MËSIMI 20
Gjashtë plagë të tjera
Moisiu dhe Aroni shkuan t’i thoshin faraonit këtë mesazh nga Perëndia: ‘Po nuk e le popullin tim të shkojë, do të dërgoj zektha në vend.’ Zekthat janë miza të mëdha që pickojnë. Mizëri zekthash pushtuan shtëpitë e egjiptianëve të pasur e të varfër. I gjithë vendi u mbush plot me zektha. Por në vendin e Goshenit, ku jetonin izraelitët, nuk kishte zektha. Nga plaga e katërt e tutje, u prekën vetëm egjiptianët. Faraoni u përgjërua: ‘Lutjuni Jehovait t’i largojë këto miza. Populli juaj mund të shkojë.’ Por, kur Jehovai i largoi zekthat, faraoni ndryshoi mendje. A do të nxirrte ndonjëherë mësim faraoni?
Jehovai tha: ‘Nëse faraoni nuk e lë popullin tim të shkojë, kafshët e egjiptianëve do të sëmuren e do të ngordhin.’ Të nesërmen, të gjitha kafshët filluan të ngordhnin, përveç atyre që u përkitnin izraelitëve. Prapëseprapë, faraoni vazhdoi të ishte kokëfortë e nuk u dorëzua.
Atëherë Jehovai i tha Moisiut të shkonte përsëri te faraoni e të hidhte blozë në ajër. Bloza u bë pluhur dhe u shpërnda në ajër mbi të gjithë egjiptianët. Pluhuri shkaktoi plagë të tmerrshme që u përhapën menjëherë mbi egjiptianët e kafshët e tyre. Megjithatë, faraoni nuk i lejoi izraelitët të shkonin.
Jehovai e dërgoi prapë Moisiun te faraoni për t’i thënë këtë mesazh: ‘Akoma nuk pranon ta lësh popullin tim të shkojë? Nesër, në vend do të bjerë breshër.’ Ditën tjetër Jehovai dërgoi breshër, bubullima dhe zjarr. Ishte stuhia më e madhe që kishte parë ndonjëherë Egjipti. Të gjitha pemët dhe të korrat u shkatërruan, përveç atyre në Goshen. Faraoni i tha: ‘Lutju Jehovait ta ndalojë këtë. Pastaj mund të ikni.’ Por, sapo shiu dhe breshri pushuan, faraoni ndryshoi mendje.
Më pas Moisiu tha: ‘Tani karkalecat do të hanë çdo bimë që ka ngelur nga stuhia e breshrit.’ Miliona karkaleca hëngrën çdo gjë që kishte ngelur nëpër fusha dhe në pemë. Faraoni u përgjërua: ‘Lutju Jehovait t’i largojë karkalecat.’ Por, edhe pasi Jehovai i hoqi karkalecat, faraoni mbeti kokëfortë.
Jehovai i tha Moisiut: ‘Shtrije dorën në drejtim të qiellit.’ Menjëherë, qielli u errësua plotësisht. Për tri ditë egjiptianët nuk mund të shihnin asgjë. Vetëm vendbanimet e izraelitëve kishte dritë.
Faraoni i tha Moisiut: ‘Ti dhe populli yt mund të shkoni, por kafshët duhet t’i lini këtu.’ Moisiu i tha: ‘Duhet t’i marrim me vete edhe kafshët, që t’ia flijojmë Perëndisë tonë.’ Faraoni u inatos shumë dhe bërtiti: ‘M’u hiq sysh! Po të pashë prapë, të vrava!’
«Do ta shihni përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.»—Malakia 3:18