Nga lexuesit tanë
Rrobat Po ju shkruaj në lidhje me artikullin «Lloji i rrobave që veshim: A ka me të vërtetë rëndësi?» (shkurt 1999) I vlerësoj përpjekjet tuaja për të na siguruar «ushqim në kohën e duhur». (Mateu 24:45, BR) Por disa nga komentet e dhëna në artikull m’u dukën se shprehnin opinione personale. Nuk është e justifikueshme të shkruhet se «bluzat që reklamojnë yllin tuaj të preferuar të kinemasë ose të sportit . . . mund t’ju shtyjnë drejt adhurimit të personave të shquar, drejt idhujtarisë». Unë mendoj se është e mundur ta pëlqesh e madje ta admirosh një sportist, pa thyer ndonjë urdhërim të Biblës.
M. D., Francë
I vlerësojmë këto komente të hapura, por nuk ishte synimi ynë që të vendosnim rregulla ose të formonim një kod veshjeje. Artikulli ynë inkurajonte lexuesit të përdorin «mendje të shëndoshë» kur bëjnë zgjedhjen e tyre në veshje. (1. Timoteut 2:9, 10, BR) Komenti lidhur me bluzat nuk ishte dogmatik, por pranonte mundësinë që disa stile rrobash mund ta dëmtojnë personin që i vesh. Edhe pse mund të mos ketë asgjë të gabuar të admirosh talentin ose aftësinë e një individi, a do të ishte e mençur për një të krishterë të vishte diçka që mund t’u jepte të tjerëve përshtypjen se ai admiron stilin e jetës dhe moralin e dikujt që nuk jeton sipas normave të Biblës?—BOT.
Mërgimi në Siberi Më preku kaq shumë historia e Lembit Toomit, «Gjysmë shekulli nën regjimin totalitar» (22 shkurt 1999, angl.), saqë mezi prisja t’ju shprehja çmueshmërinë time. Atij iu desh një besim i madh në Perëndinë Jehova për të mbijetuar gjatë atyre kohëve me kaq shumë sfida. Liria që kanë fituar nga pak kohë vëllezërit tanë në ish-Bashkimin Sovjetik është vërtet e merituar.
J. D., Shtetet e Bashkuara
Pema që këndon Ju falënderoj nga zemra për artikujt që botoni rreth natyrës. E kam vlerësuar veçanërisht artikullin «Një pemë që këndon». (mars 1999) Më përpara, nuk dija asgjë për gjembin fërshëllyes. Pasi lexova për melodinë që prodhojnë gjembat e gjatë dhe gungat e zgavërta që vibrojnë nga era, meditova rreth Psalmit 96:12, 13: «Të gjitha pemët e pyllit le të shpërthejnë plot gëzim përpara Jehovait.» (BR) Sipas mënyrës së vet, kjo pemë e pazakontë lavdëron Jehovain.
M. D., Itali
Rio-de-Zhanejro Si kariokas, banor i Rios, m’u duk shumë tërheqës dhe informativ artikulli juaj «Rio-de-Zhanejro: I bukur dhe magjepsës». (mars 1999) Imazhi i Rios ka vuajtur shumë nga gazetarët që duan të bëjnë bujë.
O. D. C., Brazil
Si gjithmonë, informacioni juaj ishte i përgatitur me kujdes. Nuk keni paraqitur një pikëpamje me paragjykime për të varfërit, të cilëve u vihet shpesh faji për problemet shoqërore të Rios.
V. R. L., Brazil
Letër prindërve Më inkurajoi shumë artikulli «Një letër e veçantë prindërve të tyre». (mars 1999) Ishte pikërisht ajo që duhej t’u kisha shkruar unë prindërve të mi. Ata ishin shembuj të mirë në pjesëmarrjen në mbledhjet e krishtere, ishin të rregullt në shërbim dhe tregonin mikpritje. Babai im ishte shërbëtor ndihmës dhe duhet të ketë qenë shumë i zënë me detyrat në kongregacion. Megjithatë, ai planifikonte shpeshherë zbavitje për ne dhe nuk kemi ndier kurrë zili për shokët e shkollës. Babai vdiq në një aksident rrugor, kur po kthehej në shtëpi nga një kongres i krishterë dhe që nga ajo kohë jeta jonë ka ndryshuar krejtësisht. Por, duke mbajtur ndër mend stilin e tij të jetës, ku vendin e parë e zinte Mbretëria, si edhe besimin e mamasë, jam nxitur që të vazhdoj t’i shërbej Jehovait.
S. K., Japoni