Të kërkojmë ata që janë të gatshëm për të mësuar
1 «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Jehovai, i cili shqyrton zemrën, do t’i shpërblejë ata që janë të gatshëm për të mësuar dhe për të vepruar në harmoni me atë që mësojnë. (Jer. 17:10; Gjoni 6:45) Ne kemi privilegjin që të jemi bashkëpunëtorët e tij në kërkimin e personave të butë, të cilët dëshirojnë një botë të re.—Psal. 37:11; 1. Kor. 3:9.
2 Jezui i përshkroi dishepujt e tij si «peshkatarë njerëzish». (Mat. 4:19) Edhe pse kjo lloj vepre ndonjëherë mund të kërkojë shumë energji, në të provon kënaqësi të madhe kur merr rezultate të mira. Në vend që të punojmë për fitimin tonë personal, aktualisht po shpëtojmë «peshqit» nga shkatërrimi i sigurt. Një peshkatar njerëzish i suksesshëm dinte ç’të bënte për të tërhequr peshqit. Gjithashtu, ne duhet ta paraqesim mesazhin e Mbretërisë në një mënyrë tërheqëse e cila do të ngjallë interesin e dëgjuesve tanë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ne bëjmë rivizita. Çfarë mund të themi?
3 Nëse është treguar interes në artikullin e «Kullës së Rojës» që fliste mbi ateizmin, mund të thuash:
◼ «Më parë kemi folur mbi faktin se përse shumë njerëzve nuk u pëlqen të flasin mbi fenë. A mos mendoni se kjo është pak e habitshme, pasi shumë nga fqinjët tanë quhen të krishterë? Ndoshta pyetni veten se përse feja është një subjekt i tillë ndarës dhe i diskutueshëm?» Lëre të përgjigjet. Shko në faqen 7 të numrit të 1 prillit të Kullës së Rojës dhe shkëmbe disa mendime mbi temën «Ndryshimi me fenë e vërtetë».
4 Për të filluar bisedën mbi një subjekt që flet për fenë, mund të përdorësh një prezantim të tillë:
◼ «A ka ndonjë mënyrë e cila mund të na sigurojë që ne kemi fenë e vërtetë? [Lëre të përgjigjet.] Pasi ekzistojnë kaq shumë fe të ndryshme, shumë njerëz ndihen të ngatërruar dhe të paqartë.» Kalo në librin «Të jetosh përgjithmonë» në faqen 184, ku trajtohet tema: «Identifikimi i fesë së vërtetë». Komento shkurtimisht mbi pyetjen në paragrafin 1, «Si mund të njihen ithtarët e fesë së vërtetë?» Shpjego se si mund të mësojë më shumë përmes një studimi personal biblik.
5 Nëse pronari i shtëpisë duket i shqetësuar për kushtet botërore, mund të thuash kështu:
◼ «Është e dukshme që jeni i shqetësuar mbi kushtet e këqija që kemi për të përballuar lidhur me jetën dhe edukimin e familjeve tona. Bibla zbulon një premtim të mrekullueshëm që Perëndia do ta plotësojë në të ardhmen e afërt.» Lexo Proverbat 2:21, 22 dhe shpjego se si Jehovai ka premtuar një botë me paqe të pafund.
6 Kur bëjmë rivizita pasi të ketë filluar fushata speciale me fletushkën Lajmërim i Mbretërisë, të lutemi sigurohu t’i lësh një fletushkë pronarit të shtëpisë që nuk e ka atë. Ajo që mund të thuash gjatë rivizitës pasi ke lënë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë do të trajtohet në numrin e majit të Shërbimi Ynë i Mbretërisë.
7 Meqë Fjala e Perëndisë «ushtron fuqi», ne duhet të përpiqemi ta përdorim atë në prezantimet tona. (Hebr. 4:12) Sigurohu se e ke inkurajuar pronarin e shtëpisë që të lexojë personalisht Biblën. (Krahaso Veprat 17:11.) Nëse ne bëjmë me zell pjesën tonë, Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona.