Studimi 14
Të manifestojmë entuziazëm dhe ngrohtësi
1 Entuziazmi është jeta e fjalimit. Nëse nuk je entuziast për atë që thua, sigurisht që edhe auditori nuk do të jetë. Nëse nuk të nxit ty, nuk do të nxitë as atë. Por që ti si orator të manifestosh entuziazëm të sinqertë, duhet të jesh vendosmërisht i bindur se auditori yt ka nevojë ta dëgjojë atë që ke për t’i thënë. Kjo do të thotë se kur ke përgatitur fjalimin, e ke marrë atë në konsideratë, duke zgjedhur pikat që për të do të ishin më dobiprurëset dhe duke u dhënë këtyre pikave formë, në një mënyrë të tillë që dëgjuesit do t’ua çmonin menjëherë vlerën. Nëse e ke bërë këtë, do të ndihesh i nxitur për të folur me zjarr dhe auditori do të të përgjigjet.
2 Entuziazëm i treguar nga një mënyrë e gjallë të shprehuri. Entuziazmi manifestohet më qartë, nga mënyra e gjallë e të shprehurit. Nuk mund të kesh një qëndrim indiferent ose të plogësht. Duhet të jesh krejtësisht i gjallë në shprehjen e fytyrës, në tonin e zërit dhe në mënyrën e të folurit. Kjo do të thotë se duhet të flasësh me forcë dhe gjallëri. Duhet të dukesh i bindur, edhe pse jo dogmatik. Ndonëse duhet të jesh entuziast, nuk duhet të rrëmbehesh prej kësaj. Të humbasësh vetëkontrollin do të thotë të humbasësh auditorin.
3 Entuziazmi është ngjitës. Nëse je entuziast për fjalimin tënd, ai entuziazëm do t’i ngjitet auditorit. Ky entuziazëm, nga ana e tij, duke pasur një kontakt të mirë me auditorin, do të pasqyrohet tek ti dhe do të mbajë gjallë entuziazmin tënd. Nga ana tjetër, nëse je si i mpirë, auditori do të mpihet bashkë me ty.
4 Pavli thotë se duhet të jemi të zjarrtë në frymën e Perëndisë. Nëse je i tillë, mënyra jote e gjallë e të shprehurit do të bëjë që fryma e Perëndisë të vërshojë në auditor dhe do ta nxitë atë për të vepruar. Apoli tregoi një frymë të tillë në të folur dhe është quajtur një orator elokuent.—Rom. 12:11; Vep. 18:25; Jobi 32:18-20; Jer. 20:9.
5 Për të qenë entuziast për një fjalim, duhet të jesh i bindur se ke diçka që ia vlen ta thuash. Puno me materialin që do të paraqesësh, derisa ta ndiesh se ke diçka që në radhë të parë do të të nxitë ty si orator. Nuk ka nevojë të jetë material i ri, por mund të jetë e re mënyra jote e trajtimit të subjektit. Nëse mendon se ke diçka që do ta forcojë auditorin në adhurimin e tij, që do t’i bëjë shërbëtorë më të mirë ose të krishterë më të mirë, atëherë ke çdo arsye për të qenë entuziast për fjalimin tënd dhe pa dyshim që do të jesh i tillë.
6 Entuziazëm në përshtatje me materialin. Për hir të shumëllojshmërisë në fjalim dhe për t’i sjellë dobi auditorit, nuk duhet ta çosh entuziazmin në një nivel tepër të lartë gjatë gjithë fjalimit. Nëse bën kështu, ata do të lodhen, madje përpara se të fillojnë të veprojnë. Kjo thekson përsëri nevojën e përgatitjes së një materiali me shumëllojshmëri të mjaftueshme, që të lejojë shumëllojshmëri në mënyrën tënde të të shprehurit. Kjo do të thotë se disa pika që trajton, kërkojnë natyrshëm një mënyrë të shprehuri më entuziaste se të tjerat dhe duhet të ndërthuren me mjeshtëri përgjatë gjithë fjalimit.
7 Veçanërisht pikat kryesore, duhet të paraqiten me entuziazëm. Në fjalimin tënd duhet të ketë kulme, pika kulmore drejt të cilave ti ngre fjalimin. Meqenëse këto janë pika kulminante të fjalimit tënd, zakonisht ato janë pika që kanë si qëllim ta nxitin auditorin, të sqarojnë aplikimin e argumentimit tënd, arsyet dhe këshillat e tua. Pasi e ke bindur auditorin, tani duhet ta nxitësh, të demonstrosh dobitë e përfundimeve të tua, gëzimet dhe privilegjet që do t’i sjellë atij ndjekja e këtyre bindjeve. Kjo gjë kërkon një mënyrë entuziaste të shprehuri.
8 Megjithatë, pavarësisht nga kjo, gjatë momenteve të tjera të prezantimit, nuk duhet të biesh kurrë në indiferentizëm. Kurrë nuk duhet ta humbasësh ndjeshmërinë e lartë në lidhje me subjektin dhe as të manifestosh ndonjë humbje interesi. Përfytyro me mendjen tënde një dre që kullot qetësisht në një livadh të vogël. Ndonëse në dukje i shtendosur, në këmbët e tij të holla gjendet një forcë e fshehur, që mund ta bëjë të hovë me kërcime vigane me shenjën më të vogël të rrezikut. Ai është rehat, por gjithmonë vigjilent. Kështu mund të jesh edhe ti, madje edhe kur nuk je duke folur me gjithë entuziazmin tënd.
9 Ç’do të thotë e gjithë kjo, pra? Që mënyra e gjallë e të shprehurit nuk është asnjëherë e sforcuar. Për të duhet të ketë një arsye dhe është materiali yt që duhet të ta sigurojë atë. Këshilluesi yt do të interesohet rreth faktit nëse ishte apo jo në përshtatje me materialin entuziazmi yt. A ishte tepër i madh, tepër i vogël apo pa vend? Sigurisht që ai do të marrë parasysh vetë personalitetin tënd individual, por do të të inkurajojë nëse je i ndrojtur dhe i rezervuar dhe do të të porositë, nëse për çdo gjë që thua je tejet i ngarkuar emocionalisht. Prandaj, përshtate entuziazmin me materialin tënd dhe ndryshoje materialin, kështu që mënyra jote entuziaste e të shprehurit do të jetë kudo e ekuilibruar.
**********
10 Entuziazmi është i lidhur ngushtë me ngrohtësinë dhe ndjenjën. Megjithatë, mënyra se si shprehen ato, nxitet nga emocione të ndryshme dhe jep rezultate të ndryshme në auditor. Si orator, për shkak të materialit, zakonisht je entuziast, por je i ngrohtë, kur mendon për auditorin me dëshirën për ta ndihmuar. Pika «Ngrohtësi, ndjenjë» të renditura në fletushkën e Këshillave mbi oratorinë, meriton një vëmendje të kujdesshme.
11 Nëse manifeston ngrohtësi dhe ndjenjë, auditori do ta ndiejë se je një person që tregon dashuri, dashamirësi dhe dhembshuri të butë. Do të ndihen të tërhequr ndaj teje, si ndaj një zjarri në një natë të ftohtë. Një mënyrë e gjallë të shprehuri është nxitëse, por nevojiten edhe ndjenjat e buta. Jo gjithmonë mjafton të bindësh mendjen; duhet të nxitësh edhe zemrën.
12 Për shembull, a do të ishte e përshtatshme të lexohej nga Galatasve 5:22, 23, në lidhje me dashurinë, zemërgjerësinë, dashamirësinë dhe butësinë, pa i pasqyruar në njëfarë mase këto cilësi në mënyrën tënde të të shprehurit? Vëre, gjithashtu, ndjenjat e buta të shprehura në fjalët e Pavlit në 1. Selanikasve 2:7, 8. Këto shprehje kërkojnë ngrohtësi dhe ndjenjë. Si duhet treguar kjo?
13 Ngrohtësi e dukshme nga shprehja e fytyrës. Nëse ke ndjenja të ngrohta ndaj auditorit, ato duhen treguar në fytyrën tënde. Nëse nuk ndodh kështu, auditori mund të mos bindet se je sinqerisht i ngrohtë ndaj tij. Por ngrohtësia duhet të jetë e vërtetë. Nuk mund të vishet si një maskë. Gjithashtu, ngrohtësia dhe ndjenja nuk duhen ngatërruar me sentimentalizmin dhe me të qenët i udhëhequr nga emocionet. Një shprehje dashamirëse e fytyrës, do të tregojë çiltërsi dhe sinqeritet.
14 Në shumicën e rasteve, ti do t’u flasësh auditorëve miqësorë. Prandaj, nëse sheh me të vërtetë nga auditori, do të ndihesh i ngrohtë ndaj tyre. Do të ndihesh i shtendosur dhe miqësor. Zgjidh në auditor dikë që ka një fytyrë veçanërisht miqësore. Foli personalisht atij individi për pak çaste. Zgjidh një tjetër dhe foli atij. Kjo jo vetëm do të bëjë të kesh një kontakt të mirë me auditorin, por do ta shohësh se po tërhiqesh ndaj auditorit dhe në përgjigje të kësaj, shprehja e ngrohtë e fytyrës sate, do ta tërheqë këtë auditor ndaj teje.
15 Ngrohtësia dhe ndjenja të dukshme në tonin e zërit. Është përcaktuar shumë mirë se edhe kafshët mund t’i interpretojnë deri në njëfarë mase emocionet e tua, me anë të tonit të zërit. Sa më shumë, atëherë do t’i përgjigjet auditori një zëri që shpreh ngrohtësi dhe ndjenjë me anë të tonit të tij.
16 Nëse në të vërtetë ndihesh i shkëputur nga auditori, nëse je duke menduar më shumë për fjalët që po thua sesa për mënyrën me të cilën do të reagojë ai ndaj tyre, do të jetë e vështirë që këtë fakt t’ia fshehësh një auditori vigjilent. Por nëse interesi yt është përqendruar sinqerisht tek ata të cilëve po u flet dhe ke një dëshirë të zjarrtë për t’ua transmetuar mendimet e tua, në mënyrë që ata të mendojnë ashtu siç mendon ti, ndjenjat e tua do të pasqyrohen në çdo lakim të zërit.
17 Megjithatë, është e qartë që ky duhet të jetë një interes i sinqertë. Ngrohtësia e vërtetë nuk mund të jetë e shtirur, ashtu siç nuk mund të jetë i shtirur as entuziazmi. Një orator nuk duhet të japë kurrë përshtypjen e një ëmbëlsie hipokrite. Po kështu, ngrohtësia dhe ndjenja nuk duhen ngatërruar kurrë me sentimentalizmin apo me zërin artificial dhe të dridhur të atij që thjesht u bën thirrje emocioneve, në mënyrë të padenjë.
18 Nëse ke zë të fortë dhe të ashpër, do ta kesh të vështirë të manifestosh ngrohtësi në mënyrën e të shprehurit. Duhet të përpiqesh në mënyrë të vetëdijshme dhe me zell, për të kapërcyer çdo problem të tillë. Është fjala për cilësinë e zërit dhe kjo do të kërkojë kohë, por vëmendja dhe përpjekja e duhur, mund të bëjnë shumë për përmirësimin e ngrohtësisë së zërit tënd.
19 Një gjë që mund të të ndihmojë nga një këndvështrim thjesht mekanik, është të mos harrosh se zanoret e shkurtra dhe të cunguara e bëjnë të folurin të rëndë për veshin. Mëso t’i thuash të plota zanoret. Kjo gjë do t’i zbutë ato dhe kur flet, do ta bëjë automatikisht më të ngrohtë mënyrën tënde të të shprehurit, në lidhje me tonin.
20 Ngrohtësi dhe ndjenjë në përshtatje me materialin. Si në rastin e entuziazmit, ngrohtësia dhe ndjenja që fut në mënyrën tënde të të shprehurit, do të varen në një masë të madhe nga ajo që thua. Si një shembull për këtë, është tregimi mbi dënimin që i bën Jezui skribëve dhe farisenjve, në Mateun 23. Nuk mund ta imagjinojmë atë duke i shprehur këto fjalë therëse denoncimi, në një mënyrë monotone dhe të pajetë. Por mes këtyre shprehjeve të indinjatës dhe zemërimit, ka një frazë plot ngrohtësi dhe ndjenjë, që shpreh dhembshurinë e Jezuit me fjalët: «Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët.» Këtu janë treguar shumë qartë ndenjat e buta, por pohimi tjetër, «Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë», nuk përcjell të njëjtin emocion. Toni është ai i një refuzimi, i një neverie.
21 Ku, pra, do të ishin të përshtatshme ngrohtësia dhe ndjenja? Pjesa më e madhe e atyre që do të thoshe në shërbimin në fushë apo në një fjalim stërvitjeje, do të shkonin drejt kësaj mënyre të shprehuri, por në mënyrë të veçantë kur je duke arsyetuar, duke inkurajuar, duke nxitur, duke treguar empati dhe kështu me radhë. Duke u kujtuar të jesh i ngrohtë, mos harro të jesh entuziast, kur është e përshtatshme. Ji i ekuilibruar në çdo gjë, por jepi gjithçkaje që thua, mënyrën e të shprehurit më të plotë të mundshme.
[Pyetjet]
1. Çfarë do ta nxitë entuziazmin?
2-5. Si shpreh entuziazëm një mënyrë e gjallë të shprehuri?
6-9. Si ndikon materiali i një fjalimi tek entuziazmi në mënyrën e të shprehurit?
10-12. Çfarë kuptohet me ngrohtësi dhe ndjenjë?
13, 14. Si mund të tregohet ngrohtësia në shprehjet e fytyrës?
15-19. Trego se çfarë do të bëjë që ngrohtësia dhe ndjenja të manifestohen në zërin e oratorit.
20, 21. Në ç’mënyrë ndikon materiali i një fjalimi mbi ngrohtësinë dhe ndjenjën në mënyrën e të shprehurit?