BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w24 mars f. 2-7
  • A je gati t’ia kushtosh jetën Jehovait?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • A je gati t’ia kushtosh jetën Jehovait?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • ÇFARË ËSHTË KUSHTIMI?
  • PSE T’IA KUSHTOSH JETËN JEHOVAIT?
  • A JE GATI TË KUSHTOHESH E TË PAGËZOHESH?
  • PSE HEZITOJNË DISA
  • VAZHDO TË AFROHESH ME JEHOVAIN
  • ‘Ndiq vazhdimisht’ Jezuin pas pagëzimit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Pse t’i kushtohesh Jehovait dhe të pagëzohesh?
    Gëzoje jetën përgjithmonë—Bibla zbulon si
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
w24 mars f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 9

KËNGA 75 Të lutem, «më dërgo mua»!

A je gati t’ia kushtosh jetën Jehovait?

«Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë?» —PSAL. 116:12.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ky artikull do të të ndihmojë të zhvillosh një miqësi të ngushtë me Jehovain, që të kesh dëshirë t’ia kushtosh jetën e të pagëzohesh.

1-2. Çfarë duhet të bësh para se të pagëzohesh?

GJATË pesë viteve të fundit, mbi një milion veta janë pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait. Ashtu si dishepulli Timote në shekullin e parë, shumë prej tyre e mësuan të vërtetën «që nga foshnjëria». (2 Tim. 3:14, 15) Të tjerë e njohën Jehovain më vonë në jetë, kur ishin në moshë të madhe. Para ca kohësh, një grua që studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait u pagëzua në moshën 97-vjeçare.

2 Nëse je student i Biblës ose po rritesh në të vërtetën, a ke menduar të pagëzohesh? Ky është një synim i shkëlqyer! Por, para se të pagëzohesh, duhet t’i kushtohesh Jehovait. Ky artikull do të shpjegojë çfarë përfshin kushtimi. Gjithashtu do të të ndihmojë të kuptosh pse nuk ka arsye të hezitosh që ta hedhësh këtë hap e të pagëzohesh nëse je gati.

ÇFARË ËSHTË KUSHTIMI?

3. Jepni disa shembuj nga Bibla të njerëzve që i ishin kushtuar Jehovait.

3 Në Bibël fjala «kushtim» ka kuptimin të ndahesh veç për një qëllim të shenjtë. Izraeli ishte një komb i kushtuar ndaj Jehovait. Por disa individë të atij kombi i ishin kushtuar Jehovait në një mënyrë të veçantë. Për shembull, Aroni mbante një ‘shenjë të shenjtë kushtimi’—një pllakë ari të ndritshme në pjesën e përparme të çallmës. Ajo pllakë ari tregonte se ishte zgjedhur, ose ndarë veç, për të shërbyer në një caktim special—si kryeprift i Izraelit. (Lev. 8:9) Edhe nazirejtë i ishin kushtuar Jehovait në një mënyrë të veçantë. Fjala «nazire» vjen nga fjala hebraike nazír, që do të thotë «i ndarë veç» ose «i kushtuar». Nazirejtë duhej të jetonin sipas kufizimeve të përcaktuara për ta në Ligjin e Moisiut.—Num. 6:2-8.

4. (a) Cili bëhet qëllimi kryesor në jetën tënde kur i kushtohesh Jehovait? (b) Çfarë do të thotë «të mohosh» veten? (Shihni edhe figurën.)

4 Kur i kushtohesh Jehovait, zgjedh të bëhesh dishepull i Jezu Krishtit dhe të kesh si bosht të jetës kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Çfarë nënkupton kjo? Jezui tha: «Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten.» (Mat. 16:24) Shprehja greke e përkthyer «le ta mohojë veten» mund të përkthehet edhe «duhet t’i thotë ‘jo’ vetes». Si shërbëtor i kushtuar i Jehovait, duhet t’i thuash «jo» çdo gjëje që bie ndesh me vullnetin e tij. (2 Kor. 5:14, 15) Kjo përfshin t’u thuash «jo» ‘veprave të trupit mëkatar’, siç është imoraliteti seksual. (Gal. 5:19-21; 1 Kor. 6:18) A do të ta vështirësojnë jetën kufizime të tilla? Nëse e do Jehovain dhe je i bindur se ligjet e tij janë për të mirën tënde, patjetër që jo. (Psal. 119:97; Isa. 48:17, 18) Ja si shprehet një vëlla që quhet Nikolas: «Standardet e Jehovait mund t’i shohësh ose si hekurat e një burgu që nuk të lënë të bësh çfarë ke qejf, ose si hekurat e një kafazi luanësh që të mbrojnë nga rreziku.»

Një vëlla duke parë luanët brenda një kafazi.

A i sheh standardet e Jehovait si hekurat e një burgu që nuk të lënë të bësh çfarë ke qejf, apo si hekurat e një kafazi luanësh që të mbrojnë nga rreziku? (Shih paragrafin 4)


5. (a) Si i kushtohesh Jehovait? (b) Ku ndryshon kushtimi nga pagëzimi? (Shihni edhe figurën.)

5 Si i kushtohesh Jehovait? Duke i premtuar në lutje se do të adhurosh vetëm atë dhe do ta vësh në qendër të jetës vullnetin e tij. Me fjalë të tjera i premton Jehovait se do të vazhdosh ta duash «me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde». (Mar. 12:30) Kushtimi është diçka personale mes teje dhe Jehovait. Ndryshe nga kjo, pagëzimi bëhet publikisht; ai u tregon të tjerëve se ia ke kushtuar jetën Jehovait. Kushtimi është një zotim që merr para Jehovait. Ai pret të jetosh në lartësinë e tij, e patjetër të njëjtën gjë pret edhe ti nga vetja.—Ekl. 5:4, 5.

Burra e gra që po i bëjnë një lutje personale Jehovait.

T’i kushtohesh Jehovait do të thotë t’i bësh një lutje personale ku i premton se do të adhurosh vetëm atë dhe do ta vësh në qendër të jetës vullnetin e tij (Shih paragrafin 5)


PSE T’IA KUSHTOSH JETËN JEHOVAIT?

6. Çfarë e shtyn dikë t’i kushtohet Jehovait?

6 Motivi kryesor që të shtyn t’i kushtohesh Jehovait është dashuria për të. Kjo dashuri nuk bazohet vetëm tek emocionet. Ajo i ka rrënjët te ‘njohuria e saktë’, pra te gjërat që mësove për Jehovain dhe që ta thelluan dashurinë për të. (Kolos. 1:9) Nga studimi i Shkrimeve u binde se (1) Jehovai është real, (2) Bibla është Fjala e tij e frymëzuar dhe (3) ai e përdor organizatën e tij për të kryer vullnetin e tij.

7. Çfarë duhet të bëjmë para se t’i kushtohemi Perëndisë?

7 Ata që i kushtohen Jehovait duhet të njohin mësimet themelore të Fjalës së Perëndisë dhe të jetojnë në harmoni me standardet e saj. Sipas rrethanave ku ndodhen, bëjnë çmos t’u flasin të tjerëve për gjërat që besojnë. (Mat. 28:19, 20) Kanë zhvilluar një dashuri gjithnjë e më të fortë për Jehovain, prandaj duan nga zemra t’i përkushtohen vetëm atij. A ka ndodhur edhe me ty kështu? Kur ke këtë lloj dashurie, nuk kushtohesh e pagëzohesh sa për t’u bërë qejfin mësuesit të Biblës ose prindërve, e as ngaqë kështu po bëjnë shokët e tu.

8. Si të nxit mirënjohja t’i kushtohesh Jehovait? (Psalmi 116:12-14)

8 Kur mendon për gjithë sa ka bërë Jehovai për ty, zemra të nxit t’ia kushtosh jetën. (Lexo Psalmin 116:12-14.) Bibla e quan me të drejtë Jehovain Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe të përsosur’. (Jak. 1:17) Më e madhja ndër to është flijimi i Birit të tij, Jezuit. Çfarë dhurate e mrekullueshme është kjo! Falë shpërblesës, ti mund të kesh një miqësi të ngushtë me Jehovain. Gjithashtu, Ai të ka dhënë mundësinë të gëzosh jetën pa fund. (1 Gjon. 4:9, 10, 19) Nga mirënjohja që të gufon në zemër për shprehjen më të madhe të dashurisë në histori—përveç gjithë bekimeve të tjera që të ka dhuruar Jehovai—dëshiron t’ia kushtosh jetën. (Ligj. 16:17; 2 Kor. 5:15) Për këtë mirënjohje flitet më hollësisht në pikën 4 të mësimit 46 në librin Gëzoje jetën përgjithmonë, ku gjendet edhe videoja 3-minutëshe Paraqitjani Perëndisë dhuratat tuaja.

A JE GATI TË KUSHTOHESH E TË PAGËZOHESH?

9. Pse nuk duhet të ndihesh nën presion për t’iu kushtuar Jehovait?

9 Ndoshta nuk ndihesh gati t’i kushtohesh Jehovait e të pagëzohesh. Mbase të duhet të bësh akoma ca ndryshime për të jetuar sipas normave të tij. A ndoshta të duhet më shumë kohë për të forcuar besimin. (Kolos. 2:6, 7) Jo të gjithë studentët përparojnë me të njëjtin ritëm, dhe jo të gjithë fëmijët ose të rinjtë janë gati të kushtohen e të pagëzohen në të njëjtën moshë. Përpiqu ta vlerësosh përparimin tënd sipas asaj që je në gjendje të bësh, jo duke u krahasuar me dikë tjetër.—Gal. 6:4, 5.

10. Çfarë mund të bësh nëse kupton se nuk je ende gati të kushtohesh e të pagëzohesh? (Shihni edhe kutinë «Për ata që po rriten në të vërtetën».)

10 Edhe në rast se kupton që nuk je gati t’i kushtohesh Jehovait, vazhdo të ecësh drejt atij synimi. Lutju Jehovait t’i bekojë përpjekjet e tua për të bërë çdo ndryshim të nevojshëm. (Filip. 2:13; 3:16) Të jesh i sigurt se ai do t’i dëgjojë këto lutje e do t’u përgjigjet.—1 Gjon. 5:14.

Për ata që po rriten në të vërtetën

Për fëmijët e të rinjtë që po rriten nga prindër Dëshmitarë, do të jetë një ndihmë e madhe seria me 3 pjesë e titulluar «Të rinjtë pyesin . . . A duhet të pagëzohem?» në sitin jw.org.

Informacione të tjera të dobishme mund të gjesh në dy artikuj studimi në Kullën e Rojës të marsit 2016. Artikujt titullohen Të rinj—A jeni gati për pagëzimin? dhe Të rinj—Si mund të përgatiteni për pagëzimin?

Nëse lë kohë që t’i shqyrtosh e të mendosh thellë për këta artikuj, do të nxjerrësh dobi sot e në të ardhmen.

PSE HEZITOJNË DISA

11. Si do të na ndihmojë Jehovai t’i qëndrojmë besnikë?

11 Disa hezitojnë të kushtohen e të pagëzohen edhe pse janë gati. Ndoshta thonë me vete: «Po sikur më pas të bëj ndonjë mëkat serioz e të përjashtohem?» Nëse ke këtë merak, ji i sigurt se Jehovai do të të japë çdo gjë të nevojshme që ‘të ecësh denjësisht për të dhe t’i pëlqesh plotësisht’. (Kolos. 1:10) Do të të japë edhe forcën për të bërë atë që është e drejtë. Shembujt e atyre që Jehovai i ka mbështetur janë të panumërt. (1 Kor. 10:13) Kjo është një arsye pse ata që përjashtohen nga kongregacioni janë relativisht pak. Jehovai u siguron shërbëtorëve të vet gjithçka që u duhet për të qëndruar besnikë.

12. Çfarë mund të të ndihmojë të mos kryesh ndonjë mëkat serioz?

12 Çdo njeri i papërsosur ndihet i tunduar të bëjë gjëra të gabuara. (Jak. 1:14) Ama, nëse do të veprosh sipas tundimit, këtë e zgjedh ti. Pra, e vërteta është se e ke ti në dorë si do ta jetosh jetën. Megjithëse disa mund të pohojnë të kundërtën, është e mundur të mësosh t’i mbash nën kontroll dëshirat e gabuara. Edhe nëse ndonjëherë provon impulse të papërshtatshme, mund ta frenosh veten e të mos veprosh sipas tyre. Ka disa gjëra që mund të të ndihmojnë. Për shembull, lutu çdo ditë. Gjithashtu mbaj një program të mirë për studimin personal të Fjalës së Perëndisë. Ndiq mbledhjet e kongregacionit. Fol me të tjerët për besimin tënd. Ndërsa i bën rregullisht këto, do të marrësh forcë të jetosh në lartësinë e betimit të kushtimit. Kurrë mos harro se Jehovai s’ka për të të lënë pa ndihmë!—Gal. 5:16.

13. Çfarë shembulli të mirë na la Jozefi?

13 Do ta kesh më të lehtë të jetosh në lartësinë e kushtimit tënd nëse vendos që më parë se ç’do të bësh po të hasësh një tundim. Bibla flet për shumë njerëz që vepruan kështu, ndonëse ishin të papërsosur si ne. Për shembull, gruaja e Potifarit u përpoq sa e sa herë ta joshte Jozefin. Por ai nuk kishte fije ngurrimi se si do të sillej. Bibla thotë se «ai nuk pranonte» dhe thoshte: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?» (Zan. 39:8-10) Është e qartë se Jozefi e dinte si do të vepronte që para se ta tundonte ajo grua. Ja pse e pati më të lehtë kur hasi realisht atë tundim.

14. Si mund të mësojmë t’u themi «jo» gjërave të gabuara?

14 Si mund të shfaqësh po atë vendosmëri si Jozefi përballë tundimeve? Duke e vendosur tani se çfarë do të bësh po të hasësh një tundim. Mëso t’u thuash «jo» menjëherë gjërave që Jehovai i urren, duke mos i lejuar vetes as t’i bluash në mendje. (Psal. 97:10; 119:165) Kështu do të qëndrosh i palëkundur përballë çdo tundimi. Do ta kesh të qartë që më parë se çfarë do të bësh. Do ta kesh ndarë mendjen se si do të veprosh.

15. Si mund ta tregosh se po ‘e kërkon me ngulm’ Jehovain? (Hebrenjve 11:6)

15 Mbase je i sigurt se ke gjetur të vërtetën dhe dëshiron t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër, por ende ngurron t’i kushtohesh e të pagëzohesh. Pse të mos imitosh shembullin e mbretit Davidit? Mund t’i përgjërohesh Jehovait: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më shqyrto dhe njihi mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më pri në udhën e përjetësisë.» (Psal. 139:23, 24) Lutje të tilla tregojnë se po kërkon ndihmën e Jehovait dhe se po përpiqesh ta arrish synimin që të kushtohesh e të pagëzohesh. E Jehovai i bekon ata «që e kërkojnë me ngulm».—Lexo Hebrenjve 11:6.

VAZHDO TË AFROHESH ME JEHOVAIN

16-17. Si mund t’i tërheqë Jehovai ata që po rriten në të vërtetën? (Gjoni 6:44)

16 Jezui tha se dishepujt e tij i tërheq Jehovai. (Lexo Gjonin 6:44.) Mendo pak sa gjë e mahnitshme është kjo dhe çfarë nënkupton për ty personalisht. Jehovai vëren diçka të mirë te çdo person që tërheq drejt vetes. E sheh atë njeri si ‘pronën e tij të veçantë’ ose si ‘zotërimin e tij të çmuar’. (Ligj. 7:6; shën.) Kështu të sheh edhe ty.

17 Po nëse je një i ri që i ke prindërit Dëshmitarë? Ndoshta mendon se thjesht po bën gjërat që bëjnë ata. Gjithsesi, Bibla thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jak. 4:8; 1 Kron. 28:9) Kur ti merr iniciativën të afrohesh me Jehovain, ai përgjigjet duke t’u afruar. Jehovai nuk të sheh thjesht si pjesë të një grupi. Ai e tërheq çdo njeri individualisht, duke përfshirë edhe secilin nga ata që po rriten në të vërtetën. Pra, kur merr iniciativën t’i afrohesh Jehovait, edhe ai të afrohet, siç tregon Jakovi 4:8.—Krahaso 2 Selanikasve 2:13.

18. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër? (Psalmi 40:8)

18 Kur i kushtohesh Jehovait dhe pagëzohesh, pasqyron qëndrimin e Jezuit. Ai u paraqit me gatishmëri para Atit të tij për të bërë çfarëdo që t’i kërkonte. (Lexo Psalmin 40:8; Hebr. 10:7) Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë çfarë do të të ndihmojë që të vazhdosh t’i shërbesh me besnikëri Jehovait pas pagëzimit.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Çfarë do të thotë t’i kushtohesh Jehovait?

  • Si të nxit mirënjohja t’ia kushtosh jetën Jehovait?

  • Çfarë do të të ndihmojë të mos kryesh ndonjë mëkat serioz?

KËNGA 38 Jehovai të jep fuqi

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo