Si ishte bota 50 vjet më parë?
A JENI aq të rritur sa të kujtoni si ishte bota në 1945-ën? Sa po fillonte të merrte veten nga Lufta II Botërore, që filloi në 1939-ën, në kohën kur Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë, për shkak të pushtimit të Polonisë nga nazizmi. Nëse jeni shumë i ri për të kujtuar këtë, a ju kujtohet lufta që shpërtheu në Kore në vitin 1950? Apo lufta në Vietnam, që zgjati që nga vitet ’50 deri në 1975-ën? Apo luftën në Kuvajt, të shkaktuar nga Iraku në 1990-ën?
A nuk ju duket domethënëse se kur hedhim shikimin pas në histori deri në periudhën e Luftës II Botërore, duhet të kujtojmë edhe shumë luftëra të tjera që kanë shkaktuar mjerim dhe vuajtje për miliona njerëz dhe kanë shkatërruar jetën e miliona të tjerëve? Çfarë trashëgimie u la njerëzve Lufta II Botërore pas mbarimit të saj?
Pasojat e Luftës II Botërore
Lufta II Botërore la rreth 50 milionë të vrarë dhe në 1945-ën miliona refugjatë endeshin nëpër Evropë, duke u përpjekur të ktheheshin pranë familjeve të tyre në zonat dhe qytetet e rrënuara nga bombat dhe të rinisnin jetën e tyre të shkatërruar. Qindra mijëra gra e vajza, veçanërisht në Rusi dhe në Gjermani, përpiqeshin të kalonin traumën e përdhunimit nga duart e armiqve pushtues. Në pjesën më të madhe të Evropës mbizotëronin triskat: ushqimi dhe veshja ishin të pamjaftueshme. Qindra mijëra ushtarë të demoralizuar kërkonin punë. Miliona vejusha dhe jetimë vajtonin humbjen e burrave dhe të baballarëve.
Hebrenjtë përpiqeshin akoma të kapërdinin realitetin e Holokaustit që shfarosi miliona hebrenj të tjerë dhe mundësinë për t’u dhënë jetë brezave të ardhshëm. Miliona njerëz nga Amerika, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe nga shumë kombe të tjera, vdiqën në atë luftë. Mundësia për të sjellë pasardhës me talente dhe me aftësi të ndryshme kishte humbur, për të përkrahur interesat politike dhe tregtare të fuqive botërore dhe të sundimtarëve të tyre.
Shumë vende morën një goditje kaq të fortë nga Lufta II Botërore, sa iu desh t’i kushtonin rëndësi të parë shërimit ekonomik. Për disa vite me radhë pas luftës, në Evropë mbizotëronte mungesa e ushqimit. Spanja, megjithëse qëndroi zyrtarisht neutrale gjatë Luftës II Botërore, ishte prekur thellë nga lufta e saj civile (1936-39) dhe nga embargot tregtare; triskat e ushqimeve ishin akoma në përdorim deri në qershor 1952.
Në Lindjen e Largët, kujtimi i mizorive japoneze ishte akoma i freskët në mendjet e viktimave në Birmani, në Kinë, në Filipine dhe në vende të tjera të Lindjes. Shtetet e Bashkuara, megjithëse një komb fitues, vuajtën humbjen e 300.000 ushtarëve, nga të cilët rreth gjysma vdiqën në zonat luftarake të Paqësorit. Në Japoni, varfëria, turbekulozi dhe radhët e gjata për të marrë racionin e ushqimit, ishin rrisku i popullsisë qytetare.
Thirrja e Çurçillit për t’u hedhur në veprim
Në fjalimin e tij para popullit britanik më 13 maj 1945, për të kremtuar fitoren në përfundim të Luftës II Botërore në Evropë, Kryeministri Uinston Çurçill, deklaroi: «Do të doja t’ju thosha sonte se të gjitha sfilitjet dhe shqetësimet tona morën fund. . . . Duhet t’ju paralajmëroj . . . se ka akoma shumë për të bërë dhe se duhet të jeni të përgatitur për përpjekje të mëtejshme në mendje dhe në trup dhe për sakrifica të mëtejshme për çështje të mëdha.» Me largpamësi, duke parashikuar përhapjen e komunizmit, ai tha: «Në kontinentin evropian, duhet akoma të sigurohemi se . . . fjalëve ‘liri’, ‘demokraci’ dhe ‘çlirim’, nuk u shtrembërohet domethënia e tyre e vërtetë siç e kemi kuptuar ne.» Më pas, bëri një ftesë nxitëse: «Përpara, sypatrembur, të patundur, të pamposhtur, derisa të çohet në fund kjo detyrë dhe e gjithë bota do të jetë e sigurt dhe e pastër.»—Kursivi është yni.
Gjysmë shekulli konfliktesh dhe vdekjesh
Në një fjalim në vitin 1992, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Butros Butros-Gali, pranoi se «që nga formimi i Kombeve të Bashkuara në 1945-ën, mbi 100 konflikte të rënda në të gjithë botën kanë lënë rreth 20 milionë të vdekur». Duke cituar një numër edhe më të lartë vdekjesh, një revistë deklaroi: «Ky ka qenë shekulli me më pak paqe në të gjithë historinë.» (World Watch) I njëjti burim citon një studiues, kur thotë: «Në këtë shekull janë vrarë në luftë më shumë njerëz se në të gjithë historinë e mëparshme njerëzore. Rreth 23 milionë e këtyre vdekjeve janë shkaktuar pas Luftës II Botërore.»
Megjithatë, një e përjavshme raportonte akoma një tjetër vlerësim: «Që nga përfundimi i Luftës II Botërore, në të gjithë botën janë kryer rreth 160 luftëra, që kanë përfunduar në më shumë se 7 milionë të vrarë në fushën e betejës, si dhe 30 milionë qytetarë të vdekur. Përveç këtyre, ka pasur të plagosur, gra të përdhunuara dhe refugjatë.» (The Washington Post) Gjithë kjo, pa numëruar miliona viktima të krimeve të dhunshme gjatë 50 vjetëve të fundit në mbarë tokën.
Në 1995-ën, kanë ndodhur konflikte vdekjeprurëse të ndezura nga urrejtja e zjarrtë, që nuk kanë vrarë vetëm ushtarët që kanë bërë kontratën e vdekjes së mundshme, por edhe mijëra civilë në Afrikë, në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Rusi.
A mund të themi, atëherë, se 50 vjet nga 1945-a, «e gjithë bota është e sigurt dhe e pastër»? Çfarë hapash përpara ka bërë njerëzimi për ta kthyer tokën në një vend të përshtatshëm dhe të sigurt për të jetuar? Çfarë kemi mësuar gjatë këtyre 50 vjetëve? A ka përparuar njerëzimi në gjërat që janë vërtet të rëndësishme, si vlerat, morali dhe etika? Dy artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Një artikull i katërt do të trajtojë perspektivën e ardhshme për të gjithë ne banorët e katundit global.
[Kutia në faqen 4]
Kujtime të epokës pas Luftës II Botërore
Një anglez, që tani është afër të gjashtëdhjetave, kujton: «Nga fundi i viteve ’40 nuk kishim televizorë nëpër shtëpi. Shtysa kryesore e imagjinatës sonë ishte radioja. Shkoja akoma në shkollë, prandaj studimi dhe detyrat e shtëpisë ma mbanin mendjen të zënë. Shkoja në kinema, ndoshta një herë në muaj. Të shtunave bëja disa kilometra me biçikletë për të parë skuadrën time të preferuar të futbollit. Ishin relativisht të pakta familjet që mund të paguanin makinën apo telefonin. Ashtu si miliona njerëz të tjerë në Britani, nuk kishim një dhomë për ta përdorur vetëm për banjo. WC-ja ishte jashtë dhe vaska ishte në kuzhinë, e cila shërbente edhe si banjo. Gjatë luftës mbijetuam duke ngrënë ushqime të dehidratuara: pluhur veze, qumështi dhe patatesh. Frutat, si portokallet dhe bananet, ishin luks që e kishe në dorë me raste. Kur vinin në dyqanin e fruta-perimeve, të gjithë nxitonin të zinin radhën e të merrnin racionin që u takonte. Shumë gra duhej të punonin në fabrikat e municionit. Njerëzve atëherë nuk u shkonin ndër mend ndryshimet e pabesueshme që i prisnin: botën e televizorit, të videos, të kompjuterëve, të kiberhapësirës, të komunikimeve me faks, të fluturimeve në hapësirë dhe të inxhinierisë gjenetike.»