BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 10/98 f. 28-29
  • Një vështrim rreth botës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një vështrim rreth botës
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Lojëra të dëmshme kompjuteri
  • Dete të ndotura
  • Barna të falsifikuara
  • Dashuria për armë në Shtetet e Bashkuara
  • Ura më e gjatë e varur në botë
  • Bimë në rrezik
  • Infeksionet nga spitali
  • Rripat e sigurimit shpëtojnë jetë në ajër
  • Ruani elektricitetin
  • Deti i Vdekur po zhduket
  • A e kurseni apo e shpërdoroni energjinë?
    Zgjohuni!—1999
  • Një det me veti të rralla, por i vdekur!
    Zgjohuni!—2008
  • Kapërcimi i Brezit të Madh të Danimarkës
    Zgjohuni!—1999
  • Burimet e tokës po pakësohen
    Zgjohuni!—2005
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 10/98 f. 28-29

Një vështrim rreth botës

Lojëra të dëmshme kompjuteri

Një raport i agjencisë Rojter pohon se Ministria e Drejtësisë në Brazil «ka ndaluar shitjen e një loje të diskutueshme kompjuteri, në të cilën lojtarët fitonin pikë duke vjedhur makina dhe duke vrarë policë». Loja konsiderohet «e rrezikshme, sepse banalizon grabitjen e vrasjen dhe mund t’i nxitë lojtarët me moshë të re ndaj dhunës». Në vitin 1997 ministria ndaloi një lojë kompjuteri që «i shpërblente lojtarët për vrasjen e këmbësorëve, ku përfshiheshin gratë e moshuara dhe ato shtatzëna». Një zëdhënëse e Prokonit, një organizatë për të drejtat e konsumatorit, tha: «Këto lloj lojërash janë të rrezikshme dhe të dëmshme, sepse sjellin si rezultat dhunën. Fëmijët fillojnë ta konsiderojnë këtë lloj aktiviteti si një gjë normale.»

Dete të ndotura

«Peshkimi i tepërt e i pamëshirshëm, lëndët kimike helmuese dhe mbetjet radioaktive në oqeane rrezikojnë bazën e jetës në të gjithë tokën»,—raporton gazeta Nassauische Neue Presse. Sipas gazetës Kieler Nachrichten një viktimë kryesore është Deti i Zi. Ai konsiderohet një nga ekosistemet më të rrezikuara në botë, me 90 përqind të tij plotësisht pa jetë. Ujërat e zeza të papërpunuara i kanë kthyer dallgët që përplasen në brigjet e Ukrainës në një lëng me ngjyrë të gjelbër të përhimtë dhe plazhet përreth Odesës u hapën vetëm për një javë verën e kaluar. «Deti i Zi është plagosur për vdekje,—tha presidenti i Rumanisë Emil Konstantinesku.—Po ta lëmë të vdesë, duhet të përgatitemi për pasoja më të këqija nga sa mund ta imagjinojmë.» Kombet e Bashkuara e kanë shpallur vitin 1998 «Vitin ndërkombëtar të oqeanit».

Barna të falsifikuara

Le Figaro Magazine pohon: «Rreth 8 përqind e barnave të shitura në planet janë të falsifikuara.» Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sasia e ilaçeve të falsifikuara në Brazil përllogaritet 30 përqind dhe në Nigeri mendohet se ka një sasi tronditëse prej 60 përqind. Tregtia me barnat e falsifikuara është një biznes prej 300 miliardë dollarësh, ku krimi i organizuar ka një pjesë kryesore. Me gjithë përpjekjet e shoqërive farmaceutike për t’i dhënë fund kësaj tregtie, policia dhe organizatat ndërkombëtare nuk kanë gjetur zgjidhje për problemin. Në rastin më të mirë, barnat e falsifikuara mund të shërbejnë si një sugjestionues për të qetësuar, në rastin më të keq mund të jenë vdekjeprurëse. «Barnat e falsifikuara luajnë në ruletën ruse me shëndetin e të sëmurëve»,—vëren Le Figaro Magazine.

Dashuria për armë në Shtetet e Bashkuara

«Dallimet mes Amerikës [Shteteve të Bashkuara] dhe shteteve të tjera janë të qarta,—vëren The Economist.—Në vitin 1996 armët e dorës u përdorën për të vrarë dy njerëz në Zelandën e Re, 15 në Japoni, 30 në Britani, 106 në Kanada, 211 në Gjermani dhe 9.390 në Shtetet e Bashkuara.» Çdo vit në Shtetet e Bashkuara, armët e zjarrit përdoren në pothuaj gjysmë milioni të incidenteve kriminale dhe në rreth 35.000 vdekje, duke përfshirë vetëvrasjet dhe aksidentet. Megjithatë, revista pohon se njerëzit në Shtetet e Bashkuara që zotërojnë armë zjarri «duan t’i mbajnë armët, pavarësisht se sa i lartë është çmimi i mbajtjes së tyre. Në vend se të zgjedhin kontrolle më të imta, siç kanë bërë shumë vende të tjera, ata po vërshojnë në drejtimin e kundërt». Tani, 31 vendime të Shteteve të Bashkuara lejojnë që njerëzit të mbajnë armë dore të fshehura.

Ura më e gjatë e varur në botë

Ura Akashi Kaikio në Japoni, e cila lidh ishullin Auaji me qytetin e Kobes, u hap në prill dhe menjëherë hyri në librat e rekordeve si ura më e gjatë e varur në botë. «Në punimet për një dekadë, projekti prej 7,7 miliardë dollarësh ka një hapësirë prej 1.991 metrash në qendër, e matur si distanca mes dy kullave,—pohon revista Time.—Secila nga kullat, më e lartë se një ndërtesë 90-katëshe, është e pajisur me 20 mjete për kontrollimin e vibracioneve. Nëse erërat e anojnë strukturën, lavjerrësat i kthejnë kullat përsëri në vend.» Ura është projektuar edhe për t’i bërë ballë tërmeteve deri në 8 ballë të shkallës Rihter. Po të çmbështillen, kabllot e saj prej çeliku do ta rrethonin shtatë herë tokën.

Bimë në rrezik

Pas 20 vjet pune, botanistët dhe ruajtësit e ambientit përreth botës kanë nxjerrë përfundimin se 12,5 përqind e 270.000 llojeve të njohura të bimëve në botë, pra, 1 në çdo 8 lloje, janë nën kërcënimin e zhdukjes. «Nëntë nga çdo dhjetë bimë në listë rriten vetëm në një vend, duke i bërë ato veçanërisht të prekshme ndaj kushteve kombëtare ose lokale ekonomike dhe shoqërore»,—thotë The New York Times. Shkencëtarët japin dy arsye kryesore se përse bimët rrezikohen: (1) shkatërrimi në masë të madhe i zonës fshatare të vendit nga zhvillimi, prerja e drurëve dhe bujqësia, dhe (2) pushtimi nga bimët jo vendase që turren dhe nuk lënë vend për llojet vendase. Artikulli pohon se bimët «janë më thelbësore për funksionimin e natyrës» sesa gjitarët dhe zogjtë. Më tej ai thotë në lidhje me bimët: «Ato mbështetin pjesën më të madhe të jetës që mbetet, duke përfshirë jetën njerëzore, me anë të kthimit të dritës së diellit në ushqim. Ato sigurojnë lëndën e parë për shumë barna dhe magazinën gjenetike nga e cila zhvillohen shumë lloje bimësh bujqësore. Dhe ato sigurojnë bazën e peizazhit natyror, strukturën brenda së cilës ndodh çdo gjë tjetër.»

Infeksionet nga spitali

«Infeksionet e marra në spital pas një procedure mjekësore ose kirurgjike paraqesin një problem shëndetësor publik real»,—deklaron gazeta franceze Le Figaro. Vetëm në Francë, 800.000 njerëz marrin infeksione çdo vit dhe numri i vdekjeve përllogaritet 10.000. Ka disa hapa që mund ta ulin rrezikun e infektimit: dezinfektimi i dhomave para se të vijë çdo pacient i ri, kontrollimi i procedurave të sterilizimit të mjeteve dhe larja me kujdes e duarve para se të mjekohet një pacient. Me sa duket, shumë nga këto praktika shpesh lihen pas dore. Një studim i bërë në një spital në Paris zbuloi se vetëm 72 përqind e punonjësve ndihmës në spital thanë se i lanin duart rregullisht pas kontaktit me çdo pacient. Nga këta, 60 përqind i lanin duart për më pak sesa koha e duhur. Gazeta përfundon duke thënë se me statistika të zymta si këto, «duket se mbetet për t’u bërë shumë punë».

Rripat e sigurimit shpëtojnë jetë në ajër

«Siç e di çdo udhëtar me përvojë, aeroplanët mund të takojnë papritur e papandehur turbullime të rënda ajri, të cilat mund të dëmtojnë ose madje të vrasin pasagjerët. Masa e vetme e efektshme paraprake që mund të marrësh, thonë specialistët, është të vihet rripi i sigurimit në çdo kohë kur je ulur në avion. «Turbullimet në ajër të pastër janë jashtëzakonisht të vështira për t’u parashikuar, diktuar dhe shmangur»,—pohon U.S.News & World Report. Ndërkohë që shkencëtarët po kërkojnë në zhvillimin e detektorëve për të diktuar këtë turbullim, shumica e aeroplaneve tani varen nga raportet prej aeroplanëve që fluturojnë përpara në të njëjtin itinerar. Afërsisht të gjithë njerëzit e dëmtuar gjatë një turbullimi nuk kishin vënë rripin e sigurimit. Por,—përfundon artikulli,—linjat ajrore nuk e kanë gjetur dot se si t’i detyrojnë pasagjerët të vënë rripat e sigurimit.»

Ruani elektricitetin

«Njëmbëdhjetë përqind e elektricitetit të përdorur në shtëpitë dhe zyrat gjermane konsumohet nga aparatet që nuk janë në përdorim, por që janë në ‘stendby’»,—raporton buletini Apotheken Umschau. Sipas përllogaritjeve të bëra për Gjermaninë, televizorët, stereot, kompjuterët dhe aparatet e tjera elektronike që janë në «stendby» përdorin rreth 20,5 miliardë kilovat-orë elektricitet çdo vit. Kjo është më shumë sesa konsumi vjetor i elektricitetit të Berlinit, qytetit më të madh të vendit. Mund të ruhet elektriciteti dhe të kursehen paratë, duke i fikur disa aparate nga priza kur nuk i përdor, në vend se të lihen në «stendby».

Deti i Vdekur po zhduket

Deti i Vdekur, vendi më i ulët dhe më i kripur në tokë, po zhduket me të shpejtë. Në vitin 1965, sipërfaqja e Detit të Vdekur ishte 395 metra nën nivelin e detit. Tani sipërfaqja është 413 metra nën nivelin e detit dhe është shfaqur një vijë e hollë toke të thatë që e ndan detin me dysh. Hotelet që u ndërtuan buzë ujit tani janë përfundimisht në tokë të thatë. «Niveli i ujit të këtij deti po bie 80 centimetra në vit, pasi detit iu mohua rimbushja me ujë për shkak të kërkesave të njerëzve dhe të politikës,—pohon The Dallas Morning News.—Vdekja e mundshme e Detit të Vdekur sinjalizon seriozitetin e mungesës së ujit në rajon, kurse pengesat ndaj një zgjidhjeje tregojnë se sa shumë përzihen me njëri-tjetrin uji dhe paqja në Lindjen e Mesme të etur. . . . Sot, burimi kryesor për Detin e Vdekur, lumi Jordan po devijohet pothuaj plotësisht . . . nga Izraeli, Siria dhe Jordani.» Në lidhje me historinë e Detit të Vdekur, artikulli thotë: «Deri tani, historia më e gjallë është tregimi biblik se si Qytetet e Rrafshirës u vendosën në një rajon pjellor derisa Perëndia, duke u dëshpëruar nga shkeljet e tyre morale, ‘dërgoi mbi Sodomën dhe mbi Gomorën squfur dhe zjarr’ për ta kthyer në tokë të shkretë.»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo