BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g16 nr. 3 f. 4-7
  • Kapërcehet pengesa e gjuhëve—Prapa skenës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kapërcehet pengesa e gjuhëve—Prapa skenës
  • Zgjohuni!—2016
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Dobi për gjithë jetën
  • Një moment historik për ata që e duan fjalën e Perëndisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Mjete predikimi—Prodhojmë literaturë për fushën mbarëbotërore
    Mbretëria e Perëndisë qeveris!
  • Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2008
  • A1 Parimet e përkthimit të Biblës
    Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re 2019
Shih më tepër
Zgjohuni!—2016
g16 nr. 3 f. 4-7

TEMA KRYESORE

Kapërcehet pengesa e gjuhëve—Prapa skenës

«Ndonjëherë thuhet se nuk ka punë më komplekse se përkthimi.»​—The Cambridge Encyclopedia of Language.

PARA se botimet e Dëshmitarëve të Jehovait të përkthehen, bëhet kujdes për planifikimin, kërkimet dhe shkrimin e tyre. Gjatë kësaj faze, Reparti i Shkrimit në selinë e tyre botërore në Nju-Jork kontrollon mirë tekstin, nëse informacionet janë të sakta dhe gjuha është e saktë dhe e kohës.a

Pas kësaj, Reparti i Shkrimit ua dërgon tekstin qindra skuadrave të përkthimit në mbarë botën. Shumica e tyre jetojnë e punojnë aty ku flitet gjuha në të cilën përkthejnë. Pjesa më e madhe përkthejnë në gjuhën amtare. Ata duhet ta kuptojnë mjaft mirë materialin origjinal, si edhe gjuhën e tyre.

Një skuadër përkthimi duke punuar

PROCESI I PËRKTHIMIT

Në këtë diagram informativ paraqitet procesi i përkthimit i revistës Zgjohuni! në spanjisht

  • Një skuadër përkthyesish në Spanjë merr tekstin origjinal në anglisht nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Shtetet e Bashkuara

  • Secili nga pjesëtarët e skuadrës e analizon tekstin me kujdes

  • Teksa përgatitet të fillojë përkthimin, skuadra mblidhet e diskuton për tekstin origjinal

  • Përkthyesit sigurohen që përkthimi të jetë i natyrshëm, i qartë, besnik ndaj tekstit origjinal dhe i saktë nga ana gramatikore

  • Pas miratimit përfundimtar, teksti i përkthyer dërgohet në vende të ndryshme që të shtypet e të shpërndahet

  • Lexuesit në mbarë botën nxjerrin dobi nga mençuria praktike e Biblës në gjuhën e tyre

Çfarë bëjnë konkretisht përkthyesit?

Geranti, një përkthyes në Britani, shpjegon: «Punoj me një skuadër përkthyesish, prandaj bashkëpunimi i mirë është i domosdoshëm. Së bashku diskutojmë si t’i zgjidhim problemet që dalin gjatë përkthimit. Dhe gjatë diskutimit nuk shqyrtojmë vetëm fjalë, por edhe shprehje. Peshojmë mirë kuptimin e qëllimin e tyre, duke pasur gjithmonë në mend lexuesin të cilit i drejtohet çdo artikull.»

Cili është qëllimi juaj si përkthyes?

«Qëllimi ynë është që teksti t’i lërë lexuesit ndjesinë sikur është shkruar që në fillim në gjuhën e tij. Nuk duhet të duket si përkthim. Për këtë arsye përpiqemi të përdorim gjuhë të natyrshme. Kjo lloj gjuhe do të mbajë gjallë interesin e lexuesit, kështu ai do të vazhdojë leximin sikur të jetë duke ngrënë diçka të shijshme për qiellzën.»

Cilat janë avantazhet kur jeton aty ku flitet gjuha?

«Kur jeton mes vendësve, pasuron gjuhën, sepse dëgjon gjuhën e përditshme. Përveç kësaj, mund të pyesim vendësit nëse një term ose shprehje është e natyrshme, e kuptueshme dhe tërheqëse. Kjo na ndihmon të përcjellim kuptimin e vërtetë të tekstit origjinal.»

Si e organizoni punën?

«Për çdo projekt përkthimi caktohet një skuadër. Në fillim, çdo pjesëtar i skuadrës lexon tekstin origjinal që të kuptojë thelbin dhe mënyrën si është organizuar, si dhe të dallojë kujt i drejtohet. Pyesim veten: ‘Cili është mesazhi i artikullit? Cila është tema dhe qëllimi i tij? Çfarë mësoj prej tij?’ Kështu futemi në brendësi të materialit.

Pastaj shkëmbejmë idetë me pjesëtarët e tjerë të skuadrës dhe kështu mësojmë nga njëri-tjetri. A jemi të sigurt se e kuptojmë materialin? Si të ruajmë të njëjtin stil? Kemi si qëllim që teksti të ngjallë te lexuesi të njëjtin reagim që do të ngjallte teksti origjinal te lexuesi i vet.»

Si bashkëpunojnë pjesëtarët e skuadrës?

«Synimi ynë është që lexuesi ta kuptojë tekstin që me leximin e parë. Ja pse çdo paragraf të përkthyer e lexojmë me zë disa herë.

Përkthyesi shkruan një paragraf ndërkohë që dy të tjerët e ndjekin në monitorin e tyre. Kontrollojmë që të mos hiqet a të shtohet ndonjë ide. Gjithashtu kujdesemi për natyrshmërinë, drejtshkrimin dhe saktësinë gramatikore. Pastaj, njëri e lexon me zë paragrafin e përkthyer. Nëse ai ngec gjatë leximit, përpiqemi të kuptojmë arsyen. Pasi përkthejmë të gjithë artikullin, njëri nga skuadra e lexon me zë ndërsa dy të tjerët mbajnë shënim nëse ka nevojë për përmirësim.»

Sa punë e lodhshme!

«Ashtu është. Në fund të ditës jemi të lodhur. Ndaj të nesërmen në mëngjes e shohim përsëri tekstin e përkthyer me një sy tjetër. Pas disa javësh Reparti i Shkrimit na dërgon ndryshimet e fundit për tekstin origjinal. Pastaj e rilexojmë tekstin e përkthyer me një sy e vesh tjetër dhe bëjmë rregullimet e duhura.»

Ç’mjete elektronike përdorni?

«Kompjuterët akoma nuk kanë arritur ta zëvendësojnë përkthimin e njeriut. Por, Dëshmitarët e Jehovait kanë zhvilluar mjete përkthimi që na e lehtësojnë punën. Një prej tyre është fjalori ku futim termat e shprehjet që përdoren më tepër. Falë një mjeti tjetër bëjmë kërkime në gjithë materialet e përkthyera deri tani nga skuadra jonë dhe shohim zgjidhjet e gjetura që u janë dhënë më parë shprehjeve të vështira.»

Si ju duket puna që bëni?

«Punën tonë e konsiderojmë si dhuratë për lexuesin. Prandaj, këtë dhuratë përpiqemi ta paketojmë sa më bukur. Na bëhet zemra mal kur mendojmë se një artikull reviste ose Interneti mund ta prekë lexuesin, aq sa t’ia ndryshojë jetën për mirë.»

Dobi për gjithë jetën

Anembanë botës, qindra miliona njerëz nxjerrin dobi kur lexojnë në gjuhën e tyre botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Mençuria praktike që gjendet në botimet, në videot dhe në sitin e tyre jw.org, bazohet te Bibla. Në fund të fundit, ky libër i shenjtë thotë se Perëndia, që e ka emrin Jehova, do që mesazhi i tij t’u çohet njerëzve të «çdo kombi, fisi, gjuhe».​—Zbulesa 14:6.b

a Teksti origjinal përgatitet në anglisht.

b Vizito sitin www.pr2711.com për të parë botime në formë të shkruar, audio dhe video në gjuhën tënde dhe në qindra gjuhë të tjera.

JW.ORG

Siti zyrtar i Dëshmitarëve të Jehovait

Mbi 750 gjuhë

Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë

Broshurë e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait

Mbi 640 gjuhë

Kulla e Rojës

Revistë e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait

Mbi 250 gjuhë

Zgjohuni!

Revistë e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait

Mbi 100 gjuhë

Revista Zgjohuni! në gjuhë të ndryshme

«Kam probleme me shëndetin. Përveç këshillave të mjekut, përfitova edhe nga informacionet që lexova në revistën Zgjohuni! në gjuhën time, malagase. Zgjohuni! më ndihmoi të mbaja nën kontroll temperamentin. Fliste edhe për ushqimet e shëndetshme dhe për fizkulturën.c I zbatova ato që lexova dhe shëndeti po më përmirësohet dita-ditës.»​—Ranaivuariso, Madagaskar.

«Mjekja ime endokrinologe përdor artikujt e revistës Zgjohuni! në gjuhën gujarati për t’u dhënë njerëzve këshilla mbi shëndetin. Disa javë pasi foli në një shkollë për abuzimin me drogën dhe alkoolin, nxënësit thanë se revista Zgjohuni! i kishte nxitur baballarët e tyre të harxhonin më pak për alkoolin e më shumë për fëmijët.»​—Xhaneta, Indi.

c Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë dietë ose mjekim të veçantë. Çdo njeri duhet t’i vlerësojë me kujdes alternativat që ka, para se të marrë vetë një vendim për një dietë apo ushtrim fizik të caktuar.

Një çun duke parë videon Është gabim të vjedhësh në jw.org

Zgjohuni! mori letrën e mëposhtme nga një nënë në Angolë: «Kur im bir 8-vjeçar humbiste lapsat, ua merrte shokëve të klasës. Pasi pa videon në portugalisht Është gabim të vjedhësh, në sitin jw.org, mori guximin dhe na tregoi çfarë bënte. Më tha të shkoja në shkollë me të kur t’u kërkonte të falur shokëve të klasës dhe t’u tregonte pse po ua kthente lapsat. Mësuesi na lejoi ta shfaqnim videon para gjithë klasës. Pas saj, disa nga nxënësit premtuan se nuk do të vidhnin më kurrë.»

Një burrë po përdor aplikacionin JW Language

Një program për të mësuar gjuhë të huaja

Ikona JW Language

Më 2014 Dëshmitarët e Jehovait nxorën JW Language, një aplikacion elektronik falas që i ndihmon kur u mësojnë Biblën atyre që flasin gjuhë të huaja, si angleze, bengale, franceze, gjermane, hindi, indoneziane, italiane, japoneze, kineze, koreane, mjanmare, portugeze, ruse, spanjolle, suahile, tagaloge, tajlandeze e turke. Për më shumë informacion, vizito jw.org dhe kërko JW Language.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo