Kapitulli i njëmbëdhjetë
Jehovai do që njerëzit të fitojnë jetën.—Po ti?
1, 2. (a) Ç’mund të mësojmë nga reagimi i Jonait kur mori vesh vendimin e Jehovait për Ninevinë? (b) Pse duhet ta shqyrtojmë mëshirën e Perëndisë dhe pikëpamjen që ka ai për jetën?
JEHOVAI ishte i lumtur, kurse profeti ishte i zymtë. Me mëshirë, Perëndia ua kishte kursyer jetën mijëra njerëzve. Kurse Jonai do t’i kishte lënë të vdisnin. Jehovai vendosi t’i falte dhe t’i ruante ata që më parë kishin qenë armiq të popullit të tij.
2 Siç e vërejmë nga rasti i Jonait, nganjëherë mund të jetë e vështirë për njerëzit të kuptojnë deri ku shkon vetëpërmbajtja që tregon Perëndia dhe të pasqyrojnë dëshirën e Tij që njerëzit të fitojnë jetën. Vendimi i Jehovait për t’i kursyer ninevitët «nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u nxeh». Mos vallë Jonait i interesonin më tepër ndjenjat e tij, sesa mëshira dhe ato mijëra jetë që shpëtuan? Ndoshta mendonte se, po t’u kursehej jeta ninevitëve, do t’i ulej dinjiteti. (Jonai 4:1, 10, 11) Ç’të themi për kohën tonë, kur dita e gjykimit nga Jehovai po afrohet me të shpejtë? Ndoshta mund të pyesësh: ‘Si të kem më shumë kuptueshmëri e çmueshmëri për faljen e Perëndisë dhe si t’i ndihmoj keqbërësit e penduar që të nxjerrin sa më shumë dobi nga zemërbutësia e Tij? Si të imitoj dëshirën e Perëndisë që njerëzit të fitojnë jetën?’
DREJTËSI DHE MËSHIRË, PËR TË SHPËTUAR JETË
3. A ka mospërputhje midis drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë? Shpjego.
3 Disa njerëz mendojnë se këta 12 libra profetikë flasin vazhdimisht për zemërimin e Perëndisë dhe për faktin që i ndëshkon njerëzit e vë në vend drejtësinë. Ata mund të pyesin: ‘Po ku është mëshira e Jehovait, atëherë? A i intereson që të shpëtojnë jetë njerëzish?’ Në të vërtetë, drejtësia dhe mëshira e Perëndisë jo vetëm që nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por bashkëveprojnë për të shpëtuar jetë. Drejtësia dhe mëshira janë dy aspekte të personalitetit të tij të ekuilibruar në mënyrë të përsosur. (Psalmi 103:6; 112:4; 116:5) Duke zhbërë dëmet e shkaktuara nga të ligjtë, Perëndia tregon mëshirë ndaj atyre që janë të prirur për jetën e përhershme. Kjo nxjerr në pah drejtësinë e tij të përsosur. Nga ana tjetër, duke qenë plotësisht i drejtë, Jehovai me mëshirën e tij, merr parasysh kufizimet e njerëzve të papërsosur. Mund ta përmbledhim kështu: ndëshkim aty ku duhet, mëshirë sa herë që është e mundur. Në mesazhet e profetëve gjen shumë pohime që vërtetojnë këtë ekuilibër të përsosur dhe tregojnë se Perëndia dëshiron që njerëzit të fitojnë jetën. Le ta shqyrtojmë këtë dhe, ndërkohë, të gjejmë mësime që mund t’i zbatojmë në mënyra praktike sot.
4. Çfarë tregon se Perëndia dëshiron që njerëzit të fitojnë jetën?
4 Profeti Joel përcolli një mesazh gjykimi, e megjithatë, edhe ai vërtetoi se Perëndia «është hirmadh e i mëshirshëm, nuk zemërohet shpejt e plot dashamirësi». (Joeli 2:13) Rreth njëqind vjet më vonë, në shekullin e tetë p.e.s., Mikea theksoi sa shumë kemi nevojë për faljen e Jehovait. Pasi pyeti: «Cili Perëndi është si ti?», Mikea i tha këto fjalë Jehovait: «Nuk ke për ta mbajtur përgjithmonë zemërimin tënd, sepse ti kënaqesh kur tregon dashamirësi. Ti do të na tregosh përsëri mëshirë.» (Mikea 7:18, 19) Siç mund të shohim nga tregimi i Jonait për ninevitët, Perëndia është i gatshëm të rishqyrtojë vendimin e tij për të ndëshkuar ata që i kanë shkaktuar zemërim, nëse pendohen dhe e shoqërojnë këtë me vepra të denja për pendim.
5. Cilat aspekte të mëshirës së Perëndisë dhe të interesit të tij për të shpëtuar jetë njerëzish, të duken më prekëse? (Shih edhe «Ishin gati të ndihmonin të tjerët».)
5 Sot nuk jetojmë në kohën e 12 profetëve. Megjithatë, a nuk prekemi kur shqyrtojmë këta shembuj të mëshirës së Jehovait dhe të interesit të tij për të shpëtuar jetë? Kjo ndjenjë mund të ta forcojë lidhjen që ke me Perëndinë dhe të të shtojë interesin që të ndihmosh të tjerët të fitojnë jetën. Edhe pse shumica e njerëzve sot ndjekin një rrugë të keqe, jemi të sigurt se Perëndia «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin». (2 Pjetrit 3:9) Kjo dëshirë që ka Jehovai ilustrohet nga shprehjet e përzemërta që tha Hozea kur mori përsëri gruan e tij kurorëshkelëse. Jehovai ‘i foli zemrës’ së popullit të tij. Perëndia nuk ishte i detyruar të falte, po sidoqoftë, ishte gati ta bënte këtë ‘me vullnetin e tij të lirë’. (Hozea 1:2; 2:13, 14; 3:1-5; 14:4) A e di pse qëndrimi dhe veprimet e Perëndisë në këtë aspekt, janë kaq të rëndësishme? Sepse ka të bëjë me jetë njerëzish. Prova të mëtejshme të mëshirës së Perëndisë dhe të dëshirës së tij që njerëzit të fitojnë jetën, mund t’i shohësh në kongregacionin e krishterë, që po bën diçka ku përfshihesh edhe ti.
T’I NDIHMOJMË NJERËZIT TË FITOJNË JETËN
6. Në cilën mënyrë kryesore tregon Perëndia se dëshiron që njerëzit të fitojnë jetën?
6 Përse del në shërbim? Një arsye kryesore është se, në këtë mënyrë, mund të ndihmosh të tjerë që të njohin Perëndinë e vërtetë. Ja diçka e rëndësishme që duhet të dimë për Jehovain: Ai jep paralajmërime të qarta para se të ndëshkojë. Kjo tregon mëshirën dhe interesin e tij për njerëzit, që të mos vdesin, përkundrazi, të fitojnë jetën. Të 12 profetët u bënë të ditur keqbërësve se Perëndia po u jepte mundësinë të ndreqnin udhët e tyre dhe të shpëtonin nga zemërimi i tij i drejtë. Edhe sot jemi përfshirë në një vepër të ngjashme. Si i krishterë, ke privilegjin të paralajmërosh për ditën e hakmarrjes së Perëndisë, që po vjen me të shpejtë. Por, ndërsa bën këtë, duhet të shmangësh ndjenjat e hakmarrjes, domethënë, dëshirën që njerëzit me zemër të pandjeshme «të marrin atë që meritojnë». Kujtoji vetes se, kryesisht, ti po predikon që disa të arrijnë të hyjnë në rrugën e jetës.—Joeli 3:9-12; Sofonia 2:3; Mateu 7:13, 14.
7. (a) Pse është jetësore të marrim pjesë në veprën e predikimit? (b) Nëse hasim apati, si mund të na ndihmojë meditimi për qëndrimin që ka Jehovai?
7 Sa herë që flet për të vërtetat biblike kur shkon shtëpi më shtëpi, në shkollë, në vendin e punës ose gjetkë, po ndihmon një njeri që ka nevojë urgjente për mëshirën e për faljen e Perëndisë. (Hozea 11:3, 4) Kuptohet, mund të hasësh apati dhe indiferencë. Gjithsesi, nëse ngulmon pavarësisht nga këto vështirësi, po imiton Perëndinë e mëshirshëm që, nëpërmjet Zakarisë, i tha popullit të Tij të pabindur: «Kthehuni, ju lutem, nga udhët dhe nga veprimet tuaja të këqija.» (Zakaria 1:4) Kush e di sa njerëz mund të përgjigjen mirë kur u flet për mëshirën e Perëndisë dhe u tregon udhën drejt jetës? Përsëri, përpiqu të mbash në mendje se po predikon ngaqë Jehovai dëshiron që njerëzit të fitojnë jetën, e po këtë do edhe ti.
8. Pse është inkurajuese të kujtojmë se si i janë përgjigjur disa njerëz mëshirës së Perëndisë?
8 Mund të të inkurajojë ky fakt: pothuajse gjithnjë ka pasur njerëz që u janë përgjigjur pozitivisht mesazheve të Perëndisë. Kështu, Hozea foli për ata që e kuptonin se «udhët e Jehovait janë të drejta». Profeti shtoi: «Në to do të ecin të drejtët.» (Hozea 14:9) Ndër shekuj, shumë veta janë prekur nga ftesa e Perëndisë: «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj.» (Joeli 2:12) Këto fjalë iu thanë një populli që e kishte njohur Jehovain, por tregojnë edhe interesin e Tij për ata që tani po fillojnë të mësojnë për të. Po, Perëndia nuk e ka humbur besimin tek aftësia e njerëzve për të ndier keqardhje për drejtimin e gabuar të mëparshëm, për t’u penduar e për t’u kthyer që të bëjnë gjëra të drejta. Kështu kanë shpresën për të shpëtuar.—1 Timoteut 4:16.
9. Çfarë është e nevojshme të bëhet, siç kuptojmë nga reagimi i ninevitëve?
9 Mund të dallojmë edhe një faktor tjetër duke parë se si i fali Jehovai ninevitët. Lexojmë se populli e mori seriozisht mesazhin për ndëshkimin që po u kanosej dhe «nisën të tregonin besim te Perëndia». (Jonai 3:5) Që të mbeteshin gjallë, duhej të kishin besim, jo thjesht frikë nga gjykimi. Ngaqë ka shumë dëshirë që njerëzit të pendohen dhe të veprojnë me besim, Jehovai na ka autorizuar të jemi predikues e t’i ndihmojmë njerëzit të bëjnë një zgjedhje. Me çfarë rezultati? Për ninevitët lexojmë: «Perëndia i vërtetë i pa veprat e tyre, se si hoqën dorë nga rruga e keqe. Prandaj Perëndisë së vërtetë i erdhi keq për gjëmën që kishte thënë se do t’u bënte, dhe nuk e bëri.» (Jonai 3:10) Jehovain nuk e mashtrojnë thjesht fjalët ose veprimet e bëra sa për sy e faqe. Ninevitët me siguri duhet të kenë qenë të sinqertë në shprehjen e keqardhjes, të cilën e shfaqën me vepra. Perëndia e shikonte se ata kishin ndryshuar vërtet, kishin treguar pendim të sinqertë dhe besim.
10. Cilat ishin disa situata ku Jehovai u ofroi njerëzve shpëtimin?
10 Nuk duhet të nxjerrim kurrë përfundimin se interesimi i Jehovait për të shpëtuar jetë, u shfaq vetëm për ninevitët. Kur u shkatërrua Jerusalemi në vitin 607 p.e.s.—pas shërbimit të Abdisë, Naumit dhe Habakukut—Jehovai i siguroi një rrugë shpëtimi Jeremisë së bindur dhe një grupi shokësh të tij të besuar. (Jeremia 39:16-18) Veç kësaj, profetët e Perëndisë parathanë se një mbetje e penduar do të kthehej nga Babilonia dhe do të rivendoste adhurimin e pastër. (Mikea 7:8-10; Sofonia 3:10-20) Ato profeci kanë pasur një përmbushje madhështore në kohët e sotme. Pas Luftës I Botërore, të krishterët e mirosur, shumë prej të cilëve ishin plogështuar për sa i përket adhurimit të vërtetë, e rifilluan me zell aktivitetin dhe morën miratimin e Jehovait, me shpresën për të fituar jetën. Edhe sot, njerëz nga «shumë kombe» po ‘bashkohen me Jehovain’. (Zakaria 2:11) Këta kanë shpresën të mbijetojnë në fundin që po i afrohet këtij sistemi. Prandaj, shërbimi ynë publik nuk është thjesht një akt bindjeje që e bëjmë sepse të krishterëve u është dhënë si urdhër. Nuk është as diçka që bëhet vetëm për të përmbushur profecitë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Synimi i shërbimit tonë, është t’i ndihmojë njerëzit të mësojnë rreth Jehovait, të tregojnë besim dhe të fitojnë jetën.
JETË PËR ATA QË KTHEHEN TE JEHOVAI
11, 12. Si mund të nxjerrin dobi nga mëshira e Perëndisë ata që kanë qenë më parë adhurues të tij?
11 Jehovai interesohet për të rinjtë në të vërtetën dhe dëshiron që të fitojnë jetën, megjithatë, nuk i harron ata që tashmë po i shërbejnë. Edhe ne duhet të interesohemi për ta dhe të dëshirojmë që të vazhdojnë në udhën e jetës. Si mund ta shfaqim në mënyra praktike interesimin tonë?
12 Ndoshta njeh disa që kishin mësuar për Jehovain, kishin treguar besim tek ai dhe ishin aktiv në adhurimin e vërtetë, por tani nuk po i shërbejnë më. Mesazhet që dërgoi Jehovai nëpërmjet 12 profetëve tregojnë se ai ishte i gatshëm t’u tregonte mëshirë atyre që ishin në popullin e tij, por nuk qëndruan në adhurimin e vërtetë. E njëjta gjë vlen edhe sot, pavarësisht nëse ata i ka marrë rryma, janë larguar vetë ose kanë kryer ndonjë keqbërje dhe duhet të pendohen. (Hebrenjve 2:1; 3:12) Edhe pse nuk janë të lumtur tani që janë larg Jehovait, mund ta kenë të vështirë të kthehen. Perëndia u bën thirrje atyre, me fjalët e profetit të tij: «Kështu thotë Jehovai i ushtrive: ‘Kthehuni tek unë,—thotë Jehovai i ushtrive,—dhe unë do të kthehem te ju.’» (Zakaria 1:3) Sa na qetësojnë edhe fjalët e Hozesë, që thotë: «Kthehu, o Izrael, te Jehovai, Perëndia yt, sepse ti je penguar te faji yt. Merrni me vete fjalë pendimi dhe kthehuni te Jehovai. I thoni të gjithë: ‘Fale fajin. Prano atë që është e mirë.’» Po, edhe ata që kishin kryer mëkate të rënda, por që pastaj ishin penduar vërtet dhe ishin kthyer te Perëndia, mund të merrnin faljen, e cila do t’i çonte në shërimin e plotë. (Hozea 6:1; 14:1, 2; Psalmi 103:8-10) Kështu ishte në ditët e profetëve dhe po kështu është edhe në ditët tona.
13. Ç’arsye kemi për të treguar mëshirë ndaj atyre që Perëndia i ka falur?
13 Por, çfarë do të thotë kjo për të krishterët që kanë qëndruar në udhën e jetës? Si mund ta tregojmë se kemi për të tjerët të njëjtën pikëpamje si Jehovai? Jehovai pret nga ne që t’u tregojmë mëshirë si atyre që janë të rinj në të vërtetën, edhe atyre që mund të kenë ndërprerë shërbimin ndaj tij. Nëpërmjet Hozesë, Perëndia tha se çfarë dëshiron nga ne: «Unë jam kënaqur me dashamirësinë, jo me flijimin.» Në përputhje me këto fjalë, Jezu Krishti shprehu këtë mendim: «Shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: ‘Unë dua mëshirë, dhe jo flijim.’» (Hozea 6:6; Mateu 9:13) Është thelbësore të shfaqim këtë mëshirë, nëse ne vetë duam të kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Shiko se si e lidhi apostulli Pavël faljen e të tjerëve me imitimin e Perëndisë: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit. Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur dhe vazhdoni të ecni në dashuri.» (Efesianëve 4:32–5:2) Çfarë po bën ti për të imituar Perëndinë në këtë drejtim?
14, 15. Në ç’lloj rrethanash mund të vihet në provë qëndrimi që kemi për faljen nga Jehovai?
14 Po në rastin kur një vëlla mëkaton rëndë, nuk pendohet dhe përjashtohet nga kongregacioni? Një gjë e tillë ndodhi në shekullin e parë, me disa të krishterë që u bënë mëkatarë të papenduar dhe u përjashtuan. Nëse një gjë e tillë ndodhi ndërkohë që jetonin ende apostujt e Jezuit, nuk është çudi që të ndodhë edhe sot hera-herës. Në raste të tilla, pjesëtarët besnikë të kongregacionit e pranojnë urdhrin e Biblës për të mos u shoqëruar me një të përjashtuar. Besnikëria e tyre ndaj Jehovait mund ta ndihmojë mëkatarin të kuptojë sa i rëndë është drejtimi i gabuar që ka marrë, dhe kjo mund ta shtyjë të pendohet. Në Bibël lexojmë se një i përjashtuar në Korint, më vonë u pendua dhe u kthye, kështu që u rivendos në kongregacion. (1 Korintasve 5:11-13; 2 Korintasve 2:5-8) Si ndihesh ti kur ndodh diçka e tillë sot, dhe si mund ta tregosh se interesohesh që të tjerët të fitojnë jetën?
15 Një mëkatar i penduar mund të ndihet i turpëruar dhe i dëshpëruar, prandaj ka nevojë të sigurohet se Perëndia dhe vëllezërit e tij e duan dhe dëshirojnë që ai të fitojë jetën. Shiko me sa butësi e siguroi Perëndia popullin e tij të lashtë që u tregua i gatshëm të pendohej: «Unë do të fejohem me ty e do të të tregoj besnikëri dhe ti ke për ta njohur Jehovain.» (Hozea 2:20) Meqë Perëndia ndihet kështu, ne duhet të tregojmë se jemi në harmoni me atë, të cilin Zakaria e përshkroi si Perëndia që ‘tregon mëshirë’.—Zakaria 10:6.
16. Si duhet të reagojmë kur rivendoset dikush?
16 Perëndia dëshiron që njerëzit të fitojnë jetën, prandaj gëzohet kur një mëkatar pendohet ose kur një shërbëtor joaktiv rigjallëron zellin e tij.a (Luka 5:32) Në rastin e burrit të rivendosur në Korint, të cilin e përmendëm më parë, Pavli e nxiti kongregacionin ta falte, t’i jepte zemër dhe t’i bënte të ditur se e donin vërtet: «Për atë njeri mjafton qortimi që i dha shumica. . . . Tani duhet ta falni me dashamirësi e ta ngushëlloni, që ai të mos përpihet në ndonjë mënyrë nga trishtimi i tepërt. Prandaj, ju nxit ta siguroni për dashurinë tuaj.» (2 Korintasve 2:6-8) Kujto që Hozea citoi fjalët e Jehovait, i cili tha për mëkatarët e penduar: «Unë do t’ua shëroj pabesinë. Do t’i dua me vullnetin tim të lirë.» (Hozea 14:4) A do ta imitojmë Jehovain, duke kontribuar me kënaqësi për këtë shërim dhe për jetën e përhershme që mund të vijë si rezultat?
17, 18. Si t’i ndihmojmë me dashuri ata që janë kthyer te Jehovai ose familjarët e një të përjashtuari?
17 Jehovai e bën të qartë se i trajton me dinjitet ata që kthehen, duke i pranuar prapë si njerëz që meritojnë gjithë dashurinë e tij, pikërisht ashtu si Hozea që pa ngurrim e mori përsëri gruan e tij, e cila më parë kishte qenë jobesnike. Jehovai thotë për mënyrën se si i trajtoi shërbëtorët e tij: «Për ta u bëra si ata që u heqin zgjedhën nga nofullat dhe me ëmbëlsi i çova ushqim gjithsecilit.» (Hozea 11:4) Sa ta ngroh zemrën dashuria me të cilën Jehovai i tërheq me butësi këta të sapokthyer! Mund ta imitojmë duke mos qenë të ngurtë ose të ftohtë me atë që ka shfaqur trishtim në mënyrë të perëndishme dhe është penduar sinqerisht. Pasi është pranuar prapë në kongregacion, në vend që të mbajmë mëri ose t’i rrimë hundë e buzë për gabimet e tij të kaluara, duhet t’i flasim në mënyrë ngushëlluese sipas nevojës që ka.—1 Selanikasve 5:14.
18 A të vijnë në mendje mënyra të tjera për ta imituar Jehovain kur në kongregacion bëhet një përjashtim? Nëse dikush është përjashtuar, a mund t’u vijmë në ndihmë familjarëve të tij besnikë ndaj Jehovait, ndoshta bashkëshortit të pafajshëm dhe fëmijëve? Ndoshta ata po luftojnë që të vazhdojnë të jenë të rregullt në mbledhje e në shërbim. A do t’u japim ndihmën e veçantë që mund t’u nevojitet? Një mënyrë tjetër për të treguar mëshirë të butë, është të përdorim «fjalë të mira, fjalë ngushëlluese», duke bërë biseda inkurajuese me këta familjarë besnikë. (Zakaria 1:13) Kemi mundësi të shumta për ta bërë këtë, si për shembull para ose pas mbledhjeve, kur jemi bashkë në shërbim a në raste të tjera. Ata janë bashkëpunëtorët tanë, pjesëtarë të shtrenjtë të kongregacionit, që nuk duhet të ndihen sikur ne i shmangim ose i veçojmë. Në disa raste, është përjashtuar prindi dhe janë vetëm fëmijët që po përpiqen t’i shërbejnë Jehovait. Ne vërtet duam që ata të fitojnë jetën. Si mund ta tregojmë këtë?
«I TREGON MËSHIRË JETIMIT»
19. Çfarë ndihme frymore i dha Sofonia dikujt që ishte ‘jetim’?
19 Një model që mund të të ndihmojë, gjendet në shërbimin e Sofonisë, i cili shërbeu në mes të shekullit të shtatë p.e.s. Ai mund të ketë qenë nga familja mbretërore e Judës, ndoshta kushëri i largët i mbretit Josia. Babanë e mbretit e kishin vrarë, kështu që Josia tetëvjeçar u detyrua të hipte në fron. Ai kishte përpara një detyrë të vështirë: kombi ishte zhytur në idhujtari dhe në praktika të neveritshme. (Sofonia 3:1-7) Që të sundonte mbi atë komb rebel, Josia i vogël e jetim kishte nevojë për drejtim të aftë dhe për këshilla të mençura. Jehovai i siguroi drejtim të mençur me anë të Sofonisë dhe profetëve të tjerë, siç u përmend në kapitujt e mëparshëm të këtij libri. Është domethënëse që, edhe pse Jehovai, me anë të profetit, foli kundër ‘princave’ të Judës, mbretin nuk e kritikoi. (Sofonia 1:8; 3:3) Kjo mund të tregojë se mbreti i ri Josia tashmë kishte dhënë prova se ishte i prirur drejt adhurimit të pastër. Pa dyshim, këshillat e profetit e ndihmuan Josinë që të ishte edhe më i vendosur për ta pastruar Judën nga adhurimi i papastër.
20. Si mund t’i ndihmojë «jetimët» në kongregacion prania e një «prindi» frymor?
20 Interesimi i Sofonisë për Josinë ilustron interesimin e Jehovait për të vegjlit që janë nevojtarë e të pambrojtur, si për shembull fëmijët të cilëve u është përjashtuar prindi. Hozea shpalli: «Ti [o Perëndi] je ai që i tregon mëshirë jetimit.» (Hozea 14:3) A njeh ndonjë tjetër lloj «jetimi» që ka nevojë për një «prind» frymor që t’i japë drejtim frymor e praktik? Mund të jenë jetimë në kuptimin frymor, fëmijë me një prind të vetëm ose të rinj që i shërbejnë Jehovait pa mbështetjen e familjes. Shumë shpesh, prania ose mungesa e një «prindi» frymor përcakton se sa do të lidhen me kongregacionin dhe sa do të piqen frymësisht. Shumë fëmijë «jetimë» tani janë rritur e janë bërë individë të pjekur e të ekuilibruar frymësisht, falë interesit të dashur të të krishterëve të pjekur në kongregacion.—Psalmi 82:3.
21. Çfarë ndihme mund t’u japin të krishterët e pjekur fëmijëve?
21 Për shembull, të krishterët e pjekur mund ta ndihmojnë një nënë të vetme duke u interesuar për fëmijët e saj. (Jakovi 1:27) Ndërkohë që tregojnë respektin e duhur për pozitën e nënës, që tani është kryefamiljarja, dhe sillen me dinjitet, mbikëqyrësit dhe të tjerët mund t’u japin ndihmë frymore pjesëtarëve të familjeve nevojtare. Ndoshta bashkë me bashkëshortin ose familjen mund të kaloni ca kohë me një jetim ose jetime. A mund t’u kushtosh vëmendje të rinjve që janë në darën e vetmisë? Ata kanë nevojë për empati dhe për dikë me të cilin të hapen, gjëra që mund t’i bësh ndërkohë që del me ta në shërbim. Pa dyshim që ti ke shumë për të bërë, prandaj, kur e ndihmon një fëmijë rregullisht dhe për një periudhë kohe, kjo mund të jetë ‘provë e çiltërsisë së dashurisë sate’. (2 Korintasve 8:8) Përpjekjet që bën do të pasqyrojnë interesin tënd që të tjerët të fitojnë jetën.
22. Çfarë mendon për interesin e Jehovait që të tjerët të fitojnë jetën?
22 Sa ngushëllohemi kur meditojmë për interesin që ka Perëndia për njerëzit, dëshirën e tij që ata të fitojnë jetën e përhershme! Atij i pëlqen më shumë të shfaqë dashurinë për njerëzit e drejtë që e duan dhe t’u japë atyre jetën, sesa të shprehë pakënaqësinë ndaj atyre që vendosin të jenë të pandreqshëm dhe si rrjedhojë, të padenjë për jetën e përhershme. Ndërsa presim me padurim ditën e Jehovait, le ta imitojmë duke ndihmuar të tjerë që të hyjnë në rrugën drejt jetës!
a Tri ilustrime inkurajuese tregojnë interesimin e madh të Perëndisë për shërbëtorët e tij që janë larguar—ilustrimi i deles së humbur, i monedhës së humbur dhe i birit plëngprishës.—Luka 15:2-32.