Programi i ndërtimit të Sallave të Mbretërisë ecën përpara
1 Në kongreset krahinore «Uniteti i Mbretërisë» që u mbajtën në vitin 1983 në Amerikë, u njoftua për një fond të veçantë që do të krijohej për të mbështetur ndërtimin dhe rimodelimin e Sallave të Mbretërisë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Me një fillim të tillë modest, nuk e imagjinuam se ç’bekime do të vinin. Filluam të përjetonim më plotësisht fjalët e Psalmit 92:4, ku thuhet: «Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.»
2 Tani jemi shumë të gëzuar me atë që po kryhet. Sot, është vënë në lëvizje një program global i përshpejtuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Të gjithë kemi privilegjin të marrim pjesë në këtë veprimtari në njëfarë mënyre. Këtë e bëjmë, duke dhënë kontribute financiare, të vogla ose të mëdha, për të ndihmuar në shpenzimet e ndërtimit të më shumë ndërtesave të adhurimit nëpër botë. Gjithashtu, shumë vëllezër ofrojnë vullnetarisht pajisjet, kohën dhe aftësitë e tyre për projekte të tilla. Mbarësia e këtij programi është pasojë e drejtimit, përkrahjes dhe bekimit të bollshëm të Jehovait mbi përpjekjet tona të bashkuara.—Psal. 127:1.
3 Shumë degë kanë ndjekur programin që fillimisht u krijua për kongregacionet në Shtetet e Bashkuara. Në shumë vende të botës në Sallat e Mbretërisë ka një kuti në të cilën lajmëtarët hedhin kontribute për Fondin e Sallave të Mbretërisë. Në marsin e vitit 1997, Shërbimi ynë i Mbretërisë për Shtetet e Bashkuara, njoftoi një ndryshim në këtë program. Aty thuhej: «Qysh prej kohës kur u krijua Fondi i Sallave të Mbretërisë në vitin 1983, vëllezërit kanë ofruar bujarisht kontribute, duke bërë të mundur përdorimin e fondit për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Tashmë rreth 2.700 kongregacione në këtë vend kanë përfituar nga ky program. Nëse nuk do të ekzistonte ky program, shumë kongregacione nuk do të kishin mundësi të ndërtonin një Sallë Mbretërie ose të restauronin ato që kishin nevojë për riparime. Tani ka nevojë urgjente të përdoret një pjesë e fondeve të kontribuara prej kongregacioneve në vende me një ekonomi të varfër. Përkrahja juaj në lidhje me këtë program vlerësohet shumë nga Shoqata dhe nga kongregacionet që përfitojnë nga kontributet tuaja.»
4 Ky njoftim shërbeu si një ftesë për të marrë pjesë në një program të përshpejtuar për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë. Fondi i Sallave të Mbretërisë do të zgjerohej për të përfshirë nevojat e vëllezërve në shtetet e tjera, ndërsa do të vazhdonte të ofronte ndihmë financiare për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në Shtetet e Bashkuara. Një artikull tjetër në Shërbimi ynë i Mbretërisë për Shtetet e Bashkuara, i gushtit 1997 bëri këtë koment: «Ka një nevojë gjithmonë në rritje për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë anembanë botës. Vetëm gjatë vitit të fundit të shërbimit u formuan 3.288 kongregacione të reja. Shumë prej këtyre kongregacioneve ndodhen në Afrikë, Azi, Amerikën Qendrore, Amerikën Jugore dhe në Evropën Lindore.»
5 Cili ka qenë rezultati qysh prej atij viti? Libri vjetor 2001 raportonte: «Me këtë rregullim, në 30 vende janë përfunduar deri tani 453 Salla Mbretërie dhe janë në ndërtim e sipër 727 ndërtesa të tjera. Theksi i është vënë zhvillimit të projekteve të Sallave të Mbretërisë standarde për çdo vend, projekte që përdorin materialet e metodat e ndërtimit që ka vendi. Në Kenia përdoret guri i guroreve; në Togo është i përhapur përdorimi i tullës; në Kamerun janë të njohura blloqet e betonit, që më vonë suvatohen. Në këtë mënyrë, vëllezërit vendës janë në gjendje që të fitojnë shpejt aftësitë e nevojshme për të përmbushur rolet kyçe brenda një programi kombëtar.»
6 Mund të shikojmë dëshmi të bekimeve të Jehovait në kontinentin e madh të Afrikës. Ndërsa u hidhni një sy fotografive të disa Sallave të Mbretërisë që janë ndërtuar, mund të imagjinoni se çfarë ndikimi të fuqishëm kanë pasur këto ndërtime në veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo vërtetohet në tri mënyra të veçanta: uniteti i vëllazërisë botërore, ndikimi te banorët e zonës dhe rritja e numrit të të pranishmëve në mbledhjet e kongregacionit. Ndërsa kjo shtojcë ka komentuar për Sallat e Mbretërisë që janë ndërtuar në Afrikë, numrat e tjerë të Shërbimi ynë i Mbretërisë do të përqendrohen në përparimin e programit të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në vende të tjera të botës.
[Figurat në faqen 3]
REPUBLIKA E AFRIKËS QENDRORE
Bimbo, Bangui
Begoua, Bangui
[Figurat në faqen 4]
Ukonga, Tanzani
[Figura në faqen 4]
Akra, Ganë
[Figura në faqen 4]
Salala, Liberi
[Figura në faqen 4]
Karoi, Zimbabve
[Figurat në faqet 4, 5]
Allada, Benin—ish-Salla e Mbretërisë
Allada, Benin—Salla e re e Mbretërisë
[Figura në faqen 5]
Kpeme, Togo
[Figura në faqen 5]
Sokode, Togo
[Figurat në faqet 4, 5]
Fixhros, Benin
[Figura në faqen 6]
Lenga, Zambie—ish-Salla e Mbretërisë
[Figura në faqen 6]
Lenga, Zambie—Salla e re e Mbretërisë
[Figura në faqen 6]
Kinshasa, Kongo
[Figura në faqen 6]
Musambira, Ruandë