BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 8/99 f. 11-14
  • Nga luan ulëritës në qengj të butë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Nga luan ulëritës në qengj të butë
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ndikime të mbrapshta
  • Roli i babait në jetën time
  • Kthehem te Perëndia
  • Studimi i Biblës në burg
  • Çlirimi përfundimtar nga errësira
  • Duke vështruar përpara drejt parajsës
  • «Keni ndryshuar përshtypjen time për Dëshmitarët e Jehovait»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • «Kisha temperament shpërthyes»
    Bibla të ndryshon jetën
  • Historia e Rikardos dhe e Andresit
    Zgjohuni!—2019
  • Përvoja besimi nga një burg historik
    Zgjohuni!—2001
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 8/99 f. 11-14

Nga luan ulëritës në qengj të butë

TREGUAR NGA ENRIK TORRES I RIU

LINDA në vitin 1941, në ishullin Porto Riko të Karaibeve, ku gjuha e zakonshme është spanjishtja. Prindërit e mi të thjeshtë ishin katolikë, por as atyre, as motrave dhe vëllait tim (që vdiq kur ishte fëmijë) e as mua nuk na u dha asnjëherë ndonjë mësim fetar dhe ne shkonim rrallë në kishë.

Në vitin 1949, familja u largua nga Porto Riko për në Shtetet e Bashkuara. U vendosëm në Harlemin Lindor, të njohur si El Barrio, në Nju Jork Siti. Atje qëndruam deri në vitin 1953. Ishte e vështirë për mua të përshtatesha me gjuhën angleze. Kjo barrierë bëri që të ndihesha i paaftë.

Ndikime të mbrapshta

Më pas familja jonë u transferua në zonën Prospect Heights të Bruklinit. Gjatë kësaj periudhe, unë u ndikova prej bashkëmoshatarëve dhe u bëra pjesëtar i një bande rrugësh. Më vonë më caktuan kapo të saj. Pas kësaj u bëra kreu i një bande tjetër, e cila merrej me vjedhje makinash. U bëra edhe korrier (mbledhës i borxheve të bixhozit të jashtëligjshëm) për bastvënësit e zonës. Nga këto gjëra, arrita deri në vjedhje me thyerje dhe u arrestova disa herë para se të mbushja 15 vjeç. Në atë kohë unë e kisha lënë shkollën.

Kur isha 16 vjeç, autoritetet më dëbuan në Porto Riko për pesë vjet, si pjesë e një marrëveshjeje për ulje dënimi. U dërgova te gjyshi dhe familja e tij. Ai ishte një oficer policie në pension, që ishte i mirënjohur e i respektuar. Por një vit më pas, gjyshi më ktheu në Bruklin, pasi unë ngatërrohesha në grindje pijanecësh, shoqërohesha me njerëz të padëshirueshëm dhe bëja vjedhje me thyerje.

Roli i babait në jetën time

Kur u ktheva në Nju Jork Siti nga Porto Riko, pashë që babai kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, jeta ime ishte drejtuar në krahun e kundërt. Vazhdova të bëja një jetë të paperëndishme dhe u përfshiva në abuzimin me drogën dhe alkoolin. U bëra pjesëtar i një bande që kryente vjedhje me thyerje dhe grabitje me armë, gjë që çoi në arrestimin tim në vitin 1960. U provua se isha fajtor dhe u dënova me tre vjet burg.

Në vitin 1963, u lirova me kusht. Por shpejt u arrestova përsëri për vjedhje me thyerje dhe kreva dy vjet dënim në burgun Rikers Island, në Nju Jork Siti. Në vitin 1965 u lirova. Megjithatë, po atë vit u arrestova për vrasje. Çfarë natyre të egër si të një luani kisha zhvilluar!

Gjyqi më dënoi me 20 vjet burg në Danemora, në pjesën veriore të shtetit të Nju Jorkut. Atje u bëra pjesëtar i shoqërisë së të burgosurve.

Mirëpo, siç e përmenda më parë, babai im po studionte Shkrimet me Dëshmitarët e Jehovait. Më vonë ai u pagëzua dhe shërbeu si plak në një kongregacion të Harlemit. Babai më vizitonte shpesh gjatë burgimit tim dhe më fliste për Perëndinë, për emrin e Tij dhe për qëllimin e Tij.

Gjithsesi, ndërsa isha në burg në Danemora, u bëra pjesëtar i një grupi fajdexhinjsh, të cilët jepnin hua me përqindje jashtëzakonisht të larta interesi. Gjatë kësaj kohe, në vitin 1971, në një burg tjetër të shtetit të Nju Jorkut, në Institutin e Korrektimit të Atikës, shpërtheu një trazirë. Kjo trazirë u bë tema e kryeartikujve të shumë gazetave dhe u trajtua gjerësisht në radiot dhe televizionet anembanë botës. Pas kësaj trazire, për të parandaluar që e njëjta gjë të ndodhte në Danemora, drejtori i burgut mendoi se duhet të seleksiononte ata të burgosur që mund të ishin një ndikim i keq për të burgosurit e tjerë. Ai i izoloi këta në njësi të veçanta.

Ishim rreth 200 të burgosur, nga 2.200, që u izoluam. Disa të tjerë u seleksionuan më vonë për rrahje të rënda. Për më tepër, si pjesë e asaj që ishte emërtuar «trajtim për ndryshimin e sjelljes», në ushqim na futej drogë.

Kjo nuk ishte hera e parë që isha në një njësi izolimi për sjellje rebele. Por qe hera e parë që isha viktimë e një mizorie të tillë dhe kjo gjë ndikoi thellësisht tek unë. Isha me pranga në duar, këmbët i kisha të lidhura me zinxhirë dhe rojet më rrihnin herë pas here egërsisht. Më duhej të duroja edhe fyerje të vazhdueshme raciale, për shkak të kombësisë sime. Prej poshtërimit dhe rrahjeve, unë bëra një grevë të kufizuar urie për gjithë kohën e qëndrimit tim në izolim, e cila zgjati rreth tre muaj. Për pasojë, humba gati 23 kilogramë.

Kërkesat e babait për të mësuar rreth keqësimit të shëndetit tim u shpërfillën nga personeli i burgut. Kjo gjë më bëri të ndihesha i pashpresë dhe u ktheva t’u shkruaja politikanëve për ndihmë lidhur me trajtimin e padrejtë.

Im atë u drejtohej vazhdimisht gazetave për rrahjet, poshtërimin dhe futjen e drogës brenda ushqimit të të burgosurve në njësitë e veçanta. Vetëm një gazetë, Amsterdam News, u përgjigj me një artikull rreth kushteve të vajtueshme. Babai iu drejtua disa herë edhe Komisarit të Korrektimeve në Albani, Nju Jork dhe gjithmonë iu tha se unë isha në një njësi të rregullt. Vërejtjet e mia rreth kushteve të burgut drejtuar politikanëve, ranë në vesh të shurdhër. Isha më i dëshpëruar se kurrë, pasi me sa dukej s’kisha ku të drejtohesha tjetër për ndihmë.

Në atë periudhë, më erdhën ndër mend disa nga gjërat, për të cilat më kishte folur babai. Vendosa t’i lutesha Perëndisë për ndihmë.

Kthehem te Perëndia

Para se të lutesha, m’u kujtua se babai më inkurajonte vazhdimisht që t’i lutesha jo Jezuit, por Atit të Jezuit, emri i të cilit është Jehova. Rashë përmbys mbi dyshemenë e qelisë dhe shpreha pendimin tim të thellë për drejtimin që kisha zgjedhur në jetë, i cili kishte bërë që ta kaloja më shumë se gjysmën e jetës në burg. Iu luta me zjarr Jehovait që të më ndihmonte të dilja nga kjo situatë, sepse tani e kuptoja se vetëm ai kishte fuqinë të më çlironte nga kjo gjendje e pashpresë.

Nuk e di sa gjatë u luta, por më kaloi nëpër mend gjithë e kaluara ime dhe i penduar, i kërkova Jehovait falje. I premtova se do të përpiqesha të mësoja më shumë rreth tij. Jo shumë pas kësaj, më liruan nga ai izolim në birucë të veçantë dhe më çuan me të burgosurit e tjerë. Kjo i dha fund grevës sime të urisë.

Në përputhje me premtimin për të mësuar më shumë rreth Jehovait, fillova të lexoja Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta. Një nga gjërat që më pëlqente te ky përkthim i Biblës, ishte kopertina e tij në ngjyrë të gjelbër. Ajo më tërhiqte, pasi rrobat, qelitë, muret dhe korridoret e burgut ishin të gjitha gri, një gri e zymtë. Më vonë, për habinë time, ngjyra e tërë këtyre gjërave u ndërrua me të gjelbrën e pyllit. Kjo ngjyrë ishte miratuar nga Dega e Korrektimeve pas revoltës në burgun e Atikës.

Unë fillova të lexoja edhe artikuj të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! që babai kishte rregulluar të m’i dërgonte. Përvojat e aq shumë Dëshmitarëve të Jehovait që kishin qenë në burg, sepse ishin mbajtur fort pas besimit të tyre dhe që kishin kaluar shumë më tepër peripeci nga unë, më bënë përshtypje të thellë. Kishte njerëz që nuk kishin kryer asnjë krim, por që kishin vuajtur padrejtësisht, ngaqë ishin besnikë ndaj Perëndisë. Unë, nga ana tjetër, kisha vuajtur atë që meritoja. Pas leximit të këtyre përvojave, zemra ime u prek dhe u ndjeva i shtyrë të mësoja më shumë rreth Jehovait dhe popullit të tij.

Më në fund, një vit më pas, dola para gjykatës për lirim me kusht. Rasti im u rishqyrtua, duke përfshirë vuajtjet që kisha kaluar në njësinë e veçantë. Isha i lumtur të mësoja që do të lirohesha me kusht, në vitin 1972.

Dy javë pas lirimit, mora pjesë në një mbledhje në Sallën lokale të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, në Harlemin spanjoll. Por ndihesha ende i padenjë për t’u shoqëruar me popullin e Jehovait. Gjithashtu, kisha akoma shumë për të mësuar rreth Jehovait, rreth organizatës së tij dhe popullit të tij. Kisha nevojë edhe për kohë, që të përshtatesha sërish me shoqërinë pas kalimit të aq shumë kohe në burg.

Mjerisht, nuk mundja të hiqja dorë nga veset e vjetra. Iu ktheva përsëri drogës, kriminalitetit dhe një mënyre jetese të paperëndishme. Kjo gjë solli përfundimisht si pasojë që të merrja një dënim tjetër me 15 vjet burg. Megjithatë, mendoj se Jehovai duhet të ketë parë diçka të mirë në zemrën time, pasi ai nuk u dorëzua kurrë lidhur me mua. Mund t’ju them vetëm se qoftë që gjendeni në burg, qoftë jo, Jehovai nuk i braktis dhe nuk dorëzohet kurrë lidhur me ata që janë të prirur të mësojnë rreth tij.

Studimi i Biblës në burg

Kësaj here, përsëri në burgun e Danemorës, përfitova nga mundësia për të studiuar Biblën çdo javë me një Dëshmitar të Jehovait. Më vonë u transferova në Institutin e Korrektimit të Mid-Orinxh, një burg i sigurisë së mesme në pjesën veriore të Nju Jorkut. Ky qe një ndryshim nga burgu i sigurisë së lartë në Danemora.

Pas dy vjetësh në Institutin e Korrektimit të Mid-Orinxh, fillova të merrja pjesë aktivisht në studimin biblik që drejtohej me një të burgosur tjetër, gjë që ishte miratuar nga autoritetet e burgut. Mamaja e tij, e cila ishte një Dëshmitare e Jehovait, kishte rregulluar që t’i bëhej ky studim biblik. Më në fund, duke vazhduar të merrja njohuri, unë fillova të zbatoja parimet biblike. Kjo gjë përfundimisht bëri që të përparoja frymësisht.

Pasi më ishte refuzuar shtatë herë lirimi me kusht, herën e tetë, me gjysmë zemre, më liruan me kusht. Shkaku që u dha për refuzimet e mëparshme të lirimit me kusht ishte «prirja për kriminalitet» nga ana ime. U lirova pasi kisha kryer 8 nga 15 vjetët e dënimit.

Çlirimi përfundimtar nga errësira

Pasi u lirova, unë përsëri e humba mendjen dhe shpejt u dhashë pas drogës. Gjithashtu, bashkëjetoja me një grua. Kjo gjë kishte filluar në vitin 1972. Por, në vitin 1983, unë fillova sërish studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Këtë herë, fillova të merrja pjesë rregullisht në mbledhjet e krishtere. Megjithatë, përpara se të studioja dhe të merrja pjesë në mbledhje, unë hoqa dorë nga droga dhe e lashë duhanin.

Sidoqoftë, në kundërshtim me ligjet e Perëndisë për martesën, bashkëjetoja ende me një grua. Kjo gjë më vriste ndërgjegjen, kështu që u përpoqa ta ndihmoja atë që të pranonte një studim biblik dhe ta ligjëronim marrëdhënien tonë duke u martuar. Por ajo tha se Bibla ishte një libër i shkruar nga njerëzit, i projektuar nga burrat për të nënshtruar gratë dhe se martesa nuk ishte e nevojshme.

E kuptova se nuk mund të vazhdoja të jetoja duke pasur marrëdhënie imorale me një grua që nuk i respektonte ligjet e Perëndisë mbi martesën. Kështu, i dhashë fund marrëdhënies sonë dhe u transferova në Bruklin. E dija që s’mund t’u flisja të tjerëve rreth Perëndisë dhe qëllimit të tij, nëse vetë jeta ime nuk ishte në harmoni me ligjet e tij.

I lirë nga të gjitha lidhjet jobiblike dhe pasi kisha studiuar Biblën për tre vjet, me një ndërgjegje të pastër ia dedikova jetën time bërjes së vullnetit të Perëndisë dhe në simbol të kësaj u pagëzova në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait. Premtimi që kisha bërë, për të njohur Perëndinë, emrin e të cilit babai im e përmendte gjithmonë, është diçka për të cilën s’jam penduar kurrë. Gjithashtu, premtimi që i bëra Jehovait në qelitë e burgut në Danemora është një premtim, të cilin do të punoj shumë ta mbaj, derisa ai të sjellë bekimet e shumta që ka premtuar në Fjalën e tij.

Duke vështruar përpara drejt parajsës

Unë pres vërtet me padurim kohën kur Jehovai do ta transformojë gjithë këtë tokë në një parajsë të bukur. (Psalmi 37:11, 29; Luka 23:43) Gjithashtu, pres me padurim përmbushjen e një premtimi tjetër të Perëndisë: ringjalljen e të vdekurve, me mundësinë për të jetuar përgjithmonë mbi tokë. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Çfarë kohe e mrekullueshme do të jetë ajo, kur do të mirëpres në ringjallje të dashurit e mi të vdekur, mes të cilëve babanë tim, vëllanë tim të vogël dhe të tjerë që i njihja e që vdiqën para kohe! Meditoj shpesh mbi këtë shpresë dhe ajo më mbush me gëzim. Një gëzim tjetër që kam tani është që dy motrat e mia dhe disa nga fëmijët e tyre ia kanë dedikuar jetën Jehovait dhe janë pagëzuar.

Sot, ndërsa u flas për besimin tim të tjerëve dhe u tregoj përvojën e jetës sime, nuk mund të ndihem veçse i kënaqur t’u bëj të njohura fjalët ngushëlluese të psalmistit, të dokumentuara në Psalmin 72:12-14: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.»

Durimi që ka treguar me mua Jehovai më ka ngrohur zemrën dhe më ka dhënë mundësi të mësoj e të praktikoj veçoritë që ai dëshiron të kenë njerëzit, jo veçoritë e egra si të një luani, por cilësitë paqësore, dashamirëse dhe të buta që ka një qengj. Kjo është e nevojshme, sepse, siç thotë Fjala e Perëndisë, «zemërbutëve ai do t’u tregojë favor».—Fjalët e urta (Proverbat) 3:34, BR.

[Diçitura në faqen 12]

«U arrestova përsëri për vjedhje me thyerje dhe kreva dy vjet dënim në burgun Rikers Island, në Nju Jork Siti. Në vitin 1965 u lirova. Megjithatë, po atë vit u arrestova për vrasje. Çfarë natyre të egër si të një luani kisha zhvilluar!»

[Figura në faqen 13]

Dita kur u pagëzova

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo