Studimi 18
Vetëzotërimi dhe paraqitja personale
1 Oratori që ka vetëzotërim është një orator i shpenguar. Ai është i qetë dhe i shtruar, sepse e ka situatën nën kontroll. Nga ana tjetër, mungesa e vetëzotërimit, tregon njëfarë mungese sigurie. Të dyja këto shkojnë bashkë. Ja sepse «Siguria dhe vetëzotërimi», janë renditur si një pikë e vetme në fletushkën e Këshillave mbi oratorinë.
2 Edhe pse siguria dhe vetëzotërimi janë të dëshirueshme tek një orator, ato nuk duhen ngatërruar me sigurinë e tepërt, e cila manifestohet duke u kapardisur, duke vepruar me kapadaillëk, duke u sjellë si avdall kur ulesh në mënyrë tepër të shpenguar ose duke u mbështetur tepër i shkujdesur tek dera gjatë predikimit nga shtëpia në shtëpi. Nëse gjatë prezantimit që bën, ka diçka që të krijon përshtypjen e një qëndrimi tepër të sigurt, padyshim që mbikëqyrësi i shkollës do të të japë një këshillë në mënyrë private, sepse është i interesuar të të ndihmojë për të kapërcyer çdo përshtypje të tillë që mund të japësh, e cila mund të pengojë efektshmërinë e shërbimit tënd.
3 Megjithatë, nëse je një orator i ri, ka më shumë të ngjarë që ndërsa i afrohesh podiumit, të ndihesh i ndrojtur dhe i turpshëm. Mund të ndjesh një nervozizëm dhe siklet të vërtetë, që mund të të bëjnë të mendosh se do të bësh një prezantim të paefektshëm. Nuk duhet të ndodhë kështu. Siguria edhe vetëzotërimi mund të fitohen me anë të përpjekjes së zellshme dhe duke ditur se përse mungojnë ato.
4 Përse disa oratorëve u mungon siguria? Në përgjithësi për një apo për dy arsye bashkë. Së pari, mungesa e përgatitjes ose një pikëpamje e gabuar në lidhje me materialin e tyre. Së dyti, qëndrimi negativ ndaj cilësive të tyre si oratorë.
5 Ç’gjë do të të japë siguri? Në thelb, është dijenia apo besimi se do të jesh në gjendje ta arrish qëllimin tënd. Është siguria se e ke situatën në dorë dhe se mund ta kontrollosh. Në podium, kjo mund të kërkojë njëfarë përvoje. Pasi të kesh mbajtur disa fjalime, në mënyrë të arsyeshme mund të jesh i sigurt se edhe ky do të jetë i suksesshëm. Por edhe nëse je një orator relativisht i ri, fjalimet e tua të mëparshme duhet të të inkurajojnë, kështu që së shpejti do të jesh në gjendje ta manifestosh këtë cilësi në një shkallë të arsyeshme.
6 Një kërkesë tjetër jetësore për sigurinë, je apo jo me përvojë, është njohja e materialit tënd dhe bindja se ky material ia vlen të dëgjohet. Kjo do të thotë jo vetëm përgatitje e mëparshme e plotë e subjektit, por edhe përgatitje e kujdesshme mbi mënyrën e të shprehurit. Nëse e kupton se ai vlen si për përparimin tënd teokratik, ashtu edhe për mësimin e vëllezërve që marrin pjesë, do t’i afrohesh podiumit me një qëndrim lutës. Do të përpihesh nga subjekti dhe do të harrosh veten dhe nervozizmin tënd. Do të jesh duke menduar për t’i pëlqyer Perëndisë dhe jo njeriut.—Gal. 1:10; Dal. 4:10-12; Jer. 1:8.
7 Kjo do të thotë se duhet të jesh i bindur për çdo gjë që do të thuash. Sigurohu gjatë përgatitjes që të jesh i tillë. Pasi të kesh bërë gjithçka mundesh për të përgatitur një fjalim interesant dhe plot jetë, nëse akoma mendon se fjalimit i mungon gjallëria apo është pa jetë, mos harro se një auditor i gjallë do ta bëjë të ngrohtë fjalimin tënd. Pra, gjallëroje auditorin me anë të prezantimit tënd dhe interesi i tij do të të japë siguri në atë që do të prezantosh.
8 Ashtu si një doktor kërkon simptomat e sëmundjes, kështu edhe këshilluesi yt do të vërejë shenjat që tregojnë në mënyrë të pagabueshme mungesë të të qenët i shtruar. Ashtu si doktori do të merret me shkaqet e sëmundjes në vend se me simptomat, po kështu edhe këshilluesi yt do të përpiqet të të ndihmojë për të kapërcyer shkaqet e vërteta të mungesës së sigurisë dhe vetëzotërimit. Megjithatë, duke njohur simptomat dhe duke mësuar t’i kontrollosh, do të ndihmohesh me të vërtetë për të kapërcyer shkaqet që fshihen pas këtyre simptomave. Cilat janë ato?
9 Duke folur në përgjithësi, ka dy mënyra në të cilat emocionet apo tensioni nervor shfaqen. Ato mund të klasifikohen si paraqitje fizike ose qëndrim i trupit dhe manifestime zanore. Kur këto shfaqen në çfarëdolloj mase, themi se personit i mungon vetëzotërimi.
10 Vetëzotërimi i manifestuar në qëndrimin fizik. Pra, treguesi i parë i vetëzotërimit, manifestohet në qëndrimin tënd fizik. Ka disa gjëra që do të të tradhëtojnë nëse të mungon siguria. Shqyrto së pari duart: duart e lidhura pas shpinës, të mbërthyera pas trupit apo që shtrëngojnë fort lexhion e oratorit; duart që futen dhe dalin herë pas here nga xhepat, që mbërthejnë dhe zbërthejnë xhaketën, që kalohen pa qëllim tek faqet, hunda, syzet; që bëjnë gjeste të papërfunduara; që luajnë me një orë dore, një laps, unazë apo me shënimet. Ose shqyrto zvarritjen e vazhdueshme të këmbëve, lëkundjen e trupit nga njëra anë në tjetrën; qëndrimin drejt si statujë apo përkuljen e gjunjëve; lagien e shpeshtë të buzëve, gëlltitjen e herëpasherëshme, frymëmarrjen e shpejtë dhe jo të thellë.
11 Të gjitha këto shfaqje të nervozizmit, mund të kontrollohen ose të minimizohen me anë të përpjekjeve të vetëdijshme. Nëse i bën këto përpjekje, do të japësh përshtypjen se ke vetëzotërim në qëndrimin tënd fizik. Pra, merr frymë natyrshëm e në mënyrë të njëtrajtshme dhe bëj një përpjekje të vendosur për t’u shtendosur. Përpara se të fillosh të flasësh, bëj një pauzë. Auditori do të jetë i prirur për të reaguar në mënyrë të favorshme dhe kjo nga ana e saj, do të të ndihmojë për të fituar sigurinë që po kërkon. Përqendrohu në materialin tënd, duke mos u shqetësuar për auditorin apo duke menduar për veten.
12 Vetëzotërimi i treguar me anë të pasjes së zërit nën kontroll. Shfaqjet zanore që tregojnë nervozizëm janë toni i lartë në mënyrë jonormale, dridhja e zërit, kruajtja e herëpashershme e zërit, zëri i hollë në mënyrë të pazakontë, i shkaktuar nga mungesa e rezonancës, që vjen nga tensioni nervor. Edhe këto probleme, si dhe huqet, mund të kapërcehen me anë të përpjekjeve të zellshme.
13 Kur shkon drejt podiumit apo sistemon shënimet e tua, mos u nxito, por ji i shpenguar dhe i lumtur për të ndarë me të tjerët ato që ke përgatitur. Nëse e di se kur fillon të flasësh je nervoz, duhet të bësh një përpjekje të veçantë që në hyrje të fjalimit të flasësh më ngadalë se zakonisht dhe me një ton më të ulët se ai që mund të mendosh se është normal për ty. Kjo do të të ndihmojë ta kontrollosh nervozizmin tënd. Ke për ta vënë re se si gjestet, ashtu edhe pauza do të të ndihmojnë për t’u shtendosur.
14 Por për t’i praktikuar të gjitha këto gjëra, mos prit derisa të shkosh në podium. Mësohu të kesh vetëzotërim dhe ta kesh veten nën kontroll në të folurin tënd të përditshëm. Kjo gjë do të kontribuojë shumë për të të dhënë siguri në podium dhe në shërbimin në fushë, ku kjo është edhe më thelbësore. Një mënyrë e qetë të shprehuri do ta bëjë auditorin tënd të ndihet rehat dhe kështu do të ketë mundësi të përqendrohet tek materiali. Bërja rregullisht e komenteve në mbledhje, do të të ndihmojë që të mësohesh të flasësh përpara një grupi.
**********
15 Paraqitja e mirë personale mund të të ndihmojë për të pasur vetëzotërim, por ajo është e rëndësishme edhe për arsye të tjera. Nëse asaj nuk i kushtohet vëmendja e duhur, shërbëtori mund të vërejë se paraqitja e tij e shpërqendron auditorin, kështu që ai në të vërtetë nuk i kushton vëmendje asaj që po thotë oratori, i cili përkundrazi, tërheq vëmendjen mbi veten, gjë që sigurisht nuk dëshiron ta bëjë. Nëse një person është i pakujdesshëm në mënyrë ekstreme për paraqitjen e tij personale, mund të bëjë madje që të tjerët ta shohin me përçmim organizatën, pjesë e së cilës është ai dhe ta hedhin poshtë mesazhin që prezanton. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Pra, edhe pse «Paraqitja personale» është renditur në fund të fletushkës së Këshillave mbi oratorinë, nuk duhet konsideruar e një rëndësie të vogël.
16 Veshje dhe krehje e përshtatshme. Ekstremet në të veshur duhen shmangur. Shërbëtori i krishterë nuk do të ndjekë modën e botës, e cila e tërheq vëmendjen mbi personin. Ai do të shmangë teprimet në të veshur, apo të veshurin në një mënyrë që bie aq tepër në sy, saqë vëmendja tërhiqet tek veshja. Gjithashtu, ai do të ushtrojë kujdes që të mos vishet në një mënyrë të çrregullt. Të jesh i veshur mirë, nuk kërkon të veshësh një kostum të ri, por që të jesh gjithmonë i rregullt dhe i pastër. Pantallonat duhet të jenë të hekurosura dhe kravata e vendosur drejt. Këto janë gjëra që mund t’i bëjë kushdo.
17 Këshilla që shkroi apostulli Pavël në lidhje me veshjen, e cila gjendet në 1. Timoteut 2:9, sot është e përshtatshme për gratë e krishtere. Siç është e vërtetë për vëllezërit, edhe ato nuk duhet të vishen në mënyrë të tillë që ta tërheqin vëmendjen tek vetja dhe as nuk do të ishte e përshtatshme për to të kalonin në ekstreme duke ndjekur modën e veshjes së botës që tregon mungesë modestie.
18 Sigurisht që duhet mbajtur parasysh se jo të gjithë personat do të vishen njësoj. Nuk duhet pritur një gjë e tillë. Njerëzit kanë shije të ndryshme dhe kjo është plotësisht e drejtë. Ajo që konsiderohet veshje e përshtatshme ndryshon, gjithashtu, në vende të ndryshme të botës, por është gjithmonë mirë që të shmanget i veshuri në një mënyrë të tillë që të përcjellë në mendjet e atyre që janë në auditor mendime të pafavorshme, si dhe të shmanget pengimi i atyre që vijnë në mbledhjet tona.
19 Për sa i përket veshjes nga ana e vëllezërve kur mbajnë fjalime në shkollë apo në mbledhjen e shërbimit, mund të thuhet se duhet të jenë të veshur përgjithësisht në atë mënyrë që vishet vëllai që mban një fjalim publik. Nëse në zonën tënde zakoni është që ata që mbajnë fjalime publike veshin një kravatë dhe xhaketë, atëherë kjo është edhe veshja e përshtatshme kur mbahen fjalime në Shkollën e Shërbimit Teokratik, meqenëse po stërvitesh për mënyrën e të folurit në publik.
20 Edhe krehjes së përshtatshme i duhet kushtuar vëmendje. Flokët e pakrehur mund të japin një përshtypje të keqe. Duhet ushtruar kujdes i arsyeshëm që në lidhje me këtë të kihet një paraqitje e rregullt. Ngjashëm, kur burrat në kongregacion kanë caktime nëpër mbledhje, duhet të shohin nëse janë rruar siç duhet apo jo.
21 Për sa i përket këshillave që jepen në lidhje me çështjen e veshjes dhe krehjes së përshtatshme, aty ku ka vend për lavdërime, këto mund të jepen gjithmonë në mënyrë të përshtatshme nga podiumi. Në fakt, kur atyre që u kushtojnë vëmendjen e duhur veshjes dhe krehjes u jepen lavdërime, kjo i inkurajon të tjerët për ta ndjekur atë shembull të mirë. Megjithatë, kur në lidhje me veshjen dhe krehjen ka vend për përmirësime, do të ishte më mirë që mbikëqyrësi i shkollës t’i jepte këto sugjerime privatisht në një mënyrë dashamirëse, në vend se ta këshillonte studentin nga podiumi.
22 Mënyrë e përshtatshme qëndrimi. Edhe mënyra e përshtatshme e qëndrimit, përfshihet në paraqitjen personale. Përsëri edhe për këtë, jo të gjithë kanë të njëjtën mënyrë qëndrimi dhe nuk duhet bërë asnjë përpjekje për t’i bërë vëllezërit t’i përmbahen një modeli të rreptë. Megjithatë, ekstremeve që janë të padëshirueshme dhe që e tërheqin vëmendjen tek individi dhe e largojnë nga mesazhi, duhet t’u kushtohet njëfarë vëmendjeje, në mënyrë që të korrigjohen apo të eliminohen.
23 Për shembull, jo kushdo i mban këmbët në të njëjtën mënyrë dhe, duke folur në përgjithësi, për sa kohë qëndron drejt, pak rëndësi ka mënyra se si rri. Por nëse një orator qëndron me këmbët kaq larg njëra -tjetrës, sa auditorit i krijon përshtypjen se ka hipur mbi një kalë, kjo mund të jetë shumë shpërqendruese.
24 Po kështu, kur një orator rri me supet varur, jo drejt, ngjall një ndjenjë mëshire ndaj tij nga ana e auditorit, sepse duket sikur nuk është mirë dhe sigurisht që kjo gjë e shkëput vëmendjen nga prezantimi. Mendimet e auditorit drejtohen jo në atë që thuhet, por tek oratori.
25 Qëndrimi mbi një këmbë, me këmbën tjetër të kaluar rreth saj, është tregues i një mungese të dukshme vetëzotërimi, ashtu siç është edhe qëndrimi me duart zhytur në xhepa. Këto janë gjëra që duhen shmangur.
26 Ngjashëm, ndonëse nuk është e gabuar që oratori t’i vendosë hera-herës duart në lexhio, nëse ka një të tillë, sigurisht që nuk duhet të mbështetet në të, ashtu si një lajmëtar në shërbimin në fushë nuk do të mbështetej në derën e një shtëpie. Kjo nuk tregon një paraqitje të mirë.
27 Gjithsesi, duhet ritheksuar se individët janë të ndryshëm. Jo të gjithë qëndrojnë në të njëjtën mënyrë dhe janë vetëm ekstremet e padëshirueshme që e largojnë vëmendjen nga prezantimi, të cilave u duhet kushtuar vëmendje në Shkollën e Shërbimit Teokratik.
28 Korrigjimi i mënyrës së qëndrimit është pa dyshim një çështje përgatitjeje. Nëse ke nevojë të përmirësohesh në këtë drejtim, duhet të mendohesh më parë dhe të dish se kur të ngjitesh në podium, duhet të marrësh qëndrimin e duhur përpara se të fillosh të flasësh. Edhe kjo është diçka që mund të korrigjohet, duke e praktikuar çdo ditë mënyrën e përshtatshme të qëndrimit.
29 Pajime të rregullta. Nëse një personi që është duke folur tek dera apo që po mban një fjalim nga podiumi, i bien disa letra nga Bibla që po përdor, sigurisht që do të ishte diçka shpërqendruese. Ajo krijon një përshtypje të keqe. Kjo nuk do të thotë se në Bibël nuk duhet mbajtur kurrë asnjë gjë, por kur fillojnë të lindin vështirësi që e shpërqendrojnë vëmendjen nga fjalimi, kjo tregon se paraqitjes së përshtatshme i duhet kushtuar më shumë vëmendje. Gjithashtu, është mirë të shqyrtosh edhe paraqitjen e Biblës sate. Për shkak të përdorimit të shumtë, mund të ndotet ose të konsumohet dhe të duket e keqpërdorur. Pra, do të ishte mirë të përcaktohej nëse Bibla që përdoret në podium apo në shërbimin në fushë do t’i fyente ata që dëshirojmë t’i ndihmojmë.
30 E njëjta gjë është e vërtetë edhe për çantën e literaturës. Ka shumë mënyra në të cilat mund të mbahet e rregullt çanta e literaturës, por nëse kur shkojmë tek dera, për të nxjerrë një botim nga çanta jonë, na duhet të kërkojmë në mes të një grumbulli letrash për ta gjetur, apo nëse kur nxjerrim një revistë na bien në prag gjëra të tjera, patjetër që në lidhje me këtë duhet bërë diçka.
31 Për auditorin mund të jetë shumë shpërqendruese edhe nëse oratori i ka xhepat e tij të jashtëm të mbushur me stilolapsa, lapsa dhe me gjëra të tjera, që duken qartë. Nuk duhet vënë asnjë rregull në lidhje me vendin se ku i mban një person këto gjëra, por kur ato fillojnë ta tërheqin vëmendjen tek vetja dhe ta largojnë nga fjalimi, atëherë duhet bërë njëfarë rregullimi.
32 Jo shprehje e papërshtatshme e fytyrës. Gjatë përgatitjes së një fjalimi, është e këshillueshme të merret në konsideratë fryma që kërkon materiali. Për shembull, kur flet për vdekjen dhe shkatërrimin, do të ishte e papërshtatshme të kishe në fytyrë një buzëqeshje të madhe. Ngjashëm, kur flet për kushtet e lumtura të sistemit të ri të gjërave, vështirë se do të ishte e përshtatshme ta shihje i ngrysur auditorin.
33 Në përgjithësi, shprehjet e fytyrës nuk përbëjnë një problem dhe sigurisht që disa persona janë më të prirur se të tjerët për të pasur një shprehje serioze të saj. Megjithatë, ajo nga e cila duhet të ruhemi, janë ekstremet që të shpërqendrojnë nga fjalimi. Nëse shprehja e fytyrës do të ngrinte një pyetje në mendjen e auditorit për sa i përket sinqeritetit të oratorit, kjo do të ishte sigurisht e padëshirueshme.
34 Pra, gjatë përgatitjes së një fjalimi, është mirë të merret në konsideratë fryma në të cilën duhet mbajtur ai. Nëse është një subjekt serioz, që ka të bëjë me shkatërrimin e të ligjve, atëherë duhet paraqitur në një mënyrë serioze. Nëse je duke menduar mbi materialin dhe e mban atë parasysh, në shumicën e rasteve shprehja jote e fytyrës do ta pasqyrojë këtë natyrshëm. Nëse është një subjekt i lumtur, një subjekt që duhet të ngjallë gëzim tek auditori, atëherë duhet paraqitur në një mënyrë që tregon lumturi. Nëse ndihesh rehat në podium, zakonisht shprehja jote e fytyrës do ta rrezatojë këtë gëzim.
[Pyetjet]
1-9. Përkufizo vetëzotërimin dhe sigurinë dhe trego se si mund të arrihen ato.
10, 11. Si mund të tregojë qëndrimi fizik mungesë sigurie?
12-14. Nëse zëri zbulon mungesë sigurie, çfarë mund të bëhet për të arritur vetëzotërimin?
15. Përse paraqitja personale është kaq e rëndësishme?
16-21. Çfarë këshillash janë dhënë mbi veshjen dhe krehjen e përshtatshme?
22-28. Trego se si mund të ndikojë mënyra e qëndrimit tek paraqitja personale?
29-31. Përse pajimet tona duhet të jenë të rregullta?
32-34. Çfarë roli luajnë shprehjet e fytyrës në paraqitjen tonë?