BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • g17 nr. 6 f. 8-9
  • Mësoji fëmijët të jenë të përulur

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mësoji fëmijët të jenë të përulur
  • Zgjohuni!—2017
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • VËSHTIRËSIA
  • Ç’DUHET TË DISH
  • Ç’MUND TË BËSH
  • Si të jetë i përulur
    Zgjohuni!—2019
  • Zhvilloni përulësinë e vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Si të mos dorëzohet
    Zgjohuni!—2019
  • Jezui la modelin e përulësisë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2012
Shih më tepër
Zgjohuni!—2017
g17 nr. 6 f. 8-9
Një djalë pretendon që e ëma ta presë

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Mësoji fëmijët të jenë të përulur

VËSHTIRËSIA

  • Djali yt po sillet me arrogancë, dhe s’është veçse dhjetë vjeç!

  • Pret që e gjithë bota ta trajtojë si të veçantë.

Mbase mendon: «Po ç’e ka gjetur kështu? Vërtet dua të ketë vlerësim për veten, ama jo të mendojë se s’ka si ai.»

A është e mundur ta mësosh fëmijën të jetë i përulur pa dëmtuar vlerësimin që ka për veten?

Një vajzë e vogël ulet si princeshë dhe pret që prindërit t’i përulen

Ç’DUHET TË DISH

Dekadat e fundit, prindërit janë nxitur të mos ua prishin qejfin fëmijëve, të mos ua kursejnë lavdërimet edhe nëse s’kanë bërë asgjë të lavdërueshme, si edhe të mos i ndreqin e disiplinojnë. Mendohej se nëse fëmijët i bënin të ndiheshin të veçantë, do të rriteshin me vlerësimin e duhur për veten. Por cili ka qenë rezultati? Libri Generation Me thotë: «Nga përpjekjet për t’u rritur vetëvlerësimin pritej që fëmijët të ishin të ekuilibruar e të lumtur, ama përfundimi është veçse një ushtri narcistësh të vegjël.»

Shumë fëmijë që teksa rriteshin merrnin lavdërime të pamerituara janë të papërgatitur për zhgënjimet, kritikat dhe dështimet e herëpashershme. Meqë janë mësuar të përqendrohen te dëshirat e tyre, kur rriten, e kanë goxha të vështirë të krijojnë marrëdhënie të qëndrueshme. Si pasojë, mjaft prej tyre vuajnë nga ankthi e depresioni.

Fëmijët zhvillojnë vlerësim të vërtetë për veten, jo kur dëgjojnë vazhdimisht se janë të veçantë, por kur vërtet arrijnë diçka. Dhe për këtë duhet më tepër se thjesht të kenë besim te vetja. Kanë nevojë të mësojnë, të praktikojnë e të përmirësojnë aftësitë që të bëhen të zotë. (Proverbat 22:29) Gjithashtu duhet të kujdesen për nevojat e të tjerëve. (1 Korintasve 10:24) E gjithë kjo kërkon përulësi.

Ç’MUND TË BËSH

Lavdëroje kur e meriton vërtet. Nëse vajza jote del mirë në një provim, lavdëroje. Por nëse merr notë të keqe, mos fajëso menjëherë mësuesin, pasi s’do ta ndihmoje vajzën të mësojë përulësinë. Përkundrazi ndihmoje të kuptojë si mund të përmirësojë herën tjetër. Ruaji lavdërimet për arritjet e vërteta.

Ndreqe kur është e nevojshme. Kjo nuk do të thotë ta kritikosh fëmijën për çdo gabim. (Kolosianëve 3:21) Ama gabimet serioze duhen ndrequr. E po ashtu edhe qëndrimet e gabuara. Në të kundërt mund të rrënjosen edhe më thellë.

Për shembull, ta zëmë se djali yt ka prirjen të mburret. Po të mos e ndreqësh, mund të bëhet mendjemadh e t’i mbajë larg të tjerët. Kështu që shpjegoji se kur mburret duket keq e si pasojë mund të ndihet i turpëruar. (Proverbat 27:2) Shpjegoji edhe se kush ka një mendim të ekuilibruar për veten, s’ka nevojë t’ua trumbetojë aftësitë e tij të tjerëve. Kur e ndreq me dashuri, do ta mësosh të jetë i përulur pa ia dëmtuar respektin për veten.​—Parimi biblik: Mateu 23:12.

Përgatite fëmijën për jetën reale. Po ta llastosh fëmijën duke i plotësuar çdo tekë, mund të mendojë se i takon. Ndaj, nëse fëmija yt do diçka që ty s’ta mban xhepi, shpjegoji pse është e nevojshme të jetoni me aq sa keni. Ose, në qoftë se duhet të anuloni një ekskursion apo pushimet, mund t’i thuash se zhgënjimet janë pjesë e jetës e mbase t’i tregosh si i përballon ti vetë të tilla zhgënjime. Në vend se t’i mbrosh fëmijët nga çdo vështirësi, përgatiti për sfidat që do të hasin kur të rriten.​—Parimi biblik: Proverbat 29:21.

Nxite të japë. Demonstroji fëmijës se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh». (Veprat 20:35) Si? Mund të bëni bashkë një listë me ata që kanë nevojë për ndonjë pazar, për të shkuar diku me makinë ose për ndonjë riparim në shtëpi. Pastaj merre me vete fëmijën teksa ndihmon disa prej tyre, që të shohë gëzimin e kënaqësinë që ndien teksa kujdesesh për të tjerët. Kështu do t’i mësosh përulësinë në mënyrën më të fuqishme​—me shembullin tënd.​—Parimi biblik: Luka 6:38.

Për më shumë informacion vizito sitin tonë jw.org, dhe kërko revistën Zgjohuni! janar 2013 me temë: «Si të rritësh fëmijë mirëdashës në një botë egoiste.» Shih te BOTIME > REVISTA.

SHKRIME KYÇE

  • «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»​—Mateu 23:12.

  • «Po ta llastosh shërbëtorin që në rini, në fund të jetës ai do të bëhet mosmirënjohës.»​—Proverbat 29:21.

  • «Bëjeni zakon të jepni.»​—Luka 6:38.

SHIHINI TË TJERËT SI MË TË LARTË

Bibla thotë: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten, duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.’​—Filipianëve 2:3, 4.

Kur fëmija rritet me këtë parim ka më tepër të ngjarë të kuptojë se të tjerët, në një mënyrë a në një tjetër, janë më lart se ai. Kështu përulësia do ta ndihmojë fëmijën të mos infektohet nga kultura e kësaj bote me njerëz të fiksuar pas vetes.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo