Ikja e hygënotëve drejt lirisë
«Si mbret dhe mbretëreshë, . . . deklarojmë se të gjithë protestantët francezë që do të kërkojnë strehim dhe do të kalojnë në mbretërinë tonë, jo vetëm do të kenë mbrojtjen tonë mbretërore, . . . por edhe do të përpiqemi me çdo mënyrë dhe mjet të arsyeshëm që t’i mbështetim, t’i ndihmojmë dhe t’i përkrahim . . . me qëllim që jeta dhe qëndrimi i tyre në këtë mbretëri të jenë të qeta dhe të lehta.»
KËSHTU thuhet në deklaratën e vitit 1689 të Uilliam dhe Meri, mbretit dhe mbretëreshës së Anglisë. Por, pse protestantët francezë apo hygënotët, siç u bënë të njohur, kishin nevojë të kërkonin strehim dhe mbrojtje jashtë Francës? Pse duhet të jetë me interes për ne sot, ikja e tyre nga Franca rreth 300 vjet më parë?
Evropa e shekullit të gjashtëmbëdhjetë ishte e stërmunduar nga lufta dhe grindjet që përfshinin fenë. Franca, me luftërat e saj fetare (1562-1598) ndërmjet katolikëve dhe protestantëve, nuk i shpëtoi kësaj trazire. Megjithatë, në vitin 1598, mbreti francez Henri IV, nënshkroi një dekret tolerance, Dekretin e Nantes, që u jepte hygënotëve protestantë njëfarë lirie fetare. Ky pranim ligjor i dy feve ishte unik në Evropë. Për njëfarë kohe, ai u dha fund pështjellimeve fetare, që për më shumë se 30 vjet kishin lënë vraga në Francën e shekullit të 16-të.
Ndonëse u bë me qëllimin për të qenë «i përhershëm dhe i parevokueshëm», në vitin 1685 Dekreti i Nantes u revokua nga Dekreti i Fontenblë. Më vonë, filozofi francez Volter e përshkroi këtë revokim si «një prej tragjedive më të mëdha të Francës». Për një periudhë afatshkurtër, ai provokoi ikjen e rreth 200.000 hygënotëve në vende të tjera. Por pasojat e tij qenë edhe afatgjata. Por, pse u revokua dekreti i mëparshëm, që ishte në favor të tolerancës fetare?
I kundërshtuar që në fillim
Edhe pse zyrtarisht Dekreti i Nantes ishte në fuqi për pothuajse 90 vjet, një historiane thotë se ai tashmë «po vdiste, kur e vranë në 1685-n». Në fakt, dekreti nuk ishte ndërtuar mbi themele të forta. Që prej fillimit, ai i kontribuoi asaj që është përshkruar si «luftë e ftohtë», ndërmjet klerit katolik dhe asaj që ia vunë emrin «A.F.R.» (E ashtuqujtura fe e reformuar). Që kur doli në vitin 1598 e deri rreth vitit 1630, kundërshtimi ndaj Dekretit të Nantes vërtitej rreth debateve publike që ekzistonin ndërmjet protestantëve dhe katolikëve, si dhe rreth botimit të veprave letrare të grupeve fetare. Por mostoleranca ka shumë fytyra.
Pasi luftoi kundër protestantëve që prej vitit 1621 deri në vitin 1629, qeveria franceze u përpoq që me anë të një sërë masash shtypëse t’i detyronte të futeshin në vathën katolike. Ky sulm u intensifikua nën Lui XIV, «Mbretin Diell». Politika e tij e persekutimit çoi në revokimin e Dekretit të Nantes.
Shtrëngimi
Si pjesë e shtrëngimit, protestantëve iu hoqën progresivisht të drejtat e tyre civile. Mes viteve 1657 dhe 1685, kundër hygënotëve dolën rreth 300 vendime, shpesh të sugjeruara nga kleri. Këto vendime sulmonin çdo aspekt të jetës së tyre. Për shembull, një grup i madh profesionesh, të tilla si mjekësia, drejtësia, madje edhe zanati i mamisë, ishin të ndaluara për hygënotët. Në lidhje me zanatin e mamisë, një historiane bënte këtë arsyetim: «Si mund t’ia besoje jetën e dikujt një heretikeje, synimi i së cilës ishte të shkatërronte rendin ekzistues?»
Shtrëngimi i shtypjes u bë edhe më i fortë në vitin 1677. Çdo hygënot që kapej duke u përpjekur t’i ndryshonte besimin një katoliku, duhej gjobitur me një mijë monedha franceze. Për të influencuar te hygënotët që të ktheheshin në katolikë, u përdorën taksa tepër të larta që përfundonin në fondet e shtetit. Në vitin 1675, kleri katolik i dha mbretit Lui XIV, 4,5 milionë monedha franceze, duke i thënë: «Tani duhet ta çoni deri në fund shfaqjen e mirënjohjes suaj, duke e përdorur autoritetin tuaj për ta shfarosur plotësisht herezinë.» Kjo strategji e «blerjes» së të kthyerve në fe, rezultoi në rreth 10.000 kthime në katolicizëm brenda tre vjetësh.
Në vitin 1663, kthimi në protestantizëm u bë i paligjshëm. U vunë kufizime edhe në lidhje me vendin se ku mund të banonin hygënotët. Një shembull i masave ekstreme është se kur fëmijët arrinin moshën shtatëvjeçare mund të bëheshin katolikë kundër dëshirës së prindërve të tyre. Prindërit protestantë ishin të detyruar të financonin arsimimin që merrnin fëmijët e tyre nga jezuitët ose nga instruktorët e tjerë katolikë.
Një armë tjetër për shfarosjen e hygënotëve ishte kompania e fshehtë Compagnie du Saint-Sacrement (Kompania e Sakramentit të Shenjtë). Kjo ishte një organizatë katolike, për të cilën historiania Zhanën Garëso thotë se arriti deri në një «rrjet të gjerë» që mbulonte gjithë Francën. Meqenëse kishte depërtuar në sferat e larta të shoqërisë, kësaj organizate nuk i mungonin as mjetet financiare dhe as informatat e fshehta. Garëso shpjegon se taktikat e saj ishin të shumta: «Nga presionet te pengimi, nga manipulimi te kallëzimi, kjo kompani përdori çdo mjet për të dobësuar bashkësinë protestante.» E megjithatë, gjatë kësaj periudhe persekutimi, shumica e hygënotëve qëndruan në Francë. Historiania Garëso vëren: «Është e vështirë të kuptohet se përse protestantët, duke qenë se armiqësia ndaj tyre rritej gradualisht, nuk u larguan nga Franca në një masë edhe më të madhe.» Megjithatë, më në fund ikja drejt lirisë u bë një domosdoshmëri.
Sërish në pikën e nisjes
Paqja e Nimegenit (1678) dhe Armëpushimi i Retisbonës (1684), e çliruan mbretin Lui XIV nga luftërat e jashtme. Në anën tjetër të Ngushticës La Mansh, në Angli, në shkurt të vitit 1685 u bë mbret një katolik. Lui XIV mundi të përfitonte nga kjo situatë e re. Pak vite më parë, kleri katolik në Francë kishte nxjerrë Katër Nenet Galikane, të cilat kufizonin pushtetin e papës. Në atë kohë, papa Inocenti XI «e konsideronte Kishën Franceze si pothuajse përçarëse». Për pasojë, duke revokuar Dekretin e Nantes, Lui XIV mundi të lartësonte emrin e tij, që ishte njollosur, dhe të rivendoste marrëdhënie normale me papën.
Politika e mbretit kundrejt protestantëve doli sheshit. Me sa duket, metodat e buta (bindja dhe legjislacioni) s’kishin arritur gjë. Nga ana tjetër, dragonadata e kohëve të fundit kishin pasur sukses. Kështu që në vitin 1685, Lui XIV nënshkroi Dekretin e Fonteblë, duke revokuar kështu Dekretin e Nantes. Persekutimi dhunshëm i shoqëruar nga ky revokim, i la hygënotët në një gjendje edhe më të keqe se ajo që kishin përpara Dekretit të Nantes. Ç’do të bënin tani?
Të fshiheshin, të luftonin, apo të iknin?
Disa hygënotë zgjodhën që ta bënin adhurimin në fshehtësi. Meqenëse vendet ku mblidheshin ishin shkatërruar dhe adhurimi publik u ishte ndaluar, ata iu drejtuan ‘Kishës së Shkretëtirës’ apo adhurimit të fshehtë. Këtë e bënë pavarësisht nga fakti se, sipas një ligji të miratuar në korrik të vitit 1686, ata që mbanin mbledhje të tilla rrezikonin dënimin me vdekje. Disa hygënotë hoqën dorë publikisht nga besimi i tyre, duke menduar se më vonë do të kishin mundësi t’i ktheheshin përsëri atij. Persona të tillë të kthyer në besim, praktikuan një katolicizëm sipërfaqësor, që u kopjua nga brezat e mëvonshëm.
Qeveria u përpoq t’i konsolidonte kthimet në besim. Që të hynin në punë, të sapokthyerit në besim duhej të nxirrnin një vërtetim që tregonte se ishin katolikë. Ky vërtetim nënshkruhej nga prifti i famullisë, i cili vërente pjesëmarrjen në kishë. Nëse fëmijët nuk ishin pagëzuar dhe rritur si katolikë, mund t’i largonin nga prindërit. Shkollat duhej t’i jepnin shtytje arsimimit katolik. U bënë përpjekje që për «njerëzit e Librit [Biblës]», siç quheshin protestantët, të nxirreshin botime fetare pro katolicizmit. Qeveria shtypi mbi një milion libra dhe i dërgoi nëpër zona ku kishte shumë të kthyer në besim. Masat e marra ishin kaq ekstreme, saqë nëse dikush që ishte i sëmurë refuzonte t’i bëheshin ritet e fundit para vdekjes dhe më pas shërohej, dënohej për tërë jetën me burgim ose si rremtar në galerë. Kur më vonë vdiste, trupi i tij hidhej tej si të ishte plehër dhe gjithçka kishte i konfiskohej.
Disa hygënotë iu drejtuan rezistencës së armatosur. Në vitin 1702, në rajonin Cévennes, i njohur për zellin fetar, hygënotët luftarakë të quajtur kamëzard, u ngritën në revoltë. Në përgjigje të pritave dhe të sulmeve që bënin gjatë natës kamëzardët, trupat ushatarake qeveritare dogjën fshatra të tëra. Megjithëse sulmet sporadike të hygënotëve vazhduan për njëfarë kohe, aty nga viti 1710 fuqia e ushtrisë së mbretit Lui i kishte shtypur kamëzardët.
Një reagim tjetër i hygënotëve ishte ikja nga Franca. Ky emigrim është quajtur një shpërngulje e vërtetë. Shumica e hygënotëve, kur u larguan ishin në skamje të plotë, sepse shteti u kishte konfiskuar zotërimet, një pjesë të të cilave e kishte marrë Kisha Katolike. Kështu që për të ikur, nuk qe e lehtë. Qeveria franceze reagoi me shpejtësi ndaj asaj që po ndodhte, duke ruajtur rrugët e daljes nga vendi dhe duke bërë kontroll nëpër anije. Piratët plaçkitnin anijet që largoheshin nga Franca, sepse atyre që kapnin të ikurit u jepeshin shuma të majme. Hygënotët që u kapën duke ikur, u ndëshkuan rëndë. Situata u vështirësua edhe nga spiunët që vepronin brenda bashkësive, të cilët përpiqeshin të zbulonin emrat e atyre që kishin ndër mend të iknin dhe itinerarin që do të ndiqnin. Letrat e kapura, falsifikimet dhe intrigat u vunë në rend të ditës.
Strehim mikpritës
Ikja e hygënotëve nga Franca dhe mikpritja që iu bë në vendet pritëse, u bë e njohur si Strehimi. Hygënotët ikën në Holandë, Zvicër, Gjermani dhe Angli. Më vonë, disa shkuan në Skandinavi, Amerikë, Irlandë, Indinë Perëndimore, Afrikën e Jugut dhe në Rusi.
Disa shtete evropiane miratuan dekrete që i inkurajonin hygënotët të imigronin. Ndër stimujt e ofruar ishin dhënia falas e nënshtetësisë, përjashtimi nga taksat dhe anëtarësia falas në një shoqëri tregtare. Sipas historianes Elizabet Labrus, hygënotët ishin kryesisht «djem të rinj . . . nënshtetas me iniciativë dhe energjikë, që kishin vlera të jashtëzakonshme morale». Kështu, në kulmin e fuqisë së saj, Franca humbi mjeshtra në disa zanate. Po, asaj i ikën nga duart «zotërime, pasuri dhe teknologji». Në strehimin e hygënotëve luajtën rol edhe faktorët fetarë dhe politikë. Por cilat ishin pasojat afatgjata të këtij emigrimi?
Revokimi i Dekretit të Nantes dhe bashkë me të persekutimi, provokuan një reagim të pafavorshëm ndërkombëtar. Uilliami i Oranxhit mundi të përfitonte nga ndjenja antifranceze për t’u bërë sundimtar i Holandës. Me ndihmën e oficerëve hygënotë, ai u bë edhe mbret i Britanisë së Madhe, duke zëvendësuar kështu katolikun Xhejms II. Historiani Filip Zhutar shpjegon se «politika antiprotestante e Lui XIV ishte një prej shkaqeve kryesore të rrëzimit të Xhejms II dhe të formimit të ligës Augsburg. . . . [Këto] ngjarje shënuan një pikë kthese në historinë e Evropës, duke çuar në zëvendësimin e hegjemonisë franceze me hegjemoninë angleze».
Hygënotët luajtën një rol të rëndësishëm kulturor në Evropë. Ata e përdorën lirinë e tyre të sapogjetur për të nxjerrë një literaturë, e cila ndihmoi që t’i jepej formë filozofisë së Iluminizmit dhe ideve të tolerancës. Për shembull, një protestant francez përktheu veprat e filozofit anglez Xhon Lok, të cilat propagandonin idenë e të drejtave themelore. Shkrimtarë të tjerë protestantë theksuan rëndësinë e lirisë së ndërgjegjes. U zhvillua mendimi se bindja ndaj sundimtarëve është relative dhe se mund të shpërfillet nëse sundimtarët shkelin marrëveshjen që ekziston mes tyre dhe popullit. Kështu, siç shpjegon historiani Çarls Red, revokimi i Dekretit të Nantes ishte «një nga faktorët e dukshëm që nxitën Revolucionin Francez».
A u nxorën mësime?
Duke marrë parasysh pasojat e paleverdisshme të persekutimit dhe humbjen që i solli shtetit ikja e aq shumë njerëzve me vlera, Markezi i Vobënit, këshilltar ushtarak i mbretit Lui XIV, e nxiti mbretin të rivendoste Dekretin e Nantes, duke pohuar: «Kthimi i zemrave i përket vetëm Perëndisë.» Pse, pra, nuk nxori mësime shteti francez dhe nuk e anuloi vendimin e tij? Sigurisht, një faktor me peshë ishte që mbreti kishte frikë se mos ky anulim dobësonte shtetin. Për më tepër, atij i leverdiste të ishte pro rigjallërimit katolik dhe mostolerancës fetare të Francës së shekullit të 17-të.
Ngjarjet që kishin lidhje me revokimin, kanë bërë që shumë veta të pyesin: «Sa pluralizëm mund të lejojë dhe tolerojë një shoqëri?» Në fakt, siç kanë vërejtur historianët, është e pamundur të marrësh në shqyrtim historinë e hygënotëve, pa menduar për «mekanizmat e pushtetit dhe çoroditjen e tyre». Në shoqëritë e sotme që sa vijnë e bëhen shumëraciale dhe të shumëllojshme në aspektin fetar, ikja e hygënotëve drejt lirisë është një përkujtues therrës i asaj që ndodh kur politikat e frymëzuara nga kisha dalin mbi interesat e popullit.
[Shënimi]
a Shiko kutinë në faqen 28.
[Kutia në faqen 28]
Dragonadat
Ndryshimi i fesë me anë të terrorit
Disa i konsideronin dragonët si «misionarë të shkëlqyer». Megjithatë, mes hygënotëve ata ngjallën panik dhe në disa raste ndodhi që sapo dëgjonin për mbërritjen e tyre, fshatra të tëra ktheheshin në katolicizëm. Por cilët ishin këta dragonë?
Dragonët ishin ushtarë me armatim të rëndë që banonin në shtëpitë e hygënotëve, me synimin për të frikësuar banorët. Përdorimi i dragonëve në këtë aspekt njihej si dragonadë. Për të shtuar barrën e vënë mbi familjet, numri i ushtarëve të dërguar në një shtëpi ishte në shpërpjestim me mundësitë ekonomike të familjes. Dragonët ishin të autorizuar t’i trajtonin brutalisht familjet, t’i linin pa gjumë dhe t’u shkatërronin ato që zotëronin. Nëse banorët e mohonin besimin protestant, dragonët largoheshin.
Dragonadat u përdorën në vitin 1681 për të bërë ndryshime në fe në Poitou të Francës Perëndimore, një zonë me një përqendrim të madh të hygënotëve. Brenda pak muajsh, ndërruan fenë nga 30.000 deri 35.000 veta. Të njëjtat mjete u përdorën edhe gjatë vitit 1685 në territore të tjera të banuara nga hygënotët. Brenda pak muajsh, u morën nga 300.000 deri 400.000 deklarata për mohim të besimit. Sipas historianit Zhon Keniar, suksesi i dragonadave «e bëri revokimin [e Dekretit tolerues të Nantes] të pashmangshëm, sepse tani ky revokim dukej i mundshëm».
[Burimi]
© Klishé, Biblioteka Kombëtare e Francës, Paris
[Figura në faqen 25]
Kjo deklaratë e vitit 1689 u ofronte strehim protestantëve francezë që kërkonin të shpëtonin nga shtypja fetare
[Burimi]
Me lejen e Bibliotekës së Hygënotëve, Shoqata e Hygënotëve të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, Londër
[Figura në faqen 26]
Revokimi i Dekretit të Nantes, 1685 (Kjo është faqja e parë e revokimit)
[Burimi]
Dokumente të ruajtura në Qendrën Historike të Arkivave kombëtare në Paris
[Figura në faqen 26]
Shumë tempuj protestantë u shkatërruan
[Burimi]
© Klishé, Biblioteka Kombëtare e Francës, Paris