‘Dhuratat në njerëz’ e kullotin me gatishmëri kopenë e Perëndisë
1 Ç’ndihmë të dashur ka siguruar Jehovai nëpërmjet Birit të tij duke dhënë «dhurata në njerëz»! (Efes. 4:8, 11, 12) Ata kanë përgjegjësi të shumta, duke përfshirë kullotjen në mënyrë aktive dhe me gatishmëri të kopesë së Perëndisë. (1 Pjet. 5:2, 3) Të gjithë ne nxjerrim dobi nga kjo ndihmë shumë e nevojshme. Këta burra kanë një interes të thellë personal për mirëqenien frymore të të gjithëve: të atyre që hasin vështirësi, që shoqërohen nga pak kohë me kongregacionin, që kanë disa dobësi ose që janë shmangur nga rruga.—Filip. 2:4; 1 Sel. 5:12-14.
2 Kur ngjarjet shqetësuese botërore shkaktojnë njëfarë frike, këta nënbarinj provojnë të jenë «si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit». Ata na freskojnë kur jemi të lodhur ose të ngarkuar dhe kemi nevojë për ngushëllim. Në këto raste ata janë «si rrëke uji në një vend të thatë» ose «si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur».—Isa. 32:2.
3 Inkurajojnë joaktivët: Pleqtë bëjnë një përpjekje të veçantë për të inkurajuar ata që janë bërë të parregullt ose joaktivë, duke i ndihmuar që të marrin sërish pjesë rregullisht në të gjitha veprimtaritë e kongregacionit. Vizitat e dashura baritore kanë ndihmuar shumë veta që të ndjekin rregullisht mbledhjet e kongregacionit dhe të ndërtohen frymësisht deri në atë pikë sa të marrin përsëri pjesë në shërbim. Të gjitha këto përpjekje nga ana e pleqve pasqyrojnë kujdesin e dashur të Jehovait dhe udhëheqjen aktive të Jezu Krishtit. Ai dha shembullin në shfaqjen e një interesimi të tillë për secilën nga delet e tij që mund të jetë shmangur nga rruga ose që mund të ketë humbur.—Mat. 18:12-14; Gjoni 10:16, 27-29.
4 Nënbarinjtë përpiqen të vërejnë shenjat që tregojnë se disa mund të jenë duke u lëkundur frymësisht. Kushdo që tregon shenja shkurajimi, që fillon të mos i ndjekë rregullisht mbledhjet ose që ngadalëson ritmin në shërbim ka të ngjarë të ketë nevojë për ndihmë frymore. Pleqtë janë të gatshëm të ndihmojnë këdo që fillon të shfaqë një prirje ndaj mënyrës botërore të të veshurit e të të krehurit ose që zhvillon një qëndrim kritik ndaj kongregacionit. Me interes të sinqertë e përzemërsi të butë, mbikëqyrësit që merakosen, vullnetarisht ‘japin vetë shpirtrat e tyre’ në përpjekje për t’i ndihmuar këta individë që të rigjallërojnë dashurinë e tyre për Jehovain.—1 Sel. 2:8.
5 Në të kaluarën disa të krishterë të dedikuar e humbën lidhjen me kongregacionin duke rënë në pasivitet frymor për shkak se u pushtuan nga probleme shëndetësore, patën dështime në fushën ekonomike ose presione familjare. Pa qenë kritikë, pleqtë japin me dashamirësi sigurinë se Jehovai kujdeset për të gjitha delet e tij dhe se do t’i mbështetë ato në kohë të vështira. (Psal. 55:22; 1 Pjet. 5:7) Barinjtë syhapur të kopesë, mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë se nëse ‘i afrohen Perëndisë, ai do t’u afrohet atyre’ duke u dhënë ngushëllim dhe freskim.—Jak. 4:8; Psal. 23:3, 4.
6 Çmojnë të dobëtit nga ana fizike: Nënbarinjtë e dashur interesohen edhe për ata që mund të lihen në hije. Në çdo kongregacion ka disa që janë shëndetligë, që qëndrojnë në qendrat e të sëmurëve kronikë ose që kanë paaftësi të ndryshme. Pjesëmarrja e tyre në shpalljen e mesazhit të Mbretërisë, kuptohet që është e kufizuar për shkak të rrethanave të tyre. Ndoshta mundësia për të folur mund t’u krijohet vetëm nëpërmjet kontakteve me vizitorët, me pacientët e tjerë ose me ata që u shërbejnë. Megjithatë, çfarëdo që të jenë në gjendje të bëjnë, konsiderohet si një ndihmesë e vlefshme për veprën e predikimit në tërësi. (Mat. 25:15) Edhe nëse dëshmojnë vetëm 15 minuta, kjo duhet raportuar dhe do të vazhdohet që të llogariten si lajmëtarë të rregullt të Mbretërisë.
7 «Dhuratat në njerëz» janë syhapur veçanërisht ndaj nevojave frymore të vëllezërve të tyre në këtë kohë të vitit, pra, në periudhën e Përkujtimit. Ç’kohë e përshtatshme për pleqtë që të bëjnë një përpjekje të veçantë për t’i ndihmuar të gjithë ata që janë shmangur nga rruga që të përjetojnë përsëri gëzimin e paqen mendore që vjen falë shoqërisë së ngrohtë në kongregacion! Ne gëzohemi kur i shohim këta individë «të lidhur me ne në besim» të pranishëm në mbledhjet e kongregacionit dhe që dalin në shërbim, duke dhënë sërish prova për besimin e tyre në flijimin shpërblerës.—Gal. 6:10; Luka 15:4-7; Gjoni 10:11, 14.