MËSIMI 7
Theksimi i ideve kryesore
NJË lexues i efektshëm shikon më shumë sesa vetëm fjalitë, madje, më shumë sesa paragrafët ku gjenden këto fjali. Kur lexon, ai ka parasysh idetë kryesore të të gjithë materialit që po paraqet. Kjo ndikon se ku e vë theksin.
Nëse nuk ndiqet kjo metodë, pjesa që po paraqet nuk do të ketë pika kulmore. Asgjë nuk do të dalë në pah në mënyrë të qartë. Kur të mbarosh pjesën, të tjerët mund ta kenë të vështirë të mbajnë mend ndonjë gjë të veçantë.
Duke i dhënë rëndësinë e duhur theksimit të ideve kryesore, shpesh, mund të bëhet shumë për të përmirësuar leximin e një tregimi nga Bibla. Ky theksim mund ta bëjë më domethënës leximin e paragrafëve në një studim biblik ose në një mbledhje kongregacioni. Gjithashtu, ai është veçanërisht i rëndësishëm kur mbahet fjalim nga një dorëshkrim, siç ndodh disa herë nëpër kongreset tona.
Si ta arrish? Në shkollë mund të jesh caktuar për të lexuar një pjesë nga Bibla. Çfarë duhet të theksosh? Nëse ka ndonjë ide qendrore ose ngjarje të rëndësishme rreth së cilës është zhvilluar materiali që do të lexosh, do të ishte e përshtatshme ta nxirrje në pah.
Pavarësisht nëse pjesa që ke për të lexuar është në vargje ose në prozë, proverb ose rrëfim, auditori do të nxjerrë dobi nëse e lexon mirë. (2 Tim. 3:16, 17) Për ta bërë këtë duhet të marrësh parasysh edhe pjesën që do të lexosh, edhe auditorin.
Cilat janë idetë kryesore që duhet të theksosh, nëse ke për të lexuar me zë nga ndonjë botim në një studim biblik ose në një mbledhje kongregacioni? Përgjigjet e pyetjeve në materialin e shtypur quaji si idetë kryesore. Gjithashtu, thekso mendimet që lidhen me nëntitullin me shkronja të zeza poshtë të cilit gjendet materiali.
Në fjalimet që mban në kongregacion nuk këshillohet që të përdorësh dorëshkrim. Megjithatë, në disa raste, për disa fjalime kongresi sigurohen dorëshkrime, me qëllim që të njëjtat mendime të paraqiten në të njëjtën mënyrë në të gjitha kongreset. Që të theksojë idetë kryesore në këto dorëshkrime, oratori duhet që më parë ta analizojë me kujdes materialin. Cilat janë pikat kryesore? Ai duhet të jetë në gjendje t’i dallojë ato. Pikat kryesore nuk janë thjesht ide që atij i duken interesante. Ato janë mendimet kyçe rreth të cilave është zhvilluar materiali. Disa herë në dorëshkrime, një ide kryesore shprehet me anë të një pohimi të përmbledhur, i cili shërben si hyrje për një tregim ose një arsyetim. Por më shpesh, bëhet një pohim i fuqishëm pas paraqitjes së dëshmive që e mbështetin atë pohim. Kur t’i ketë identifikuar këto pika kyçe, oratori duhet t’i nënvizojë në dorëshkrim. Zakonisht janë pak, ndoshta jo më shumë se katër ose pesë. Më pas, ai duhet të ushtrohet për ta lexuar materialin në mënyrë të tillë që auditori t’i identifikojë menjëherë ato pika. Ato janë pikat kulmore të fjalimit. Nëse materiali paraqitet duke e vënë theksin aty ku duhet, ka më shumë të ngjarë që këto ide kryesore të mbahen mend. Ky duhet të jetë synimi i oratorit.
Ka mënyra të ndryshme se si një orator të bëjë theksimin e nevojshëm për ta ndihmuar auditorin që të identifikojë pikat kryesore. Të përmendim vetëm disa: ai mund të përdorë më shumë entuziazëm, një ndryshim në ritëm, ndjenja më të thella ose gjeste të përshtatshme.