Përse muzika ndikon mbi ne?
MUZIKA dhe gjuha janë veçori unike të njeriut. Do të ishte e vështirë të imagjinoje një botë pa ndonjërën prej tyre. «Si gjuha, ashtu edhe muzika janë karakteristika të qenieve njerëzore dhe duket se ato janë universale»,—thuhet në librin The Musical Mind. Ato janë aspekte të nevojës sonë për të komunikuar. Kështu që mund të thuhet se, ashtu siç është e vërtetë për gjuhën, kur muzika «flet» ndjenjat tona «dëgjojnë».
Përse dhe si u flet muzika ndjenjave tona? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të marrim në shqyrtim: (1) vetë elementet muzikore dhe mënyrën se si i përpunon ato truri ynë; (2) formimin tonë emocional dhe atë kulturor, i cili ndikon në reagimin tonë ndaj muzikës dhe (3) gjuhën, e cila mund të ndikojë po ashtu në reagimin tonë.
Elementet muzikore
Veçoritë e muzikës quhen shpesh «elemente muzikore». Këto elemente përfshijnë ngjyrimin e tingujve të një instrumenti ose timbrin e tij. Për shembull, kornoja është përshkruar si «pompoze» ose e fuqishme dhe tingulli i saj si krejt i ndryshëm nga ai i trombës «kryelartë». Megjithatë, që të dyja i përkasin së njëjtës familje ose grupi instrumentesh frymore, çdonjëri prej të cilëve krijon ngjyrime, ose harmonika, me intensitet të ndryshëm. Kjo është ajo çka i jep secilit instrument «zërin» e vet unik. Kompozitorët i përdorin këto veçori për të krijuar efekte të caktuara zanore, që të prekin ndjenjat e dëgjuesit.
Ka të ngjarë që një nga elementet e para me të cilat ne familjarizohemi është ritmi, ndoshta ndërsa jemi ende në mitër, duke dëgjuar rrahjet e zemrës së nënës tonë. Thuhet se reagimi që kemi ndaj ritmit muzikor mund të ndikohet në mënyrë të pavetëdijshme nga rrahjet e zemrës ose madje edhe nga frymëmarrja jonë. Prandaj, mund të mos jetë aspak rastësi që shumica e njerëzve duket se preferojnë një temp muzikor me 70 deri në 100 rrahje në minutë, i njëjti intensitet me ritmin mesatar të zemrës së një të rrituri të shëndetshëm. Të paktën kjo është ajo që lihet të kuptohet në gazetën Perceptual and Motor Skills.
Larmia e madhe muzikore që mund të krijojnë këto elemente bëhet e dukshme kur shqyrtohen një varg instrumentesh dhe tingujt e meloditë që nxjerrin ato. Zëri prekës i fagotit në kohën e dytë të koncertit për fagot të Moxartit mund të zgjojë ndjenja dhe emocione të thella. Tingujt e përvajshëm të një flauti japonez shakuhaki mund të prekin ëmbëlsisht zemrën. Zëri i ngjirur i një saksofoni tenori bën që një melodi bluz të mbetet në mendjen e shumë njerëzve. Buçima e një tube në një bandë frymore gjermane zakonisht zgjon ndjenja ngazëllimi. Melodia ritmike e violinave që luajnë një vals të Shtrausit i nxit shumë dëgjues që të dëshirojnë të ngjiten në pistën e vallëzimit. Këto efekte krijohen sepse, siç thotë Kliv E. Robins, i Qendrës së Terapisë Muzikore Nordoff-Robbins në Nju Jork, «muzika i flet tërë qenies njerëzore».
Harmoni, disonancë dhe melodi
Harmonia krijon tinguj të këndshëm, ndërsa disonanca krijon tinguj të vrazhdë. Por a e dinit se në disa lloje muzike këto elemente plotësojnë njëra-tjetrën? Një pjesë muzikore që duket e harmonishme ndoshta ka në vetvete më shumë disonancë nga ç’mund ta imagjinoni. Bashkëveprimi i vazhdueshëm mes harmonisë dhe disonancës siguron një shtim luhatës, ndonëse në përgjithësi të pandjeshëm, të gjendjes së pritjes, i cili gjen çlirim në ndjenjat tona. Kjo lëkundje e butë emocionale është çlodhëse, ndërkohë që muzika vetëm me disonancë ose krejt e paharmonishme mund të irritojë nervat dhe të ngjallë ndjenja të pakëndshme, ashtu si do të bënte gërvima e thonjve mbi një pllakë shkrimi ose mbi një dërrasë të zezë. Nga ana tjetër, nëse bazohet vetëm në harmoninë, muzika mund të jetë e mërzitshme.
Melodia është aranzhimi melodioz i një vargu notash. Sipas disa burimeve të mirënjohura, kjo fjalë e ka origjinën nga fjala greke meʹlos, që do të thotë «këngë». Melodi, sipas fjalorëve, është muzika e ëmbël, çdo tingull i ëmbël.
Sidoqoftë, jo thjesht vargu i tingujve formon një melodi të ëmbël. Për shembull, intervalet e gjata e të shpeshta mes notave të njëpasnjëshme mund ta bëjnë një pjesë muzikore dramatike, por jo të ëmbël. Nga ana tjetër, notat që rrjedhin njëra pas tjetrës me pak intervale të gjata mes tyre mund të formojnë një melodi të këndshme. Aranzhimet e ndryshme të notave e të intervaleve i japin një melodie karakter të trishtuar ose të gëzueshëm. Ashtu si në rastin e harmonisë, një melodi krijon gjendje pritjeje dhe shtendosje, duke prekur ndjenjat tona me anë të ngritjes dhe uljes së tonalitetit, që është shkalla e lartësisë së një note.
Kur ndërthuren, të tëra këto elemente krijojnë forca të fuqishme, që mund të stimulojnë ose të qetësojnë ndjenjat tona. Kjo ndodh për shkak të mënyrave të ndryshme në të cilat e percepton dhe e përpunon truri ynë muzikën.
Muzika dhe truri
Disa studiues mendojnë se gjuha dhe arsyeja janë në pjesën më të madhe funksione të anës së majtë të trurit, ndërsa muzika përpunohet në anën e djathtë të trurit, e cila merret kryesisht me ndjenjat dhe emocionet. Sido që të jetë, është e dukshme se muzika shkakton reagime spontane te dëgjuesit. Gazeta Perceptual and Motor Skills shprehet në këtë mënyrë: «Muzika ka fuqinë të krijojë ndjenja dhe emocione në një mënyrë të shpejtë dhe të efektshme. Ajo çka do të kërkonte fjali të tëra për t’u përshkruar në një libër. . ., në muzikë shpesh mund të transmetohet nga një masë e vetme muzikore ose nga një akord.»
Për sa i përket lidhjes së shikimit dhe dëgjimit me reagimet ndaj secilës prej këtyre, në librin Music and the Mind bëhet kjo vërejtje interesante: «Ekziston një lidhje më e ngushtë mes dëgjimit dhe prekjes së ndjenjave, sesa mes shikimit dhe prekjes së ndjenjave. . . . Shikimi i një kafshe të plagosur ose i një njeriu që vuan, i cili qëndron i heshtur mund të mos shkaktojë një reagim të fortë emocional te vëzhguesi. Por kur ata fillojnë të ulërasin, shikuesi zakonisht preket shumë.»
Muzika, teksti dhe ju
Sipas një rryme mendimi, një pjesë e caktuar muzikore ka efekt të ngjashëm te të gjithë dëgjuesit. Megjithatë, një tjetër thotë se reagimi ndaj një melodie ose një kënge pasqyron gjendjen mendore aktuale të personit ose atë që ai ka përjetuar në jetë. Një shembull i kësaj mund të jetë rasti kur dikush që ka humbur një njeri të dashur dëgjon një këngë të caktuar, ndoshta në një vend adhurimi. Kënga mund t’i sjellë ndër mend kujtime dhe të shkaktojë trishtim ose mund të bëjë madje që në sytë e personit të hidhëruar të vërshojnë lotët. Njerëz të tjerë, që nuk janë në atë situatë, mund ta këndojnë po atë këngë me zemër të gëzuar.
Mendoni, gjithashtu, për përshkrimet e kornos dhe të trombës që u bënë pak më sipër. Ju mund të mos jeni dakord që kornoja tingëllon pompoze. Për ju ajo mund të jetë e zhurmshme dhe hokatare, ndërsa tromba mund t’ju duket më prekëse. Brenda çdonjërit prej nesh gjendet një gurrë unike ndjenjash, të cilat muzika mund t’i bëjë të gufojnë: pra, ne reagojmë sipas mënyrës sonë.
Muzika ndihmon për të lidhur fjalët ose idetë me ndjenjat. Prandaj, pak reklama në televizion ose në radio jepen pa shoqërim muzikor. Shpesh fjalët nuk janë edhe aq të arsyeshme. Megjithatë, nëse në sfond vihet muzika e përshtatshme, reklama do të ndikojë në ndjenjat e dëgjuesit. Sa e vërtetë është pra që synimi i shumicës së reklamave është ta bëjnë blerjen një reagim të bazuar në ndjenjat, në vend se në logjikën!
Ndërkohë që reklamat mund të kenë një efekt të papëlqyeshëm në xhepat e spektatorëve, ekziston një aspekt negativ shumë më serioz lidhur me fuqinë e muzikës dhe të teksteve të këngëve. Në Journal of Youth and Adolescence tregohet se përmes fjalëve të këngëve që përsëriten pa pushim, autorët e këngëve i mësojnë adoleshentët që të shpërfillin mendimet e të tjerëve dhe të «bëhen cuba». Sipas një burimi tjetër, mesazhet që përcillen me anë të «teksteve të muzikës rep që nxitin kundërshtimin . . . , [e që janë] me përshkrime më të gjalla se homologet e tyre heavy metal», mund të depërtojnë në formimin emocional të dëgjuesit dhe të çojnë si rezultat në sjellje antishoqërore.
A mund të shmangen reagimet negative, nëse një person thjesht dëgjon muzikën dhe nuk i kushton vëmendje tekstit? Duhet pranuar në të vërtetë se në pjesën më të madhe, fjalët në muzikën heavy metal dhe rep zor se dëgjohen. Në fakt, ato shpesh bëhen thuajse të pakuptueshme nga volumi jashtëzakonisht i lartë i muzikës. Gjithsesi, të kuptueshme apo jo, mesazhi është prapëseprapë atje, në ritmin pulsues dhe në muzikën që përsëritet!
Si kështu? E po, disa prej titujve të këngëve mjaftojnë për të krijuar një parafytyrim. Për më tepër, shpesh mesazhi është vetë lloji i muzikës. Çfarë mesazhi po transmetohet? Një revistë për të rinjtë thotë: «Duket se është një imazh i pushtetit, i fuqisë dhe i fitores seksuale.» Një tjetër thotë: «Temat kryesore. . . janë rebelimi ekstrem, dhuna, abuzimi me drogën dhe alkoolin, shthurja seksuale, zvetënimi dhe satanizmi.»
Disa të rinj thonë që ndonëse kjo gjë mund të jetë e vërtetë, ajo nuk ndikon te ta negativisht. Ata arsyetojnë se kjo muzikë është e dobishme, sepse i ndihmon të ‘gjejnë vetveten’. A është kështu? Journal of Youth and Adolescence vëren: «Zemërimi, temat që nxitin kundërshtimin dhe pushteti, te të cilat disa djem gjejnë vetveten në muzikën heavy metal, mund të jenë veçanërisht të mirëpritura në fund të ditës prej atyre djemve që kanë rezultate të dobëta në shkollë, pasi kanë dëgjuar t’u thuhet gjithë ditën se nuk janë në nivelin e duhur.» Pastaj aty shtohet: «Ironia ose ajo që të çudit është fakti se përpjekja e adoleshentëve për të gjetur një vetvete më të sigurt dhe autentike përfshin përdorimin e një mjeti publik të përbashkët. Në vend që të kërkojnë përvoja vërtet unike në vetminë e tyre, adoleshentët u drejtohen modeleve të gatshme, të siguruara nga një industri tregtare.» Me fjalë të tjera, dikush tjetër po u thotë këtyre të rinjve çfarë të mendojnë dhe si të ndihen.
Le të vërejmë koncertet rok. Çfarë efekti kanë ato mbi turmat që marrin pjesë? Libri Music and the Mind përgjigjet: «Nuk ka asnjë dyshim se duke u dhënë zjarr emocioneve të turmës dhe duke bërë që këto emocione të arrijnë kulmin së bashku, në vend që veç e veç, muzika mund të ndikojë fuqishëm në humbjen e gjykimit të shëndoshë, në dorëzimin e verbër ndaj ndjenjave të çastit, gjë që është një karakteristikë kaq e rrezikshme e sjelljes së turmave.» Disa nga skenat e dhënies së pakontrolluar pas impulseve të momentit në koncertet rok provojnë vërtetësinë e këtij pohimi.
Kështu, për të shmangur ndotjen e mendjes dhe të zemrës, duhet të jemi shumë seleksionues në zgjedhjen e muzikës. Si mund ta bëjmë këtë? Artikulli përmbyllës do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
[Figura në faqen 7]
Muzika shpesh bën që dëgjuesit të duan të vallëzojnë