MËSIMI 16
Zotërimi i vetvetes
NUK është e pazakontë që një orator të jetë në tension kur ngrihet për të mbajtur fjalim, sidomos në rast se nuk mban shpesh fjalime. Një lajmëtar mund të jetë disi në tension kur bën vizitat e para të një dite në shërbimin në fushë. Kur u caktua të shërbente si profet, Jeremia u përgjigj: «Po ja, unë në të vërtetë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.» (Jer. 1:5, 6) Jehovai e ndihmoi Jereminë dhe do të të ndihmojë edhe ty. Me kalimin e kohës mund të arrish ta zotërosh plotësisht veten.
Oratori që shfaq zotërim të vetvetes është një njeri me vetëpërmbajtje. Kjo vetëpërmbajtje duket nga mënyra si e mban trupin. Ka një pozicion të trupit që është i natyrshëm dhe i përshtatshëm për rastin. Bën gjeste kuptimplote me duart. Zërin e ka të gjallë dhe të kontrolluar.
Edhe sikur të mendosh se ky përshkrim i një njeriu që shfaq zotërim të vetvetes nuk të përshtatet, mund të përmirësohesh. Si? Le të shqyrtojmë arsyet përse një orator ndihet në tension dhe nuk arrin ta zotërojë veten. Arsyeja mund të jetë fizike.
Kur ndodhesh përballë një sfide dhe dëshiron të dalësh mirë, por nuk je i sigurt për këtë, ndien ankth. Si rrjedhim, truri i dërgon sinjale trupit për të prodhuar më shumë adrenalinë. Ky vërshim i adrenalinës mund të shkaktojë rrahje më të shpeshta të zemrës, ndryshim në ritmin e frymëmarrjes, djersitje më të madhe e madje dridhje të duarve e të gjunjëve ose të zërit. Trupi po përpiqet të të ndihmojë ta përballosh situatën duke rritur nivelin e energjisë. Sfida është ta përdorësh këtë vërshim energjie për të menduar në mënyrë ndërtuese dhe për të folur me entuziazëm.
Si ta pakësosh ankthin? Mos harro se të ndiesh njëfarë ankthi është normale. Megjithatë, për të ruajtur zotërimin e vetvetes, duhet të jesh në gjendje ta ulësh nivelin e ankthit dhe ta përballosh situatën me qetësi dhe dinjitet. Si mund ta arrish këtë?
Përgatitu plotësisht. Harxho kohë për të përgatitur fjalimin tënd. Sigurohu që e kupton qartë argumentin. Nëse të është dhënë një fjalim ku e ke ti në dorë zgjedhjen e pikave për të trajtuar, merr parasysh çfarë di tashmë auditori për argumentin dhe çfarë shpreson të arrish. Kjo do të të ndihmojë të zgjedhësh materialin më të dobishëm. Në rast se në fillim kjo të duket e vështirë, fol për këtë problem me një orator me përvojë. Ai mund të të ndihmojë të bësh një analizë ndërtuese të materialit dhe të auditorit. Kur je i sigurt se ke një material që do t’i sjellë dobi auditorit dhe e ke të qartë në mendje, dëshira për t’ua thënë të tjerëve do të fillojë ta mposhtë ankthin që mund të ndiesh për prezantimin.
Kushtoji vëmendje të veçantë hyrjes. Ki të qartë në mendje se si do të fillosh. Pasi ta kesh filluar fjalimin, ka të ngjarë që tensioni të ulet.
Të njëjtat parime bazë zbatohen edhe në përgatitjen për shërbimin në fushë. Mendo jo vetëm për argumentin që planifikon të trajtosh, por edhe për llojin e njerëzve që do t’u japësh dëshmi. Përgatite me kujdes hyrjen. Nxirr dobi nga përvoja e lajmëtarëve të pjekur.
Ndoshta mendon se do ta zotërosh më mirë veten po të përdorësh dorëshkrim kur mban një fjalim para një grupi. Por në të vërtetë, kjo mund të të shkaktojë gjithnjë e më shumë ankth çdo herë që mban fjalim. Është e vërtetë që disa oratorë përdorin shënime të hollësishme, kurse disa të tjerë më pak. Por ajo që do të të ndihmojë t’i përqendrosh mendimet dhe do ta ulë nivelin e ankthit nuk janë fjalët në fletë, por bindja që ke në zemër se ajo që ke përgatitur për auditorin është me të vërtetë me vlerë.
Provoje fjalimin disa herë me zë. Kjo do të të japë sigurinë se mund t’i shprehësh mendimet me fjalë. Ndërsa bën këto prova, krijon si një model në kujtesë që mund të vihet në veprim me lehtësi kur mban fjalimin. Ji sa më realist kur bën provat. Përfytyro auditorin. Ulu në tavolinë ose rri në këmbë, ashtu si do të rrish kur të mbash fjalimin.
Lutju Jehovait për ndihmë. A do t’i përgjigjet ai kësaj lutjeje? «Kjo është siguria që kemi ndaj tij: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjon. 5:14) Në qoftë se dëshiron ta nderosh Perëndinë dhe t’i ndihmosh njerëzit që të nxjerrin dobi nga Fjala e tij, me siguri ai do t’i përgjigjet lutjes sate. Kjo siguri mund të bëjë shumë për të të forcuar që të përmbushësh caktimin tënd. Veç kësaj, ndërsa kultivon frytin e frymës, pra, dashurinë, gëzimin, paqen, butësinë dhe vetëkontrollin, do të zhvillosh qëndrimin e duhur mendor për t’i përballuar situatat duke e pasur në zotërim veten.—Gal. 5:22, 23.
Fito përvojë. Sa më shumë të marrësh pjesë në shërbimin në fushë, aq më pak tension do të ndiesh. Sa më shumë të komentosh në mbledhjet e kongregacionit, aq më të lehtë do ta kesh të flasësh para të tjerëve. Me rritjen e numrit të fjalimeve që mban në kongregacion, ka të ngjarë që niveli i ankthit që ndien para çdo fjalimi të ulet. A do të doje të kishe më shumë raste për të folur? Atëherë, dil vullnetar për të bërë fjalime zëvendësimi në shkollë kur të tjerët nuk kanë mundësi t’i plotësojnë caktimet e tyre.
Pasi t’i kesh bërë hapat e përshkruar më sipër, do të jetë e dobishme të shqyrtosh simptomat që tregojnë qartë se nuk ke vetëpërmbajtje. Duke i identifikuar këto simptoma dhe duke mësuar se si t’i përballosh, do ta kesh më të lehtë të flasësh duke e zotëruar veten. Simptomat mund të jenë fizike ose vokale.
Simptomat fizike. Nëse e zotëron apo jo veten duket nga mënyra si e mban trupin dhe si i përdor duart. Të marrim në shqyrtim duart së pari. Duart e lidhura pas shpine, të mbajtura shtrirë anash si të ngrira ose që shtrëngojnë fort pultin e leximit të oratorit; duart që nxirren e futen vazhdimisht në xhepa, që mbërthejnë e zbërthejnë xhaketën, që shkojnë pa ndonjë qëllim në faqe, në hundë ose në syze; duart që luajnë me orën, me një laps, me unazën ose me shënimet; duart që bëjnë gjeste të gabuara ose jo të plota—të gjitha këto tregojnë se nuk e zotëron veten.
Pasiguria mund të tregohet edhe duke fërkuar vazhdimisht këmbët pas dyshemesë, duke u lëkundur sa nga një anë në tjetrën, duke qëndruar si i ngrirë, duke e lëshuar trupin fare, duke lëpirë buzët herë pas here, duke u kapërcyer vazhdimisht dhe duke marrë frymë shpesh e jo thellë.
Me përpjekje të ndërgjegjshme këto shfaqje të tensionit mund të mbahen nën kontroll. Puno me një aspekt çdo herë. Përcakto cili është problemi dhe mendo që më përpara se çfarë duhet të bësh për ta parandaluar. Në rast se bën këtë përpjekje, do të tregosh zotërim të vetvetes me mënyrën se si e mban trupin.
Simptomat vokale. Nga ana vokale, tensioni mund të shfaqet kur flet me zë tepër të lartë ose të dridhur. Ndoshta e kruan fytin vazhdimisht ose flet tepër shpejt. Këto probleme dhe huqe mund të kapërcehen me përpjekje të zellshme për ta mbajtur zërin nën kontroll.
Në qoftë se ndihesh në tension, ndalu për të marrë frymë thellë disa herë para se të shkosh në podium. Përpiqu ta shtendosësh të gjithë trupin. Në vend që të mendosh për tensionin që ndien, përqendrohu tek arsyet pse dëshiron t’ia thuash auditorit gjërat që ke përgatitur. Para se të fillosh të flasësh, shiko për një çast auditorin, zgjidh një fytyrë miqësore dhe buzëqesh. Kur bën hyrjen, fol ngadalë dhe pastaj përfshihu tërësisht në fjalim.
Çfarë duhet të presësh? Mos prit që ndjenjat e tensionit të zhduken krejt. Shumë oratorë që kanë vite përvojë në podium ndihen në tension para se të dalin përpara auditorit. Megjithatë kanë mësuar ta mbajnë nën kontroll tensionin.
Nëse bën përpjekje të sinqerta për të hequr shfaqjet e jashtme të tensionit, auditori do të të shohë si një orator që e zotëron veten. Ti ende mund të jesh në tension, por ata ndoshta nuk e vënë re fare.
Mos harro, vërshimi i adrenalinës që shkakton simptomat e tensionit, të jep edhe më shumë energji. Përdore atë për të folur me ndjenjë.
Nuk duhet të presësh deri sa të shkosh në podium para se t’i vësh në praktikë gjithë këto gjëra. Mëso ta kesh në zotërim veten, ta kesh gjendjen nën kontroll dhe të flasësh me ndjenjë të përshtatshme në jetën e përditshme. Kjo do të të ndihmojë shumë për të fituar siguri në podium dhe në shërbimin në fushë, që është edhe më e rëndësishme.