Mos harroni ata që janë joaktivë
1. Përse duhet t’i inkurajojmë ata që janë joaktivë?
1 A njihni ndonjë që është bërë joaktiv? Ndoshta nuk shoqërohet më me kongregacionin dhe është larguar, ose e ka marrë rryma. Mund të jeni takuar me të gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi. Duhet të kemi gjithmonë parasysh që një person joaktiv vazhdon të jetë vëllai ynë frymor. Duam ta sigurojmë për dashurinë tonë dhe ta ndihmojmë të kthehet në kongregacion e te ‘bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtrave tanë’.—1 Pjet. 2:25.
2. Si mund ta inkurajojmë një joaktiv?
2 Të shfaqim interes: Një telefonatë ose një vizitë e shkurtër mund ta sigurojë një joaktiv se nuk e kemi harruar. Po çfarë mund të themi në këto raste? Mund ta inkurajojmë thjesht duke i lënë të kuptojë se kemi menduar për të. Të jemi pozitivë dhe inkurajues gjatë gjithë bisedës. (Filip. 4:8) Mund të përmendim një pikë që na ka pëlqyer nga një mbledhje kohët e fundit. Mund ta ftojmë në një mbledhje ose asamble të afërt, dhe të ofrohemi për t’i ruajtur një vend ose për t’i siguruar transportin.
3. Si u bë një motër sërish aktive?
3 Njëherë, në një territor, takuan një motër joaktive nga më shumë se 20 vjet. Megjithëse nuk dëshironte të fillonte një studim biblik, motra që e takoi, vazhdoi ta vizitonte dhe t’i linte revistat. Pas kongresit krahinor, kjo lajmëtare i tregoi motrës joaktive disa pika kryesore nga kongresi dhe më në fund u bë sërish aktive.
4. Si duhet ta trajtojmë dikë që fillon të shoqërohet përsëri me kongregacionin duke ndjekur mbledhjet?
4 Kur dikush kthehet: Si duhet ta trajtojmë një vëlla joaktiv kur fillon të vijë në mbledhje? Si i trajtoi Jezui dishepujt pasi ata e kishin braktisur për një njëfarë kohe? Ai me ngrohtësi i quajti ‘vëllezër’ dhe tregoi besim te ta. Ai madje u dha një caktim të rëndësishëm. (Mat. 28:10, 18, 19) Pak pas kësaj, ata ishin më se të zënë duke shpallur «pareshtur» lajmin e mirë.—Vep. 5:42.
5. Përmendni raste kur duhet të flasim me pleqtë për dikë që është joaktiv.
5 Para se t’i ofrojmë studim biblik një joaktivi ose para se të ftojmë dikë që ka qenë joaktiv për një kohë të gjatë të na shoqërojë në shërbim, duhet të kërkojmë drejtimin e pleqve. Në rast se takojmë në territor një lajmëtar joaktiv, duhet të informojmë pleqtë në mënyrë që ata të japin ndihmën e duhur.
6. Çfarë gëzimi mund të provojmë kur ndihmojmë ata që janë joaktivë?
6 Siç e tregon qartë Bibla, vetëm ata që e çojnë vrapimin deri në fund, do të shpëtojnë. (Mat. 24:13) Prandaj, kushtojuni vëmendje atyre që janë penguar ose i ka marrë rryma. Në qoftë se me durim pasqyrojmë dashurinë e Jehovait duke treguar interes të sinqertë për këta persona, mund të provojmë gëzimin që vjen kur rifillojnë shërbimin e shenjtë bashkë me ne.—Luka 15:4-10.