Osteoporoza: Sëmundja e ‘kockave të brishta’
«Osteoporoza është një gjendje, në të cilën sasia e indit kockor është kaq e ulët, sa kockat thyhen lehtë edhe kur ushtrohet një forcë minimale. Personi që vuan nga osteoporoza mund të thyejë një kyç apo kyçin e kockës së legenit, nga një rrëshqitje në akull apo mund të thyejë një brinjë nga një përqafim i përzemërt. . . . Në fakt, sasia e indit kockor mund të jetë kaq e ulët, saqë personi thyen shtyllën kurrizore vetëm duke mbajtur peshën e trupit të vet.»—“Osteoporosis—A Guide to Prevention & Treatment,” nga Xhon F. Aloia, M.D.
A VUANI nga osteoporoza? Ky çrregullim i dobësimit të kockës është i zakonshëm tek gratë pas periudhës së menopauzës. Megjithatë, ai mund të zhvillohet edhe tek gratë e një moshe më të re, si edhe tek burrat. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA, osteoporoza prek «një numër prej 15-20 milionë individësh në Shtetet e Bashkuara». Çdo vit në Shtetet e Bashkuara, osteoporoza fajësohet për rreth 1,3 milionë fraktura tek personat e moshës 45 vjeç e lart, gjë që kushton 3,8 miliardë dollarë amerikanë çdo vit.
Health Tips, një botim i Fondacionit për Edukimin dhe Kërkimin Mjekësor, në Kaliforni, shpjegon: «Megjithëse simptomat e osteoporozës janë më të dukshme në moshë të thyer, procesi i dobësimit të kockave faktikisht fillon 30-40 vjet para se të ndodhë fraktura e parë. Pas moshës 35 vjeç, si tek burrat, ashtu edhe tek gratë, fillon të pakësohet indi kockor. Ndërsa kockat bëhen më të lehta dhe më të dobëta, thyerjet mund të ndodhin më me lehtësi dhe mund të shërohen ngadalë, pasi trupi nuk është në gjendje të formojë një kockë të re, aq me lehtësi si më parë. Shkaku i saktë i osteoporozës nuk dihet, por pamjaftueshmëria e kalciumit dhe e vitaminës D në dietë, nivelet e pakësuara të estrogjenit tek gratë dhe ushtrimet e pamjaftueshme mund t’i kontribuojnë të gjitha zhvillimit të saj.»
Libri Understanding Your Body—Every Women’s Guide to a Lifetime of Health vëren se një nga simptomat më të zakonshme që shoqërohen me menopauzën, është humbja e forcës së kockës. Ai thotë: «Osteoporoza, fjalë për fjalë kockat poroze, është një problem shëndetësor i zakonshëm dhe i rëndësishëm për gratë pas menopauzës.»
Kërkimet sugjerojnë se osteoporoza mund të jetë, si e parandalueshme, ashtu edhe e kurueshme. Një masë parandaluese është të siguruarit se trupi ka sasinë e duhur të kalciumit bashkë me vitaminën D, e cila është thelbësore për thithjen e kalciumit. Një tjetër masë parandaluese është ushtrimi i rregullt për mbajtjen e peshës së trupit, si ecja apo vrapimi i lehtë.
Dr. Karol E. Gudman u shpreh kështu në Geriatrics: «Duhet rekomanduar ndreqja e qëndrimit dhe ushtrimet përforcuese dhe duhet të jemi po aq të vëmendshëm ndaj hollësive lidhur me këto rekomandime, sa ç’jemi edhe për ato të drogës. Një program ideal ushtrimesh për një pacient të vjetër osteoporotik mund të jetë i lehtë për t’u kuptuar, i thjeshtë për t’u kryer dhe i sigurt.»
Ndonëse osteoporoza nuk mund të kurohet, po vihen në dispozicion ilaçe të reja për të. Për më tepër, ajo mund të parandalohet me anë të një diete të duhur të të ushqyerit, ushtrimeve të përshtatshme dhe për disa me terapinë e zëvendësimit të hormoneve. Për të qenë më të efektshme, këto masa duhen marrë para se të fillojë rënia e indit kockor dhe duhen vazhduar për gjithë jetën.
[Kutia në faqen 17]
Mbrojtja nga osteoporoza
1. Kalcium
2. Vitaminë D
3. Rreze dielli
4. Qëndrim i mirë i trupit
5. Masa paraprake të kujdesit për kurrizin
6. Ushtrime
7. Mospirja e duhanit
[Kutia në faqen 17]
Kalciumi në ushqimet e zakonshme
Kalciumi në ushqim (miligramë)
Qumështi i payndyrshëm, 250 g 300
Djathi që shkrihet, 2,5 cm3 130
Kosi, 250 g 300
Mishi i lopës, i pulës, i peshkut, 170 g 30-80
Salmoni i konservuar, 85 g 170
Buka, gruri, orizi, 250 g 20-50
Tofu (gjizë soje), 100 g 150
Bajamet, 125 g 160
Arrat, 125 g 50
Brokoli (lulelakër jeshile), 1 kërcell, 150
Spinaqi, 250 g 200
Gjethet e rrepës, 250 g 250
Shumica e perimeve të tjera, 250 g 40-80
Kajsitë e thata, 250 g 100
Hurmat e arabisë pa bërthamë, 250 g 100
Raven, 250 g 200
Shumica e frutave të tjera, 250 g 20-70
Nga libri Të njihni trupin tuaj (Understanding Your Body), botuar në anglisht nga Felisha Stjuart, Geri Stjuart, Felisha Gest dhe Robert Hatçer, faqe 596.
[Kutia në faqen 17]
Disa faktorë të rrezikut të osteoporozës
Faktorët e trashëgimisë
Femër
Jo zezake
Origjina evropiano-veriore
Lëkura e bardhë
Eleganca
E shkurtër (157 cm apo më pak)
Faktorët e mënyrës së jetesës
Rrezet e diellit jashtë më pak se tri orë në javë.
Marrja e një sasie të pakët kalciumi
Sasi e lartë kafeine dhe/ose fosfati
Ilaçe
Kundëracide që përmbajnë alumin
Tiroide ose levotiroksinë
Steroide (kortizon)
Difedan (kurë e zgjatur)
Furosemide (diuretike)
Probleme mjekësore
Menopauza e hershme ose e parakohshme
Amenorrea (mungesë menstruacionesh)
Anoreksi nervore
Hipertiroide (tiroide e tepërt)
Sëmundja e veshkave apo e gurit në veshka
Diabeti
Mungesa e fermentit laktazë (intoleranca e qumështit)
Sëmundjet e zorrëve (koliti, ileiti)
Alkoolizmi
Qëndrimi në shtrat ose palëvizshmëria për më shumë se tri javë
Reumatoide artrite