Kutia e pyetjes
◼ Çfarë duhet mbajtur ndër mend në lidhje me leximin e paragrafëve në mbledhje?
Pjesa më e madhe e kohës së caktuar për Studimin e Kullës së Rojës dhe për Studimin e Librit të Kongregacionit, përdoret për leximin e paragrafëve. Kjo do të thotë që vëllai i caktuar si lexues mban mbi supe një përgjegjësi të madhe si mësues. Ai duhet të lexojë në mënyrë të atillë që ‘t’i japë domethënie’ materialit, me qëllim që dëgjuesit jo vetëm ta kuptojnë atë, por edhe të nxiten për të vepruar. (Neh. 8:8) Prandaj, lexuesi duhet të përgatitet mirë për caktimin e tij. (1. Tim. 4:13; shiko studimin 6 në Librin udhëzues për Shkollën e Shërbimit Teokratik, angl.) Këtu kemi disa pika thelbësore për leximin domethënës publik.
Thekso kuptimin në mënyrë të përshtatshme: Përcakto që më përpara cilat fjalë apo fraza duhen theksuar për të përçuar kuptimin e saktë.
Shqiptoji fjalët saktë: Shqiptimi i duhur dhe i qartë është i nevojshëm, që auditori të kuptojë shprehjet që dalin në botim. Gjej në fjalor fjalët e panjohura dhe ato që përdoren rrallë ose dëgjo regjistrimet në kasetat e Shoqatës.
Fol me volum dhe entuziasëm: Të folurit me entuziasëm ngjall interes, emocione dhe nxit dëgjuesin.
Ji i ngrohtë dhe bashkëbisedues: Natyrshmëria vjen me rrjedhshmërinë. Me përgatitje dhe praktikë, lexuesi mund të jetë i lirshëm, gjë që do të rezultojë në një lexim që është tërheqës dhe jo monoton e i mërzitshëm.—Hab. 2:2.
Lexoje materialin siç është shtypur: Shënimet si dhe informacioni në thonjëza apo kllapa lexohen zakonisht me zë, nëse sqarojnë tekstin e shtypur. Përjashtimet e vetme janë referimet që përcaktojnë thjesht burimin e materialit. Shënimi duhet lexuar në kohën kur përmendet në paragraf, duke filluar me një parathënie të tillë: «Shënimi lexon . . . » Pasi ta kesh lexuar, vazhdo me pjesën tjetër të paragrafit.
Kur leximi publik bëhet mirë, ai është një nga mënyrat themelore në të cilat ne mund ‘të mësojmë të tjerët të zbatojnë të gjitha gjërat e urdhëruara’ nga Mësuesi ynë i Madh.—Mat. 28:20.