‘Të japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë’
1. Ç’lajm të mirë kemi për të dhënë?
1 Në një botë ku s’para dëgjon lajme të mira, ne kemi privilegjin ‘të japim dëshmi të plotë për lajmin e mirë të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’. (Vep. 20:24) Kjo përfshin t’u bëjmë të ditur njerëzve se së shpejti «ditët e fundit» do t’ia lënë vendin botës së re e të drejtë të Jehovait, ku ‘gjërat e mëparshme do të kenë shkuar’. (2 Tim. 3:1-5; Zbul. 21:4) Atëherë s’do të ketë më sëmundje. (Isa. 33:24) Të afërmit tanë që kanë vdekur do të dalin nga varret dhe do të ribashkohen me miqtë e familjarët. (Gjoni 5:28, 29) E gjithë toka do të kthehet në një parajsë të bukur. (Isa. 65:21-23) E këto janë veçse disa aspekte të lajmit të mirë që kemi për t’u dhënë të tjerëve.
2. Pse periudha e Përkujtimit siguron raste të shkëlqyera për të dhënë dëshmi për lajmin e mirë?
2 Muajt mars, prill e maj do të jenë raste të shkëlqyera për të shpallur këtë lajm të mirë. Gjatë këtyre muajve, në shumë pjesë të botës, moti dhe ditët më të gjata të favorizojnë të dalësh më shumë në shërbim. Veç kësaj, ngjarja më e rëndësishme e vitit, Përkujtimi, do të mbahet në mbarë botën të shtunën më 22 mars, pas perëndimit të diellit. Tani është koha të nisim përgatitjet për të shtuar shërbimin.
3. Ç’do të na ndihmojë të shtojmë shërbimin si familje?
3 Shërbimi si pionierë ndihmës: A mund ta rregulloni programin që të shërbeni si pionierë ndihmës për një, dy ose të tre muajt? Pse të mos e shqyrtoni këtë çështje herën tjetër që do të bëni studimin familjar? Po të bashkëpunojnë të gjithë, një ose disa pjesëtarë të familjes mund të arrijnë të shërbejnë si pionierë ndihmës. (Prov. 15:22) Lutuni për këtë dhe shihni si do t’i bekojë Jehovai përpjekjet tuaja. (Prov. 16:3) Edhe sikur asnjë nga familja të mos shërbejë dot si pionier ndihmës, të gjithë mund të vënë synime specifike për të shtuar shërbimin e për të dalë me ata që do të shërbejnë si pionierë.
4. Si t’i programojmë aktivitetet që të shërbejmë si pionierë ndihmës, nëse kemi punë tetorëshe?
4 Nëse keni një punë tetorëshe, mund të arrini të shërbeni si pionierë ndihmës duke bërë një program të mirë. Ndoshta mund të përdorni një pjesë të pushimit të drekës për të predikuar. Ose mund të merrni një territor afër shtëpisë a punës, që të dilni në shërbim një orë para ose pas pune. Mund të gjeni kohë të mëtejshme në program duke i shtyrë për një muaj tjetër aktivitetet jo të rëndësishme e duke kaluar gjithë ditën në shërbim gjatë fundjavës. Disa kanë marrë një a dy ditë pushim për të dalë në shërbim.
5. Si t’i ndihmoni të moshuarit ose të sëmurët, që të shërbejnë si pionierë ndihmës?
5 Në qoftë se jeni të moshuar a të sëmurë ose nuk keni shumë energji, mund të arrini të jeni pionierë ndihmës po të dilni çdo ditë nga pak në shërbim. Kërkojini Jehovait t’ju japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Kor. 4:7) Një motër arriti të shërbente si pioniere ndihmëse edhe pse ishte 106 vjeçe. Me ndihmën e të afërmve Dëshmitarë dhe të tjerëve në kongregacion, ajo predikoi shtëpi më shtëpi, bëri rivizita, shkoi në studime biblike dhe mori pjesë në aspekte të tjera të shërbimit. Ndihmoi dhjetë veta që të fillonin studim biblik. Ajo thotë: «Kur mendoj për privilegjin e mrekullueshëm që shërbeva si pioniere ndihmëse, më gufon zemra nga dashuria dhe vlerësimi për Jehovain, për Birin e tij dhe për organizatën e Tij të dashur. Dua vërtet t’i them: ‘Faleminderit, Jehova!’»
6. Si mund të arrijnë të shërbejnë si pionierë ndihmës edhe të rinjtë e pagëzuar që ende shkojnë në shkollë?
6 Edhe nëse je një i ri i pagëzuar që shkon ende në shkollë, mund të arrish të shërbesh si pionier ndihmës. Ashtu si ata që kanë punë tetorëshe, edhe ty ndoshta do të të duhet të shfrytëzosh kryesisht fundjavët në programin për shërbimin. Gjatë javës, mbase mund të dalësh në shërbim ndonjë ditë edhe pas shkolle, për nja një orë. A ka shkolla ndonjë ditë pushim që mund ta përdorësh për të dalë në shërbim? Në qoftë se të pëlqen të jesh pionier ndihmës, fol me prindërit për këtë.
7. Ç’mund të bëjnë pleqtë që të nxitin entuziazëm për shërbimin, gjatë periudhës së Përkujtimit?
7 Nxitni entuziazëm: Pleqtë mund të bëjnë shumë për të nxitur entuziazëm në kongregacion me shembullin e tyre. (1 Pjet. 5:2, 3) Ata mund të vendosin të programojnë mbledhje shtesë për shërbim, për ata që do të dalin herët në mëngjes, pas shkolle ose pas pune. Mbikëqyrësi i shërbimit duhet të sigurohet që të caktohen lajmëtarë të kualifikuar për të drejtuar këto mbledhje dhe që të ketë mjaft territor, si dhe revista e botime të tjera për këta muaj me veprimtari të veçantë.
8. Ç’mësojmë nga përvoja që pati një kongregacion?
8 Në një kongregacion, pleqtë nisën t’i nxitnin lajmëtarët për shërbimin si pionierë ndihmës disa muaj më përpara. Ata e mbanin të informuar kongregacionin javë pas jave se sa lajmëtarë ishin miratuar si pionierë ndihmës. Kjo i siguroi ata që donin të shtonin shërbimin, se do të kishin mbështetje për të dalë në shërbim. U programuan mbledhje shtesë për shërbim, herët në mëngjes dhe në mbrëmje. Si rezultat, në muajin prill shërbyen si pionierë ndihmës 53 lajmëtarë, pothuajse gjysma e kongregacionit.
9. Pse periudha e Përkujtimit është një kohë e shkëlqyer për ata që kualifikohen si lajmëtarë të lajmit të mirë?
9 Të ndihmojmë të tjerët të predikojnë: Kur të rinjtë në moshë a në të vërtetën kualifikohen si lajmëtarë, mund të dalin në shërbim me lajmëtarë me përvojë. Kjo mundësi ndoshta vjen gjatë periudhës së Përkujtimit, kur shumë lajmëtarë do të shtojnë shërbimin. A kemi ndonjë student biblik që bën përparim e që e ka përputhur jetën me normat e drejta të Jehovait? A kemi fëmijë me sjellje të mirë që po përparojnë, por ende nuk janë lajmëtarë? Në qoftë se kanë shprehur dëshirën të dalin lajmëtarë dhe mendojmë se kualifikohen, mund t’ia bëjmë të ditur një plaku. Mbikëqyrësi drejtues do të marrë masa që dy pleq ta shqyrtojnë çështjen me ne dhe fëmijën ose studentin.
10. Ç’mund të bëjnë pleqtë për të ndihmuar joaktivët?
10 Këta muaj mund të jenë një kohë e shkëlqyer edhe për ata që kanë qenë joaktivë, që të rifillojnë aktivitetin në kongregacion. Mbikëqyrësit e Studimit të Librit të Kongregacionit, si dhe pleqtë e tjerë, duhet të bëjnë përpjekje të zellshme për t’i vizituar këta e për t’i ftuar me përzemërsi që të dalin bashkë në shërbim. Në qoftë se kanë një kohë të gjatë që janë joaktivë, fillimisht dy pleq duhet të flasin me ta për t’u siguruar se kualifikohen të dalin në shërbim.—km 11/00 f. 3.
11. Cila është shprehja më e madhe e «dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë»?
11 Përgatitjet për Përkujtimin: Shpërblesa është shprehja më e madhe e «dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë». (Vep. 20:24) Miliona njerëz që e vlerësojnë atë, do të mblidhen anembanë botës të shtunën më 22 mars, pas perëndimit të diellit, për të mbajtur Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Duam të ftojmë e të ndihmojmë të gjithë njerëzit me zemër të sinqertë që të ndjekin këtë ngjarje të rëndësishme që jep dëshmi për dashamirësinë e pamerituar të Jehovait ndaj njerëzimit.
12. Kë duhet të ftojmë për Përkujtimin?
12 Të bëjmë një listë të atyre që duam të ftojmë. Pa dyshim, do të përfshijmë në këtë listë të afërmit, fqinjët, të njohurit në shkollë ose në punë, studentët biblikë që kemi tani ose që kemi pasur, si dhe gjithë të tjerët që i vizitojmë rregullisht. Nëse disa që ftojmë kanë pyetje për Përkujtimin, mund të përdorim artikullin e shtojcës për Darkën e Zotërisë, në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, faqet 206-208. Kjo mund të krijojë rastin edhe për të nisur një studim biblik, pasi do të na japë mundësinë t’i prezantojmë botimin që përdorim për të drejtuar studime biblike.
13. Si i bekoi Jehovai përpjekjet e dy lajmëtarëve që vunë synim të ftonin të tjerë në Përkujtim?
13 Një motër bëri një listë për të ftuar 48 familje. Pasi i ftonte, u vinte nga një vizë emrave dhe shënonte datën kur i kishte ftuar. Sa u kënaq kur 26 nga ata që kishte ftuar, erdhën në Përkujtim! Një vëlla që është pronar dyqani, ftoi një punonjësin e tij që më parë kishte qenë prift. Ai e ndoqi Përkujtimin dhe më pas tha: «Mësova më shumë për Biblën gjatë një ore, sesa në 30 vjet që isha në Kishën Katolike.» Pak pas Përkujtimit, ai pranoi një studim me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
14. Cila fushatë mbarëbotërore do të nisë më 1 mars?
14 Fushata: Që nga e shtuna, 1 mars, deri të shtunën më 22 mars, në mbarë botën do të shpërndahet një ftesë e veçantë për Përkujtimin. Të gjithë lajmëtarët duhet të marrin pjesë plotësisht në këtë fushatë të rëndësishme. Më e mira është t’ia lëmë ftesën të zotit të shtëpisë në dorë, sesa te dera. Por, nëse kemi një territor të madh, pleqtë mund të vendosin që ftesat t’i lëmë në një vend jo të dukshëm tek ata që s’i gjejmë në shtëpi. Gjatë fundjavëve, do të prezantojmë edhe revistat e muajit.
15. Si mund ta prezantojmë ftesën e Përkujtimit?
15 Meqë s’kemi shumë kohë për të shpërndarë ftesat, prezantimi duhet të jetë i shkurtër. Të tregohemi miqësorë dhe entuziastë. Mund të themi diçka të tillë: «Duam të sigurohemi që ju, miqtë dhe familjarët tuaj, të keni një ftesë për një ngjarje të rëndësishme që do të mbahet më 22 mars. Urdhëroni ftesën tuaj. Hollësitë do t’i gjeni brenda saj.» Ndoshta i zoti i shtëpisë do të ketë pyetje. Ose mund ta pranojë ftesën dhe të thotë se do të vijë. Të mbajmë shënim njerëzit e interesuar dhe të kthehemi prapë.
16. Cila përvojë tregon vlerën e fushatës për t’i ftuar njerëzit në territor që të vijnë në Përkujtim?
16 Vitin e kaluar, një ushtar gjeti te dera e shtëpisë ftesën e Përkujtimit. Vendosi të shkonte, por duhej të merrte leje nga rreshteri. Kur i tregoi ftesën, rreshteri ndenji pak i heshtur e pastaj tha se prindërit e tij janë Dëshmitarë dhe se më parë ai shkonte me ta në mbledhje. Jo vetëm që i dha leje të shkonte, por e shoqëroi ushtarin në Përkujtim.
17. Si e tregojmë se po e përmbushim qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë?
17 Të shfaqim vlerësim: Secili prej nesh le të meditojë për dashamirësinë e pamerituar që na ka treguar Jehovai, teksa afrohet periudha e Përkujtimit për vitin 2008. Apostulli Pavël shkroi: «Ju përgjërohemi që të mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, pa e përmbushur qëllimin e saj.» (2 Kor. 6:1) Si e tregojmë se po e përmbushim qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë? Pavli shkroi: «Por në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë.» (2 Kor. 6:4) Prandaj, vlerësimin për dhuratën që na ka bërë Jehovai e tregojmë me sjelljen tonë të mirë dhe me predikimin e zellshëm të lajmit të mirë. Këtë periudhë Përkujtimi do të kemi një mundësi të shkëlqyer për të shtuar shërbimin, duke dhënë dëshmi të plotë për lajmin e mirë.
[Kutia në faqen 3]
Cilët mund të shërbejnë si pionierë ndihmës?
◼ Familjet
◼ Ata që kanë punë tetorëshe
◼ Të moshuarit dhe të sëmurët
◼ Ata që janë në shkollë
[Kutia në faqen 4]
Kur të shpërndani ftesat e Përkujtimit:
◼ Flitni shkurt dhe me entuziazëm
◼ Mbani shënim të interesuarit dhe kthehuni tek ata
◼ Në fundjavë, ofroni revistat