Liria fetare—Bekim apo mallkim?
Lindja e nocionit të lirisë fetare u shoqërua me dhembje të mëdha lindjeje në të ashtuquajturin krishtërim. Ajo qe një luftë kundër dogmatizmit, paragjykimit dhe intolerancës. Çmimi ishte mijëra e mijëra jetë njerëzish në konfliktet e përgjakshme fetare. Çfarë na mëson kjo histori e dhimbshme?
«PERSEKUTIMI ka qenë një realitet i vazhdueshëm i historisë së krishterë»,—shkruan Robin Lein Foks në librin Paganët dhe të krishterët (Pagans and Christians). Të krishterët e hershëm u quajtën një sekt dhe u akuzuan për kërcënim të rendit publik. (Veprat 16:20, 21; 24:5, 14; 28:22) Si rezultat, disa pësuan tortura dhe u vranë nga bishat e egra në arenat romake. Përballë një persekutimi të tillë të egër, disa, si për shembull teologu Tertulian (shiko pikturën në faqen 8), bënë apel për liri fetare. Në vitin 212 të e.s., ai shkruante: «Është një e drejtë themelore njerëzore, një privilegj i natyrës sonë njerëzore, që çdo njeri duhet të adhurojë sipas bindjeve të veta.»
Persekutimit të të krishterëve i erdhi fundi në vitin 313 të e.s., kur, nën sundimin e Kostandinit, u miratua Dekreti i Milanos që u jepte liri fetare si të krishterëve, ashtu edhe paganëve. Ligjërimi i «krishtërimit» në Perandorinë Romake i preu rrugën valës së persekutimeve. Megjithatë, rreth vitit 340 të e.s., një shkrimtar i ashtuquajtur i krishterë bëri thirrje për persekutim të paganëve. Përfundimisht, në vitin 392 të e.s., me anë të Dekretit të Kostandinopojës, Perandori Teodosius I e ndaloi paganizmin brenda perandorisë dhe liria fetare vdiq përpara se të lulëzonte. Me krishtërimin romak si fenë e shtetit, kisha dhe shteti iu futën një fushate persekutimi që zgjati shekuj të tërë, duke arritur kulmin me kryqëzatat e përgjakshme të shekujve të 11-të deri të 13-të dhe me mizorinë e Inkuizicionit, i cili filloi në shekullin e 12-të. Ata që guxonin të vinin në dyshim mësimet e rrënjosura fetare, monopolin e dogmës fetare, damkoseshin si heretikë dhe mbeteshin të mbërthyer në atmosferën persekutuese të kohës. Çfarë qëndronte prapa këtyre manovrave?
Intoleranca fetare u justifikua me arsyet se uniteti fetar përbënte themelin më të qëndrueshëm për shtetin dhe se ndryshimet fetare kërcënonin rendin publik. Në Angli, në vitin 1602, një prej ministrave të Mbretëreshës Elizabetë argumentonte: «Shteti nuk është asnjëherë i sigurt kur toleron dy fe.» Në fakt, ishte shumë më e lehtë të nxirrje jashtë ligjit disidentët fetarë, sesa të zbuloje nëse ata përbënin vërtet një kërcënim për shtetin dhe për fenë në fuqi. The Catholic Encyclopedia vëren: «As autoritetet jo fetare, as ato klerikale nuk bënin qoftë edhe dallimin më të vogël midis heretikëve të rrezikshëm dhe atyre të padëmshëm.» Megjithatë, ndryshimi ishte afër.
Lindja e dhimbshme e tolerancës
Katalizatori për ndryshim në Evropë ishte trazira e shkaktuar nga protestantizmi, një lëvizje sektare që nuk u shua. Me një shpejtësi të habitshme, Reforma Protestante krijoi ndarje në Evropë në aspektin fetar, duke nxjerrë në plan të parë idenë e lirisë së ndërgjegjes. Në vitin 1521, për shembull, reformisti i famshëm Martin Luter i përligji mendimet e veta duke thënë: «Ndërgjegjja ime është zënë rob nga Fjala e Perëndisë.» Ndarja ndezi, gjithashtu, Luftën e Tridhjetë Vjetëve (1618-1648), një seri luftërash të egra fetare, që rrënoi Evropën.
Por, në mes të luftës, shumë veta arritën ta kuptonin se përleshja nuk ishte rruga drejt progresit. Kështu, një sërë dekretesh të tillë, si Dekreti i Nantës në Francë (1598), u përpoqën pa sukses të vendosnin paqen në Evropën e shqyer nga luftërat. Në saje të këtyre dekreteve u zhvillua dalëngadalë nocioni i tolerancës që ekziston sot. Në fillim, fjala «tolerancë» kishte ngjyrime negative. «Nëse në rrethana të caktuara na duhet që të tolerojmë sektet . . . , kjo do të ishte pa dyshim një mëkat vërtet, një mëkat i madh, por jo aq i keq sa lufta»,—shkruante në vitin 1530 humanisti i famshëm Erasmus. Për shkak të kësaj domethënieje negative, disa, si francezi Pol dë Fua në vitin 1561, parapëlqenin të përdornin termin «liri fetare», në vend se «tolerancë».
Por, me kalimin e kohës, toleranca nuk shikohej si e keqja më e vogël, por si mbrojtësja e lirive. Ajo nuk konsiderohej më si një dorëzim para dobësisë, por si një garanci. Kur larmia e besimeve dhe e drejta për të menduar në mënyrë të ndryshme filluan të kultivoheshin si baza e shoqërisë moderne, fanatizmi u detyrua të zbutej.
Në fund të shekullit të 18-të, toleranca u lidh me lirinë dhe barazinë. Kjo gjë u shpreh në formën e ligjeve dhe të deklaratave të tilla si e mirënjohura Deklaratë e Të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit (1789), në Francë ose Karta e Të Drejtave (1791), në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa këto dokumente ndikonin në mendimet liberale të shekullit të 19-të e më pas, toleranca, e për pasojë edhe liria, nuk konsideroheshin më si një mallkim, por si një bekim.
Liri relative
Ndonëse e çmuar, liria është vetëm relative. Në emër të një lirie më të madhe për të gjithë, shteti miraton ligje që kufizojnë disa liri individuale. Kohët e fundit, në shumë vende evropiane janë debatuar çështje që kanë të bëjnë me lirinë, të tilla, si: Deri në çfarë mase duhet të veprojë legjislacioni qeveritar në jetën private? Sa e efektshme është kjo gjë? Si ndikon ajo mbi lirinë?
Debati mbi liritë publike dhe private është nxjerrë në pah nga media. Akuza për larje të trurit, zhvatje financiare, abuzim me fëmijët dhe një mori krimesh të tjera të rënda janë drejtuar kundër disa grupeve fetare, shpesh pa ndonjë provë të bazuar. Artikujt e gazetave që kanë të bëjnë me grupe të vogla fetare zënë shumë vend në faqet e shtypit. Etiketa përçmuese të tilla si «kult» ose «sekt» janë bërë pjesë e përdorimit të përditshëm. Duke u ndodhur nën presion nga opinioni publik, qeveritë kanë nxjerrë madje lista të kulteve të ashtuquajtura të rrezikshme.
Franca është një vend krenar për traditën e saj të tolerancës dhe të ndarjes së fesë nga shteti. Ajo deklaron me krenari se është toka e «Lirisë, Barazisë, Vëllazërisë». Prapëseprapë, sipas librit Liria e fesë dhe e besimit: Një raport botëror (Freedom of Religion and Belief—A World Report), në atë vend u rekomandua «një fushatë arsimimi në shkolla për të ushqyer kundërshtimin ndaj lëvizjeve të reja fetare». Shumë njerëz, megjithatë, mendojnë se kjo mënyrë të vepruari paraqet një rrezik për lirinë fetare. Si kështu?
Kërcënime për lirinë fetare
Liria e vërtetë fetare ekziston vetëm kur të gjitha grupet fetare që respektojnë dhe i binden ligjit trajtohen në mënyrë të barabartë nga shteti. Nuk është kështu kur shteti vendos në mënyrë arbitrare se cili prej grupeve fetare nuk është një fe, duke i mohuar kështu atij disa avantazhe që shteti u jep feve. «Ideja e çmuar e lirisë fetare bie në vesh të shurdhët, kur shteti përvetëson padrejtësisht të drejtën që t’i miratojë fetë, sikur të ishte duke u dhënë patenta shoferëve»,—vërente në vitin 1997 revista Time. Kohët e fundit, një gjykatë apeli në Francë deklaronte se një mënyrë e tillë të vepruari «të çon, me vetëdije apo jo, drejt totalitarizmit».
Liritë themelore kërcënohen edhe kur një grup ka monopolin e mjeteve të informacionit. Mjerisht, kjo është një dukuri në rritje në shumë vende. Për shembull, gjatë një përpjekjeje për të përcaktuar çfarë është korrekte në aspektin fetar, organizatat antisektare janë hequr si prokurore, gjykatëse dhe juri, e pastaj janë përpjekur që, me anë të mjeteve të informacionit, t’i imponojnë publikut mendimet e tyre tendencioze. Por, siç thoshte gazeta franceze Le Monde, duke vepruar kështu, këto organizata shfaqin ndonjëherë «të njëjtin sektarizëm që pretendojnë se e luftojnë dhe rrezikojnë të krijojnë një atmosferë persekutimi». Gazeta pyeste: «A nuk kërcënon liritë themelore damkosja sociale e grupeve të vogla fetare . . .?» Martin Krile, i cituar në Revistë për psikologjinë e fesë (Zeitschrift für Religionspsychologie), pohonte: «Persekutimi ndaj sekteve është më shumë shkak për shqetësim, sesa shumica dërmuese e ‘të ashtuquajturave sekte dhe psikogrupe’. Merreni thjesht kështu: Qytetarët që nuk shkelin ligjin, duhen lënë të qetë. Feja dhe ideologjia duhet të jenë të lira dhe të mbeten të lira edhe në Gjermani.» Le të shqyrtojmë një shembull.
«Qytetarët model» Të damkosur si të rrezikshëm
Cili grup fetar u tha se ishte «më i rrezikshmi i të gjitha sekteve», sipas mendimit të autoriteteve katolike, siç tregohet në gazetën e mirënjohur spanjolle ABC? Mund të habiteni po të mësoni se ABC po fliste për Dëshmitarët e Jehovait. A kanë një bazë të paanshme dhe objektive akuzat që bëhen kundër tyre? Vëreni deklaratat e mëposhtme nga burime të tjera:
«Dëshmitarët i mësojnë njerëzit t’i paguajnë me ndershmëri taksat, të mos marrin pjesë në luftëra ose në përgatitjet për luftë, të mos vjedhin dhe, në përgjithësi, të ndjekin një mënyrë jetese që, nëse do të ishte adoptuar nga të tjerët, do të kishte çuar drejt një përmirësimi të normave të bashkëjetesës qytetare.»—Sergio Albesano, Talento, nëntor-dhjetor 1996.
«Në kundërshtim me fjalët që kanë qarkulluar në disa raste, [Dëshmitarët e Jehovait] nuk më duket se paraqesin as rrezikun më të vogël ndaj institucioneve të shtetit. Ata janë qytetarë që e duan paqen, të ndërgjegjshëm dhe plot respekt ndaj autoriteteve.»—Një deputet i parlamentit belg.
«Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur si njerëzit më të ndershëm në Republikën Federale.»—Gazeta gjermane Sindelfinger Zeitung.
«[Dëshmitarët e Jehovait] duhen konsideruar si qytetarë model. Ata i paguajnë me rregullsi taksat, kujdesen për të sëmurët dhe luftojnë kundër analfabetizmit.»—San Francisco Examiner, gazetë e SHBA-së.
«Dëshmitarët e Jehovait kanë sukses më të madh sesa anëtarët e besimeve të tjera në mbajtjen e lidhjeve të qëndrueshme martesore.»—American Ethnologist.
«Dëshmitarët e Jehovait janë ndër qytetarët më të ndershëm e më të rregullt të vendeve afrikane.»—Dr. Braian Uilson, Universiteti i Oksfordit.
«Përgjatë dekadave, anëtarët e atij besimi kanë kontribuar shumë në përhapjen e lirisë së ndërgjegjes.»—Nat Hentof, Free Speech for Me—But Not for Thee.
«Ata kanë . . . dhënë një kontribut të konsiderueshëm për ruajtjen e disa prej gjërave më me vlerë në demokracinë tonë.»—Profesor C. S. Braden, These Also Believe.
Siç tregojnë citimet e mësipërme, në mbarë botën Dëshmitarët e Jehovait njihen si qytetarë shembullorë. Përveç kësaj, ata janë të njohur për veprën e tyre të arsimimit biblik pa pagesë dhe për përkrahjen e vlerave familjare. Klasat që kanë ngritur ata për të mësuar shkrim e këndim kanë ndihmuar qindra mijë njerëz, ndërkohë që përgjatë dekadave veprat e tyre humanitare kanë ndihmuar mijëra të tjerë, veçanërisht në Afrikë.
Rëndësia e objektivitetit
Shoqëria është e mbushur me njerëz të paskrupull që gjuajnë viktima të pafajshme. Prandaj, kur vjen fjala te deklaratat rreth fesë, është e qartë se ekziston nevoja për të qenë vigjilentë. Por, thjesht, sa objektiv dhe sa i favorshëm për lirinë fetare është fakti që disa gazetarë, në vend që të konsultohen me ekspertë objektivë, bazohen tek informacionet që marrin nga kishat, të cilat po shohin se si pakësohet numri i anëtarëve të tyre, ose nga organizatat antisektare, objektiviteti i të cilave është vërtet i dyshimtë? Gazeta që i quante Dëshmitarët e Jehovait «më të rrezikshmin e të gjitha sekteve» pranonte, për shembull, se përkufizimet e saj vinin nga «ekspertët e Kishës [Katolike]». Përveç kësaj, një revistë franceze vërente se shumica e artikujve që kishin të bënin me të ashtuquajturat sekte e kishin burimin tek organizatat antisektare. A ju duket kjo si mënyra më e paanshme për të marrë informacion objektiv?
Gjykata dhe organizata ndërkombëtare që janë të interesuara për të drejtat themelore të njeriut të tilla si OKB-ja, pohojnë se «dallimi ndërmjet një feje e një sekti është tepër i sajuar për të qenë i pranueshëm». Përse atëherë disa këmbëngulin në përdorimin e fjalës përçmuese «sekt»? Kjo është një dëshmi tjetër se liria fetare po kërcënohet. Si mund të mbrohet, pra, kjo liri themelore?
[Kutia dhe figurat në faqen 8]
Mbrojtës të lirisë fetare
Thirrje domethënëse për liri fetare ngrihen nga kasaphana e konflikteve fetare në Evropë, në shekullin e 16-të. Këto thirrje janë ende me vlerë në diskutimin e lirisë fetare.
Sebastjan Shatejo (1515-1563): «Ç’është një heretik? Unë nuk kam zbuluar asgjë tjetër, përveç faktit që ne konsiderojmë heretikë të gjithë ata që nuk janë dakord me mendimin tonë. . . . Nëse në këtë qytet ose krahinë konsiderohesh një besimtar i vërtetë, në tjetrën do konsiderohesh një heretik.» Shatejo, përkthyes i famshëm francez i Biblës dhe mbrojtës i vendosur i tolerancës, përmendi njërin prej elementeve kyçe të debatit për lirinë fetare: Kush e përcakton se cili është heretik?
Dirk Volkërcën Kornhert (1522-1590): «Ne lexojmë se në të kaluarën . . . edhe vetë Krishti në Jerusalem dhe më pas shumë martirë në Evropë . . . e shqetësuan [shoqërinë] me fjalët e tyre të së vërtetës. . . . Domethënia e fjalës ‘shqetësuan’ duhet përcaktuar saktë dhe qartë.» Kornhert argumentoi se ndryshimet fetare nuk duhen barazuar me shqetësimet që i shkaktohen rendit publik. Ai pyeti: Ata që i binden dhe e respektojnë me përpikmëri ligjin, a përbëjnë vërtet një kërcënim për rendin publik?
Pier dë Belua (1540-1611): Është «injorancë të besohet se shumëllojshmëria fetare shkakton dhe ushqen trazira në vend». Belua, një avokat francez që shkroi në kohën e Luftërave të Fesë (1562-1598), argumentoi se harmonia e vendit nuk bazohet mbi njëllojshmërinë fetare, sigurisht, vetëm nëse qeveria nuk u nënshtrohet presioneve fetare.
Tomas Helvis (rreth viteve 1550-1616): «Nëse njerëzit [e mbretit] janë nënshtetas të bindur e besnikë ndaj të gjitha ligjeve njerëzore, ai nuk ka ç’të kërkojë më shumë prej tyre.» Helvis, njëri prej themeluesve të baptizmit anglez, shkroi pro ndarjes së kishës nga shteti, duke e nxitur mbretin t’u jepte liri fetare të gjitha kishave e sekteve dhe të mjaftohej me pushtetin civil mbi njerëzit dhe zotërimet. Shkrimet e tij nënvizuan një çështje të njohur: Deri në çfarë mase duhet të ushtrojë kontroll shteti mbi aspektin fetar të jetës?
Shkrimtar anonim (1564): «Me qëllim që liria e ndërgjegjes të vihet në përdorim, nuk mjafton të lejohet që një individ të mos praktikojë një fe që ai nuk e miraton, nëse, në të njëjtën kohë, nuk lejohet praktikimi i lirë i asaj që ai e miraton.»
[Figurat]
Tertuliani
Shatejo
Dë Belua
[Burimi]
Të gjitha fotot: © Biblioteka Kombëtare e Klisheve e Francës, Paris