MËSIMI 10
Entuziazmi
ENTUZIAZMI ndihmon për t’i dhënë jetë fjalimit. Ndonëse është e rëndësishme që materiali të jetë informativ, ajo që do të t’ia tërheqë vëmendjen auditorit është të folurit e gjallë dhe entuziast. Pavarësisht nga formimi kulturor ose nga personaliteti që ke, mund të mësosh të shprehësh entuziazëm.
Fol me ndjenjë. Kur i foli një gruaje samaritane, Jezui tha se ata që e adhurojnë Jehovain duhet ta bëjnë këtë «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Ky adhurim duhet të motivohet nga një zemër plot çmueshmëri dhe të jetë në përputhje me të vërtetën që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Kur personi ka këtë çmueshmëri të thellë, do ta pasqyrojë në mënyrën se si flet. Do të jetë i zellshëm për t’u folur të tjerëve rreth masave të dashura që ka marrë Jehovai. Shprehjet e fytyrës, gjestet dhe zëri i tij do të pasqyrojnë se si ndihet në të vërtetë.
Por, përse atëherë, një oratori që e do Jehovain dhe e beson atë që po thotë mund t’i mungojë entuziazmi kur flet? Nuk mjafton vetëm që të përgatitë atë që do të thotë. Ai duhet ta përjetojë atë për të cilën do të flasë, duhet të përfshihet emocionalisht. Mendoni sikur t’i jetë caktuar të flasë për flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. Kur mban fjalimin, oratori nuk duhet të ketë në mendje vetëm hollësi, por edhe çmueshmëri për atë që nënkupton flijimi i Jezuit, si për atë vetë, ashtu edhe për auditorin. Ai duhet të sjellë ndër mend mirënjohjen që ndien ndaj Perëndisë Jehova dhe Krishtit Jezu për këtë masë të mrekullueshme. Duhet të mendojë se ç’të ardhme madhështore paraqet për jetën e njerëzve kjo masë—lumturi të përjetshme me shëndet të përsosur në një parajsë tokësore të rivendosur! Pra, ai duhet të përfshijë zemrën e tij.
Për skribin Ezdra, që ishte mësues në Izrael, Bibla thotë se «e kishte përgatitur zemrën e tij për të kërkuar në ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael». (Ezd. 7:10) Nëse veprojmë edhe ne kështu, pra, nëse përgatitim jo vetëm informacionin, por edhe zemrën, fjalët do të na dalin nga zemra. Duke folur me ndjenjë për të vërtetën mund t’i ndihmojmë shumë ata me të cilët flasim që të zhvillojnë dashuri reale për të vërtetën.
Mendo për auditorin. Një faktor tjetër i rëndësishëm për të shfaqur entuziazëm është të jesh i bindur se auditori ka nevojë ta dëgjojë atë që ke për të thënë. Kjo do të thotë që, kur përgatit fjalimin, nuk duhet të mbledhësh vetëm material të vlefshëm. Është e rëndësishme edhe t’i lutesh Jehovait për drejtim, me qëllim që ta përdorësh materialin për dobinë e atyre që do të të dëgjojnë. (Psal. 32:8; Mat. 7:7, 8) Analizo pse ka nevojë auditori që ta dëgjojë informacionin, si do të nxjerrë dobi prej tij dhe si mund ta paraqesësh në mënyrë të atillë që ta kuptojë vlerën e informacionit.
Puno me materialin derisa të kesh në dorë diçka për të cilën të ndihesh entuziast. Nuk duhet të jetë detyrimisht material i ri, por mënyra se si e trajton argumentin mund të jetë e veçantë. Në rast se përgatit diçka që do ta ndihmojë me të vërtetë auditorin të forcojë marrëdhënien me Jehovain, të çmojë masat që merr ai, të përballojë me sukses presionet e jetës në këtë sistem të vjetër ose të jetë i efektshëm në shërbim, atëherë ke çdo arsye për të qenë entuziast për fjalimin.
Po sikur të jesh caktuar për të lexuar para të tjerëve? Që ta bësh këtë me entuziazëm, nuk mjafton vetëm të jesh në gjendje t’i thuash saktë fjalët dhe t’i gruposh siç duhet. Studioje materialin. Në qoftë se do të lexosh një pjesë nga Bibla, bëj ca kërkime rreth saj. Sigurohu që të kuptosh domethënien e përgjithshme. Shqyrto se si të sjell dobi ty dhe auditorit e pastaj lexoje me dëshirën për t’ua treguar këtë atyre që të dëgjojnë.
A po përgatitesh për shërbimin në fushë? Rishikoje argumentin për të cilin do të flasësh dhe shkrimet që planifikon të përdorësh. Merr parasysh, gjithashtu, se çfarë mendojnë njerëzit. Çfarë është thënë në lajme? Cilat probleme hasin? Kur je i përgatitur për t’u treguar njerëzve se Fjala e Perëndisë përmban zgjidhjet pikërisht për problemet që i shqetësojnë, ndien një dëshirë të zjarrtë për ta bërë këtë dhe entuziazmi vjen natyrshëm.
Shfaq entuziazëm duke folur me gjallëri. Entuziazmi vihet re shumë qartë nga gjallëria në të folurit tënd. Kjo duhet të jetë e dukshme edhe nga shprehjet e fytyrës. Duhet të dukesh i bindur, jo dogmatik.
Nevojitet drejtpeshim. Disa mund të kenë prirjen të entuziazmohen për çdo gjë. Këta mund të kenë nevojë të ndihmohen që të kuptojnë se kur dikush flet me fjalë tepër të mëdha ose është tepër emocional, auditori do të mendojë për atë dhe jo për mesazhin. Nga ana tjetër, atyre që janë të ndrojtur u duhet dhënë zemër që të jenë më të gjallë.
Entuziazmi është ngjitës. Nëse mban lidhje të mirë me auditorin dhe je entuziast për fjalimin, auditori do ta ndiejë këtë entuziazëm. Apoli fliste me gjallëri dhe u përshkrua si një njeri gojëtar. Nëse je i zjarrtë në frymën e Perëndisë, fjalimi yt i gjallë do t’i shtyjë të veprojnë ata që të dëgjojnë.—Vep. 18:24, 25; Rom. 12:11.
Entuziazëm në përputhje me materialin. Ki kujdes të mos e mbash entuziazmin gjatë gjithë fjalimit në një nivel aq të lartë, saqë auditori të lodhet. Çdo thirrje që do të bësh për të vepruar në përputhje me atë që po trajtohet do të bjerë në veshë ‘të lodhur’. Kjo thekson nevojën për të përgatitur një material që të lejon të kesh larmi në të folur. Përpiqu të mos biesh në një stil të foluri që pasqyron indiferencë. Në rast se e zgjedh me kujdes materialin, do të jesh thellësisht i interesuar për të. Por gjatë fjalimit disa pika normalisht kërkojnë më shumë entuziazëm se të tjerat dhe duhen ndërthurur me mjeshtëri me pjesën tjetër të fjalimit.
Në mënyrë të veçantë, pikat kryesore duhen paraqitur me entuziazëm. Fjalimi duhet të ketë pika kulmore, të cilat duhet t’i arrish shkallë-shkallë. Meqenëse këto janë pikat kryesore të fjalimit tënd, zakonisht do të jenë pika që janë menduar për të motivuar auditorin. Pasi ta kesh bindur auditorin, duhet ta nxitësh, duke i treguar dobitë e zbatimit të asaj që është trajtuar. Entuziazmi do të të ndihmojë të arrish zemrat e dëgjuesve të tu. Të folurit e gjallë nuk duhet të jetë kurrë artificial. Duhet të ketë një arsye për këtë gjallëri dhe arsyen do të ta japë materiali.