A e kurseni apo e shpërdoroni energjinë?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI
NJË sasi energjie me vlerë afro 1 miliard dollarë, që mund të furnizojë një qytet me madhësinë e Çikagos, po shpërdorohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Në ç’mënyrë? Pajisje të tilla, si: kompjutera, makina faksi, videoregjistratorë, televizorë, aparate CD-je e madje edhe kafetiera, lihen në gjendje gatishmërie. Kjo gjë bëhet me qëllim që të funksionojnë orët e tyre, që të mbahet në punë kujtesa dhe që të mund të shfaqen informacione të regjistruara në to ose thjesht që të jenë gati për përdorim të menjëhershëm.
Është llogaritur se në Britani, energjia që harxhohet çdo vit nga mbajtja ndezur kot e këtyre pajisjeve, krijon gjysmë milioni ton gaze të efektit serrë, nëpërmjet punës së centraleve elektrike. Këto gaze lëshohen në atmosferë dhe mund të shtojnë efektet e ngrohjes globale të planetit. «Ndonëse ideologjia e mbrojtjes së ambientit pranohet gjerësisht nga konsumatorët e rinj, pak veta bëjnë lidhjen mes prodhimit të elektricitetit dhe ngrohjes së planetit»,—thuhet në gazetën The Times të Londrës.
Njerëzit në përgjithësi nuk e kuptojnë se shumë aparatura elektronike konsumojnë thuajse po aq energji në gjendje gatishmërie, sa ç’konsumojnë kur punojnë me kapacitet të plotë. Një sistem satelitor televiziv, për shembull, mund të harxhojë 15 vat kur është në punë dhe vetëm 1 vat më pak në gjendje gatishmërie. Këtu luan rol edhe projektimi jo i mirë. Një aparat CD-je që u vu në provë, harxhonte 28 vat në gjendje gatishmërie, kurse një model tjetër me tipare të ngjashme harxhonte vetëm 2 vat. Por tani është projektuar një qark i ri kompjuterik që, siç pohohet, mund ta zvogëlojë konsumimin e energjisë gjatë gjendjes së gatishmërisë nga 10 vat në 1 vat ose madje në vetëm 0,1 vat. Shpresohet që në luftën e vazhdueshme kundër ndotjes, fabrikantët përreth botës ta përdorin përfundimisht këtë qark, që kushton 2,50 dollarë, si pjesë standarte të aparaturave. Por ç’mund të bëjmë ndërkohë?
Ministri britanik i mjedisit vëren: «Sasia e elektricitetit që harxhon çdo pajisje mund të duket fare e vogël. Por ngaqë në këta ishuj [Britani] jemi 60 milionë njerëz, ajo arrin në një sasi goxha të madhe.» Pajisje shtëpiake të tilla, si frigoriferët është fare e qartë që nuk mund të hiqen nga priza. Por është mirë që të bëhet zakon fikja e dritave që nuk nevojiten dhe fikja e pajisjeve të tjera, në vend që të lihen në gjendje gatishmërie. Kjo gjë jo vetëm që do të kursejë paratë tona, por edhe do të ndihmojë që planeti ynë të kursehet nga ndotja e panevojshme.