Evolucioni nuk është një fakt
Sondazhet tregojnë se shumë amerikanë besojnë që njerëzit e parë u krijuan drejtpërdrejt nga Perëndia dhe jo me anë të një procesi evolimi nga format primitive të jetës. Por, atëherë, përse kaq shumë mësues të shkencës në Amerikë mësojnë evolucionin e rastësishëm e të pamend si një fakt? Filip E. Xhonson, profesor ligji në Universitetin e Kalifornisë në Barklej, thotë se një arsye është që «fondamentalistët darvinistë . . . kontrollojnë fakultetet e shkencës në shumë universitete».
Xhonson thekson: «Në disa raste profesorëve të biologjisë u është ndaluar t’u thonë studentëve se ekzistojnë arsye për të dyshuar në pohimin se proceset e paqëllimshme materiale mundën dhe krijuan mrekullitë e biologjisë.»
Shkencëtari dhe inxhinieri Mërfi O’Dein, vëren: «Në vend se ta hedhin tej një teori që nuk u qëndron fakteve, tendenca e ‘shkencës evolucioniste’ është bërë një deklaratë e besimit se ‘evolucioni duhet të jetë i vërtetë’.» Dëshmitë kontradiktore dhe mungesa e dëshmive ose injorohen, ose nuk shpjegohen.
Pse? Majkëll Bihi, biolog molekular, thotë në librin Darwin’s Black Box: «Shumë njerëz, duke përfshirë edhe shumë shkencëtarë të rëndësishëm e të respektuar, thjesht nuk duan që të ekzistojë diçka përtej natyrës. Ata nuk duan që një qenie mbinjerëzore të ndikojë mbi natyrën.» Por shkenca e vërtetë nuk i shpërfill dëshmitë kontradiktore, me qëllim që të përkrahë idetë e parapëlqyera. E as të gjithë shkencëtarët nuk i besojnë evolucionit.
Revista braziliane Veja e pyeti Karlo Rubian, fituesin e çmimit Nobel për fizikën: «A beson te Perëndia?» Edhe pse nuk njohu se ekziston një Perëndi si person, ai pranoi: «Sa më shumë ta vëzhgosh natyrën, aq më shumë percepton se ka një organizim tronditës në të gjitha gjërat. Është një inteligjencë kaq e madhe saqë vetëm duke vëzhguar fenomenet natyrore unë arrita në përfundimin se ekziston një Krijues.»
Vëzhgimet e tij na sjellin në mend fjalët e apostullit Pavël në lidhje me Perëndinë: «Cilësitë e tij të padukshme shihen qartë që nga krijimi i botës, sepse ato perceptohen nga gjërat e bëra, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia.»—Romakëve 1:20, BR.