«Fjala e Perëndisë . . . ushtron fuqi»
1 «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi»,—shkroi apostulli Pavël. (Hebr. 4:12) Çfarë donte të thoshte me këtë? Fjala ose mesazhi i Perëndisë që gjendet në Bibël, mund të ushtrojë një ndikim të fortë te njerëzit. Mençuria që përmban Bibla, ka fuqi ta përmirësojë jetën e një personi. Ngushëllimi dhe shpresa që jep, i tërheq njerëzit drejt Dhënësit të Jetës, Perëndisë Jehova. Mesazhi i saj mund t’i bëjë personat me zemër të sinqertë të nisin rrugën që të çon në jetën e përhershme. Megjithatë, për të parë këto efekte, duhet të përdorim Biblën kur u dëshmojmë të tjerëve.
2 Të lexojmë një shkrim në çdo mundësi që jepet: Është vënë re se shumë lajmëtarë e përdorin rrallë Biblën në derë. A po bëjmë kështu edhe ne? Duke qenë se shumë njerëz nuk duket se kanë kohë për një bisedë të gjatë, ndoshta kemi përvetësuar pak nga pak zakonin që të japim vetëm literaturë ose thjesht të parafrazojmë një shkrim. I nxitim të gjithë lajmëtarët që të bëjnë një përpjekje të zellshme për të lexuar të paktën një varg nga Bibla kur prezantojnë lajmin e mirë, duke i dhënë kështu mundësi personit të kuptojë se mesazhi ynë gjendet me të vërtetë në Fjalën e Perëndisë.
3 Megjithëse pak njerëz e kanë zakon ta lexojnë Biblën, në përgjithësi, ajo ende respektohet. Edhe njerëzit që pohojnë se janë të zënë, shpesh i kushtojnë një ose dy minuta për të dëgjuar një mesazh të lexuar drejtpërdrejt nga Fjala e Perëndisë. Kur një shkrim i përshtatshëm lexohet me ngrohtësi dhe shpjegohet shkurtimisht, fuqia e fjalës së Jehovait mund të ketë një ndikim të mirë te dëgjuesi. Por, si mund të bëjmë një lidhje të komenteve hyrëse me leximin e një vargu nga Bibla?
4 Ta provojmë këtë në veprën me revista: Një mbikëqyrës udhëtues i përdor me efektshmëri shkrimet kur zhvillon veprën me revista. Ai mban një Bibël të vogël në xhep. Pasi paraqet revistat dhe prezanton shkurtimisht një artikull, hap pa ngurruar Biblën dhe lexon një varg që lidhet me artikullin. Kjo mund të bëhet thjesht duke pyetur: «Çfarë mendoni për këtë premtim nxitës?» e pastaj të vazhdojmë të lexojmë një shkrim që kemi zgjedhur.
5 Të vëmë si synim që t’i lexojmë çdo dëgjuesi një ose dy shkrime nga Bibla. Fuqia e saj motivuese mund të hapë rrugën që më shumë njerëz të tërhiqen drejt Perëndisë.—Gjoni 6:44.