BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 12/98 f. 19-22
  • Dekreti i Nantës: Një Kartë që garanton tolerancën?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Dekreti i Nantës: Një Kartë që garanton tolerancën?
  • Zgjohuni!—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Evropa e copëtuar nga luftërat
  • Politika e paqes
  • «Një Kartë e të drejtave a la Française»
  • Sa tolerues ishte Dekreti?
  • Rrjedhime të rëndësishme
  • Lidhja me kohën e sotme
  • Çështje që përfshihen
  • Ikja e hygënotëve drejt lirisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Liria fetare—Bekim apo mallkim?
    Zgjohuni!—1999
  • Intoleranca fetare sot
    Zgjohuni!—1999
  • A i detyrojnë Dëshmitarët e Jehovait njerëzit të ndryshojnë fenë?
    Pyetje që bëhen më shpesh për Dëshmitarët e Jehovait
Shih më tepër
Zgjohuni!—1998
g 12/98 f. 19-22

Dekreti i Nantës: Një Kartë që garanton tolerancën?

«KJO gjë më torturon»,—protestoi papa Klementi VIII në vitin 1598, pasi mori vesh nënshkrimin e Dekretit të Nantës nga Henri IV, mbret i Francës. Katërqind vjet më vonë, në vend se të shkaktojë mëri dhe kundërshtim, dekreti po përkujtohet si një akt tolerance dhe si një nga hapat e rëndësishëm drejt garantimit të të drejtave fetare për të gjithë. Çfarë ishte Dekreti i Nantës? A ishte vërtet një Kartë që garantonte tolerancën? Dhe çfarë mund të mësojmë prej tij sot?

Evropa e copëtuar nga luftërat

Evropa e shekullit të gjashtëmbëdhjetë ishte e karakterizuar nga mostoleranca dhe nga luftërat gjakatare fetare. «Kurrë më përpara shekullit të 16-të mësimi i Krishtit, ‘Kini dashuri mes njëri-tjetrit’ nuk ishte vënë në lojë kaq shumë nga ithtarët e tij»,—vëren një historian. Disa vende, si Spanja dhe Anglia, i përndoqën pa mëshirë pakicat fetare. Vende të tjera, si Gjermania, adoptuan parimin «Cuius regio, eius religio», që do të thoshte se ai që qeveriste një territor, vendoste fenë e tij. Kushdo që nuk ishte dakord me zgjedhjen fetare të sundimtarit ishte i detyruar të largohej nga zona. Lufta shmangej duke i mbajtur larg fetë, duke bërë pak ose aspak përpjekje për një bashkekzistencë fetare.

Franca zgjodhi një rrugë tjetër. Nga ana gjeografike, ajo gjendej mes Evropës Veriore, ku mbizotëronte protestantizmi dhe Evropës Jugore, e cila ishte katolike. Nga mesi i viteve 1500, protestantët ishin bërë një pakicë domethënëse në këtë vend katolik. Këtë ndarje e karakterizuan një seri luftërash fetare.a Traktate të shumta paqeje ose ‘Dekrete për të paqësuar trazirat’, siç u quajtën ato, nuk e realizuan dot bashkëjetesën paqësore fetare. Pse Franca zgjodhi një rrugë tolerance në vend se të imitonte fqinjët e saj evropianë?

Politika e paqes

Mendimi se paqja dhe mungesa e unitetit fetar nuk ishin medoemos të papajtueshme u zhvillua pavarësisht nga mostoleranca e përhapur. Duke folur në përgjithësi, në atë kohë çështja e besimit fetar ishte e pandashme nga besnikëria civile. A ishte e mundur të ishe francez e të mos i përkitje Kishës Katolike? Me sa duket disa mendonin se ishte e mundur. Në vitin 1562, Mishel dë l’Ospital, një burrë shteti francez, shkroi: «Madje edhe ai që shkishërohet nuk pushon së qeni një qytetar.» Një grup katolik, i njohur si Les Politiques (Politikanët) kishin të njëjtat linja arsyetimi.

Traktatet jo të suksesshme që u nënshkruan në Francë ruajtën disa nga këto ide të reja. Ato përkrahën edhe nocionin se harrimi i së kaluarës ishte një mënyrë për të ndërtuar të ardhmen. Për shembull, në Dekretin e Bulonjës të vitit 1573 thuhej: «Të gjitha gjërat që kanë ndodhur . . . le të mbeten të vdekura e të harruara sikur të mos kishin ndodhur.»

Franca kishte shumë gjëra për të harruar. Para se Henri IV të bëhej mbret në vitin 1589, traktati më i gjatë i paqes kishte rezistuar vetëm tetë vjet. Franca po vuante ekonomikisht dhe nga ana shoqërore. Kishte një nevojë të madhe për stabilitet të brendshëm. Për Henrin IV nuk ishin të huaja as feja e as politika. Ai ishte lëkundur mes protestantizmit dhe katolicizmit në disa raste. Pasi siguroi paqen me spanjollët në vitin 1597 dhe më në fund i qetësoi mospajtimet e brendshme në vitin 1598, ai qe në gjendje të vendoste paqen si me protestantët, ashtu edhe me katolikët. Në vitin 1598, pasi Franca kishte kaluar 30 vjet në luftë fetare, mbreti Henri IV nënshkroi Dekretin e Nantës.

«Një Kartë e të drejtave a la Française»

Dekreti i Nantës që nënshkroi Henri përbëhej nga katër tekste bazë, duke përfshirë tekstin kryesor të përbërë nga 92 ose 95 nene dhe nga 56 nene të fshehta ose «të veçanta», që kishin të bënin me të drejtat dhe detyrimet e protestantëve. Traktatet e mëparshme të paqes formuan strukturën bazë të marrëveshjes, duke siguruar dy të tretat e neneve. Por, ndryshe nga traktatet e mëparshme, për këtë dekret u desh një kohë e gjatë përgatitjeje. Gjatësia e tij e pazakontë mund të shpjegohet me faktin se ai i shqyrtoi një për një të gjitha hollësitë e vogla të problemeve, duke dhënë përshtypjen se dekreti ishte një kompromis i bërë nga amatorë. Cilat ishin disa nga të drejtat që garantonte ky dekret?

Dekreti u jepte protestantëve francezë liri të plotë ndërgjegjeje. Atyre iu dha edhe statusi i një pakice të respektuar me të drejta dhe privilegje. Një nga nenet e fshehta madje u siguronte atyre mbrojtje kundër inkuizicionit kur udhëtonin jashtë shtetit të tyre. Përveç kësaj, protestantëve iu dha i njëjti status civil si katolikët dhe mund të bënin punë shtetërore. Por, a ishte në të vërtetë ky dekret një kartë që garantonte tolerancën?

Sa tolerues ishte Dekreti?

Historiania Elizabet Labrus thotë se po të kemi parasysh mënyrën se si trajtoheshin pakicat fetare në vendet e tjera, Dekreti i Nantës ishte «një dokument me një mençuri të rrallë politike». Dëshira kryesore e Henrit ishte të shihte protestantët që ktheheshin në vathën katolike. Ndërkohë, bashkekzistenca fetare ishte një kompromis, siç e tha vetë Henri, mënyra e vetme «që të gjithë nënshtetasit tanë të mund t’i luten dhe të adhurojnë Perëndinë».

Në të vërtetë, dekreti favorizonte katolicizmin, i cili shpallej si feja mbizotëruese dhe duhej vendosur në të gjithë mbretërinë. Protestantët duhej të paguanin të dhjetat katolike dhe të respektonin festat katolike e kufizimet katolike në lidhje me martesën. Liria e adhurimit e protestantëve kufizohej në zona të specifikuara gjeografike. Dekreti trajtonte vetëm bashkekzistencën protestante dhe katolike. Pakicat e tjera fetare nuk përfshiheshin. Myslimanët, për shembull, u dëbuan nga Franca në vitin 1610. Atëherë, pse kremtohet sot dekreti, edhe pse kishte një pikëpamje të kufizuar për tolerancën?

Rrjedhime të rëndësishme

Kronikat e asaj kohe i bënë pak referime dekretit. Historianët e quajtën atë një «ngjarje e kotë». Megjithatë, tani ai konsiderohet si një kryevepër e diplomacisë politike. Dekreti e quante protestantizmin një fe, në vend se një herezi. Pranimi i një feje të ndryshme nga katolicizmi i hapi rrugën pluralizmit fetar. Sipas një historiani, kjo gjë «pati efektin e spastrimit të pasioneve të francezëve nga fanatizmin që ndiqte si protestantët, ashtu edhe katolikët». Dekreti pranonte se feja nuk ishte një faktor vendimtar në besnikërinë ndaj shtetit ose në identitetin kombëtar. Përveç këtyre, kriteri për ndërmarrjen e veprimeve ligjore u bë aktiviteti kriminal, jo anëtarësia fetare. Këto ide pasqyruan ndryshime edhe më të mëdha.

Kur nënshkroi dekretin, mbreti Henri ishte kryesisht i interesuar për unitetin civil. Për të siguruar këtë, dekreti e ndante unitetin civil nga uniteti fetar. «Ai filloi një proces laicizmi . . . , pranimin se kombi dhe besimi fetar nuk ishin më sinonime»,—vëren një historian. Edhe pse Kisha Katolike mbajti një masë pushteti, pushteti i shtetit u forcua shumë. Në kohë konfliktesh, monarku duhej të ishte gjyqtari. Zgjidhjet politike ose ligjore për problemet fetare nënkuptonin se politika kishte zotërimin mbi fenë. Ja përse një historian e quan dekretin «triumfi i pushtetit politik mbi rolin e Kishës». Një historian tjetër thotë se ai «shënoi një moment vendimtar në lindjen e shtetit modern».

Lidhja me kohën e sotme

Disa nga rrugët e hartuara në Dekretin e Nantës u adoptuan më vonë nga qeveri të tjera. Me kalimin e kohës, shumë vende e ripërcaktuan marrëdhënien ekzistuese mes fesë dhe politikës, duke e vënë autoritetin e shtetit në një pozicion të ri. Në Francë, rruga që u zgjodh më vonë (në vitin 1905) ishte ndarja e plotë e Kishës nga shteti. Sipas Zhan Bobero, një profesor i shquar i historisë dhe i sociologjisë, ky rregullim është «mbrojtja më e mirë për pakicat» në një klimë me një mostolerancë gjithnjë në rritje. Vende të tjera, edhe pse mbështetin fort fenë e shtetit, kanë zgjedhur të garantojnë lirinë e fesë dhe të sigurojnë trajtim të barabartë për të gjithë në kushtetutat e tyre.

Gjithsesi, shumë veta sot mendojnë se mund të bëhet ende progres në mbrojtjen e lirisë fetare. «Dekreti i Nantës përkujtohet një herë në çdo shekull dhe shkelet me këmbë gjatë gjithë pjesës tjetër të kohës»,—ankohet gazetari Alen Dyamel. Disa komentues të informuar, për shembull, nxjerrin në pah mostolerancën e mënjanimit të të tjerëve, duke u vënë në mënyrë arbitrare gjithë pakicave fetare etiketën «sekte». Një mësim jetësor që duhej marrë 400 vjet më parë ishte jetesa së bashku në paqe dhe pa paragjykime. Por ky mësim është i vlefshëm edhe sot.

Çështje që përfshihen

Nuk ekziston ndonjë liri adhurimi kur autoritetet në mënyrë arbitrare favorizojnë disa fe e të tjerat jo. Në Francë, disa administrata u japin Dëshmitarëve të Jehovait statusin e fesë, kurse të tjerat jo. Në mënyrë paradoksale, një shtet laik po përcakton se çfarë është një fe e çfarë jo. Kjo procedurë fillon me diskriminimin dhe çon në persekutim. Për më tepër, thotë Raimo Ilaskivi, një anëtar i Parlamentit Evropian, «ajo mund të vendosë një precedent, i cili mund të përhapet në vende të ndryshme dhe shoqata të ndryshme fetare». Ja përse lektori i ligjit Zhan-Mark Florën nxjerr këtë përfundim: «Është një re e zezë për Francën dhe për ushtrimin e lirive. Si katolik, kjo gjë më shqetëson me të vërtetë.» Por, atyre që janë të gatshëm të mësojnë, historia mund t’u japë shumë mësime.

Në një konferencë të kohëve të fundit, mbajtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, një orator argumentoi se «një nga mënyrat për ta përkujtuar Dekretin e Nantës është të mendojmë për statusin e feve në kohën tonë». Dhe faktikisht, nuk ka mënyrë më të mirë për të përkujtuar Dekretin e Nantës, sesa duke u siguruar që liria e vërtetë e adhurimit po mbrohet për të gjithë!

[Shënimi]

a Shiko Zgjohuni!, 22 prill 1997, faqet 3-9, anglisht.

[Kutia dhe figurat në faqet 20, 21]

Liria fetare në Francë sot

Disa herë mësimet e marra në të kaluarën harrohen. Kur po argumentonte në favor të Dekretit të Nantës, Henri IV deklaroi: «Nuk duhet të bëhet më dallim mes katolikëve dhe hygënotëve.» Zhan-Mark Florën, lektor i lartë i ligjit në Universitetin Paris XII, shpjegon në gazetën franceze Le Figaro se në Francë, që nga viti 1905, «ligji i vë të gjitha fetë, bindjet dhe sektet në një pozicion të barabartë». Diskriminimi dhe paragjykimi duhej të ishin gjëra të së kaluarës.

Për ironi, në vitin 1998, viti që shënon njëqindvjeçarin e katërt të Dekretit të Nantës, mësimi që u mor prej tij, domethënë që liria e fesë dhe e trajtimit të barabartë duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve, me sa duket është harruar. Dëshmitarët e Jehovait, komuniteti i tretë më i madh fetar i krishterë në Francë, e kanë praktikuar fenë e tyre atje për më shumë se njëqind vjet. Pavarësisht nga kjo, një raport i parlamentit francez ka mohuar që Dëshmitarët e Jehovait janë një fe e ligjshme. Për pasojë, disa autoritete franceze vazhdimisht i diskriminojnë Dëshmitarët e Jehovait kur bëhet fjalë për liritë e tyre. Për shembull, në çështjet për kujdestarinë e fëmijëve, gjyqtarët francezë shpesh e vënë në dyshim nëse prindërit që janë Dëshmitarë të Jehovait duhen lejuar të mbajnë kujdestarinë e fëmijëve të tyre. Këto dyshime vijnë vetëm për shkak të lidhjes fetare të prindërve. Gjithashtu, për shkak se janë Dëshmitarë të Jehovait, disa prindër, të cilëve u është lënë kujdestaria ligjore e fëmijëve, rrezikojnë gjithnjë e më shumë të humbin fëmijët që janë lënë nën kujdesin e tyre.

Kohët e fundit autoritetet franceze kanë kërcënuar se do të vendosin një taksë arbitrare mbi kontributet që Dëshmitarët e Jehovait bëjnë në kongregacionet e tyre. Sipas organizatës joqeveritare Të Drejtat e Njeriut Pa Kufi, ky është një «precedent i rrezikshëm» që dhunon rezolutat e vëna në fuqi nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në fakt, Bashkimi Evropian garanton lirinë fetare. Dëshmitarët e Jehovait janë pranuar në mënyrë të përsëritur nga Gjykata Evropiane si një «fe e njohur», duke e bërë edhe më të vështirë për t’u kuptuar veprimin e ndërmarrë nga autoritetet franceze. Një anëtar i Parlamentit Evropian, Raimo Ilaskivi, e quan këtë një «gjendje jo të pranueshme . . . në bazë të vendimeve mbi barazinë dhe të drejtat e njeriut që janë regjistruar në dokumente të ndryshme të BE-së dhe që i aplikohen të gjitha shteteve anëtare, duke përfshirë edhe Francën».

Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë aktivë në Francë për afro njëqind vjet

Lart djathtas: Shumë familje në Francë kanë qenë Dëshmitarë të Jehovait nga disa breza

Lart majtas: Kongregacioni Rube, 1913

Poshtë majtas: Dëshmitarë në Francën Veriore, 1922

[Figura në faqen 19]

Henri IV, mbret i Francës

[Burimi]

© Klishe nga Biblioteka Kombëtare e Francës, Paris

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo