Si ta prezantojmë librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
Në këtë shtojcë paraqiten sugjerime të ndryshme për të prezantuar librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Që të jesh sa më i efektshëm, bëji prezantimet me fjalët e tua, përshtate metodën sipas njerëzve që takon në territor dhe njihu sa më shumë me pikat specifike të librit që mund të përdoren për të biseduar. Mund të përdoren edhe prezantime të tjera që janë praktike për territorin.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë, janar 2005, f. 8.
Bibla
◼ «Shpesh njerëzit e quajnë Biblën Fjalën e Perëndisë. A keni menduar ndonjëherë se si një libër që u shkrua nga njerëzit mund të quhet Fjala e Perëndisë? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë 2 Pjetrit 1:21 dhe paragrafin 5 në faqet 19, 20.] Ky botim përmban përgjigjet e Biblës për këto pyetje.» T’i tregojmë pyetjet në faqen 6.
◼ «Sot njerëzit mund të marrin shumë më tepër informacione se në të kaluarën. Por, ku mendoni se mund të gjejmë këshilla të mira që të na ndihmojnë të kemi një jetë të lumtur e të suksesshme? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë 2 Timoteut 3:16, 17 dhe paragrafin 12 në faqen 23.] Ky botim shpjegon se si mund të jetojmë në mënyrën që i pëlqen Perëndisë dhe që na sjell dobi.» T’i tregojmë tabelën dhe figurën në faqet 122, 123.
Familja
◼ «Të gjithë duam të kemi një jetë të lumtur familjare, apo jo? [Të presim përgjigjen.] Bibla flet për diçka që mund të bëjë çdo pjesëtar i familjes, për të pasur një jetë të lumtur familjare. Secili duhet të imitojë Perëndinë në mënyrën se si tregon dashuri.» Të lexojmë Efesianëve 5:1, 2 dhe paragrafin 4 në faqen 135.
Feja
◼ «Shumë njerëz po fillojnë t’i shohin fetë si një shkak të problemeve të njerëzimit, jo si një zgjidhje. A mendoni se feja po i çon njerëzit në drejtimin e duhur? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Mateun 7:13, 14 dhe paragrafin 5 në faqen 146.] Ky kapitull merr në shqyrtim gjashtë aspekte që identifikojnë adhurimin që miraton Perëndia.» T’i tregojmë listën në faqen 147.
Harmagedoni
◼ «Kur dëgjojnë fjalën ‘Harmagedon’, shumë njerëz përfytyrojnë një shkatërrim në masë. Por, edhe nëse duket e çuditshme, a e dini se në të vërtetë Harmagedoni është diçka që duhet ta presim me kënaqësi? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Zbulesën 16:14, 16.] Shikoni këtë koment se si do të jetë jeta pas Harmagedonit.» Të kalojmë në faqet 82, 84 dhe të lexojmë paragrafin 21.
Jeta e përhershme
◼ «Të gjithë njerëzit dëshirojnë të kenë shëndet të mirë dhe një jetë të gjatë. Por, a do të donit të jetonit përgjithmonë, po të ishte e mundur kjo? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Zbulesën 21:3, 4 dhe paragrafin 17 në faqen 54.] Në këtë libër shqyrtohet se si mund të fitojmë jetën e përhershme dhe si do të jetë jeta, kur ky premtim të bëhet realitet.»
Jezu Krishti
◼ «Anembanë tokës, njerëzit kanë dëgjuar për Jezu Krishtin. Disa thonë se ai s’ishte veçse një njeri i veçantë. Të tjerë e adhurojnë si të ishte Perëndia i Plotfuqishëm. A mendoni se ka rëndësi çfarë besojmë për Jezu Krishtin?» Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Gjonin 17:3 dhe paragrafin 3 në faqet 37, 38. T’ia drejtojmë vëmendjen të zotit të shtëpisë te pyetjet hyrëse pas titullit të kapitullit.
Lufta/Paqja
◼ «Në çdo vend të botës, njerëzit e duan paqen. A mendoni se është një ëndërr të shpresosh që të ketë paqe në tokë? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Psalmin 46:8, 9.] Ky botim shqyrton se si do ta përmbushë Perëndia qëllimin e tij dhe si do të sjellë paqen në mbarë tokën.» T’i tregojmë figurën në faqen 35 dhe të shqyrtojmë paragrafët 17-21 në faqet 34 dhe 36.
Lutja
◼ «A keni pyetur ndonjëherë se si u përgjigjet Perëndia lutjeve? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë 1 Gjonit 5:14, 15 dhe paragrafët 16-18 në faqet 170-172.] Ky kapitull shpjegon edhe pse duhet t’i lutemi Perëndisë e çfarë duhet të bëjmë që ai të na i dëgjojë lutjet.»
Perëndia Jehova
◼ «Shumë njerëz që besojnë te Perëndia, do të donin të ndiheshin më afër tij. A e dinit se Bibla na fton t’i afrohemi Perëndisë? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Jakovin 4:8a dhe paragrafin 20 në faqen 16.] Ky botim është përgatitur për t’i ndihmuar njerëzit që të mësojnë më shumë për Perëndinë, duke përdorur Biblën e tyre.» T’i tregojmë pyetjet hyrëse në faqen 8.
◼ «Shumë njerëz luten që të shenjtërohet emri i Perëndisë. A keni pyetur ndonjëherë cili është ky emër? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Psalmin 83:18 dhe paragrafët 2, 3 në faqen 195.] Ky libër shpjegon se çfarë mëson vërtet Bibla për Perëndinë Jehova dhe për qëllimin e tij për njerëzimin.»
Strehimi
◼ «Në shumë zona, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh një vend të përshtatshëm për të jetuar. A mendoni se një ditë do të ketë shtëpi të mira për të gjithë? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Isainë 65:21, 22 dhe paragrafin 20 në faqen 34.] Ky botim shpjegon se si do të përmbushet ky premtim i Perëndisë.»
Vdekja/Ringjallja
◼ «Shumë njerëz pyesin se çfarë u ndodh në të vërtetë njerëzve kur vdesin. A mendoni se mund ta dimë këtë gjë? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë Eklisiastiun 9:5 dhe paragrafët 5, 6 në faqet 58, 59.] Ky libër shpjegon edhe se çfarë nënkupton premtimi i Biblës për një ringjallje, për ata që kanë vdekur.» T’i tregojmë figurën në faqen 75.
◼ «Kur na vdes një njeri i afërt, është e natyrshme që duam ta shohim përsëri. A s’jeni dakord? [Të presim përgjigjen.] Shumë veta kanë gjetur ngushëllim në premtimin e Biblës se do të ketë një ringjallje. [Të lexojmë Gjonin 5:28, 29 dhe paragrafët 16, 17 në faqen 72.] Në këtë kapitull gjejmë edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve.» T’i tregojmë pyetjet hyrëse në faqen 66.
Tragjeditë/Vuajtjet
◼ «Kur ndodh një tragjedi, shumë njerëz fillojnë të dyshojnë nëse Perëndia interesohet për njerëzit dhe i vë re vuajtjet e tyre. Po ju, a e keni menduar ndonjëherë këtë? [Të presim përgjigjen. Pastaj të lexojmë 1 Pjetrit 5:7 dhe paragrafin 11 në faqen 11.] Ky botim shpjegon se si Perëndia do t’i heqë një herë e mirë vuajtjet e njerëzve.» Tregoji pyetjet hyrëse në faqen 106.
[Kutia në faqen 5]
Si ta përmendim rregullin e kontributeve?
«Nëse doni të bëni një kontribut të vogël për veprën që zhvillojmë në mbarë botën, unë e pranoj me kënaqësi.»
«Edhe pse literatura jonë ofrohet falas, ne pranojmë kontribute të vogla për veprën që zhvillojmë në mbarë botën.»
«Ndoshta jeni kureshtarë të dini si arrijmë të mbulojmë shpenzimet për këtë vepër. Arsyeja është se vepra që zhvillojmë në mbarë botën mbështetet me kontribute vullnetare. Nëse dëshironi të bëni një kontribut të vogël, do ta pranoj me kënaqësi.»