Ta falënderojmë Jehovain për dashamirësinë e tij
Vdekja e Krishtit do të përkujtohet më 24 mars
1. Si na ka treguar dashamirësi Jehovai?
1 Psalmisti thirri: «Le ta falënderojnë Jehovain për dashamirësinë e tij dhe për gjërat e mrekullueshme që ka bërë në të mirë të bijve të njerëzve.» (Psal. 107:8, BR) Dashamirësia e Perëndisë nuk përfshin vetëm dhembshurinë që ndien ai për popullin e tij. Kjo bëhet e qartë në këtë shprehje të frymëzuar lavdërimi: «Dashamirësia jote, o Jehova, më mbajti.». (Psal. 94:18, BR) Çfarë dashamirësie të pakrahasueshme ka treguar Jehovai duke dhënë për ne Birin e tij të vetëmlindur!—1 Gjon. 4:9, 10.
2. Si mund t’ia tregojmë mirënjohjen tonë Jehovait?
2 Ndërsa afrohet Përkujtimi i vdekjes së Krishtit, si mund ta falënderojmë ‘Perëndinë që na tregon dashamirësi’? (Psal. 59:17, BR) Secili prej nesh duhet të lërë kohë që të meditojë për ditët e fundit të jetës së Jezuit në tokë. (Psal. 143:5) Dobiprurëse do të jetë edhe ndjekja e leximit të Biblës që është programuar posaçërisht për Përkujtimin, siç tregohet te broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2005. Nëse është e mundur, të lexojmë materiale shtesë dhe të bëjmë kërkime në kapitujt 112-116 të librit Njeriu më i madh, si edhe në botime të tjera biblike. Duhet të meditojmë për pjesët që lexojmë dhe të zhytemi krejtësisht në to. (1 Tim. 4:15) Lutjet dhe meditimi rreth Fjalës së Perëndisë jo vetëm që na forcojnë zemrën, por edhe tregojnë dashurinë tonë për Jehovain.—Mat. 22:37.
3, 4. (a) Si mund ta imitojmë frymën e vëllezërve në Liberi? (b) Kë keni menduar të ftoni në Përkujtim?
3 Të nxitim të tjerët që ta falënderojnë Perëndinë: Vitin e shkuar, në mbarë botën kishte 16.760.607 të pranishëm në Përkujtim. Në një fshat të Liberisë, vëllezërit i shkruan një letër kryeplakut të qytezës aty afër, ku i bënin të ditur se në qytezën e tij do të kremtonin Darkën e Zotërisë. Kryeplaku u dha leje vëllezërve të përdornin fushën e futbollit dhe, në të gjithë zonën, bëri një lajmërim, ku i ftonte të gjithë njerëzit të ishin të pranishëm. Megjithëse në atë fshat kishte vetëm pesë lajmëtarë, në Përkujtim ishin 636 të pranishëm.
4 Edhe ne duhet të ndihmojmë sa më shumë njerëz që, kur të mbahet Përkujtimi, të jenë të pranishëm bashkë me ne. Pse të mos bësh një listë të atyre që do të ftosh? Tek ilustrimet në faqen e fundit të revistave Zgjohuni! të 8 marsit dhe të Kullës së Rojës së 15 marsit, bëhet një ftesë për Përkujtimin. Mund të përdorim edhe ftesat e Përkujtimit që shtypen për këtë rast. Në anën e pasme të ftesës, të shkruajmë pastër orën dhe vendin ku do të mbahet Përkujtimi dhe t’ia japim çdo njeriu që ftojmë. Ndërsa 24 marsi afrohet, t’u bëjmë edhe një vizitë tjetër atyre që kemi ftuar, për t’i kujtuar përsëri dhe për t’i informuar rreth ndonjë rregullimi të fundit që mund të jetë bërë.
5. Si mund t’i inkurajojmë studentët e Biblës që të jenë të pranishëm në Përkujtim?
5 Si mund t’i ndihmojmë studentët biblikë që ende nuk i ndjekin mbledhjet, të vijnë në këtë rast e të nxjerrin plotësisht dobi nga kjo ngjarje? Sa herë që bëjmë studimin, duhet të kalojmë disa minuta duke u folur për Përkujtimin, në mënyrë që ta kuptojnë mirë rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Për këtë mund të na ndihmojë materiali i shkëlqyer që gjendet te Kulla Rojës e 15 marsit 2004, faqet 3-7 dhe libri Të arsyetojmë, faqet 266-269 (anglisht).
6. Pse është e rëndësishme t’i mirëpresim ata që vijnë në Përkujtim?
6 Të mirëpresim vizitorët: Në Përkujtim, t’u afrohemi vizitorëve dhe të jemi mikpritës. (Rom. 12:13) Të marrim masat për t’u ulur me ata që kemi ftuar dhe të interesohemi që të kenë një Bibël dhe një libër kënge. Duhet të marrim iniciativën dhe të përshëndesim me përzemërsi në mënyrë të veçantë vëllezërit joaktivë dhe motrat joaktive, të cilët kanë bërë përpjekje për të ardhur. Interesi ynë i sinqertë mund t’i ndihmojë që të rifillojnë të shoqërohen përsëri me kongregacionin. (Luka 15:3-7) Në këtë rast shumë të rëndësishëm, le të bëjmë maksimumin tonë për t’i inkurajuar të tjerët që të bashkohen me ne për të falënderuar Jehovain për ‘dashamirësinë’ e tij të madhe.—Psal. 31:21.