Komunikimi nëpërmjet letrave
LETRAT kanë përmirësuar jetën dhe sjelljen e miliona njerëzve. Shumica e librave të Shkrimeve të Krishtere Greke në fillim ishin letra. Sot ne mund të shkruajmë letra për shumë arsye: të nxitim të rinjtë në besim, të mbajmë lidhje me miqtë, t’u japim zemër vëllezërve dhe motrave që kanë marrë përsipër përgjegjësi të veçanta, të forcojmë ata që po hasin vështirësi dhe të përcjellim informacione të nevojshme për t’u kujdesur për veprimtaritë e kongregacionit.—1 Sel. 1:1-7; 5:27; 2 Pjet. 3:1, 2.
Të shkruash letra është edhe një mënyrë e efektshme për të dhënë dëshmi. Në disa zona, shumë njerëz jetojnë në pallate që kanë masa të rrepta sigurie ose në hotele ku dhomat lëshohen për një kohë të gjatë. Në vende të tilla nuk mund të predikohet lirisht. Disa e kalojnë pjesën më të madhe të kohës jashtë shtëpisë, kështu që nuk i takojmë kur japim dëshmi nga shtëpia në shtëpi. Të tjerë jetojnë në zona të veçuara.
Disa herë, një sëmundje, koha e keqe ose gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në vend mund të të detyrojnë të qëndrosh në shtëpi. A mund të shkruash letra për t’i dhënë dëshmi të mëtejshme një të afërmi ose dikujt me të cilin ke folur rastësisht? A është transferuar diku tjetër një nga studentët e tu të Biblës? Një letër nga ti mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet për t’ia mbajtur gjallë interesin për gjërat frymore. Ose ndoshta mund t’u tregosh informacione të përshtatshme biblike atyre që sapo janë martuar, sapo janë bërë prindër ose atyre që u kanë vdekur njerëz të dashur.
Dëshmi me anë të letrave
Kur shkruan për t’i dhënë dëshmi dikujt që nuk e ke takuar kurrë, së pari prezantohu. Pastaj mund t’i shpjegosh se po merr pjesë në një vepër vullnetare ndërkombëtare. Nëse e sheh të përshtatshme, tregoji që je Dëshmitar i Jehovait. Bëji të ditur personit përse po i shkruan e nuk po e takon vetë. Shkruaj sikur të ishe duke folur me të ballë për ballë. Megjithatë, në përputhje me udhëzimin për ‘t’u treguar të kujdesshëm si gjarpërinjtë e megjithatë të pafaj si pëllumbat’, mendohu mirë për sasinë e informacionit që duhet të zbulosh për veten.—Mat. 10:16.
Përfshi në letër atë që do t’i kishe thënë personit po ta kishe takuar vetë. Mund të përshtatësh për këtë rrethanë një hyrje nga libri Të arsyetojmë ose mund të përdorësh një prezantim biblik nga numrat e fundit të Shërbimi ynë i Mbretërisë. Mund të bësh një pyetje dhe ta nxitësh personin të mendojë rreth saj. Disa lajmëtarë shpjegojnë thjesht se ne kemi një program falas për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me Biblën dhe pastaj përmendin disa tituj të kapitujve të njërit prej botimeve tona ndihmëse për studim. Në faqen 73 gjendet modeli i një letre të shkruar për të dhënë dëshmi. Ky model mund të të japë disa ide, por është mirë që ta ndryshosh herë pas here përmbajtjen. Përndryshe, me kalimin e kohës mund të ndodhë që njerëzit të marrin disa herë të njëjtën letër.
Disa ngurrojnë të lexojnë letra të gjata nga njerëz të panjohur. Prandaj, mund të jetë e mençur që të mos e zgjatësh shumë letrën. Përfundoje atë para se marrësi të lodhet së lexuari. Mund të jetë e përshtatshme t’i bashkëngjitësh letrës një ftesë të shtypur për të ndjekur mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Mund të futësh brenda një fletushkë, një broshurë ose ndonjë numër të revistës Kulla e Rojës ose Zgjohuni! dhe të shpjegosh që mund t’ia sigurosh rregullisht, po qe se personi dëshiron. Ose mund ta pyesësh nëse mund t’i bësh një vizitë në shtëpi për të folur më tej rreth argumentit të trajtuar.
Dy fjalë për formulimin e një letre
Hidhi një sy letrës model. Vër re veçoritë vijuese: (1) Ajo duket e rregullt, jo e shkruar tepër ngjeshur. (2) Edhe sikur zarfi të humbasë, marrësi do të ketë ende emrin e dërguesit dhe adresën e tij. (3) Qëllimi i letrës është treguar në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë që në paragrafin e parë. (4) Secili mendim kryesor fillon në një paragraf më vete. (5) Duke marrë parasysh qëllimin e saj, letra nuk është as tepër familjare, as tepër zyrtare.
Në një letër më zyrtare, si për shembull kur sekretari i kongregacionit i shkruan zyrës së degës, duhet të përfshihet emri i kongregacionit, emri dhe adresa e vetë sekretarit, si edhe data. Duhet të shkruhet, gjithashtu, emri dhe adresa e marrësit, qoftë ky person ose organizatë. Këto pasohen nga një përshëndetje e përshtatshme. Në disa gjuhë, për ta mbyllur letrën dërguesi mund të përdorë para se të vërë firmën shprehje të tilla, si «Nderimet e mia» ose «Me respekt». Vetë firma duhet të shkruhet me dorë.
Kurdoherë që shkruan një letër, kushtoji vëmendje drejtshkrimit, gramatikës, shenjave të pikësimit dhe, natyrisht, pastërtisë. Kjo do t’i japë dinjitet letrës dhe mesazhit që përmban ajo.
Mbi zarf vër gjithmonë një adresë dërguesi, mundësisht adresën tënde. Në rast se mendon që nuk do të ishte e mençur të përdorje adresën tënde kur i jep dëshmi me letër një të panjohuri, pyet pleqtë nëse pranojnë që të përdorësh adresën e Sallës lokale të Mbretërisë. Adresa e zyrës së degës nuk duhet përdorur kurrë për këtë qëllim, pasi kjo do të tregonte në mënyrë të gabuar se korrespondenca jote është dërguar nga zyra e degës dhe do të shkaktonte pështjellim. Nëse zarfi nuk e ka adresën e dërguesit dhe brenda tij, bashkë me letrën ka edhe literaturë, edhe kjo do të jepte përshtypjen e gabuar sikur dërguesi është zyra e degës.
Ki kujdes të vendosësh pulla të mjaftueshme, sidomos nëse në zarf ke futur literaturë. Nëse vlera e pullave është e pamjaftueshme, zarfi mund të të kthehet mbrapsht. Ki parasysh që në shumë vende, kur në zarf futet ndonjë broshurë ose revistë, tarifa postare është më e madhe sesa për një letër të thjeshtë.
Stili i duhur
Pasi ta kesh mbaruar së shkruari letrën, lexoje për të analizuar përmbajtjen. Si të tingëllon? A është miqësore dhe me takt? Dashuria dhe mirësjellja janë ndër cilësitë që përpiqemi të shfaqim në marrëdhëniet me të tjerët. (Gal. 5:22, 23) Në qoftë se tingëllon disi negative ose me njëfarë pesimizmi, rregulloje formulimin.
Një letër mund të shkojë në vende ku ti nuk mund të shkosh. Kjo gjë mjafton që letrat të jenë një mjet i rëndësishëm për shërbimin. Meqenëse letra të përfaqëson ty dhe vlerat e tua, kushtoji vëmendje asaj që shkruan në të, pamjes dhe stilit. Letra mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet për ta drejtuar, për ta forcuar ose për t’i dhënë zemër një shpirti të çmuar në rrugën që të çon në jetë.