Vishuni me përulësinë
1 Një bari beson te Jehovai dhe mund një luftëtar të fuqishëm. (1 Sam. 17:45-47) Një burrë i pasur përballon me durim fatkeqësitë. (Jobi 1:20-22; 2:9, 10) Biri i Perëndisë ia jep gjithë meritën për atë që u mësonte njerëzve, Atit të tij. (Gjoni 7:15-18; 8:28) Në secilin rast, një rol kyç luajti përulësia. Po ashtu edhe sot, përulësia është thelbësore për të përballuar rrethanat që hasim.—Kolos. 3:12.
2 Kur predikojmë: Si shërbëtorë të krishterë ua shpallim me përulësi lajmin e mirë njerëzve të çdo lloji. Nuk kemi paragjykime për racën, kulturën ose prejardhjen e tyre. (1 Kor. 9:22, 23) Edhe nëse disa janë të vrazhdë ose e kundërshtojnë me arrogancë mesazhin e Mbretërisë, ne nuk u përgjigjemi po njësoj, por me durim vazhdojmë të kërkojmë ata që e meritojnë. (Mat. 10:11, 14) Në vend që të përpiqemi t’u bëjmë përshtypje të tjerëve me njohurinë ose arsimimin tonë, e drejtojmë vëmendjen te Fjala e Perëndisë, duke pranuar se i bind më shumë se çdo gjë që themi. (1 Kor. 2:1-5; Hebr. 4:12) Duke imituar Jezuin, ia japim gjithë lavdinë Jehovait.—Mar. 10:17, 18.
3 Në kongregacion: Gjithashtu, të krishterët duhet ‘të ngjeshen me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit’. (1 Pjet. 5:5) Nëse i konsiderojmë të tjerët më të lartë se vetja, do të kërkojmë mënyra si t’u shërbejmë vëllezërve tanë në vend që të presim që ata të na shërbejnë. (Gjoni 13:12-17; Filip. 2:3, 4) Nuk do të mendojmë se jemi kaq të rëndësishëm sa nuk mund të kryejmë punë të tilla si pastrimi i Sallës së Mbretërisë.
4 Përulësia na ndihmon ‘ta durojmë njëri-tjetrin me dashuri’ dhe si rrjedhim nxit paqe dhe unitet në kongregacion. (Efes. 4:1-3) Na ndihmon t’u nënshtrohemi atyre që janë caktuar të marrin drejtimin. (Hebr. 13:17) Na shtyn të pranojmë çdo këshillë ose disiplinë që mund të na jepet. (Psal. 141:5) Gjithashtu, përulësia na nxit që të mbështetemi te Jehovai kur kujdesemi për çdo privilegj që marrim në kongregacion. (1 Pjet. 4:11) Ashtu si Davidi, e pranojmë se suksesi nuk varet nga aftësitë njerëzore, por nga bekimi i Perëndisë.—1 Sam. 17:37.
5 Para Perëndisë tonë: Para së gjithash duhet ‘të përulemi nën dorën e fuqishme të Perëndisë’. (1 Pjet. 5:6) Nëse na duhet të ndeshemi me rrethana sprovuese, ndoshta dëshirojmë me zjarr lehtësimin që do të sjellë Mbretëria. Por, me përulësi ushtrojmë durim, duke pritur që Jehovai t’i përmbushë premtimet në kohën e tij të caktuar. (Jak. 5:7-11) Ashtu si Jobi besnik, shqetësimi ynë kryesor është që ‘të bekohet emri i Zotit’.—Jobi 1:21.
6 Profeti Daniel ‘u përul para Perëndisë së tij’ dhe Jehovai e bekoi duke i dhënë pëlqimin e tij dhe shumë privilegje të shkëlqyera. (Dan. 10:11, 12) Po njësoj, le të vishemi edhe ne me përulësinë, duke ditur se «fryti i përulësisë dhe frika e Jehovait është pasuri, lavdi dhe jetë»!—Prov. 22:4, BR.