BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g 8/99 f. 15-17
  • Zogu që puth lule

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Zogu që puth lule
  • Zgjohuni!—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Mrekulli akrobatike
  • Llupës i madh
  • Ritet e çiftimit
  • Shtëpi të brishta
  • I guximshëm
  • Gjuha e kolibrit
    Zgjohuni!—2010
  • Gjuha e kolibrit
    A është projektuar?
  • Çfarë mësojmë nga krijimi për guximin?
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2020
  • Vëzhgimi i zogjve: Një hobi magjepsës për këdo?
    Zgjohuni!—1998
Shih më tepër
Zgjohuni!—1999
g 8/99 f. 15-17

Zogu që puth lule

BRAZILIANËT e quajnë beizha-flor, domethënë zogu që puth lule. Ky emër i përshtatet mirë rolit që luajnë kolibrat midis luleve. Vëzhgues të tjerë, duke vërejtur ngjyrat e ndezura të puplave të këtyre zogjve, i quajnë këto krijesa të vockla «xhevahirë të gjallë» ose «fragmente tërheqëse ylberi» dhe u vënë llojeve të ndryshme emra të këndshëm të tillë, si topaz i rubintë, smerald bark-vezullues ose kometë me bisht të bronztë.

Ngjyrat spektakolare vërehen kryesisht në puplat e veçanta rreth gushës dhe kurorës së kokës të kolibrave meshkuj. Puplat e tyre kanë shtresa qelizash të mbushura me ajër dhe këto qeliza përthyejnë rrezet e dritës, duke krijuar një ylber ngjyrash, diçka e ngjashme me atë që mund të krijonin miliona flluska të vockla sapuni.

Një përshkrim i bukur i kolibrit të kuqërremtë (Selasphorus rufus) me ngjyrë kanelle, i cili haset dendur në perëndim të Amerikës së Veriut, gjendet në librin Creature Comforts, nga Xhoan Uord-Harris: «Xhevahiri i tij është gusha, brezi dekorativ i saj . . . Ai shtrihet që poshtë faqeve e sqepit të tij deri te pjesa e gushës dhe e kraharorit, si një gushore bebeje. Pamja e këtij brezi me ngjyra flakëruese të lë gojëhapur. Zogu, në fakt, duket sa dyfishi i madhësisë së tij normale dhe ngjan me të vërtetë sikur ka marrë zjarr.» Ndërsa kolibri i kuqërremtë largohet vetëtimthi, brezi në gushën e tij mund të vezullojë në ngjyrë vjollce, smeraldi ose madje edhe me të gjitha ngjyrat e spektrit të dritës. Por, sapo kthehet kundër dritës, brezi i gushës merr në çast një ngjyrë të zezë të thellë, të kadifenjtë.

Mrekulli akrobatike

Kolibrat janë të njohur për akrobacitë ajrore të nivelit të lartë. Për një moment, zogu qëndron pezull pranë lules duke pirë nektarin e saj, ndërsa krahët e tij që gumëzhijnë nga lëvizja ngjajnë si një njollë e mjegullt. Pastaj, papritmas, ky vocërrak i fuqishëm turret si shigjetë përpara, mbrapa, anash ose madje edhe kokëposhtë, duke i rrahur krahët 50 deri në 70, disa thonë madje 80 herë në sekondë! Thuhet se ai mund të arrijë shpejtësi prej 50 deri në 100 kilometra në orë e pastaj të ndalojë befas. Ç’gjë e bën të aftë kolibrin që të kryejë këto bëma të mahnitshme?

Sekreti gjendet në pjesët e trupit të kolibrit, të projektuara në mënyrë të mrekullueshme. Muskujt e zhvilluar mirë, të fiksuar në kafazin e kraharorit të dalë përpara, përbëjnë 25 deri në 30 për qind të peshës së tij trupore. Krahët, të fortë që nga supi deri në majë, u japin mundësi që të ushtrojnë fuqi kur i rrahin krahët si në drejtimin poshtë, ashtu edhe në drejtimin lart, ndryshe nga zogjtë e tjerë që e kanë këtë fuqi vetëm kur i rrahin krahët në drejtimin poshtë. Kështu, që të dyja rrahjet krijojnë forcë ngritëse dhe forcë shtytëse, ndërkohë që nyja e supit jep mundësi të bëhen rrotullime prej 180 gradësh. S’është aspak për t’u çuditur, pra, që akrobacitë e këtij zogu mund të na magjepsin!

A do ta kalonin kolibrat një provë qëndrueshmërie? Pa asnjë dyshim. Për shembull, çdo vit disa kolibra të kuqërremtë shtegtojnë më shumë se tre mijë kilometra larg shtëpisë së tyre dimërore në Meksikë, duke shkuar drejt veriut, deri në Alaskë. Rreziqet e grykave të maleve të larta, të hapësirave ujore dhe motit të keq nuk i shkurajojnë ata.

Llupës i madh

Marrëdhënia e ngushtë që kanë kolibrat me lulet që vizitojnë, i shërben një qëllimi të dobishëm: pllenimit të kryqëzuar. Sidoqoftë, ajo që i tërheq me të vërtetë ata është nektari. Për t’u furnizuar me energjinë e tij të jashtëzakonshme, kolibri ka nevojë të hajë çdo ditë gati sa gjysma (disa thonë sa dyfishi) e peshës së vet nektar të pasur me karbohidrate. A mund të imagjinoni një kërkesë proporcionale ushqimi për njeriun?

Ndryshe nga shumica e zogjve, kolibrat ecin rrallë. Ata ushqehen në fluturim. Me sqepa që ndryshojnë në gjatësi dhe në formë sipas llojeve, ata zgjedhin lule që i përshtaten veçanërisht sqepit të tyre. Ata e plotësojnë ushqimin e tyre me nektar duke kapur miza uthulle dhe morra bimësh në bimësinë ku shkojnë. Si e merr zogu nektarin prej luleve që puth?

Mjeti që përdor kolibri për t’u ushqyer është gjuha. Xhoan Uord-Harris shkruan: «Gjuha e kolibrit është e gjatë, e ngushtë, e bigëzuar dhe me pakëz qime në majë. Ajo përshkohet nga dy brazda gjarpëruese, që krijojnë kështu korita të vockla, përmes të cilave, sipas veprimit të kapilaritetit, zhvendoset nektari derisa gëlltitet.»

Nëse i tërhiqni kolibrat që të ushqehen te një lule pranë dritares suaj, nuk do të mërziteni kurrë prej zbavitjes që do t’ju japin këta zogj magjepsës jashtëzakonisht energjikë. Megjithatë, ushqejini vetëm nëse jeni të përgatitur të kujdeseni për ta gjatë një stine të tërë, pasi ata do të varen nga burimi juaj i ushqimit, ndërkohë që mbajnë me të familjen e tyre në një çerdhe aty pranë.

Ritet e çiftimit

Disa lloje kolibrash në Amerikën Qendrore dhe Jugore i tërheqin të dashurat e tyre me anë të këngës. Kolibri me gushë ngjyrë vere (Atthis ellioti), që gjendet në Guatemalë, bën kadencat më melodioze. Ndërsa kënga e kolibrit veshbardhë (Hylocharis leucotis) i ngjan «tingujve të ëmbël të një zileje të vogël të argjendtë». Por, shumica e kolibrave nuk njihen për këngëtarë. Ata thjesht përsëritin vazhdimisht disa tinguj monotonë e të çjerrë ose herë të tjera këndojnë nën zë me sqepin të mbyllur dhe gushën të fryrë.

Disa kolibra japin një shfaqje marramendëse akrobacish në ritualin e tyre të çiftimit. Kjo ndodh te kolibri i kuqërremtë, i cili lëshohet pingulthi si rrufe nga një lartësi e madhe deri në një pikë tamam mbi femrën që po e vështron dhe pastaj, pikërisht në kohë, ngjitet pingul lart për të përshkruar germën J. Ai manovron andej-këtej në pjesën e lakuar të kësaj germe J, derisa kthehet përsëri në pikën e lartë ose derisa largohet duke fluturuar me shoqen e tij të re. Rrahjet e krahëve të tij gjatë kësaj shfaqjeje për të rënë në sy, mund të arrijnë në dyqind në sekondë!

Shtëpi të brishta

Çerdhja e kolibrit, siç thotë një vëzhgues, është «një prej strukturave më të brishta në botë». Xhoan Uord-Harris i tregoi reporterit të Zgjohuni! një fole që kishte gjetur. Foleja ishte katër centimetra e gjysmë e gjerë dhe rreth një centimetër e thellë, e ndërtuar në një mënyrë të tillë që ndërsa të vegjlit me madhësinë e grerëzës do të rriteshin, shtëpia e tyre e rehatshme do të zgjerohej që t’i nxinte brenda. Të mbash një fole në pëllëmbën e dorës është diçka drithëruese: ngjan si filxhani i një kukulle të vogël, i bërë me materiale të buta bimore. Çerdhet ndërtohen edhe me pupla të imëta, të endura bashkë me pëlhura merimangash. Në fole vendosen dy a tri vezë të bardha borë, «si perla të njëjta me njëra-tjetrën, të vendosura me rregull».

Kur ushqen të vegjlit e saj, nëna e fut sqepin thellë në grykën e tyre të vockël, duke zbrazur ushqimin e nevojshëm. Zakonisht, pas vetëm tri javësh, zogthat, të cilëve sapo u kanë dalë krahët, largohen instinktivisht e jetojnë më vete, duke u ushqyer e duke u rritur derisa ora e tyre e brendshme i nis në shtegtimin e gjatë drejt vendeve me dimra më të butë.

I guximshëm

Një karakteristikë e habitshme e kolibrit është natyra e tij e guximshme. Mund të shihni një shfaqje të saj, kur ai duket se merr zjarr nëse i rrezikohen pikat e ushqimit ose territori. Në Amerikën e Jugut, dy kolibra me kurorëza ngjyrë purpur të kadifenjtë (Boisonneaua jardini) u vërejtën duke iu turrur trimërisht një shqiponje që kishte pushtuar zonën e folesë së tyre, duke treguar kështu gatishmërinë për të sfiduar, po të ishte e nevojshme, edhe një Goliad. Por ndonjëherë kolibrat mbeten të vrarë nga armiq të tjerë të tillë, si: gjarpërinjtë, bretkosat, pëlhurat e merimangave, lulet me gjemba dhe njerëzit koleksionistë.

Megjithatë, shumë njerëz u bëhen shokë kolibrave dhe presin me padurim vit pas viti që ata të kthehen e të rifillojnë aktivitetin e tyre domethënës. Studimi më nga afër i këtyre xhevahirëve vezullues të krijimit patjetër që do t’jua shtojë kënaqësinë që merrni prej tyre, nëse ata zgjedhin të puthin lulet në kopshtin tuaj.

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

FAKTE RRETH KOLIBRIT

• Me 320 lloje, kolibrat përbëjnë familjen e dytë më të madhe të shpendëve në Hemisferën Perëndimore

• Ata janë më të vegjlit e botës së shpendëve: kolibri-bletë i Kubës është afro 6 centimetra që nga maja e bishtit deri te maja e sqepit

• Kolibri më i madh ka një gjatësi të përgjithshme prej 22 centimetrash dhe gjendet në perëndim të Amerikës së Jugut, nga Ekuadori deri në Kili

• Habitati i tyre kryesor përfshin pjesën e brezit ekuatorial që përshkon Amerikën e Jugut, që nga niveli i detit deri në më shumë se 4.500 metra mbi të dhe disa ishuj të Karaibeve e të Paqësorit

• Gjatë muajve të verës, ata gjenden deri në Alaskë në veri dhe deri në Tokën e Zjarrtë në jug

• Dikur, miliona prej tyre vriteshin, që të siguroheshin zbukurime për tregtinë e kapeleve në Evropë, gjë që mund të ketë çuar në shfarosjen e disa llojeve

[Figurat]

Kolibri gjigand (madhësia reale)

Kolibri-bletë (madhësia reale)

[Burimet]

© C. H. Greenewalt/VIREO

© 1990 Robert A. Tyrrell

[Figura në faqen 15]

Kolibri i kuqërremtë

[Burimi]

THE HUMMINGBIRD SOCIETY/Newark Delaware USA

[Figura në faqen 15]

Kolibri-bletë (i zmadhuar)

[Burimi]

© 1990 Robert A. Tyrrell

[Figura në faqen 15]

Mango i Antileve

[Burimi]

© 1990 Robert A. Tyrrell

[Figura në faqen 16]

Vetmitari gjoks-kuqërremtë

[Burimi]

© 1990 Robert A. Tyrrell

[Figura në faqet 16, 17]

Calypte anna (i zmadhuar)

[Burimi]

Patricia Meacham/Cornell Laboratory of Ornithology

[Figura në faqen 17]

Femra e kolibrit gushë-rubin dhe të vegjlit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo