Një vështrim rreth botës
«Kulla e Babelit»
Në gazetën e Parisit International Herald Tribune raportohet se Komuniteti Evropian (KE) ka 11 gjuhë zyrtare dhe se më vonë mund të shtohen edhe 10 të tjera. Për momentin, Komisioni Evropian, trupi ekzekutiv i KE-së, punëson mëse katër herë më shumë përkthyes, sesa selia qendrore e Kombeve të Bashkuara, e cila ka vetëm pesë gjuhë zyrtare. Ndërkohë që po bëhen përpjekje për ta bashkuar Evropën dhe për t’i thjeshtësuar veprimet e Komunitetit Evropian, në lidhje me gjuhët po ndodh e kundërta. Çdo vend anëtar mbron gjuhën e vet. «Ngrihet kërcënueshëm një Kullë Babeli»,—komenton gazeta. Komisioni përballet, gjithashtu, me problemin e «të folurës së Komunitetit», pra një gjuhë që përdoret brenda përbrenda, plot me zhargone dhe shprehje abstrakte. Sipas një përkthyesi, të bësh që politikanët të shprehen qartë është një sfidë, kur «shpesh qëllimi i tyre është pikërisht të mos jenë të qartë».
Kafshët shtëpiake: Të dobishme për shëndetin?
«Dashuria për kafshët shtëpiake mund të ndihmojë që një person të qëndrojë larg dhomës së mjekut»,—thuhet në gazetën The Toronto Star. Gjatë dekadës së kaluar, studime të ndryshme kanë treguar se «kafshët shoqëruese sjellin si rezultat pakësim të stresit, më pak vizita te mjeku dhe madje edhe një përqindje më të lartë mbijetese pas një ataku zemre. Një kafshë mund t’i ndihmojë viktimat e apopleksisë që të marrin veten dhe pacientët me probleme mendore që të mposhtin ankthin». Dr. Alan Bek, i Universitetit Purdue të Mjekësisë Veterinare në Indiana, SHBA, mendon se «kafshët i qetësojnë njerëzit. Ato janë një qendër vëmendjeje dhe përkëdheljesh». Këto efekte vijnë edhe nëse kafsha nuk është një kafshë shtëpiake e familjes dhe ky fakt ka çuar në krijimin e një «terapie me ndihmën e kafshëve». Kështu, disa punonjës të shëndetit mendor i kanë inkurajuar pacientët me çrregullime mendore që të kalojnë kohë me ndonjë kafshë shtëpiake dhe kjo gjë ka dhënë rezultate të mira.
Pakësim i burimeve ujore
«Tani kemi në dispozicion më pak se gjysmën e sasisë së ujit për frymë nga ç’kishim 50 vjet më parë»,—thuhet në revistën The UNESCO Courier. Dhe pritet që rezervat botërore të vazhdojnë të bien. Kjo rënie e shpejtë pasqyron kërkesën gjithnjë në rritje për ujëra të ëmbla, e cila vjen nga shtimi i popullsisë, i nevojave të bujqësisë dhe nga industrializimi. Shkencëtarët që bëjnë harta botërore sipas pamjaftueshmërisë së ujit, i kanë përcaktuar disa zona si «katastrofike». Sipas revistës Courier, kjo do të thotë se rezervat ka «shumë pak të ngjarë që të mbajnë me ujë popullsinë në rastin e ndonjë krize, si thatësira». Ajo shton: «Vetëm 50 vjet më parë, asnjë vend në botë nuk përballej me nivele katastrofike të rezervave ujore. Sot, rreth 35 për qind e popullsisë jeton në këto kushte.»
Hiqen si lypsarë
Ndonëse shumë lypsarë janë me të vërtetë njerëz nevojtarë, një raport në revistën The Week, e cila botohet në Indi, tregon se disa prej tyre nuk janë ashtu siç duken. Në shtetin indian Maharashtra, një lypës me paterica iu afrua një makine që kishte ndaluar pranë semaforit. Shoferi i makinës nuk ia vari lypësit dhe vazhdoi të fliste me shoqen e vet. Kështu që lypësi e ngriti volumin e lutjes. Pas kësaj shoferi uli xhamin e makinës dhe e shtyu tutje, duke bërë që t’i binin monedhat nga tasi që përdorte për të lypur. Lypësi «sakat» papritur u shërua dhe filloi të thyente me patericat e veta xhamin e përparmë të makinës. «Një grup shokësh të tij ‘të verbër’, ‘të çalë’ dhe ‘sakatë’, të cilët po lypnin te makinat e tjera, erdhën të gjithë në ndihmë të tij», duke flakur gurë, shkopinj e paterica dhe përfundimisht duke e tërhequr zvarrë të riun jashtë makinës së tij, thoshte The Week. Mbërritja në kohë e makinës së policisë bëri që lypësit t’ia mbathnin me vrap.
Abuzim mbarëbotëror me fëmijët
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Gjenevë, Zvicër, ka llogaritur se 40 milionë fëmijë në mbarë botën vuajnë nga abuzimi. Siç raportohej në The New York Times, disa studime të bëra në 19 vende me fëmijë nën moshën 14-vjeçare treguan se 29 për qind e djemve dhe 34 për qind e vajzave të përfshira në studim ishin viktima të abuzimit seksual. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, thoshte OBSH-ja, çdo vit dëmtohen nga abuzimi rreth dy milionë fëmijë.
Puna monotone bën keq për shëndetin
Një studim i bërë në 50.000 punonjës në Gjermani tregoi se ata që nuk kanë shumë punë, hasin më tepër rreziqe për shëndetin, sesa ata që janë të zënë me punë. «Është provuar se ata punonjës puna e të cilëve karakterizohet nga përsëritje të shpeshta dhe nga një mungesë pavarësie sëmuren mëse dy herë më shpesh sesa personat që kanë shumë punë për të bërë»,—vërehet në gazetën Augsburger Allgemeine. Asnjë faktor tjetër stresues i lidhur me punën nuk ndikon kaq shumë në shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen e mungesave në vendin e punës, sa një punë ku nuk ke aq shumë për të bërë. Sipas raportit, personat puna e të cilëve nuk është edhe aq nxitëse shpesh vuajnë nga «tensioni i lartë, nga sëmundje të stomakut e të organeve të brendshme dhe nga dhimbje të shpinës e të kyçeve».
Truri i zogjve dhe gjumi
Në një raport në Toronto Star vërehet se shkencëtarët e kanë kuptuar prej kohësh që zogjtë mund të hedhin rregullisht një vështrim vjedhurazi me njërin sy gjatë kohës që flenë, gjë që shërben për t’i mbrojtur nga grabitqarët. Zbulimet e reja tregojnë se zogjtë mund të vendosin nëse do ta lënë të gjithë trurin të flejë, apo nëse do ta mbajnë zgjuar gjysmën e tij, që të drejtojë syrin përgjues. Nga disa studime që u bënë me rosakë të egër që flinin në rresht, u zbulua se ata që ishin në skajet e rreshtit e kalonin një të tretën e kohës së gjumit me gjysmën e trurit zgjuar. Ata që ndodheshin në qendër të rreshtit ishin gjysmë zgjuar vetëm 12 për qind të kohës. Duket se, siç thotë profesori Nils Ratenborg i Universitetit Shtetëror të Indianës, «nëse situata është e rrezikshme, atëherë zogjtë e shpeshtojnë kohën që flenë vetëm me gjysmën e trurit».
Absolutisht asnjë dobi
«Duhani nuk u ruan njerëzve elegancën,—raportohet në një buletin universitar (University of California Berkeley Wellness Letter).—Në veçanti shumë vajza të reja e nisin duhanin duke menduar se ai do t’i ndihmojë që të mbeten elegante.» Por një studim me 4.000 të rritur midis moshave 18 deri në 30 vjeç tregoi se «në rrjedhën e shtatë vjetëve, shtimi në peshë ishte i njëjtë për të gjithë (mesatarisht më shumë se gjysmë kile në vit), pavarësisht nëse personat pinin duhan apo jo». Artikulli përfundon: «Mbajtja nën kontroll e peshës nuk është një dobi e pirjes së duhanit. Ai nuk sjell asnjë dobi.»
Biçikleta për brejtës
Siç raportohet në revistën New Scientist, një firmë pajisjesh për kafshët shtëpiake në Hong Kong ka shpikur një «biçikletë për kafshët shtëpiake». Rrota e përparme e lodrës është bërë si një rul bosh që vihet në lëvizje nga brejtësi dhe kur kafsha vrapon brenda rrotës, biçikleta ecën. Megjithatë, nëse i zoti i kafshës ka frikë se mos ajo rrëzohet, mund të lëvizë një levë në biçikletë, e cila e ngre rrotën e përparme nga toka. Kështu, kafsha mund të ushtrohet e sigurt në një pozicion të pandryshueshëm.
Pakësimi i dhembjes së shpinës tek udhëtarët
Për ata që vuajnë nga dhimbja kronike e shpinës, udhëtimi mund të jetë i vështirë. Megjithatë, në gazetën The Toronto Star jepeshin këto sugjerime të dobishme: Për të ecur «vishni këpucë praktike. Takat e larta bëjnë që trupi të jetë në një pozicion jo të rregullt, duke ushtruar kështu një tension më të madh në shtyllën kurrizore. . . . Nëse udhëtoni me makinë, ndaloni me intervale të rregullta për t’u shtendosur dhe për të çmpirë këmbët. . . . Merrni një mbështetëse për shpinën» që ta vini në ndenjësen tuaj. Gjithashtu, ndryshojeni pozicionin kur jeni ulur. Star vëren se dhimbja që vjen nga mbajtja e bagazheve mund të lehtësohet, sepse «tani është fare e lehtë që të gjesh valixhe të të gjitha formave dhe madhësive, të cilat mund të tërhiqen a të shtyhen përpara, në vend që të ngrihen. Sigurohuni që valixhja juaj ka një dorezë mjaft të gjatë për t’u transportuar kollaj. Nuk është ndonjë avantazh i madh për shpinën të shmangni ngritjen e valixheve, ndërkohë që pastaj ju duhet të ecni i përkulur mbi valixhe».
Shfrimi i zemërimit
Siç raporton gazeta e Kanadasë National Post, i ashtuquajturi pastrim, «shfrimi i zemërimit mbi objektet e pajeta—duke i qëlluar me grushta një jastëku ose duke goditur një thes boksi, për shembull—në vend që ta pakësojë, e shton sjelljen agresive». Dr. Brad J. Bushman, asistent profesor i psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Aiouas, vërente: «Pastrimi ka gëzuar një mbështetje të madhe prej mediave, e cila ia tejkalon mjaft edhe mbështetjes që i është dhënë nga literatura studimore.» Studiuesit kanë zbuluar gjithashtu, vëren Post, se «librat dhe artikujt që rekomandojnë ‘pastrimin’ si një metodë të mirë për të përballuar zemërimin, në të vërtetë mund të nxitin qëndrimin agresiv, duke u dhënë leje njerëzve që të ulin vetëkontrollin».