për Asirinë. Në librin e tij Ancient Iraq, studiuesi francez Zhorzh Ru thotë se «për tridhjetë e gjashtë vjet . . . Asiria ishte thuajse e paralizuar». Ndërsa për Ashurnirarin V, që konsiderohet paraardhës i Tiglath-Pileserit III, po ky autor thotë: «Atij nuk ia mbante të largohej nga pallati dhe ndoshta u vra gjatë një revolucioni që shpërtheu në Kalhu dhe që vuri në fron vëllanë e tij më të vogël [?], Tiglath-Pileserin III.» (1964, f. 251) Pra, është krejt e mundur që Tiglath-Pileseri ta ketë ushtruar pushtetin mbretëror më gjatë nga ç’mendohet në përgjithësi, mbase edhe si bashkëregjent.
Te 2 Kronikave 28:16 thuhet se Akazi dërgoi njerëz që «t’u kërkonte ndihmë mbretërve të Asirisë». Ndonëse te Septuaginta dhe dorëshkrime të tjera të lashta fjala «mbretër» del në njëjës («mbret»), në tekstin hebraik masoretik është në shumës dhe ekzistojnë përkthime të sotme që mbështetin shumësin e hebraishtes. (JP, BR) Sipas disa studiuesve, shumësi në këtë rast është thjesht tregues i shkëlqimit dhe i madhështisë së një monarku të vetëm (Tiglath-Pileserit III) si «mbreti i mbretërve». Por duhet vërejtur edhe mburrja e monarkut asirian tek Isaia 10:8: «A nuk janë princat e mi edhe mbretër?» Prandaj ka mundësi që referimi «Puli, mbreti i Asirisë» (2Mb 15:19) të ketë edhe kuptimin që ai sundonte mbi një provincë të Asirisë para se të bëhej kreu i mbarë perandorisë.
Kur Tiglath-Pileseri III vdiq, vendin e tij e zuri Shalmaneseri V. Mbase do të dinim më shumë hollësi për Tiglath-Pileserin, sikur një mbret i mëvonshëm, Esar-Hadoni, të mos ia kishte sakatuar mbishkrimet—një rast i rrallë dhunimi, që nuk ndeshet askund tjetër në historinë e Asirisë.