PEKAHU
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «hap»].
Mbret i Izraelit për 20 vjet. E filloi mbretërimin rreth vitit 778 p.e.s. dhe mbretëroi në një kohë me Azariahun (Uziahun), Jotamin dhe Akazin, mbretër të Judës. Më parë, Pekahu kish shërbyer si adjutant i Pekahiahut, mbretit të Izraelit. Mirëpo, vitin e 52-të të mbretërimit të Uziahut, Pekahu, biri i Remaliahut, vrau Pekahiahun me ndihmën e 50 burrave të Galaadit dhe uzurpoi fronin e Izraelit në Samari. (2Mb 15:25, 27) Gjatë mbretërimit të Pekahut vazhdoi kulti idhujtar i viçit. (2Mb 15:28) Gjithashtu, ky mbret lidhi aleancë me Rezinin, mbretin e Sirisë. Nga fundi i mbretërimit të Jotamit në Judë (që kishte nisur vitin e 2-të të mbretërimit të Pekahut), Pekahu dhe Rezini e futën në telashe Judën.—2Mb 15:32, 37, 38.
Pasi Akazi, biri i Jotamit, nisi mbretërimin vitin e 17-të të mbretërimit të Pekahut, Rezini dhe Pekahu pushtuan Judën me synimin që ta rrëzonin nga froni Akazin dhe të bënin mbret birin e Tabelit. Ata nuk arritën ta shtinin në dorë Jerusalemin (2Mb 16:1, 5; Is 7:1-7), megjithatë Juda pësoi humbje të mëdha. Pekahu vrau në një ditë 120.000 trima nga Juda. Gjithashtu, ushtria izraelite mori 200.000 robër judenj. Sidoqoftë, robërit u kthyen në Judë sipas këshillës që dha profeti Oded, i mbështetur nga disa burra me pozitë nga Efraimi.—2Kr 28:6, 8-15.
Megjithëse profeti Isaia e siguroi se aleanca siro-izraelite nuk do ta rrëzonte dot nga froni (Is 7:6, 7), Akazi besëpakë i dha ryshfet mbretit të Asirisë, Tiglath-Pileserit III, që t’i shkonte në ndihmë. Kështu mbreti asirian pushtoi Damaskun dhe vrau Rezinin. (2Mb 16:7-9) Duket se në të njëjtën kohë, Tiglath-Pileseri shtiu në dorë edhe Galaadin, Galilenë e Neftalin, si edhe disa qytete në veri të Izraelit. (2Mb 15:29) Pas kësaj, Hoshea, biri i Elahut, vrau Pekahun dhe u bë mbret i Izraelit në vend të tij.—2Mb 15:30.
Në një tekst historik fragmentar të Tiglath-Pileserit III raportohet për fushatën e tij kundër Izraelit: «Gjithë banorët e tij (dhe) të mirat e tyre i çova në Asiri. Ata rrëzuan mbretin e tyre, Pekahun (Pa-qa-ha) dhe unë vura në vend të tij Hoshenë (A-ú-si-ʼ).»—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 284.