Të inkurajojmë njëri-tjetrin
1. Ç’mundësi të veçanta ofrojnë vizitat e mbikëqyrësve udhëtues?
1 Apostulli Pavël i shkroi kongregacionit në Romë: «Po digjem nga dëshira që t’ju shoh, për t’ju dhënë ndonjë dhuratë frymore, që të bëheni të patundur, ose më mirë, që të inkurajojmë njëri-tjetrin, secili me anë të besimit të tjetrit, unë me anë të besimit tuaj dhe ju me anë të besimit tim.» (Rom. 1:11, 12) Edhe në kohët tona, vizitat e mbikëqyrësve udhëtues na ofrojnë mundësi të mira për të inkurajuar njëri-tjetrin.
2. Pse njoftohet kohë më parë vizita e mbikëqyrësit qarkor?
2 Kongregacioni: Zakonisht vizita e mbikëqyrësit qarkor njoftohet në kongregacion rreth tre muaj më përpara. Kështu kemi kohë të mjaftueshme për të planifikuar në mënyrë që të nxjerrim sa më shumë dobi. (Efes. 5:15, 16) Në qoftë se jeni në punë, ndoshta keni nevojë të merrni ndonjë ditë leje për të marrë pjesë më shumë në shërbim gjatë asaj jave. Disa planifikojnë të shërbejnë si pionierë ndihmës gjatë muajit të kësaj vizite. Nëse keni në plan të udhëtoni, është mirë të merrni masat për të qenë të pranishëm atë javë.
3. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh gjatë vizitës së mbikëqyrësit për të marrë inkurajim?
3 Një nga qëllimet kryesore të vizitës së mbikëqyrësit qarkor është të na inkurajojë dhe të na stërvitë për shërbimin. A mund të kërkoni takim që të dilni në shërbim me mbikëqyrësin ose gruan e tij, nëse është i martuar? Mbikëqyrësit qarkor i pëlqen të bashkëpunojë në shërbim me lajmëtarë të ndryshëm, përfshirë edhe ata që nuk kanë shumë përvojë ose ata që duan të jenë më të aftë në shërbim. Të gjithë mund të mësojmë nga prezantimet e tij dhe të zbatojmë çdo sugjerim që mund të na japë me dashamirësi. (1 Kor. 4:16, 17) Duke e ftuar për drekë ose për darkë, do të keni edhe një mundësi tjetër për të gëzuar shoqëri inkurajuese. (Hebr. 13:2) Fjalimet përshtaten duke pasur parasysh nevojat e kongregacionit, kështu që dëgjojini me vëmendje.
4. Si mund ta inkurajojmë mbikëqyrësin qarkor?
4 Mbikëqyrësi qarkor: Apostulli Pavël nuk ishte ndryshe nga vëllezërit në kongregacionet ku shërbente. Edhe ai haste sfida dhe e zinte ankthi, prandaj kishte nevojë dhe e vlerësonte inkurajimin. (2 Kor. 11:26-28) Kur kongregacioni në Romë mësoi se Pavli, tani një i burgosur, më në fund po shkonte atje, disa udhëtuan 74 kilometra deri në Pazarin Apia vetëm për ta takuar. «Kur i pa, Pavli falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.» (Vep. 28:15) Edhe ju mund ta inkurajoni mbikëqyrësin qarkor. Tregojini «nderim të dyfishtë» duke mbështetur me entuziazëm aktivitetet gjatë vizitës së tij. (1 Tim. 5:17) Shpreheni dhe tregojeni vlerësimin për punën që bën për ju. Ai dhe gruaja e tij do të gëzohen kur të shohin besimin, dashurinë dhe qëndrueshmërinë tuaj.—2 Sel. 1:3, 4.
5. Pse kemi të gjithë nevojë për inkurajim sot?
5 Në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», kush nga ne nuk ka nevojë për inkurajim? (2 Tim. 3:1) Vendosni që tani të merrni pjesë sa më shumë në aktivitetet e javës së mbikëqyrësit qarkor. Të gjithë, si mbikëqyrësit udhëtues ashtu edhe lajmëtarët, mund ta inkurajojmë njëri-tjetrin. Kështu, do të ‘vazhdojmë të ngushëllojmë dhe të ndërtojmë njëri-tjetrin’.—1 Sel. 5:11.