Imitoni Krishtin në shërbimin tuaj
1 Jezui na la një shembull për shërbimin. Dashuria e tij e thellë për Perëndinë dhe për njerëzit, bëhej e dukshme në shumë raste e mënyra. Ai u mësoi zemërbutëve të vërtetën dhe kreu vepra dashamirësie ndaj atyre që ishin të munduar dhe të shtypur.—Mat. 9:35.
2 Shembulli dhe mësimet e Jezuit: Jezui nuk u shpërqendrua nga shërbimi duke u përfshirë në çështje politike ose në përpjekje humanitare për të përmirësuar jetesën e komunitetit. Ai nuk lejoi asnjë aktivitet, me qëllime sado të mira, që ta shpërqendronte ose të zinte vendin e veprës së tij kryesore. (Luka 8:1) U përqendrua në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë si e vetmja zgjidhje e përhershme ndaj problemeve të njerëzimit. Jezui kishte një vepër të rëndësishme për të kryer dhe një kohë të kufizuar për ta përmbushur. Kur njerëzit në Kapernaum dëshironin që Jezui të qëndronte atje, ai u tha dishepujve: «Le të shkojmë diku gjetkë, . . . që të predikoj edhe atje, sepse për këtë qëllim kam ardhur.»—Mar. 1:38.
3 Pasi i stërviti dishepujt, Jezui i dërgoi për të predikuar me udhëzime specifike: «Predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mat. 10:7) Ai u mësoi ithtarëve të tij se interesat e Mbretërisë duhet të kishin përparësi në jetën e tyre. (Mat. 6:33) Me fjalët e tij të fundit para se të ngrihej në qiell, u bëri të qartë se çfarë duhej të bënin. Ai u tha: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—Mat. 28:19.
4 Rëndësia e Mbretërisë: Tema kryesore e bisedave të Jezuit ishte Mbretëria e Perëndisë dhe i nxiti dishepujt të ndiqnin shembullin e tij. Përpjekjet njerëzore për të zgjidhur problemet e njeriut nuk mund të kenë sukses. (Jer. 10:23) Vetëm Mbretëria e Perëndisë do të shenjtërojë emrin e Tij dhe do t’i sjellë njerëzimit lehtësim të përhershëm. (Mat. 6:9, 10) Kur u mëson të vërtetat e Mbretërisë njerëzve që «psherëtijnë e rënkojnë për tërë ato gjëra të pështira që bëhen», kjo i ndihmon të bëjnë një jetë të lumtur e të suksesshme tani dhe të mbajnë fort një shpresë të besueshme për të ardhmen.—Ezek. 9:4.
5 Jezui vazhdon të përfshihet në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe na siguron për mbështetjen e tij. (Mat. 28:20) Po deri në ç’masë i afrohet shërbimi ynë modelit që na la Jezui? (1 Pjet. 2:21) Në këto ditë të fundit dhe vendimtare, le të bëjmë gjithçka mundemi për t’iu afruar sa më shumë shembullit që la Jezui në shërbim!