Mbledhje për shërbim që përmbushin qëllimin e tyre
1. Çfarë qëllimi kanë mbledhjet për shërbim?
1 Në një rast, Jezui mblodhi 70 nga dishepujt e tij para se të nisnin një fushatë predikimi. (Luka 10:1-11) I inkurajoi duke u kujtuar se nuk do të ishin vetëm dhe se po drejtoheshin nga ‘Zotëria i të korrave’, Jehovai. Gjithashtu u dha udhëzime që i përgatitën për punën që do të bënin e pastaj i organizoi «dy e nga dy». Edhe sot, mbledhjet që mbajmë para se të dalim në shërbim kanë të njëjtin qëllim—të na inkurajojnë, të na përgatitin e të na organizojnë.
2. Sa duhet të zgjatë një mbledhje për shërbim?
2 Deri tani një mbledhje për shërbim ka qenë 10-15 minuta, ku përfshihej ndarja e lajmëtarëve, caktimi i territorit dhe lutja. Tani do të ketë një rregullim të ri. Duke filluar nga prilli, një mbledhje për shërbim nuk do të zgjatë më tepër se 5-7 minuta. Por nëse mbahet pas një mbledhjeje kongregacioni, duhet të jetë edhe më e shkurtër meqë të pranishmit tashmë kanë shkëmbyer mendime frymore. Kur mbledhjet janë të shkurtra, kemi më shumë kohë për shërbim. Për më tepër, në rastet kur pionierët ose lajmëtarët e kanë filluar predikimin para mbledhjes për shërbim, u duhet të shkëputen vetëm për pak.
3. Si mund të organizohen mbledhjet për shërbim që të jenë sa më të dobishme për lajmëtarët?
3 Mbledhjet për shërbim duhen organizuar në mënyrë të atillë që të jenë sa më të dobishme për lajmëtarët. Në shumë kongregacione është më mirë nëse grupet e shërbimit mblidhen veç e veç. Kështu lajmëtarët mund të shkojnë më kollaj në mbledhjen për shërbim e ndoshta edhe në territor. Ata mund të organizohen pa u vonuar, dhe mbikëqyrësit e grupeve mund ta kenë më të lehtë t’u kushtojnë vëmendje individuale atyre që kanë nën kujdes. Trupi i pleqve mund të marrë në shqyrtim rrethanat lokale e të vendosë se çfarë është më mirë. Para se të bëhet lutja, të gjithë duhet të dinë se me kë do të dalin e ku do të shkojnë.
4. Pse mbledhjet për shërbim nuk duhen parë si më pak të rëndësishme se mbledhjet e tjera?
4 Jo më pak të rëndësishme se mbledhjet e tjera: Në mbledhjet për shërbim janë të pranishëm ata që do të dalin në shërbim, jo të gjithë lajmëtarët. Por kjo nuk do të thotë se duhen marrë lehtë ose duhen parë si më pak të rëndësishme se mbledhjet e tjera. Si gjithë mbledhjet tona, edhe mbledhjet për shërbim janë një masë nga Jehovai që na jep mundësi të nxitim njëri-tjetrin për dashuri dhe vepra të shkëlqyera. (Hebr. 10:24, 25) Prandaj, drejtuesi duhet të përgatitet mirë që kjo mbledhje të nderojë Jehovain e t’u sjellë dobi të pranishmëve. Nëse është e mundur, lajmëtarët që kanë të plan të dalin në shërbim duhet të përpiqen të marrin pjesë.
Mbledhjet për shërbim nuk duhen marrë lehtë ose nuk duhen parë si më pak të rëndësishme se mbledhjet e tjera
5. (a) Cili është roli i mbikëqyrësit të shërbimit në organizimin e mbledhjeve për shërbim? (b) Si duhet ta drejtojë një motër një mbledhje për shërbim?
5 Përgatitja e drejtuesit: Që dikush të përgatitet mirë për një pjesë në mbledhje, ai duhet njoftuar që më përpara për caktimin. E njëjta gjë vlen edhe për mbledhjet për shërbim. Sigurisht, kur grupet e shërbimit mblidhen veç e veç, mbikëqyrësit e grupeve ose zëvendësit e tyre marrin drejtimin për grupin e tyre. Por kur grupet mblidhen bashkë, mbikëqyrësi i shërbimit do të caktojë dikë për të drejtuar. Disa mbikëqyrës të shërbimit u japin një program të gjithë drejtuesve dhe një kopje e vendosin në tabelën e informacionit. Mbikëqyrësi i shërbimit duhet të përdorë gjykim të mirë kur cakton drejtuesit, duke mos harruar se cilësia e këtyre mbledhjeve varet edhe nga aftësia e drejtuesve në mësimdhënie dhe në organizim. Nëse në ndonjë ditë nuk ka asnjë plak, shërbëtor ndihmës a vëlla tjetër të kualifikuar për të drejtuar këto mbledhje, mbikëqyrësi i shërbimit duhet të caktojë një motër të aftë.—Shih artikullin «Kur drejton një motër».
6. Pse është e rëndësishme që drejtuesi të përgatitet mirë?
6 Kur na jepet një caktim në Shkollën e Shërbimit Teokratik ose në Mbledhjen e Shërbimit e marrim seriozisht dhe përgatitemi mirë. Pak prej nesh do të fillonin të mendonin për caktimin rrugës për në mbledhje. Caktimi për të drejtuar një mbledhje për shërbim duhet parë po njësoj. Tani që mbledhja për shërbim do të jetë më e shkurtër, ka shumë rëndësi përgatitja e mirë, që ajo të jetë domethënëse e të mbarojë në kohë. Përgatitja e mirë përfshin edhe marrjen e territorit që më përpara.
7. Çfarë mund të shqyrtojë drejtuesi i mbledhjes për shërbim?
7 Çfarë mund të trajtohet: Meqë rrethanat ndryshojnë sipas territorit, skllavi i besueshëm nuk ka siguruar ndonjë skemë për çdo mbledhje për shërbim. Kutia «Çfarë mund të trajtohet në një mbledhje për shërbim» jep disa sugjerime. Zakonisht, mbledhja duhet mbajtur në formë diskutimi. Ndonjëherë mund të përfshijë një demonstrim të përgatitur mirë ose ndonjë video të përshtatshme nga jw.org. Kur mendon për atë që do të trajtojë, drejtuesi duhet të ketë parasysh se çfarë do t’i inkurajojë e do t’i përgatitë për shërbim lajmëtarët.
Kur mendon për atë që do të trajtojë, drejtuesi duhet të ketë parasysh se çfarë do t’i inkurajojë e do t’i përgatitë për shërbim lajmëtarët.
8. Çfarë mund të jetë më e dobishme të shqyrtohet në mbledhjet për shërbim të shtunave e të dielave?
8 Të shtunave, për shembull, shumica e lajmëtarëve ofrojnë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Mjaft prej atyre që dalin në shërbim të shtunave nuk dalin gjatë javës, kështu që mund të mos e mbajnë mend prezantimin që praktikuan gjatë mbrëmjes së Adhurimit Familjar. Prandaj, mund të jetë mirë që drejtuesi të trajtojë një nga prezantimet model në faqen e fundit te Shërbimi ynë i Mbretërisë. Gjithashtu mund të diskutohet si të përfshihet një lajm, një ngjarje a një festë lokale në prezantimin e një reviste ose si të hidhet baza për rivizitën kur i zoti i shtëpisë i pranon revistat. Nëse disa nga të pranishmit në mbledhjen për shërbim tashmë i kanë përdorur prezantimet e revistave që do të ofrohen, drejtuesi mund t’i ftojë të japin sugjerime të shkurtra ose të tregojnë përvoja inkurajuese. Të dielave, drejtuesi mund të bëjë diçka të ngjashme me ofertën e muajit. Botime për studim, si broshurat Lajm i mirë ose Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë dhe libri Çfarë mëson vërtet Bibla? mund të ofrohen çdo ditë, kështu që drejtuesi mund të shqyrtojë shkurtimisht si të ofrohet një nga këto botime.
9. Çfarë mund të trajtohet në fundjavën kur kongregacioni merr pjesë në një fushatë speciale?
9 Nëse kongregacioni po merr pjesë në ndonjë fushatë speciale gjatë fundjavës, drejtuesi mund të trajtojë si të ofrohen revistat e muajit bashkë me fletushkën a ftesën. Mund të diskutojë si të veprohet kur dikush shfaq interes ose mund të tregohen përvoja që nxjerrin në pah vlerën e fushatave të tilla.
10, 11. Pse është e rëndësishme që lajmëtarët të përgatiten që mbledhjet për shërbim të jenë domethënëse?
10 Përgatitja e lajmëtarëve: Edhe lajmëtarët kanë përgjegjësinë e tyre për ta bërë domethënëse mbledhjen për shërbim. Duke u përgatitur që më përpara për shërbim, ndoshta gjatë adhurimit familjar, do të kemi diçka për të ndarë me lajmëtarët e tjerë. Përgatitja e mirë përfshin edhe t’i kemi revistat ose literaturën para se të arrijmë në mbledhjen për shërbim, që të gjithë të nisemi për në territor pa vonesa të panevojshme.
11 Është e rëndësishme të planifikojmë të arrijmë disa minuta para se të fillojë mbledhja për shërbim. Sigurisht, ne bëjmë përpjekje për të arritur në kohë në të gjitha mbledhjet e kongregacionit. Por, sidomos në një mbledhje për shërbim ardhja me vonesë do të krijonte probleme. Pse? Vëllai që drejton merr parasysh disa faktorë para se të bëjë ndarjen. Për shembull, nëse ka pak lajmëtarë të pranishëm, ai mund t’i dërgojë të gjithë në një territor që është punuar pjesërisht. Nëse disa nga të pranishmit kanë ardhur në këmbë në mbledhjen për shërbim e territori është disi larg, mund t’i bashkojë këta me lajmëtarë që kanë ardhur me makina. Nëse territori është në një zonë me kriminalitet të lartë, drejtuesi mund të caktojë vëllezër për të predikuar me një grup motrash ose afër tyre. Lajmëtarët që kanë probleme shëndetësore mund të caktohen të predikojnë në një territor ku nuk u duhet të ngjitin të përpjeta ose shumë shkallë. Lajmëtarët më të rinj mund të caktohen me ata që kanë më shumë përvojë. Por, nëse lajmëtarët vijnë me vonesë, shpesh mund të jetë e nevojshme që të rishikohet mënyra si janë organizuar të pranishmit ose edhe të organizohen nga e para. Kuptohet që në ndonjë rast mund të kemi arsye të forta për vonesën. Por nëse e kemi zakon të jemi me vonesë, mund të pyesim veten nëse kjo ndodh për shkak të mungesës së vlerësimit për mbledhjet për shërbim apo çalojmë në organizimin e punëve tona.
12. Nëse zakonisht lini takime, për çfarë mund të mendoni?
12 Lajmëtarët mund të marrin takime para mbledhjes për shërbim ose mund të lënë drejtuesin t’u caktojë dikë. Nëse zakonisht lini takime, a mund ‘të zgjeroheni’ duke bashkëpunuar me lajmëtarë të ndryshëm në vend që të dilni gjithmonë me të njëjtët miq të ngushtë? (2 Kor. 6:11-13) A mund të organizoheni ndonjëherë që të bashkëpunoni me një lajmëtar më të ri që ta ndihmoni të zhvillojë aftësinë e tij të mësimdhënies? (1 Kor. 10:24; 1 Tim. 4:13, 15) Kushtojini vëmendje çdo udhëzimi që ju jepet, për shembull ku duhet të filloni të predikoni. Kur mbaron mbledhja, shmangni prirjen për të ndryshuar caktimet dhe nisuni pa vonesë për në territor.
13. Si do të nxjerrim dobi nga mbledhjet për shërbim nëse të gjithë ndiejmë përgjegjësinë që kemi dhe bëjmë pjesën tonë?
13 Pas predikimit, të shtatëdhjetë dishepujt që organizoi Jezui «u kthyen të gëzuar». (Luka 10:17) Pa dyshim, fakti që u mblodhën me Jezuin para se të nisnin predikimin i ndihmoi të kishin sukses. Edhe sot, mbledhjet për shërbim mund të jenë po aq dobiprurëse. Nëse të gjithë pjesëmarrësit ndiejnë përgjegjësinë që kanë dhe bëjnë pjesën e tyre, mbledhjet për shërbim do të na inkurajojnë, do të na përgatitin e do të na organizojnë që të përmbushim caktimin tonë për të dhënë «dëshmi për të gjitha kombet».—Mat. 24:14.