BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be mësimi 4 f. 93-f. 96 par. 3
  • Rrjedhshmëria

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Rrjedhshmëria
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Material i ngjashëm
  • Rrjedhshmëria, cilësia e bisedimit me shqiptim të duhur
    Si të përmirësosh të folurin dhe mësimdhënien tënde
  • Si të përballohet belbëzimi?
    Zgjohuni!—2010
  • Natyrshmëria
    Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Kutia e pyetjes
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1996
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be mësimi 4 f. 93-f. 96 par. 3

MËSIMI 4

Rrjedhshmëria

Çfarë duhet të bësh?

Lexo dhe fol në mënyrë të tillë që fjalët dhe mendimet e tua të rrjedhin sa më lirshëm. Një njeri që flet rrjedhshëm, nuk flet me ndërprerje e as tepër ngadalë, nuk ngec ose nuk është gjithnjë duke kërkuar me ankth mendimet.

Pse ka rëndësi?

Kur oratorit i mungon rrjedhshmëria, mendja e dëgjuesve mund të hallakatet dhe mund të përcillen ide të gabuara. Ajo që thuhet mund të mos duket bindëse.

KUR lexon me zë, a ngec në disa shprehje? Ose kur del para auditorit për të mbajtur fjalim, a të ndodh shpesh që kërkon me ankth fjalët e duhura? Nëse po, ndoshta ke një problem me rrjedhshmërinë. Ai që ka rrjedhshmëri lexon dhe flet në mënyrë të tillë që fjalët dhe mendimet të rrjedhin lirshëm, me një lehtësi që duket qartë. Kjo nuk do të thotë që ai flet pa ndërprerje, shumë shpejt ose pa u menduar. Të folurit e tij është i këndshëm dhe me hijeshi. Në Shkollën e Shërbimit Teokratik rrjedhshmërisë i kushtohet vëmendje e veçantë.

Mungesa e rrjedhshmërisë mund të ketë një sërë shkaqesh. A ke nevojë t’u kushtosh vëmendje të veçantë ndonjërit prej shkaqeve që vijojnë? (1) Kur u lexon të tjerëve, mosnjohja e disa fjalëve mund të të bëjë që të ngurrosh. (2) Përdorimi tepër i shpeshtë i pauzave të shkurtra, mund të bëjë që të folurit të jetë me ndërprerje. (3) Mungesa e përgatitjes mund të jetë një tjetër shkaktar i problemit. (4) Kur bëhet fjalë për të folur para një grupi njerëzish, zakonisht në mungesën e rrjedhshmërisë ndikon fakti që materiali nuk është organizuar në mënyrë logjike. (5) Ai që ka një fjalor të kufizuar mund të ngurrojë ndërsa kërkon me ankth fjalët e duhura. (6) Theksimi i shumë fjalëve mund ta pengojë rrjedhshmërinë. (7) Mosnjohja e rregullave të gramatikës mund të ndikojë gjithashtu në këtë problem.

Nëse të mungon rrjedhshmëria, auditori në Sallën e Mbretërisë nuk do të largohet në kuptimin e vërtetë, por mendja e tyre mund të fillojë të hallakatet. Si pasojë, një pjesë e madhe e asaj që thua mund të humbasë.

Nga ana tjetër, duhet të kemi kujdes se ndoshta duke dashur që të flasim me vendosmëri dhe rrjedhshëm, të folurit mund të bëhet arrogant, e madje duke e bërë auditorin të ndihet ngushtë. Nëse për shkak të ndryshimeve në formimin kulturor, njerëzve u duket pa takt ose e pasinqertë mënyra jote e të folurit, nuk do t’ia arrish qëllimit që ke. Vlen të përmendet se ndonëse ishte orator me përvojë, apostulli Pavël shkoi «me dobësi, me frikë dhe me shumë dridhma» te korintasit, me qëllim që të mos e tërhiqte vëmendjen te vetja pa qenë nevoja.​—1 Kor. 2:3.

Shprehi që duhen shmangur. Shumë njerëz kur flasin kanë huqin që të përdorin shprehje të tilla, si «ë». Të tjerë shpesh e fillojnë një mendim me «atëherë» ose përsëritin shprehje të tilla, si «në fakt» ose «kupton?» për çdo gjë që thonë. Ndoshta ti nuk je i vetëdijshëm se sa shpesh i përdor këto shprehje. Mund të provosh ta thuash pjesën ndërkohë që dikush të dëgjon dhe i përsërit këto shprehje sa herë që i thua. Ndoshta do të mbetesh i habitur.

Disa njerëz lexojnë dhe flasin duke iu kthyer shumë herë fjalëve ose shprehjeve. E fillojnë një fjali, pastaj e ndërpresin në mes dhe përsëritin të paktën një pjesë të asaj që tashmë kanë thënë.

Të tjerë flasin mjaft shpejt, por e fillojnë një mendim dhe pastaj e lënë në mes për të kaluar te një mendim tjetër. Ndonëse fjalët rrjedhin lirshëm, ndryshimet e papritura në mendime e dëmtojnë rrjedhshmërinë.

Si të përmirësohesh? Nëse problemi yt është se shpesh kërkon me ankth fjalët e duhura, duhet të bësh një përpjekje të vendosur për të pasuruar fjalorin tënd. Kushtoju kujdes të veçantë fjalëve që nuk i njeh e që i has në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe në botimet e tjera që mund të lexosh. Kërkoji këto fjalë në fjalor, kontrollo shqiptimin dhe domethënien e tyre dhe pastaj përdor disa prej tyre. Nëse nuk ke fjalor, kërkoji ndihmë dikujt që e di mirë gjuhën.

Nëse e bën shprehi të lexosh rregullisht me zë, do të shohësh përmirësim. Shëno fjalët e vështira dhe lexoji me zë disa herë.

Për të lexuar rrjedhshëm, është e nevojshme të kuptosh se si lidhen me njëra-tjetrën fjalët në një fjali. Që të përcjellin mendimin e shprehur nga shkrimtari, zakonisht fjalët duhen lexuar me grupe. Kushtoju kujdes të veçantë këtyre grup-fjalëve. Vëru nga një shenjë, nëse kjo të ndihmon. Qëllimi yt nuk është vetëm të lexosh saktë fjalët, por edhe t’i përcjellësh qartë mendimet. Pasi të kesh analizuar një fjali, vazhdo me tjetrën derisa ta kesh studiuar të gjithë paragrafin. Njihu mirë me mënyrën se si janë shtjelluar mendimet. Pastaj ushtrohu duke lexuar me zë. Lexoje paragrafin disa herë derisa ta lexosh pa ngecur dhe pa bërë pauza atje ku s’duhet. Më pas vazhdo me paragrafët e tjerë.

Pas kësaj, shtoje ritmin. Nëse ke arritur të kuptosh se si lidhen me njëra-tjetrën fjalët në një fjali, do të jesh në gjendje të shikosh më shumë se një fjalë njëherësh dhe të imagjinosh se çfarë duhet të vijë më pas. Kjo do të të ndihmojë shumë që të jesh më i efektshëm në lexim.

Një stërvitje e vlefshme mund të jetë të ushtrohesh rregullisht që të lexosh me shikim të parë. Për shembull, lexo me zë shkrimin e ditës dhe komentin, pa i përgatitur më përpara. Bëje këtë rregullisht. Mësoje syrin që t’i shohë fjalët jo një nga një, por si grupe që shprehin mendime të plota.

Kur bisedon, rrjedhshmëria kërkon që të mendohesh para se të flasësh. Bëje shprehi këtë gjë në veprimtaritë e tua të përditshme. Përcakto se cilat ide dëshiron të përcjellësh, radhën në të cilën do t’i thuash dhe pastaj fillo të flasësh. Mos u nxito. Përpiqu të shprehësh një mendim të plotë pa ndërprerje ose pa kaluar në një mendim tjetër ndërkohë që s’ke mbaruar të parin. Mund ta kesh më të lehtë po të përdorësh fjali të shkurtra e të thjeshta.

Normalisht, fjalët duhet të dalin natyrshëm, nëse e ke mjaft të qartë atë që dëshiron të thuash. Në përgjithësi, nuk është e nevojshme t’i zgjedhësh fjalët që do të përdorësh. Në praktikë, mjafton që të sigurohesh se e ke të qartë në mendje idenë dhe pastaj të mendosh për fjalët në të folur e sipër. Në qoftë se e ke të qartë idenë dhe e mban mendjen të përqendruar tek ajo e jo te fjalët që po thua, atëherë fjalët do të dalin lirshëm dhe mendimet e tua do të shprehen ashtu siç i ndien. Por sapo të fillosh të mendosh për fjalët dhe jo për idetë, të folurit do ta humbasë rrjedhshmërinë. Duke u ushtruar, mund t’ia dalësh mbanë që të arrish rrjedhshmërinë, një cilësi e rëndësishme kjo për ta bërë të efektshëm të folurit dhe leximin.

Kur u caktua për të përfaqësuar Jehovain para kombit të Izraelit dhe para faraonit të Egjiptit, Moisiu u ndie i paaftë. Përse? Nuk ishte një orator që fliste rrjedhshëm; mund të ketë pasur një pengesë në të folur. (Dal. 4:10; 6:12) Moisiu nxori justifikime, por Perëndia nuk pranoi asnjë prej tyre. Edhe pse dërgoi Aaronin bashkë me të si zëdhënës, Jehovai e ndihmoi edhe vetë Moisiun që të fliste. Herë pas here dhe në mënyrë të efektshme, Moisiu foli jo vetëm para individëve dhe grupeve të vogla, por edhe para gjithë kombit. (Ligj. 1:1-3; 5:1; 29:2; 31:1, 2, 30; 33:1) Nëse bën me ndërgjegje pjesën tënde, duke besuar ndërkohë te Jehovai, edhe ti mund ta përdorësh të folurit për të nderuar Jehovain.

SI TA PËRBALLOSH BELBËZIMIN?

Belbëzimi mund të shkaktohet nga shumë faktorë. Terapitë që ndihmojnë disa njerëz mund të mos jenë po aq të efektshme për disa të tjerë. Por, për të provuar gëzimin e suksesit është e rëndësishme që të vazhdosh të përpiqesh.

A të shkakton frikë, e madje panik, ideja që të bësh një koment në mbledhje? Lutju Jehovait për ndihmë. (Filip. 4:6, 7) Përqendroji mendimet në mundësinë për të nderuar Jehovain dhe për të ndihmuar të tjerët. Mos prit që problemi të zhduket fare, por vër re përparimet që bën për ta përballuar atë. Ndërsa provon bekimet e Jehovait dhe nxitjen që të japin vëllezërit, do të dëshirosh të bësh më shumë.

Shkolla e Shërbimit Teokratik të jep mundësi që të fitosh përvojë për të folur para një grupi njerëzish. Ndoshta do të mbetesh i habitur kur të shohësh se sa mirë mund ta bësh këtë para një grupi të vogël, i cili të mbështet dhe dëshiron që t’ia dalësh mbanë. Kjo mund të jetë një ndihmë që të fitosh siguri për të folur edhe në rrethana të tjera.

Nëse ke për të mbajtur një fjalim, përgatitu mirë. Zhytu plotësisht në atë që do të thuash. Fol me ndjenja të përshtatshme. Nëse fillon të belbëzosh ndërsa je duke folur, përpiqu me sa të kesh mundësi që të ruash qetësinë në zë e në qëndrim. Shtendosi muskujt e nofullave. Përdor fjali të shkurtra. Zvogëloje sa më shumë përdorimin e shprehjeve ndërmjetëse, të tilla, si «ë».

Disa që tashmë po e përballojnë me sukses problemin e belbëzimit, pasi kanë kuptuar se cilat fjalë përbënin problem për ta, i shmangin ato dhe në vend të tyre përdorin fjalë që kanë kuptim të ngjashëm. Të tjerë parapëlqejnë t’i veçojnë tingujt që u shkaktojnë më shumë vështirësi dhe ushtrohen vazhdimisht për t’i shqiptuar ata.

Nëse belbëzon gjatë një bisede, mos hiq dorë nga përpjekjet për të komunikuar. Ndoshta mund ta nxitësh bashkëbiseduesin që të flasë deri sa të jesh në gjendje të vazhdosh ti. Po të jetë e nevojshme, thjesht bëj një shënim ose tregoji tjetrit diçka të shtypur.

SI TA ARRISH?

  • Kur lexon revistat dhe librat, shëno fjalët e reja, gjej kuptimin e saktë të tyre dhe përdori kur flet.

  • Bëje shprehi të lexosh me zë të paktën pesë deri në dhjetë minuta çdo ditë.

  • Përgatitu sa më mirë kur caktohesh për të lexuar. Kushtoju vëmendje të veçantë grup-fjalëve që përcjellin mendimet. Njihu mirë me mënyrën se si janë shtjelluar mendimet.

  • Në bisedat e përditshme, mësohu të mendohesh më parë dhe pastaj të thuash fjali të plota pa ndaluar.

USHTRIM: Lexo me kujdes Gjykatësit 7:1-25, duke i studiuar paragrafët një nga një. Sigurohu se e kupton atë që thuhet. Duke përdorur një fjalor, shiko fjalët që nuk i njeh. Lexoje me zë secilin emër të përveçëm. Pastaj lexo me zë paragrafin; ki kujdes që të lexosh saktë. Kur mendon se e ke përvetësuar atë paragraf, vazhdo me tjetrin e kështu me radhë. Pastaj lexo të gjithë kapitullin. Lexoje përsëri, por kësaj here pak më shpejt. Lexoje edhe një herë, duke shpejtuar edhe pak në ato pjesë ku është e përshtatshme, por jo aq shpejt sa të ngatërrohesh.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo