Të imitojmë Mësuesin e Madh kur përdorim librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
1. Si i mësonte të tjerët Jezui?
1 Jezui, Mësuesi i Madh, gjithmonë i shpjegonte gjërat në një mënyrë të thjeshtë dhe të qartë. Që t’i nxiste dëgjuesit të mendonin, ndonjëherë ai i pyeste në fillim për mendimin e tyre. (Mat. 17:24-27) Ua drejtonte vëmendjen në Fjalën e Perëndisë. (Mat. 26:31; Mar. 7:6) Tregohej i kujdesshëm që të mos i mbyste dishepujt me shumë informacione, duke ditur se ata do të vazhdonin të mësonin. (Gjoni 16:12) Jezui madje interesohej nëse dishepujt e tij i besonin dhe i kuptonin ato që u mësonte. (Mat. 13:51) Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? është bërë në mënyrë të atillë që edhe ne t’i mësojmë të tjerët ashtu si Jezui.
2. Në ç’mënyrë mund t’i përdorim pyetjet e fillimit në çdo kapitull?
2 Pyetjet e fillimit: Kur filloni një kapitull, është mirë që t’ia drejtoni vëmendjen studentit te pyetjet e fillimit nën titullin e kapitullit. Bëjini pyetjet në formë retorike për të grishur kureshtjen e tij. Ose mund ta ftoni të komentojë shkurtimisht për këto pyetje. Nuk ka nevojë të diskutoni gjatë mbi komentet e tij ose të korrigjoni çdo gjë që ai thotë gabim. Thjesht mund ta falënderoni për mendimin dhe të filloni shqyrtimin e kapitullit. Komentet e tij për pyetjet e fillimit, mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se në cilën pjesë të kapitullit duhet të përqendroheni më shumë.
3. Si mund ta bëjmë studimin sa më të thjeshtë?
3 Shkrimet: Studimi duhet të përqendrohet te Shkrimet. (Hebr. 4:12) Megjithatë, nuk është e nevojshme të lexoni çdo shkrim që përmendet. Theksoni ato që japin bazën e bindjeve tona. Shkrimet që japin informacione shtesë edhe mund të lihen pa u lexuar. Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? e paraqet të vërtetën në një mënyrë mjaft të thjeshtë. Prandaj bëjeni studimin sa më të thjeshtë. Përqendrohuni në pikat kryesore, dhe shmangni prirjen për të folur shumë për hollësitë ose për të futur material shtesë pa qenë nevoja.
4. Çfarë e përcakton nëse duhet të shqyrtojmë nga materiali i shtojcës gjatë studimit?
4 Shtojca: Shtojca përmban 14 tema që plotësojnë tekstin kryesor. Nëse do t’i shqyrtoni këto tema ose jo, vendosni ju. Për disa nga këto tema mund ta inkurajoni studentin t’i lexojë vetë, sidomos në rastet kur ai e kupton dhe e pranon atë që thuhet në tekstin kryesor. Për shembull, në qoftë se studenti tashmë beson se Jezui është Mesia, mund të mos jetë e nevojshme që, kur të jeni duke studiuar kapitullin 4 «Kush është Jezu Krishti?», të shqyrtoni bashkë temën e shtojcës «Jezu Krishti—Mesia i premtuar». Në raste të tjera, mund të jetë e dobishme që gjatë studimit të shqyrtoni materialin përkatës nga shtojca ose një pjesë prej tij.
5. Nëse vendosim të shqyrtojmë pjesë nga shtojca, si mund të veprojmë?
5 Nëse vendosni të shqyrtoni material nga shtojca, mund t’i përgatitni pyetjet që më përpara dhe t’i shqyrtoni paragrafët e saj ashtu siç bëni edhe me tekstin kryesor. Ose, në varësi të nevojave të studentit, gjatë studimit mund të kaloni disa minuta duke rishikuar materialin me të. Kjo do t’ju ndihmojë të siguroheni që ai e kupton materialin që lexon vetë.
6. Si mund të përdoret kutia përmbledhëse në fund të çdo kapitulli?
6 Kutia përmbledhëse: Kutia në fund të çdo kapitulli zakonisht përmban përgjigjet e pyetjeve në fillim të kapitullit. Mund t’i përdorni këto përgjigje për të bërë një përmbledhje të pikave kryesore të kapitullit. Disa lajmëtarë, nga praktika kanë parë që është mirë të lexojnë bashkë me studentin çdo përgjigje, dhe ndoshta edhe shkrimet që lidhen me të. Pastaj i kërkojnë studentit të shpjegojë shkurtimisht se si e mbështetin shkrimet përgjigjen. Kështu drejtuesi i studimit vëren nëse studenti i kupton qartë se cilat janë pikat kryesore të mësimit e si mbështeten nga Bibla dhe nëse është dakord me to apo jo. Gjithashtu, kjo e stërvit studentin të përdorë Biblën për t’u shpjeguar të vërtetën të tjerëve.
7. Si mund ta përdorim librin Çfarë mëson vërtet Bibla? për të përmbushur detyrën tonë?
7 Mënyra më e efektshme që të përmbushim detyrën për të mësuar të tjerët dhe për të bërë dishepuj, është duke imituar metodat e mësimdhënies së Jezuit. (Mat. 28:19, 20) Libri Çfarë mëson vërtet Bibla? na ndihmon për këtë. Prandaj le ta përdorim mirë për t’ua mësuar të vërtetën të tjerëve në mënyrë të qartë, të thjeshtë dhe interesante.