Një vështrim mbi disa kopshte të famshme
PËRVOJA njerëzore me parajsën filloi në një kopsht të vendosur në zonën e quajtur Eden, ka të ngjarë pranë liqenit Van, në Turqinë e sotme. Një lumë që degëzohej në katër lumenj ujiste kopshtin për Adamin dhe Evën, të cilët duhej «ta kultivonin dhe të kujdeseshin për të». Ç’kënaqësi do të ishte të mirëmbaje një kopsht, në të cilin «çdo pemë e dëshirueshme për t’u parë dhe e mirë për ushqim» ishte me bollëk!—Zanafilla 2:8-15, BR.
Edeni ishte një banesë e përsosur. Adami, Eva dhe pasardhësit e tyre duhej t’i shtrinin kufijtë e tij, pa dyshim duke përdorur si model projektin e përkryer origjinal të Perëndisë. Me kalimin e kohës, e gjithë toka do të bëhej një parajsë e mbushur në mënyrë të rehatshme me njerëz. Por mosbindja me vullnet e prindërve tanë të parë, çoi në dëbimin e tyre nga ky vend i shenjtë. Mjerisht, të gjithë personat e tjerë të familjes njerëzore u lindën jashtë kësaj banese në Eden.
Megjithatë, Krijuesi e kishte projektuar njerëzimin për të jetuar në Parajsë. Prandaj, ishte e natyrshme që brezat e ardhshëm do të bënin përçapje, për ta rrethuar veten me imitime të Parajsës.
Kopshte të hershme
Kopshtet e Varura të Babilonisë kanë qenë nderuar si një nga mrekullitë e botës së lashtë. Ato ishin ndërtuar nga mbreti Nabukodonosor më shumë se 2.500 vjet më parë për gruan e tij medianite, të cilën e digjte malli për pyjet dhe kodrat e vendlindjes së saj. Kjo strukturë shkallë-shkallë 22 m e lartë, me kube të harkuara, e mbjellë e gjitha dendur, kishte mjaft dhè për të ushqyer pemë të mëdha. Mbretëresha e përmalluar mbase është ngushëlluar, tek shëtiste nëpër këtë zonë brezaresh të ngjashme me Edenin.
Lugina pjellore e Nilit, në Egjipt, spikaste në ushtrimin e kopshtarisë për të krijuar peizazhe. «Egjipti,—thotë The Oxford Companion to Gardens,—është burimi i pikturave më të hershme të botës për kopshtet dhe vendndodhja e . . . një tradite jashtëzakonisht të gjatë kopshtarie.» Një plan peizazhi i një kopshti, që i përket një zyrtari egjiptian në Thebes, i cili daton diku rreth vitit 1400 p.e.s., paraqet pellgje, shëtitore me pemë anash dhe pavijone. Pas kopshteve mbretërore, më të harlisurat ishin kopshtet e tempullit, me korijet e tyre, lulet dhe erëzat, të cilat vaditeshin nga kanale që dilnin prej pellgjeve dhe liqeneve që gëlonin nga shpendët e ujit, peshqit dhe zambakët e ujit.—Krahaso Eksodin 7:19.
Edhe persët lanë një gjurmë të hershme në botën e kopshteve. Kaq magjepsëse ishin kopshtet e Persisë dhe të Egjiptit, sa kur ushtritë pushtuese të Aleksandrit të Madh u kthyen në Greqi, në shekullin e katërt p.e.s., vajtën të furnizuar mirë me farëra, bimë dhe ide. Në Athinë, Aristoteli dhe Teofrati grumbulluan gjithë inventarin në rritje të florës dhe bënë një kopsht botanik, për të studiuar dhe klasifikuar bimët. Shumë grekë të pasur, njësoj si egjiptianët dhe persët përpara tyre, kishin kopshte me tepri.
Banorët e qytetit romak bashkuan shtëpi e kopshte bashkë në hapësirën e kufizuar të qytetit. Të pasurit ndërtuan parqe spektakulare të këndshme në vilat e tyre në fshat. Edhe tirani Neron donte të kishte Edenin e tij e për këtë arsye dëboi pa mëshirë qindra familje, shembi shtëpitë e tyre dhe bëri një park privat me një sipërfaqe mbi 50 ha rreth e përqark pallatit të tij. Më vonë, rreth vitit 138 të e.s., peizazhi romak arriti kulmin e tij në vilën e perandorit Adrian, në Tivoli. Vila kishte 243 ha parqe, pellgje uji, liqene dhe shatërvanë.
Edhe izraelitët e lashtë kishin kopshte dhe parqe. Historiani jude, Jozefi, shkruan për parqet e këndshme plot përrenj në një vend të quajtur Etam, gati trembëdhjetë deri gjashtëmbëdhjetë km larg nga Jerusalemi. Parqet e Etamit mund të kenë qenë mes ‘kopshteve, parqeve, pellgjeve dhe pyjeve’, për të cilat Bibla thotë se Solomoni ‘i bëri për vete’. (Predikuesi 2:5, 6) Sapo del nga Jerusalemi, në Malin e Ullinjve, gjendej Kopshti i Getsemanisë, i cili u bë i famshëm nga Jezu Krishti. Këtu, Jezui gjeti një strehë, ku mund të mësonte qetësisht dishepujt e tij.—Mateu 26:36; Gjoni 18:1, 2.
Nga kopshtet arabe në kopshtet angleze
Kur ushtritë arabe u përhapën në shekullin e shtatë të e.s. nga lindja në perëndim, edhe ata, ashtu si Aleksandri, u ranë kryq e tërthor kopshteve të Persisë. (Krahaso Esterën 1:5.) «Arabëve,—shkruan Houard Lokston,—iu dukën kopshtet e Persisë shumë të ngjashme me parajsën, që i ishte premtuar të besueshmit në Kuran.» Ngjashëm modelit të tij pers, kopshti tipik arab nga Spanja e morëve e deri në Kashmir, ishte i ndarë në katër pjesë nga katër rrjedha uji që bashkoheshin në qendër nga një pellg apo shatërvan, rrjedha këto që të kujtojnë katër lumenjtë e Edenit.
Në Indinë veriore, pranë liqenit Del që ndodhet në luginën e bukur të Kashmirit, sundimtarët mogul të shekullit të 17-të mbollën më shumë se 700 kopshte parajsore. Këto formuan një paletë marramendëse ngjyrash, të ndërprera nga qindra shatërvanë, brezare dhe ujëvara. Pavijonet e ndërtuara me mermer të zi në bregun e liqenit Del nga Shah Jahan (ndërtuesi i Taj Mahalit), mbajnë ende mbishkrimin: «Nëse ekziston parajsa në faqen e dheut, ajo është këtu, këtu, këtu.»
Pak shekuj më parë, Evropa kaloi nga Epoka e Mesjetës në shekullin e 14-të të Rilindjes. Tradita romake e kopshtarisë e shkelur me këmbë me ardhjen e Epokës së Mesjetës në shekullin e pestë të e.s., filloi të lulëzonte sërish dhe këtë herë nën sundimin e kishës. I ashtuquajturi krishterim e shihte kopshtin si një ‘parajsë provizore’. Një plan manastiri i shekullit të nëntë paraqet dy kopshte me etiketën «Parajsë». Shpejt kopshtet e të ashtuquajturit krishterim u bënë më të mëdhenj e më madhështorë, por në vend se të pasqyronin idealet frymore, shumë prej tyre u bënë simbole të pushtetit e të pasurisë.
Kur Karli VIII i Francës pushtoi Napolin e Italisë, në 1495-n, ai i shkroi familjes së vet: «Nuk do t’u besonit syve, po të shihnit se ç’kopshte të bukura kam në këtë qytet . . . Duket sikur mungon vetëm Adami dhe Eva, për ta kthyer atë në një parajsë tokësore.» Por, sikur Karli të kishte jetuar në shekullin e 17-të, do të kishte parë në tokën franceze kopshtet e pamata të mbretit Luigji XIV. Libri The Garden pohon se kopshtet e Pallatit të Versajës «mund të quhen ende si më të gjerat dhe më të mëdhatë e botës».
Por Rilindja pati një përcaktim të ri për parajsën, sipas të cilit natyra duhet të jetë e nënshtruar ndaj njeriut të ndriçuar, i cili duhet të imponojë rregullin në kopsht, duke e spastruar nga çdo egërsi. Pemët dhe lulet ishin rregulluar të gjitha sipas konfiguracioneve të përpikta gjeometrike. Në këtë mënyrë, krasitja e hershme romake, arti i dhënies formë pemëve dhe shkurreve, duke u prerë majat dhe duke i rritur sipas një forme të caktuar, pati një rigjallërim mahnitës.
Më pas, në shekullin e 18-të dhe të 19-të, eksplorimet bregdetare dhe tregtia zbuluan bimë dhe koncepte të reja kopshtarie për botën perëndimore. Anglia filloi të nxirrte në dukje projektimin e kopshtit. «Në Anglinë e shekullit të 18-të,—thotë The New Encyclopædia Britannica,—njeriu u bë gjithnjë e më i vetëdijshëm për botën natyrore, pjesë e së cilës ishte edhe ai. Në vend se të impononte rregullin e vet gjeometrik mbi botën natyrore, ai nisi të mbante parasysh se si t’ia përshtaste jetën e vet asaj.» Njerëz si Uilliam Kent dhe Lansëlët Braun u shquan në krijimin e peizazheve. Braun projektoi më shumë se dyqind çifligje në Angli. Dy burra, të cilët u bënë presidentë të Shteteve të Bashkuara, Tomas Xheferson dhe Xhon Adams, në 1786-n vizituan Anglinë për të studiuar kopshtet angleze.
Peizazhet e lindjes
Tradita kineze e kopshtarisë është për qytetërimin lindor, siç janë traditat e Egjiptit, të Greqisë dhe të Romës për qytetërimin perëndimor. Fillimisht kinezët praktikonin një fe animiste, në të cilën lumenjtë, shkëmbinjtë dhe malet shiheshin të gjitha si shpirtra të materializuar e për këtë arsye duheshin respektuar. Pas saj, taoizmi, konfucianizmi dhe budizmi përfshinë gjithë vendin dhe sollën format e veta të kopshtit.
Në anën tjetër të detit të Japonisë, kopshtet japoneze zhvilluan stilin e tyre, sipas të cilit forma ka përparësi mbi ngjyrën dhe çdo artikull ka vendin e vet të përcaktuar. Në përpjekje për të paraqitur në një zonë të kufizuar estetikën dhe shumëllojshmërinë e natyrës, kopshtari i vë shkëmbinjtë e tij me kujdes dhe mbjell e rrit kopshtin e tij, duke u përqendruar edhe në vogëlsira. Kjo gjë është e dukshme në bonsai (që do të thotë «bimë në saksi»), arti i dhënies formë të një miniature të një peme apo ndoshta i një zabeli pemësh në formën dhe përmasat e sakta.
Ndonëse stili i tij mund të ndryshojë nga ekuivalentët e vet perëndimorë, edhe kopshti lindor pasqyron një dëshirë të zjarrtë për Parajsën. Për shebumll, sipas asaj që shkruan historiani japonez për kopshtet, Uibe Kaitert, gjatë periudhës Heiane në Japoni (794-1185), kopshtarët mundoheshin të ngjallnin atmosferën e një «parajse në tokë».
Një dashuri universale
Duke përfshirë edhe fiset gjahtare, që jetonin në kopshte «natyrore», si xhungla, pyje dhe kullota, dashuria për kopshtin është universale. Lidhur me «actekët e Meksikës dhe inkasit e Perusë,—thotë Britannica,—konkuistadorët raportonin për kopshte të përpunuara për bukuri me kodra të tarracuara, korije, shatërvanë dhe pellgje zbukuruese . . . jo të ndryshme nga kopshtet bashkëkohore të Perëndimit».
Po, korijet e hershme përgjatë Nilit, peizazhet e Lindjes e deri tek parqet e qyteteve moderne dhe kopshtet botanike: çfarë zbulojnë të gjitha këto? Dëshirën e zjarrtë për Parajsën. Duke vërejtur këtë qëndresë në «nostalgjinë për Parajsën», shkrimtari Teri Komito tha: «Kopshtet janë vende, në të cilat njerëzit ndihen si në shtëpinë e tyre.» Kush do të ishte ai që nuk do të qe i kënaqur duke thënë, «shtëpia ime është si kopshti i Edenit»? Por, a është Edeni global vetëm një ëndërr dhe jo vetëm për të pasurit? Apo është një siguri e së ardhmes?
[Figura në faqen 7]
Koncepti i artistit për Kopshtet e Varura të Babilonisë
[Figura në faqen 7]
Një kopsht klasik në Japoni
[Figura në faqen 7]
Versajë, Francë
Gjatë historisë, njerëzit kanë pasur një dëshirë të zjarrtë për Parajsën
[Burimi]
Zyra qeveritare e turizmit për Francën/Rozin Mazë