Rio-de-Zhanejro—I bukur dhe magjepsës
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
RIO-DE-ZHANEJRO ka gjithçka: plazhe, kodra, liqene dhe pyje tropikale. «Pamja e tij është kaq tërheqëse, saqë është e vështirë të vendosësh se ku t’i hedhësh më parë sytë!»,—thirri një vizitor. Rio-de-Zhanejro ose thjesht Rio, konsiderohet nga shumë njerëz si njëri prej qyteteve më të bukura të botës. Edhe pse fjala «rio» do të thotë «lumë», qyteti shtrihet në të vërtetë mbi një gji.—Shiko kutinë në faqen 18.
Sigurisht, me 11 milionë banorë që jetojnë në rajonin metropolitan, Rio ka problemet e veta: dhunë, papunësi dhe një krizë strehimi, për të mos përmendur ndotjen dhe trafikun kaotik. Me gjithë këtë, banorët e Rios e quajnë atë me krenari Cidade Maravilhosa (Qyteti i Mrekullueshëm). Një kariokasa do të shprehej: «Rio është një qytet i lumtur. Plazhet dhe kodrat që shohim në një ditë me diell rrugës për të vajtur e për t’u kthyer nga puna na kënaqin.» Një këndvështrim idealist? Le të hedhim një sy.
Gjire, plazhe dhe shumë diell
Pikënisja jonë është gjiri i Guanabarës: vendlindja e Rios. Në 380 kilometrat katrorë të tij shpërndahen si të spërkatur ishuj të pyllëzuar dhe ai rrethohet nga kodra dhe male, më të famshmit e të cilëve janë Korkovado (që do të thotë «Kurrizdalë») dhe mali Kallëp-sheqeri (portugalisht Pão de Açúcar). Maja më e lartë e Korkovados, 704 metra sipër gjirit, është kurorëzuar me një statujë të Krishtit me krahë të hapura 30 metra e lartë dhe me peshë 1.145 tonë. Mali Kallëp-sheqeri, vetëm 395 metra i lartë, e merr emrin e tij nga një kallëp në formë koni që përdorej prej rafinuesve të sheqerit në kohërat koloniale. Vizitorët mund të ngjiten në Korkovado me tren të vogël ose me automobil, ndërsa një teleferik i mbart turistët drejt majës së Kallëp-sheqerit. Peizazhi i Rios, i mbërthyer ndërmjet detit blu të thellë në njërën anë dhe pyllit të gjelbër të theksuar e kontureve gjarpëruese të liqenit Rodrigo-de-Fretas në tjetrën, të lë gojëhapur.
Plazhet me rërë të imët të bardhë dhe me diell, me shumë diell, e bëjnë Rion vend ideal për një turist. Siç mund ta merrni me mend, me temperaturat që në verë arrijnë deri në 40°C, më shumë se 70 plazhet përgjatë 90 kilometrave të vijës bregdetare të Rios janë plot e përplot. Cili plazh është më i miri? Përgjigjja varet nga plazhisti. Për kariokasit plazhi është vend pushimi, sallë leximi, fushë futbolli, shesh volejbolli, bar, restorant, park lojërash, sallë koncertesh, palestër dhe zyrë, si edhe një vend ku shkohet për t’u larë. Çdo mëngjes, bregdeti i Rios është i mbushur me njerëz që bëjnë vrap dhe me çiklistë. Gjithashtu, në një ditë me diell, plazhet janë gjithmonë plot. Megjithatë, pavarësisht nga jeta e tyre në dukje pa telashe, kariokasve u duhet të punojnë pa u lodhur për ta gëzuar jetën e tyre në Rion me diell.
Deri në fundin e shekullit të 19-të, qyteti i Rios vërshonte drejt plazheve të gjirit të Guanabarës. Më pas, tunelet që u ndërtuan për ta lidhur gjirin me plazhet oqeanike i hapën rrugë rritjes së qytetit drejt jugut. Në vitin 1923, me inagurimin e Copacabana Palace Hotel, njëri prej hoteleve të parë luksozë në Amerikën e Jugut, plazhi i parë që u bë i famshëm ishte Kopakabana, «princesha e vogël e detit». Më vonë, në vitet 60, plazhi i Ipanemës u bë një vend takimi për intelektualët dhe bohemët. Nëse diçka nuk konsiderohej e modës në Ipanema, ajo pa diskutim nuk ishte në modë. Plazhi i fundit dhe më i madh që u ndërtua në Rio ishte Bara-da-Tizhuka (18 kilometra i gjatë), i mbiquajtur Majami brazilian. Atje gjenden qendrat më të mëdha tregtare të qytetit dhe shumë ndërtesa të reja banimi.
Një pyll i rrethuar nga një qytet
Gjelbërimi është një pjesë e rëndësishme e peizazhit të Rios. Kopshti i tij i qetë botanik prej 141 hektarësh që ndodhet në qendër të qytetit, është vetëm pak minuta larg rrëmujës dhe gjallërisë së plazheve. I krijuar në shekullin e 19-të, kopshti strehon më shumë se 6.200 lloje bimësh dhe pemësh tropikale.
Një liman tjetër brenda kufijve të qytetit është pylli i Tizhukës. Rreth 20 kilometra larg qendrës së Rios dhe i shtrirë në mbi 65 kilometra katrorë, ai është ndoshta pylli më i madh urban në botë. Ai përmban pjesë të pyllit bregdetar, i cili zgjatej dikur përgjatë tërë vijës bregdetare të Brazilit. Vizitorët mund të shohin zhekitibat madhështore ngjyrë rozë bashkë me canelas-santaset e bukura me lule të verdha. Ka edhe flutura të bukura tërheqëse ngjyrë blu të gjinisë Morpho. Sa për zogjtë, harabelët me ngjyra të gjinisë Tangara me kokë të gjelbër ose me qafë të kuqe janë një pamje e zakonshme.
Një vizitë në qendër
Qendra e Rios është plot gjallëri: kudo ka njerëz që nxitojnë dhe shumë zhurmë e vapë. Këmbësorët shtyhen për vend me shitësit ambulantë, të cilët shesin thuajse gjithçka, që nga mallrat e importuara elektronike deri te rrobat, erëzat dhe ilaçet për kallo. Ju mund të shijoni udhëtimin me tramvaj mbi 42 harqet e forta prej graniti të njohura si Arkos-da-Lapa. I ndërtuar ndërmjet viteve 1712 dhe 1750 nga indianët dhe skllevërit, ai ishte fillimisht një rrugë ujësjellësi që transportonte ujë drejt qendrës së Rios. Por, në vitin 1896, mbi rrugën e ujësjellësit filluan të kalojnë rregullisht tramvajet, duke e transformuar atë në një viadukt.
Në qendër përfshihet edhe pjesa evropiane e qytetit. Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura, i ndërtuar ndërmjet viteve 1906 dhe 1908, ka një fasadë që të sjell ndër mend Muzeun e Luvrit në Paris dhe tablotë e mozaikët e tij me ngjyra të kujtojnë një prej rilindasve italianë. Një ndërtesë tjetër e rëndësishme është Teatri Bashkiak, i inaguruar në vitin 1909, që nxë 2.357 spektatorë dhe që u ndërtua sipas stilit të Teatrit të Operës së Parisit.
Futboll dhe samba
Kariokasit kënaqen me një ndeshje të bukur futbolli, prandaj, kur planifikohen lojëra të rëndësishme kampionati, stadiumi i Marakanës bëhet qendra e vëmendjes. Në këtë stadium, i njohur si stadiumi më i madh i futbollit në botë, janë zhvilluar ndeshje me një pjesëmarrje prej më shumë se 200.000 vetash. Tani për tani, kapaciteti maksimal është kufizuar në 100.000 veta për arsye sigurie dhe për rehatinë e tifozëve.
Një valle e preferuar midis kariokasve është samba me origjinë afrikane. Në mbarë qytetin, shkollat e sambës tërheqin mijëra valltarë: burra, gra dhe fëmijë, shpesh nga e njëjta lagje. Gjatë karnavaleve, pikërisht përpara kreshmëve të mëdha, këto shkolla me mbi 5.000 valltarë secila, ecin në varg përmes Sambodromit, një shesh i stërmadh i ndërtuar posaçërisht për parada, ndërmjet dy tribunave paralele prej betoni që mbajnë deri në 100.000 njerëz. Mjerisht, karnavalet janë bërë të njohura më shumë për teprimet e tyre, që shkojnë nga ngarja e makinës të dehur deri në abuzim me drogën dhe orgji seksuale.
Rio ka problemet e veta
Për dekada, derisa u kalua në vitet 50 nga San Paulo, Rio-de-Zhanejro ishte qendra industriale e Brazilit. Aspirata për kushte më të mira jetese i bëri shumë njerëz të braktisnin jetën e fshatit dhe të transferoheshin në Rio, duke e detyruar një pjesë të popullsisë së qytetit të ngjeshej në blloqe apartamentesh, ndërsa ata që nuk ishin dhe aq në gjendje iu ngjitën kodrave dhe ndërtuan grupe banesash të improvizuara: qytete barakash ose favelas. Në fillim këto banesa u ndërtuan me arka dhe kuti teneqeje të çmontuara dhe u mbuluan me fletë zinku. Ato nuk kishin elektricitet, sistem drenazhimi ose ujë të rrjedhshëm, por të paktën pozicioni i tyre pranë vendeve të punës e bënte më të lehtë jetën e banorëve të tyre. Sot, qytete të pamasë barakash mbulojnë shpatet e kodrave tamam pranë pallateve të bukura që rrethojnë Kopakabanën dhe Ipanemën. Pak vende në botë shfaqin një kontrast të tillë të dukshëm midis kamësve dhe skamësve.
Banesat më të reja të qyteteve të barakave janë ndërtuar me tulla. Duke ndërtuar rrugë dhe duke instaluar pajisje, urbanistët janë përpjekur të bëjnë disa përmirësime. Por kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, në më shumë se 450 qytetet e barakave në Rio jetojnë deri në 900.000 njerëz. Rosinia, më i madhi prej tyre, ka 150.000 banorë. «Ai është si një qytet brenda një qyteti»,—shpjegon Antonio, i cili jeton atje, por punon në një bankë në Ipanema. Banorët kanë televizion me lidhje kabllore, radio lokale dhe një stacion radioje në FM, si edhe një skuadër profesioniste futbolli dhe një shkollë të sambës. Por jeta në qytetin e barakave ka një anë më të zymtë. Shirat e verës shkaktojnë në kodra shkarje toke, të cilat çojnë në plagosje dhe madje edhe në vdekje. Një program ripyllëzimi i kohëve të fundit ka shpërngulur shtëpitë e ndërtuara në disa zona të rrezikshme, duke e përmirësuar kështu gjendjen.
Një problem tjetër i madh është kriminaliteti i organizuar. Viktimat e tij kryesore janë të rinj që i janë futur profesionit të shpërndarësit të drogës. Marrëdhënia ndërmjet shpërndarësve të drogës dhe banorëve qeveriset nga rregulla të caktuara. «Në qytetin e barakave, praktikisht nuk bëhen vjedhje, grabitje ose përdhunime. Askush nuk rrezikon të kryejë këto krime. Njerëzit e dinë që do të ekzekutohen, nëse i bëjnë këto gjëra»,—shpjegon Zhoao, i cili ka jetuar për 40 vjet në një qytet barakash. Shpërndarësit e drogës ndëshkojnë krimet që s’kanë të bëjnë me drogën për të fituar përkrahjen dhe simpatinë e banorëve. «Ndonëse gjërat kanë ndryshuar disi,—shton Zhoao,—për banorët është ende e zakonshme t’u kërkojnë shpërndarësve të drogës që të paguajnë për funeralet, të blejnë ilaçe ose ushqime, të kujdesen për qiratë e papaguara ose të paguajnë për dëfrimet.»
Sfida të tjera
I vendosur ndërmjet detit dhe maleve, Rio është rritur mbi një rrafshinë kënetore, një pozicion që zor se i jep dorë zhvillimit të një qyteti të madh. Gjatë viteve është dashur të bëhet një «betejë kundër këtyre tri elementeve: kënetave, detit dhe maleve»,—shpjegon libri Rio de Janeiro—Cidade e Região (Rio-de-Zhanejro: Qyteti dhe krahina). Për të fituar këtë betejë, janë bërë tunele dhe mbushje të panumërta tokash që lidhin lagjet e ndryshme. Edhe hekurudhat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në popullimin e zonave të periferisë, ndonëse në ditët tona udhëtimi me tren përfshin rreziqe. «Ka kaq shumë njerëz që përpiqen të kapin trenin, saqë nuk ke nevojë të bësh ndonjë përpjekje për të hipur në të. Turma të shtyn përpara»,—shpjegon Serzhio, të cilit në orën pesë të mëngjesit i duhet të kapë një tren në periferi që të arrijë në punë në orën shtatë. Trenat janë kaq plot, saqë shpesh largohen nga stacioni me dyer të hapura dhe me pasagjerë që kacavaren në anët e vagonëve. Kariokasit më kokëkrisur zënë vend madje në majë të tyre, duke bërë, siç është quajtur, rrëshqitje mbi tren. Qoftë edhe një gabim ndërkohë që shmangin kabllot elektrike, do të thotë vdekje thuajse e sigurt.
Një sfidë tjetër është mirëmbajtja e gjirit të Guanabarës, një simbol i bukurisë së qytetit. Sipas një raporti të Bankës Botërore, në disa vende ujërat e tij janë «pothuaj si ujëra të zeza të papërpunuara për shkak të derdhjeve të shumta të ujërave të mbetura industriale dhe të ujërave të zeza të papërpunuara (ose pjesërisht të përpunuara)». Dëmi është jashtëzakonisht i madh dhe përfshin një pakësim në numrin e llojeve të peshqve, që ndikon te 70.000 peshkatarë, të cilët për të nxjerrë bukën e gojës varen nga ky gji. Gjithashtu, plazhet e ndotura trembin turistët. Qeveria është përpjekur të shtrijë sistemin e shkarkimit të ujërave të zeza dhe të mbajë nën kontroll industrinë. Fushata kundër ndotjes në Rio ka si simbol të saj dy delfinë. Organizuesit parathonë se para vitit 2025, në gjirin e Guanabarës do të notojnë delfinë!
Rio prapëseprapë është i bukur!
Pas këtij vështrimi të shpejtë mbi Rion, cili është mendimi juaj? Për shumicën e turistëve dhe kariokasve, Rio prapëseprapë është i bukur! E ç’të themi për problemet? Do të ishte mirë sikur ato të mund të zgjidheshin. Por derisa të ndodhë kjo, gjithçka që mund të bëjnë kariokasit është të përshtaten sa më mirë që munden me problemet e qytetit dhe të kënaqen me mjediset e tij të bukura. Kjo është ajo që ata kanë mësuar ta bëjnë me krijimtari dhe humor.
[Shënimi]
a «Kariokas» përdoret për të thirrur këdo që ka lindur ose që banon në Rio-de-Zhanejro.
[Kutia dhe figura në faqen 18]
Pika kthesë në historinë e Rios
1502: Më 1 janar, Andre Gonsalves, një lundërtar portugez, e merr hyrjen drejt gjirit të Guanabarës për një grykë lumi dhe e quan masën e ujit Rio-de-Zhanejro (lumi i janarit).
1565: Estasio de Sa, komandant i forcave portugeze, gjen një vendbanim të vogël midis lartësive të malit Kallëp-sheqeri dhe Kara-di-Kanit për të luftuar francezët, të cilët, gjithashtu, pretendonin krahinën. Ky vendbanim bëhet qyteti i Rios.
1763: Në një përpjekje për të pasur nën kontroll sasitë e mëdha të arit dhe diamanteve që kalojnë përmes portit, në rrugën nga shteti fqinj Mina Zhera drejt Portugalisë, portugezët e ngrenë Rion në pozitën e kryeqytetit. Tregtia e skllevërve afrikanë merr shtysë.
1808: Mbërrin Oborri mbretëror portugez, që i largohet pushtimit të pashmangshëm të Portugalisë nga Napoleoni I dhe Rio bëhet selia e përkohshme e monarkisë portugeze. Rio vazhdon si kryeqytet deri në ndërtimin e Brazilias në vitin 1960.
[Burimi]
FOTOGRAFIA: MOURA
[Figura në faqet 16, 17]
Plazhi Bara-da-Tizhuka
[Figura në faqen 17]
Marakana, stadiumi më i madh i futbollit në botë
[Figura në faqen 18]
Arkos-da-Lapa, rruga e ujësjellësit që u bë një viadukt